Prej 400 javësh me gazetën Nacional

Prej 400 javësh me gazetën Nacional

 

Nga Mujë Bucpapaj

 

Sot është numri i katërqindtë i gazetës kombëtare, letrare dhe kulturore “Nacional.”  Duke qënë një media javore, i bie që gazeta të jetë prej 400 javësh në një komunikim me lexuesit e saj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Diasporë.

Stafi i gazetës “Nacional,” ndihet kranarë që ka dhënë kontributin e tij modest në komunikimin kulturor mbarëkombëtar. Nëse mediat sociale kanë corientuar lexuesit dhe shpesh prishur hierarkinë e vlerave krijuese, gazeta elitare “Nacional,” në variantin e printuar dhe atë online, është përpjekur që përmes filtrash professionalë dhe redaktimi korrekt të ketë ofruar vlera konkuruese, duke e bërë gazetën tonë një pikë referimi për mijëra lexues. Nacional ka trajtuar me guxim të gjitha problemet kombëtare shqiptare në rajon, duke shmangur sherrnajat e politikës së ditës, duke  orientuar  me besim, rrugët që mund të cojnë në bashkimin kombëtar dhe forcimin e faktorit shqiptar në rajon në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne besojmë se shteti komb do të jetë një garanci për paqen, begatinë, demokracinë, ekonominë e tregut  dhe të  të drejtat themelore të njeriut. Po kështu ne besojmë se qeveritë shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, duhet të punojnë më shumë për bashkimin kombëtar dhe natyrisht të flasin më pak, të bëjnë më shumë punë dhe projekte të përbashkëta dhe më pak retorikë që mund të kthehet në faktor pengues.

Gazeta Nacional prej 400 numrash shkon në duart e mijëra  lexuesve shqiptarë në  rajon, ndërsa  në variantin online  ndiqet prej qindramijëra lexuesish  kudo  ku gjënden në botë, duke mbijetuar në një terren të papërshtashëm për mediat që në politikat e tyre editoriale kanë frymën kombëtare.

Sot gazetat e printuara  konsiderohen si “një industri globale në tranzicion,”  apo si “një teknologji e vjetër e bazuar në leter”, duke qënë se  ballafaqohen me sfidantë të rinj si interneti etj, por gazeta Nacional ka mbijetuar falë një pune të përkushtuar të stafit të saj.

Sot gazetat në Shqipëri, si kudo në botë  ballafaqohen me rënjen  e shitjeve, si rrjedhim edhe humbjen e reklamave dhe reduktimin e numrit te gazetarëve. Në vitet e fundit numri i gazetave të mbyllura apo të planifikuara për mbyllje, është rritur. Në Shqipëri gjatë këtyre nëntë vjetëve që “Nacionali” është në qarkullim,  janë mbyllur disa të përditshme dhe për fat të keq edhe shumë peroidike.

Falimentime  ose shkurtime të rënda ka patur edhe në nivel ndërkombëtar, ta zëmë edhe në Shtetet e Bashkuara,  ku sipas statistikave një e pesta e gazetarëve të mediave të shkruara kanë humbur vendin e punës.

Debati për mbijetësën e mediave të printuara është bërë mëse urgjente kohët e fundit.

Teknologjia e re i ka bërë   gazetat të duken të  vjetëruara dhe e vonuara, prandaj për të mbijetuar, ato kanë përshtatur formën tradicionale të letrës dhe atë elektronike online, si një kombinim i mirëpritur për t’i shpetuar falimentimmit.Dihet tashmë se ardhja e televizionit në vitet 1950 shënoi rënien e  rëndësisë së  gazetave “si burim kryesor informacioni.”

 Shpërthimi i internetit në vitet 1990 dhe në dekadën e parë të shekullit të 21-të, i ka dhënë fund  përfundimisht hegjemonisë së  gazetave “si burim i lajmeve.”

Kështu që edhe “Nacional” është përballur edhe më ketë sfidë, por ia ka dalë mbanë  nga puna e gjalle krijuese dhe manaxhuese, por edhe falë lexuesve të saj besnikë, falë mijëra bashkëpunëtorëve të saj , shkrimtarëve, poetëve, kritikëve, perkthyesve, artistëve etj, që kanë publikuar krijimet e tyre në Nacional. Por edhe falë bizneseve që kanë reklamuar në gazetën tonë.

 I falenderojmë ata, duke i siguruar se gazeta jonë e përbashkët “Nacional”,  do të jetë gjithmonë e hapur për të gjithë, duke patur si kritër vetëm cilësinë dhe frymën patriotike, kombëtare.

 

4 thoughts on “Prej 400 javësh me gazetën Nacional

  1. Selam alekum stafi jone te uron pune te mbar dhe te kesh jet te lumtur me familjen tende z. Muje Bucpapaj. Po komentojme sepse ju jeni gazeta me e mire ne shqiperi ju pershndes. me respekt Radio 1 93.2 MHz.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *