Shkrimtari me dhe pa atdhe

 

 

Shkrimtari me dhe pa atdhe

 

Entela Safeti KASI

 

Bota akoma ka një ëndërr, ne kemi akoma një ëndërr: shkrimin dhe leximin e letërsisë, poezisë, romanit, e sigurisht që kemi nevojë për “urat”, për të dërguar gjithçka kemi shkruar në një vetmi të plotë, rreth botës, pavarësisht se shkruajmë në gjuhët tona nacionale.

Ne gjithmonë kemi nevojë për hapësirë dhe synimi ynë mbetet lexuesi nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Pse shkrimtari mbetet peng i kësaj dëshire? Pse e kemi ne ende këtë ëndërr? Përbrenda ëndrrës ne kemi ende një pyetje ; Të jemi a të mos jemi me një atdhe? Të kemi a të mos kemi një atdhe?

Letërsia e shkëlqyer i përket gjithë botës, të gjitha vendeve,  të gjithë lexuesve. Ajo buron nga vetmia më e thellë në studion e shkrimtarit e rrjedh drejt shumë vendeve, shumë popujve shumë gjuhëve. Historia e letërsisë na ka vërtetuar këtë fakt të pandryshueshëm. Ne ende lexojmë letërsinë antike të Greqisë dhe Romës së vjetër, ne ende komentojmë baladat vjetra angleze.

Ne ende komentojmë kulturën antike të botës dhe ende jemi të uritur për këtë lloj letërsie të prodhuar mijëra vjet para nesh, kur njerëzimi kishte të tjera forma organizative  shtetesh dhe kufijsh.

Ne lexojmë më madhështorët e këtyre kohëve dhe mua më lind pyetja: a menduan ndonjëherë këta shkrimtarë të papërsëritshëm për kufijtë e shteteve, gjuhës, njerëzve dhe të vetë kohës?

Filozofia e veprave  të mrekullueshme që ata krijuan  dikur në antikitetin e botës mbetet aktuale edhe për botën tonë moderne, për kohën tonë moderne, për shoqërinë e sotme moderne, për njerëzimin e ditëve tona.

Ky është padyshim shembulli më i spikatur i prurjeve universale të letërsisë në botën e letërsisë së shkëlqyer, e në këtë atdhe të shkrimtarëve, ku njerëzimi gjen vetveten të pasqyruar, Atdheu i gjithsecilit, copa e tokës e kufizuar kufijsh gjeografikë, tretet në sytë e shkrimtarit dhe lexuesit.

Atdheu pjesa e tokës e kufizuar në gjuhën e nënës, në pëshpërimat e hershme të të menduarit tonë, mbetet i rëndësishëm, sepse ai e bëri shkrimtarin të lidhet me temat e tij, që në të gjitha kohët shkon paralel me faktin se: fati i individit, varet në fatin e atdheut të vet ku jeton, sikur fati i prurjeve madhore në letërsi lidhet me ngjarjet e atdheut dhe ato botërore.

A do të kishim ne bota reale, njerëzit e saj, letërsinë e mrekullueshme në librat e jashtëzakonshëm të Remarkut dhe të gjithë gjeneratës së Brezit të Humbur nëse lufta e dytë botërore nuk do të kishte tronditur lindjen dhe perëndimin, veriun dhe jugun e saj?

A do të kishim ne bota moderne poezinë e mrekullueshme të Salman Rushdie nëse ne njerëzit modernë, nuk do të kishim shkaktuar kaq shumë urrejtje mbi qeniet humane, kufij gjeografikë, besime, dhe gjuhë?

Shkrimtari është përgjithmonë ndërgjegjja e shoqërisë nga kohët antike në kohët tona moderne. Temat mbi të cilat letërsia shkruhet janë frymëzuar nga ngjarje që kanë ndodhur në sytë tanë, ku jemi përballur me realitetet, e këto ngjarje e tema të forta kanë nevojë për sy të shihen, e për ndërgjegje të tronditura që eksplorojnë.

Unë akoma kam një pyetje të brendshme në kufij të asaj që  më rrethon: Si ndikon atdheu në jetën private të shkrimtarit? Si ndikojnë qeveritë e atdheut të gjithsecilit në jetën e shkrimtarëve, të këtyre qënieve humane?

Ndikimi ka fazën e vet pozitive dhe negative si vetë ngjarja. Vendet e qytetëruara kanë hartuar politika duke i çmuar shkrimtarët e mëdhenj si monumente kulturore kombëtare  dhe janë krenarë për shkrimtarët  e gjuhëve të veta. Po vendet e tjera ç’bëjnë?  Ende persekutojnë, burgosin dhe censurojnë shkrimtarë për veprën e tyre? Ende u bëjnë autopsinë veprave dhe ndërtojnë tragjedi të reja mbi shkrimtarët, të cilët  janë njerëz dhe kanë edhe një fat njerëzor, ndërsa këta vazhdojnë të ndëshkohen për shkak të atdheut, gjuhës, besimit?

Përse shkrimtari ka nevojë për atdheun dhe përse qeveritë e atdheut të shkrimtarit, i kanë shkaktuar drama njerëzore njeriut shkrimtar? I kanë shkaktuar braktisje, ose i kanë detyruar arrati drejt lirisë dhe shpëtimit?

Ne kemi shembujt e letërsisë  nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, nga kohët antike në kohët morene. Nëse atdheu i tronditur e bëri shkrimtarin të eksplorojë temat e tronditjes kolektive,  burgjet u hapën për të ose harresa, edhe pse ai u përul para dhembjes së atdheut të vet, edhe pse ai këndoi me vargje të mrekullueshme përmes artit madhështor, edhe pse vepra e tij ishte një prurje e bukur në botën e letërsisë së shkëlqyer. Ndëshkimi ka qenë i njëjtë pavarësisht kombësisë, shtetësisë apo shkrimtarit.

A do të kishim ne bota e kufijve gjeografikë, poemat e mrekullueshme të Childe Harold nëse Bajroni nuk do të ishte endur në arrati prej atdheut të cilit i këndoi përulshëm dashurinë, e kështu e gjeti veten në burgun e mallit për atdheun, pavarësisht vendeve,  gjuhëve, kufijve që eksploroi dhe kapërceu? Edhe gjuhës shqipe dhe shqiptarëve u këndoi ky romantik i përsosur.

A nuk është  tashmë një e vërtetë e hidhur fakti që shkrimtarët dhe poetët e gjuhës shqipe u dënuan me vdekje sepse poezia dhe romani i tyre eksploroi temat e atdheut dhe ky atdhe i frymëzoi më tepër se gjithçka tjetër, për shkak të gjurmës  së regjimit më të keq mbi njerëzit, më të egrit regjim në vendet e lindjes, që shkaktoi njëkohësisht drama dhe tragjedi njerëzore, po aq sa art të bukur, si një dëshmi e përjetshme e gjallë e të gjithë kohëve prej ndërgjegjes së tronditur të shqiptarëve të zhgënjyer!

Kjo gjeneratë e quajtur Disidencë kurrë nuk e gjeti një vend  në atë copë tokë rrethuar me kufij të quajtur Atdhe. Disa prej kësaj gjenerate shkrimtarësh i përkitën nëntokës, varrezës, braktisjes, harresë, mohimit,  sikur të kishin qenë pikërisht këta njerëz, armiqtë më të egër të atdheut të vet! Ndërsa të tjerë u endën në arrati drejt lirisë në vende të tjera  për të shpëtuar vetën dhe veprën. Letërsia shqipe e gjeti veten të ndarë në tre drejtime:

 

  1. Letërsia e realizmit socialist në gjuhën shqipe, e kërcënuar nga ideologjia e kohës.
  2. Letërsia e gjuhës shqipe në Azil.
  3. Letërsia e gjuhës shqipe e Disidencës me dhe pa atdheun, brenda dhe jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë.

 

 

 

Prej këtyre drejtimeve është  e sigurt që letërsia e gjuhës shqipe solli prurje në botën e letërsisë, dhe po ashtu edhe në atdheun e shkrimtarëve që është letërsia e shkëlqyer.

Kjo më bën të mendoj se atdheu asnjëherë nuk është kurrë i tepërt për shkrimtarin edhe pse është një shpenzim, sepse shkrimtarët e letërsisë së shkëlqyer i përkasin gjithë botës. Lexuesit kudo në botë mbajnë librin e shkrimtarit, në librarinë apo studion e vet. Lexuesit mbajnë poezinë, romanin, ngjarjen, idetë, ndërgjegjien e tronditur të vetë botës, nga kohët antike në kohët moderne.

Shkrimtari nuk ka nevojë për vizë, as për pasaportë për të hyrë në shtëpinë e dikujt  midis rafteve të bibliotekës të një të huaji a të panjohuri. Vlera e artit, i bën kryeveprat e letërsisë  të hyjnë kudo tek çdo i huaj.

Shkrimtari është atje përgjithmonë, si Homeri në studion time, si Shekspiri në raftin tim, si Kafka poshtë jastëkut, Si Salman Rushdie në të menduarin tim, si Kadareja në gjuhën time.

Por bota e vërtetë sapo dal nga pasqyra si Alice nga Bota e çudirave, më tregon kufijtë e saj e më shtyn të mendoj rreth ekzistencës së sotme të shkrimtarit me dhe pa atdhe, pasi uria e dikujt për kurora lavdie  e bën dikë tjetër të mos pranojë  shkrimtarin universal midis nesh,  i cili gjendet diku afër a larg…

Në të menduarin tim çdo shkrimtar është një koral në shtratin e koraleve dhe çdo gjuhë një tingull i muzikës që ne këndojmë çdo ditë kudo ku jemi. Koralet dhe perlat janë të shtrenjta dhe ne paguajmë për ti pasur apo mbrojtur, por tingujt, muzika, e gjuha e muzikës, është nevojë e përjetshme e njerëzimit, pasi ajo është si ajri që thithim, e njerëzimi nuk mund të jetojë pa këtë ajër, pa këtë muzikë të botës, e cila është dashuri dhe urrejtje, përulje dhe tërheqje, poezi dhe roman, art.

Nëse nuk është kështu, pse shkrimtari shkruan dhe pse lexuesi lexon? E, së bashku, shkrimi leximi janë akte që ndodhin në vetminë më të thellë, ku nuk ka tokë, kufizime gjuhësh dhe kufij. Atje në pasqyrën më të bukur të vendeve dhe gjuhëve, buron e rrjedh njerëzimi, temat e tij antike dhe moderne: njeriu si retorikë e përjetshme!

 

 

2004

 

One thought on “Shkrimtari me dhe pa atdhe

  1. Letërsia shqipe mbart shpirtin dhe ndjenjat e popullit shqiptar, mbart luftën dhe përpjekjet e tij për mbijetese në kushtet e krizave të mëdha historike, mbart punën heroike për ruajtjen e gjuhës dhe traditave më të bukura. Edhe sot ajo transmeton gjendjen shpirtërore aktuale të njerëzve tanë, problemet e mëdha me të cilat ndeshet psikologjia dhe ndërgjegjia e tij gjat të ashtuquajturit proces tranzicioni. Gjithmonë ajo shërben si ushqimi shpirtëror më i suksesëshëm për të ngjallur te njerëzit optimizmin dhe dëshirën për të jetuar e për të gëzuar. Bima e brishtë e letërsisë shqiptare u lind dhe u rrit në një tokë të ashpër. Ajo herë mbinte e lulëzonte, dhe herë shkulej nga dheu prej rrjedhës brutale të historisë politike. Fillesat e shëndosha të letërsisë moderne në vitet 1930 u shfarosën pa mëshirë nga udhëheqësit stalinistë, që morën pushtetin në vitin 1944 dhe e mbajtën deri në vitin 1990. Dhe së fundi, me të rënë diktatura, letërsia shqiptare e realizmit socialist, krijesë e regjimit komunist, u bë e vjetruar dhe e padëshirueshme. Megjithatë, kjo bimë e brishtë e kësaj toke të ashpër legjendare ka prodhuar edhe lule të mahnitshme, disa prej të cilave e meritojnë vëmendjen e krijuesve dhe artdashësve të sotëm.
    Në të vërtet, letërsia shqipe edhe pse ka krijuar tanimë një traditë, ka në gjirin e saj emra të denjë e artistësh, por vazhdon të vuaje mungesën e një komunikimi të lirshëm, vazhdon të jetë e sfiduar nga grupe e qarqe sharlatane, që i shërbejnë pak kulturës letrare, vazhdon të jetë pre e disa emrave që mund të jenë gjithçka tjetër veçse jo shkrimtar, vazhdon të bëje jetë prej klanesh e grupesh të mbërthyera nëpër geto partiake. Psikologjia klasore nuk i lejon shkrimtarët të çlirohen nga falsiteti demagogjik të cilët sot realisht janë gangrena më e rrezikshme e letërsisë shqipe. Ata, duke iu shërbyer partive i shërbejnë vetëm antikulturës, unit, shthurjes, degjenerimit dhe jo vlerave, i shërbejnë fragmentimit të letërsisë shqipe, izolimit të saj. Letërsia dhe politika është sikur letërsia dhe jo vlerat. Konkretisht janë klanet ato që po e rrënojnë dhe e izolojnë vazhdimisht letërsinë shqipe.
    Është pikërisht kjo gjendje e mjerë, që e pengon integrimin e plotë të letërsisë shqipe, si një sistem i vlerave universale, po e pengon komunikimin e natyrshëm e të nevojshëm dhe po e mban letërsinë të mbërthyer tek ca emra shërbëtor ideologjish e autorë pa shije të kulturës artistike. Plotë autorë të “mëdhenj” struken pas klaneve dhe grupeve të caktuara politike, vendosin lule dhe vajtojnë pranë varreve të udhëheqësve të tyre shpirtërorduke harruar se arti i mirëfilltë dhe vlerat universale nuk kanë nevoje për mbështetje apo për mburoja. Në kushte të tilla, autorë të shumtë shqiptar, që vërtet përfaqësojnë vlera të vërteta, e kanë të vështirë t’i ofrohen lexuesit shqiptar, i mbyt demagogjia dhe urrejtja klasore, i gropos politika antiartistike dhe u mungon plotësisht mbështetja ekonomike e sociale. Kjo gjendje padrejtësie i vë përballë sfidave të shumëfishta dhe shpeshherë të pakapërcyeshme.
    Arti letrar duhet të udhëhiqet nga parimet e mëdha humane për të qenë ushqyes i botës shpirtërore të kombit tonë me ndjenjat më humane. Ai duhet të jetë gjithmonë në harmoni me gjendjen psikologjike dhe ekonomike dhe të punoje për ti bindur njerëzit se rruga e suksesit në jetë arrihet duke zhdukur armiqsitë midis tyre.
    Shkrimtari duhet të ketë një zemër të madhe të mbushur me dashurinë e pakufishme për njerëzit dhe nuk duhet të harroje kurrë se duhet të thoje e të mbroje vetëm të vërtetën. Ka plot njerëz që e kuptojnë të vërtetën si një koncept relativ dhe abuzojnë me këte parim por duhet të mësojnë se ka një të vërtetë absolute që buron nga njohja e plotë e psikologjisë së popullit tonë. Shkrimtari nuk duhet të harroje kurrë se arti letrar është i bukur kur ka në themel ide të bukura. Nuk është vepër e bukur ajo vepër që sfidon psikologjinë e shqiptarit duke i servirur atij shthurjen morale, degjenerimin shpirtëror dhe një fjalor të mbushur me banalitete. Vepra letrare e ka emrin “ Art “ dhe si e tillë duhet të jetë e bukur, e pastër dhe plot ndjenja shqiptare. Shkrimtari mëshiron në veprën e tij një pjesë reale të jetës njerëzorë duke e harmonizuar me ate të përfytyruar por prezenca e tij shërben gjithmonë si udhërrëfyes. Kështu vepra letrare është produkt i një njohjë të thellë shkencore të psikologjisë njerëzore, i emocioneve të thella, i gdhendjes së fjalës artistike dhe i transmetimit të një mesazhi shumë fisnik.
    Brezi i ri nuk duhet parë si një bashkësi që po ecën në një rrugë pa perspective dhe të trajtohet si një objekt ne dekadencë shpirtërore por si një forcë e madhe progressive që ka nevojë të gjeje një rrugë plot dritë dhe të rende përpara. Vepra letrare nuk ka të drejtë ta ofendoje popullin, se qenka me mbeturina, por ta trajtoje me dashuri duhet respektuar traditat dhe kulturën e tij shekullore si perla të vërteta shqiptare. Vetëm ata shkrimtarë që nisin të shkruajnë me qëllimin për ta fisnikruar ndërgjegjien e popullit tonë, vetëm ata që interpretojnë artistikisht shpirtin e këtij populli kan sukses.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *