Kryetari i Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Genc Pollo denoncon persekutimin politik të gazetarit, Mentor Hoxha

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik dhe deputet i Partisë Demokratike, z. Genc Pollo bëri publik më 8 maj 2017 mbifaturimin dhe shantazhin që Operatori shtetëror i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE po i bën prej një viti me fatura abuzive gazetarit me përvojë 20 vjeçare, z. Mentor Hoxha për disa artikuj politik dhe investigativ të botuar në disa gazeta të njohura ditore, si dhe për një intervistë të dhënë për gazetën “Nacional” me datë 5 qershor 2016. Për këto artikuj dhe këtë intervistë, gazetari Hoxha edhe është kërcënuar disa herë me jetën e tij dhe të familjes, si dhe është sulmuar fizikisht nga persona të paidentifikuar. Ai ka bërë kallëzim penal më 12 qershor 2016 në Komisariatin e Policisë nr. 6 në Kombinat dhe çështja ka kaluar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, por autorët akoma nuk janë zbuluar.

 

Intervistoi: Ilmi Dervishi

 

 

Fatura abuzive e OSHEE                     Shtëpia e mbifaturuar e gazetarit Hoxha

 

KARRIERA PROFESIONALE E GAZETARIT HOXHA

 

Gazetar i “Koha Jonë” për Prefekturën e Dibrës (1995-1997), gazetar te revista “Blic” (1998-1999), shef kulture te gazeta “Emigranti shqiptar” (1999-2000), redaktor politik dhe shef kulture te gazeta ditore “SOT” (2005-2007), shef kulture e përditshmja “Telegraf” (2010-2011), aksioner kryesor dhe anëtar i Këshillit Botues te gazeta “Rruga e “Rruga e Arbërit” (2013-2014), kryeredaktor te revista “Personazhe VIP” (2005-qershor 2016) dhe “Vajza e Ditës” (2008-qershor 2016), opinionist te gazeta javore “Nacional” (2013-qershor 2016) etj. Ka botuar 12 libra me poezi, studime shkencore dhe historike, reportazhe dhe intervista. Veçohen “Figura e femrës në letërsinë shqipe” (2015, studim letrar), “Blliçja, Çidhna dhe Dibra në historiografinë shqiptare e botërore” (2015, monografi historike),Sekretet e VIP-ve” (2005, përfshihen portrete dhe intervista exluzive me kryeministra, ministra, deputetë, shkrimtarë, gazetarë, miss-e, artistë etj.), “Albanian Eurovizion” (2011), “Lirika nga Europa” (2010), “Shënime nga Europa” (2010), “Sekretet e Miss­-eve”(1998, intervista me kryebukuroshet shqiptare), “Shpërthimet e zemrës” (2004, poezi), etj. Ka botuar me qindra artikuj, mbi 500 intervista me figura të njohura publike dhe ka bërë redaktimin e reçencën e rreth 50 librave të autorëve shqiptarë. Është  përfshirë në librat “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë” (2005), “Enciklopedia e Dibrës” (2006), “Një shekull poezi dibrane” (2009), “Historia e arsimit shqip në Dibër” (2011), “Antologjia e poezisë dibrane” (2003), etj. Ka kryer universitetin e Tiranës, dega “Gjuhë-Letërsi Shqipe” (1995), Masterin Shkencor për “Studime Letrare” me mesatare 9.1 dhe disa kurse pasuniversitare jashtë Shqipërisë për mësuesi e gazetari. Para se të merrej me gazetari dhe studime letraro-historike ka punuar mësues në shkollë të mesme për lëndët “gjuhë” dhe “letërsi”. U lind në Dibër, nga viti 1997 banon në Tiranë. Është i martuar dhe ka një djalë 8 vjeç.

Disa nga librat e autorit

 

 

MENTOR HOXHA: MË KËRCËNOJNË DHE MBIFATUROJNË PËR ARTIKUJT DHE INTERVISTAT

 

-Z. Hoxha. Keni punuar në disa gazeta të njohura ditore dhe si kryeredaktor në dy revista periodike. Prej vitesh jeni analist te “Nacional” dhe keni botuar te kjo gazetë disa intervista dhe opinione mbi politikën, letërsinë dhe kulturën. Diçka më shumë rreth persekutimit tuaj politik për shkak të profesionit si gazetar dhe analist?

-Gjatë 20 viteve si gazetar profesionist kam botuar me qindra intervista dhe artikuj politikë dhe social-kulturorë. Natyrisht që për disa artikuj apo intervista kam patur probleme dhe kërcënime nga persona me pushtet politik, apo të panjohur. Madje, edhe më kanë arrestuar, rrahur dhe mbajtur 4 orë në Komisariatin e Policisë para shumë viteve, për disa artikuj të botuar në media, por kurrë nuk jam shantazhuar nga ente shtetërore siç po më ndodh tani. OSHEE më mbifaturoi pikërisht në muajin qershor 2016 kur u botua intervista ime kritike ndaj kryeministrit. Hakmarrja dhe mesazhi i tyre është i hapur dhe i qartë. Përmes këtij mbifaturimi më thonë: “Sa herë do na kritikosh, me dhjetra herë do të të mbifaturojmë”. Pas këtij mbifaturimi, OSHEE më ka prerë edhe dritat në banesë dhe nuk ka lënë asnjë vërtetim për këtë ndërprerje. Dyshoj se më kanë mbifaturuar edhe pas kësaj ndërprerje, pasi jam sinjalizuar nga komshinjtë se faturisti i dritave kontrollon çdo muaj te shtëpia ime sahatin e dritave që ndodhet në verandë dhe mban shënime në bllokun e tij. Kam gati një vit që kam kërkuar përmes të afërmve të mi sqarime nga OSHEE-së për mbifaturimin dhe mosdhënien e vërtetimit të ndërprerjes së energjisë në banesë, por kanë reaguar me arrogancë. Ky është shteti shqiptar.Të ndërpret dritat dhe nuk të jep as vërtetimin e ndërprerjes ; të mbifaturon pa të drejtë dhe nuk të jep asnjë sqarim a rrugëzgjidhje. Shkurt, shtet rrumpallë.

 

-Në denoncimin publik të Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, krahas mbifaturimit të lartë nga OSHEE, përmenden edhe disa kërcënime me jetë ndaj jush gjatë muajit gjatë maj-qershor 2016 nga persona të paidentifikuar për artikujt dhe intervistën e dhënë te Nacional. Mendoni se do zbulohen autorët?

Nuk shpresoj, pasi gjatë kërcënimeve me telefonata anonime apo gjatë sulmit fizik më kanë përmendur artikujt dhe intervistën kundër kryeministrit. Lidhjen e tyre me qeverinë apo politikanë të lartë e përforcon edhe mbifaturimi nga enti shtetëror OSHEE. Mbifaturimi dhe sulmi fizik kanë ndodhur pikërisht në muajin qershor 2016 kur u publikua intervista ime kritike ndaj Kryetarit të Qeverisë. Dosja ime në Prokurori do mbyllet pa ndonjë rezultat, në mos qoftë mbyllur, ashtu siç janë mbyllur pothuaj të gjitha dosjet e kolegëve të mi të kërcënuar me jetë, të arrestuar padrejtësisht nga policia, të masakruar apo të rrahur brutalisht nga persona të njohur e të panjohur. Për gazetarët shqiptarë sot ka dy rrugë: ose t’i shërbejnë Qeverisë dhe të përfitojnë të mira materiale prej saj, duke u larguar nga misioni i tyre, ose t’i qëndrojnë besnik informimit publik dhe të përballen me kërcënime me jetë, me sulme fizike, me rrahje brutale, censurë, shantazh qeveritar, apo me pushime nga puna dhe mbifaturime të larta nga ente shtetërore. Të heqin nga puna edhe për një koment në facebook, siç ndodhi me çiftin e gazetarëve Simon dhe Elona Shkreli, vetëm pse Simoni dha një opinion në facebookun e tij për një politikan të lartë, shok i punëdhënësit të tij. Këtë vit ka patur disa gazetarë të arrestuar nga policia apo të masakruar nga njerëz të njohur apo të paidentifikuar. Rasti më i fundit është ndaj gazetarit, Elvi Fundo, i cili u godit barabarisht  me mjete të forta në mes të ditës dhe në mes të kryeqytetit nga njerëz të paidentifikuar në orën 10:35 të datës 8 mars 2017 pranë ish stacionit të trenit në Tiranë. Dhunuesit i erdhën nga pas shpine dhe e qëlluan me mjete të forta duke i shkaktuan hematoma të shumta në kokë dhe në fytyrë. Gjatë qëndrimit në spital, Fundo u vizitua nga vet ministri i Brendshëm i asaj kohe, z. Sajmir Tahiri, ku i premtoi zbulimin e autorëve, por ato akoma nuk janë zbuluar. Atë e qëlluan nga pas, ndaj nuk qe në gjendje t’u shihte fytyrat, por vendi ku u dhunua monitorohet nga kamerat.  Dhunuesit nuk kanë kursyer as bashkëshortet e gazetarëve opozitarë. Më 17 shtator 2017, gjakosën bashkëshorten e gazetarit të RD, Telnis Skuqi, i cili para disa muajsh fitoi mbrojtje ndërkombëtare në Norvegji. Në këto kushte dramatike, duke qenë se jam familjar dhe kam një djalë të vogël 8 vjeçar, unë që sot heq dorë nga gazetaria dhe intervistat. Do t’i rikthehem profesionit dhe publikut kur të ketë rënë ky kryeministër dhe kjo qeveri armike e mediave dhe e mendimit ndryshe. Gjatë periudhës 26 vjeçare të tranzicionit shqiptar (1992-2016) kam parë kolegë të vrarë apo të masakruar për vdekje nga persona të njohur e të panjohur; kolegë të kërcënuar me jetën e tyre dhe të familjes; kolegë të arrestuar apo të pushuar padrejtësisht nga puna; kolegë të larguar nga vendlindja dhe profesioni nga frika e hakmarrjes; kolegë që janë qëlluar me automatikë e mitralozë, apo u janë rrafshuar shtëpitë dhe apartamentet me lëndë eksplozive. Numrin më të madh e zë 4 vjeçari i Qeverisë “Rama” (2013-2017). Pothuaj të gjithë kërcënuesit, dhunuesit apo vrasësit e gazetarëve në Shqipëri nuk janë zbuluar apo vënë para drejtësisë.

-Si gazetar profesionist me një karrierë 20 vjeçare në media,  si e vlerëson Lirinë e Shtypit në Shqipëri nga viti 1992 e deri më sot? 

-Aktualisht po shkruaj një libër mbi mediat dhe lirinë e shtypit në Shqipëri pas rrëzimit të regjimit 45 vjeçar komunist në Shqipëri. Me lindjen e pluripartizmit dhe triumfin e demokracisë në Shqipëri u duk sikur mori fund edhe ndrydhja afro 45 vjeçare e lirisë së shprehjes në këtë vend, por faktet tregojnë të kundërtën. Gjatë periudhës 26 vjeçare të tranzicionit shqiptar (1992-2016) kam parë kolegë të vrarë apo të masakruar për vdekje nga persona të njohur e të panjohur; kolegë të kërcënuar me jetën e tyre dhe të familjes; kolegë të arrestuar apo të pushuar padrejtësisht nga puna; kolegë të larguar nga vendlindja dhe profesioni nga frika e hakmarrjes; kolegë që janë qëlluar me automatikë e mitralozë, apo u janë rrafshuar shtëpitë dhe apartamentet me lëndë eksplozive.

Përse nuk zbulohen, arrestohen apo dënohen kërcënuesit apo dhunuesit e gazetarëve?

-Sepse urdhërohen nga politikanë apo pushtetarë të lartë, ose kanë lidhje të fuqishme me ta. Mediat që nuk i pëlqejnë, kryministri im i quan media të “kazanit”, ndërkohë që shumicën e mediave kryesore në vend i ka blerë me reklama shtetërore, leje ndërtimi, apo duke punësuar të afërmit e pronarëve të mediave kryesore në poste të larta shtetërore. Kryeministri ka futur nën ombrellën e tij edhe shoqatat e gazetarëve dhe përçarjen midis mediave dhe gazetarëve që e përkrahin dhe atyre që e kritikojnë. Viti 2016-2017 ka qenë një vit i vështirë për mediat dhe gazetarët kritikë. Për shkak të autocensurës, apo daljes nga linja editoriale, janë pushuar nga puna, kryeredaktori i lajmeve në “Top Channel”, Mentor Kikia (21 shtator 2016), drejtoresha e lajmeve në “A1 News”, Alida Tota (gusht 2016), drejtori i Informacionit në “ABC News” Armand Shkullaku (11 janar 2017), drejtori i gazetës “Mapo”, Alfred Lela (31 janaj 2017); është gjakosur dhe rrahur brutualisht gazetari sportiv, Eduard Ilnica (9. 05.2016) dhe Elvi Fundo (8 mars 2017); është qëlluar me grusht në sy të kolegëve, gazetari i “ABC News”, Eni Shehu (16 janar 2016);  është mbifaturuar me shuma të larta nga OSHEE (qershor 2016) dhe sulmuar fizikisht me jetë Mentor Hoxha (12 qershor 2016); janë ofenduar me një fjalor arrogant nga kryeministri, Erisa Zyko dhe moderatorja e emisionit “Studio e hapur”, Eni Vasili; është shoqëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Artan Hoxha (15 shtator 2016) dhe në ambientet e Policisë, Genc Pishtari (18.05.2016) dhe Kastriot Myftaraj (10 maj 2017), etj.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *