Merr frymë edhe për mua, poezi nga Vjollca Kuqi

 

 

Vjollca Kuqi u lind më 4 korrik 1970, në Gjakovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje. Ka përfunduar Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë dhe Master për Menaxhim dhe Planifikim në Universitetin e Padovës në Itali. Është aktive dhe kreative në angazhimet e saj në shoqërinë civile. Shkruan poezi dhe pikturon jetën në përditshmëri. Nga krijimtaria e saj artistike ka botuar dhe librin e saj të parë poetik “Ankth i përkohësisë”. Ky është libri i saj i dytë.

 

Në kotësinë e motiveve të jetuara

 

Në një përvjetor gati gjysmëshekullor

Vjen pa trokitur mosha

Që frymon në mua.

 

Parakalojnë vitet shtigjeve,

Që ajo vetë i shënjoi

Në mbarësinë e ditëve të jetësuara.

 

Në lëvizjet tektonike të zemrës

Mjegulla diellin e zë

E era lutet ndër blinaja.

 

Familjarët festojnë

Momentet e shpresës së përditësuar

Në kotësinë e motiveve të jetuara.

 

 

 

 

Memece bërtas

 

Ledhatoj shpirtin tim dhe bie

Si e vdekur në bukurinë e zonjës mëmë.

Memece bërtas nën tingujt e erës,

Verbërisht përcjell valët një pas një

Në stuhinë e konfuzionit tim.

 

Në pakujdesinë time thyhet

Qelqi i heshtjes

Shtatë vjet kismet vajze prishi…

 

Ooo, më lini të jem e shthurur

Nën çatinë e marrisë

Të së shtrenjtës mendje.

 

 

 

 

 

 

3.Streha e ashikut

 

Zura hijen time dhe e përqafova

Trupi prej mëndafshi shkrin me qesëndi

Gishtërinjtë cung prej druri zbuten

Në vrazhdësinë e kohës.

 

Guacat dhe gaforret e vogla

Mezi arrijnë në breg të oqeanit

Humba si e harlisur

Në rërën e plleshmërisë

Duke konservuar vazhdimësinë e species.

 

Flokët shprishen… fanari ndizet.

Avujt e trupit detin tërbojnë

Vala e ndjek valën e përplasën

Nga të qarat e shkëmbit.

 

Gjokset e përvëluara spërkaten

Nga aromë e detit dhe e rërës

Nën dritën e diellit

Ashikët këndellen.

 

 

 

4.Zemra e ashikut

 

Shiu bie dhe ngjyrat e ylberit të fatit

Pikojnë lot gëzimi

Në zemrën e ashikut.

 

Shtegtojmë bashkë mike

Në brigjet e të bukurës jetë

Një identitet mbajmë e të lumët ne!

 

Sekretet tona shpellës ia rrëfejmë

E psherëtimat i mbajmë mes nesh.

 

Kujtimet e nëntokës

Me të bëmat e përrallëzave tona thuren

Moj mike!

 

Ti valon qetë në liqenin e Otavës si pilivesë

Në ujëvarën e Niagarës derdh lot e djersë.

 

Unë çarshive me teqe, xhami e kisha

I kërkoj faltoret që mëkatarët t’i mëshiroj

Ata që me hallet e njerëzve penetrojnë

E për amore Zoçkat i turpërojnë.

 

 

 

5.Pikëturim ëndrrash

 

Si t’i pikturoj unë ëndrrat,

Ato ëndrrat e bukura e buzëqeshjet e sinqerta?

 

Si ta mbërrij qiellin e ta prekë fundin e detit

Në bujarinë malësore të zemrës?

 

Më pafshin të gjithë me sytë e tu shumëngjyrësh,

Oj nënëlokja ime!

 

 

 

6.Ditëlindje

 

Meditoj mu aty ku dielli puth detin.

 

Rrëzëllohet mendja me idenë:

S’kemi pse ngarendim të dukemi më mirë se vjet

S’ka garë me të tjerët, por me veten

Për pahun e dashurisë sonë.

 

Orët, ditët, muajt luajnë me vitet e mia

Duke gravuar numra e dizajnuar sfida e suksese…

 

I them ditëlindjes sime Mirë se erdhe!

Udhëtofsh e gëzuar gjatë tërë vitit

Bashkë me mua e me të gjithë ata që më rrethojnë!

 

 

 

7.Në paqe të thellë

 

Një krah i këputur nga flutur e bukur

Me zemër të rëndë sa qielli

Të thotë: “TË DUA, por s’të meritoj!”

 

Një gotë plot verë e thyer nga vreri

Nektar të dashurisë derdh mbi dhe.

TË DUA, por po të lë të më ikësh!

 

Dashuria ime, kjo nuk është lamtumirë,

Por dorëzim!

 

Gjakosa duart, theva krahët

U përpoqa lëkurën ta ndërroj.

Me ty vetëm në ëndërr

Dashuri bëj.

 

Aty do të me kesh ashtu siç dëshiron

Për ty të jem.

 

TË DUA, prandaj po të lë të shkosh!

Kënaqe jetën, çakërdise dashurinë!

Hënën vizito, yjet vjeli një nga një,

Në Rrugën e Qumështit zemrën shndrit.

 

 

 

8.NËSE

 

Nëse ndihesh e ndyrë

Nga pështymë e afshit Tim,

Ta pastron shiu!

 

Nëse ndihesh e prekur

Nga fjalët e mia,

Lexo nga buzët e skuqura!

 

Nëse me sytë e mi të qortoj

Mos u nxeh!

Janë avujt e mendjes së vetmuar.

 

Nëse të duket se zërin s’ta njoh më,

Zëri yt është në mua.

Nëse më thua që as Fytyrën s’ta kujtoj,

Shoh nga sytë e tu!…

 

 

E nëse zemra pushon së rrahuri,

Mos u frikëso!

Shpirti i dashurisë e ringjall.

 

 

  1. Natë pa hënë

 

 

 

Nata kaploi qiellin pa hënë

Dimër është e ftohësi në palcë kam.

 

Dëbora si qiri ndriçon çatinë.

Yjet mbajnë zi – fikur rrinë.

 

Asnjë dritë e ndezur s’është

Dashuria seç mbajtka zi!? –

Duhet ta këtë shtrirë trupin e saj

Në shtratin e melankolisë.

 

Nata korb zemrën vret

Në shtratin e gjumit ëndrrat m’i çon peshë

Kujtimet si vjedulla

Trysni i bëjnë harresës së dashurisë.

 

 

E humbur dhe e vrarë ndër varre

Dashuri e thurur me kaligrafi zemre

Gishtërinjtë e rrudhur, mendje e atrofuar

Zemër e shtrydhur nga hidhërimi

Pisket!…

 

Thonjtë tasterave melodi elegjiake thurin

Në aktet e përjetimit të dramës së jetës

Shpirti sorollatet korridoreve të shpresës

Për një agushi puthjeje të kujtimeve të mekura.

 

 

 

 

  1. Krushqit e universit

 

 

Hyra në shpellën e hijeve

Shoh materie universi:

Kafka kristalesh, koka kobrash,

Sfera, disqe e fosile delfinësh…

 

Kështjella e heshtur e Bushatllinjve

Me zana alkimiste e valltare magjistricash nga jugu

Në vek mëndafshin thurin.

 

“Mos, he të shitoftë zona”!

Këto ide konspirative ma lojtën trurin.

 

Piva nga uji i bekuar majë Gjallicës

Dhe e përshëndeta Zotin.

 

Kodin e rikthimit e gjeta

Në librin e sekreteve të jetës.

 

Drejt piramidave si zanë nisem

Hipur në devenë e shkretëtirës.

Dymbëdhjetë disqe fluturuese alienësh

Pllaka esmeraldi dhuratë më sjellin.

 

 

 

 

 

 

 

 

11.Diell në qytetin tim

 

Serenadë me jare
Nesër do të këndoj,
Gjakovë, qytet mëmë.

 

Për ty do të uroj
Çdo fytyrë banori që takoj,
Gjakovë, qytet me lule.

 

Me pajtona e dasmorë
Karvanë krushqish sule,
Gjakovë, qytet pleqnar.

 

Mbush sokaqet me fëmijë ylberi
Përqafime përndritëse porsi dielli,
Gjakovë, qytet i dlirë.

 

Çmenduri e lumturi
Diell në qytetin tim!

 

 

 

 

 

12.Tirana në agim

 

Një buqetë lulesh përballë meje qëndron
Pyes vallë kush i solli?
Qenin për fyti dikush e tërheqka zvarrë
Pyes veten ç’bën macja ime në shtëpi?

Me kafe ulur në Bar Opera[1]
Lëmoshkërkuesit në Tiranë bëjnë paradë,
Bajroni poemës oh ç’po ia thotë!
Qëmtohen historira, shpalosen legjenda.

Në sheshin e kësaj të diele të boshatisur
Tironsit i janë sulur Durrësit
Unë, turistja e etur e mëmëdheut tim
Shijoj pa masë pranverën e vonuar që në agim.

 

 

 

 

13.Pëllumbat në shi

 

Qielli- hi me simfoni murmurin.

 

Përtej dritares rri, veneroj

Revoltën e pëllumbave në fluturim.

 

Ka disa javë që zogjtë kanë ikur

Njerëzit në vapë, në mendime stonojnë.

 

Këta pëllumba të bardhë sot fat zgjojnë

Shiu s’arrin as tokën ta lagë.

 

Qielli me harqe resh pikëlon

Vibrimet tona të pamatura këndell.

Athua pëllumbat për ku po shtegtojnë?

 

Në shkrepat e Alpeve plot fole shpellash

Amanetin e të dashurve ndër shekuj mbajnë

Pëllumbat në gusht letra postojnë

Me sekretet e dashurisë që natyra i pikturon.

 

Paqe e freski sjellin çdo ditë

Tek zogjtë nga foleja dalin e këndojnë

Sa mall paskan për qiellin me re

Në pikën e zhegut trupin freskojnë.

 

 

 

 

 

14 . Gji i gjirit tim

 

Shikoj diellin

Që në ty më ngjason

Rrezet ngrohtësi amnore më provokojnë.

 

Zambakët  shpirtin ushqejnë

Ngjizjen që vadit gjirin e fatit.

 

Ëmbëlsi të ngrohta më vijnë

Teksa devenë e shaloj në shkretëtirën e kohës.

 

Plaga jote lëpihet nga hiena,

Mirësia jote ushqen një Afrikë.

 

Lind prapë o diell

Nën rapsoditë dhe lirikat

E Afrikës së shpirtit tim…

 

Kur s’të shoh disa ditë

Përkëdheljen  ia lë erës amanet

Që ta përqafojë thellësinë e shpirtit tënd.

 

Tash vazhdo e kërce me meloditë qiellore

Që ngjasojnë me hijen e imazhit tënd.

 

 

 

 

  1. ROZË

 

Ndiej dridhje duarsh,

Gurgullimë zemre,

Përbrenda konflikt jehonash të zgjuara

Nga dashuri e vjetër.

 

Gjaku me shkon për thonjsh

I bie fatit në lule të ballit.

Me lotët e zemrës ujis

Gjembat e gonxheve të purpurta.

 

Kapërcej urën e nuses në Zhelinën[2] plakë

Që dha nimfat e lashtësisë

Dhe beqarinë trashëguar e kanë.

 

Ujëvarë me shurup trëndafili

Vlon në oqeanin e durimit të purpurtë

Teksa uturin në dashurinë e beqarisë sime rozë.

 

Në thellësinë e oqeanit të mendimeve kuturu

Sirenat notojnë,

Karvan i lumturisë

Mbi monotoninë e përditshmërisë udhëton.

 

 

  1. KUJTIMET NGA ALHAMBRA

 

Në djerrinën e kohës

Nën tingujt e kitarës me melodi Alhambra[3]

Qan Ti!

 

Në valët e harresës

Një biçikletë zdirgjet

Nën ujin e detit të durimit.

 

Cikël arti nxjerr nga telat e hekurishtet

Shfryn mllefin e gomës së shqyer.

 

Ah more det, pse bën kaq shumë naze?

Mu në breg le nam!?

 

Djerrinave antike nën kujtimet e virgjëra

Sirenës pa zë vajin ia nxore.

 

Alhambra-Alhambra që me dritë të yjeve të argjendtë

Dhe shkëlqim të mëngjesit kështjellën e përflak

Dinasti e imperatorë fortesë të dashurisë të patën

Udhëtarë e romancierë naivë të pushtuan.

 

Mijëra fontana derdhen në trëndafilat e egër

Nën hijen e drunjve festojnë  fluturat shumëngjyrëshe

Perlë dhe smerald ngjyrash e aluzionesh.

 

Në kopshtet e kështjellës Alhambra

Oaza e elegancës më rrëmben…

 

 

 

  1. Protesta

 

Protesta , mjerim, lakmi e varfëri…

Koha ndaloi e në mjegull jemi.

Porsi tingulli i violinës në shi

Shpresa varur në dud mbetet.

 

Kacavirren zvarranikët si lëpinjza,

Dudi i vjetër me fruta u shpurdh.

Maskota Majmunësh lodrojnë

Filizat plandosen për tokë.

 

Mjegulla dhe mjerimi këmbëkryq…

Në vatrat e shqipeve veç bukë e lëng.

 

Nga oxhak i shtëpisë me shoshë zihet dielli

Ngrohtësia depërton vetëm nga vrimë e çelësit.

 

Bjeri gërrnetës o gëzim i purpurtë!

Godite mjerimin mu në lule të ballit!

“Bujrëm” në dasmë të rreme!

Sot i humbet beqaria varfërisë.

 

 

 

  1. Poezia loton

 

Të qava o poezi, me vargje të varrosa

Bota mbi kokë më ra në vendin e braktisjes së dashurisë.

 

 

Në bllogje e fcb[4] mesazhe

Bëjnë projektet e jetës

Gyrbetqarët…

 

Fëmijët n’skajp gjyshërit përqafojnë

E askush s’qan trapin se ç’tmerr përjetojnë!

 

Qeveria pasurohet e unë varfërohem

More a po na mbulon i njëjti qiell?!

 

Shteti të shet në banak të kafenesë,

Kapitalet e krimit taksa në pensione venë.

 

Troftat e lumit piranat i hanë

Heronjtë e tualetit menaxhojnë nga jahtet.

 

Në kohën kur pleqëria quhej sëmundje virale

Pleqtë në vdekje gjejnë shpëtim.

 

Burgoset artisti, tolerohet fashisti

Në vendin ku askush askë s’e dëgjon.

 

Robërit nuk kanë kohë për revolucion

Luftojnë të mbijetojnë!

 

 

 

 

 

 

 

  1. Gjiri i lëmoshëkërkueses

 

Fëmijë me sy prej hëne në dimër,

Duart shtrijnë në gjirin e ngrirë.

Nëna lehonë me fëmijë të fanitur në krahë

Mëshirë kërkon për të fisnikëruar shpirtin tënd

O moreee, o heeej!

 

Pak lumturi, veç një grimcë momenti!

Kapni dorën e shtangur e shtrëngoni!

Mohoni turpshëm fatin torturues tuajin e të saj,

Paranoikë të së sotmes herezi!

 

 

Parakalon nëna nga madhështia në përulësi,

Fati rri matanë në përqeshje, e përpëlit dhe e përqafon.

Mua më përmjerr në këmbë e më rrëzon.

 

Fal ore fal pak për atë njerëzi

Nëse ka ende brenda teje

Në ndonjë skutë të zemrës tënde prej dimri!

 

Lotët ngelin të ngrirë në sytë e ngulitur të fëmijës së mekur

E nëna si pa mëshirë me fëmijë abuzon.

Falni, o more falni, që kjo grua në shtëpi të shkojë!

 

O qiell, na gjuaj monedha që kjo grua të ngopë gojën e harruar,

Kapi, engjëll i akullt, fluskat e shpresës së mirësisë,

Ngrohe, ore diell, dhe puthe atë foshnjë të ngrirë!

Rritja krahët e dërgoje me pusullë në univers

Me amanetet e kësaj bote për dramaturgët që bëjnë sehir!

 

Plot yje me ngjyra në fytyrën e fëmijës si gjethe bien,

Engjëjt hapin krahët.

Grimca bekimesh mbledhin më pastaj

Dëshmitarët e së sotmes të nesërmen e gravojnë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

[1] Kafene në Tiranë

[2]  Fshat i vjetër në afërsi të Tetovës Bogaz (në gjuhën shqipe Qafa e Krushqve)

[3] Kompleks i fortesave në Granada, Andalusia, Spanjë .

[4] Është një diskutim apo vend informative i botuar në Faqe interneti

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *