Poezi

Skënder Buçpapaj

KËTË DITË DIELLI

 

Këtë ditë dielli,

Ky gem luleverdhë thane

Është lastar i ëmbël dielli

Në hapësirë.

 

Këtë ditë dielli,

Buzëqeshja jote

Është një zog i bardhë dielli

Në gem thane.

 

Këtë ditë dielli,

Bota

Është një tingull i gëzuar dielli

Në buzëqeshjen tënde.

 

 

 

MOJ E MIRA QË DEL TE KROJET

 

Ai s’erdhi më.

Vetëm unë te krojet.

 

Zogjve iu dhimba

Zogjtë

Ranë të hanë vajet e tyre.

 

Krojet u thanë.

 

Plasat e tokës

U ngopën me gurgullimat

E krojeve.

 

Ujku stërdhëmb i namës sime

Tufat e shqerrave s’i gjeti kurrë.

 

Shqerrat hëngrën deri te qielli

Rudinat e trishta

Të mallit tonë.

 

BURIM I BARDHË!  BURIM I BARDHË!

 

 

Burim i bardhë! Burim i bardhë!

Ëndrra ime

Që gumon kthjellët nga toka.

 

Sa herë kam pirë rrëkezën tënde,

Kam pirë gjoksin tim  –

Etje  –

Që etje din të shuajë.

 

Ahishtet

Ruajnë gonxhet e tua

Qielli

Të mos i gëlltisë kurrë.

 

 

Burim i bardhë! Burim i bardhë!

Toka mos është

Ëndërr e bardhë,

E shijuar nga të gjithë?

 

 

 

FRYMA E DIELLIT

 

Prej krepave të bjeshkëve herët

Nxorri dielli kokën kuqoshe.

Bulshitë e krahnorin i fryni.

E frymë mori.

 

U nisën pishnajat nëpër fishkëllimat e pishave,

Për në mushkëritë e nxehta të diellit.

U nisën ortiqet nëpër kundërmimin e barnave

Për në mushkëritë e nxehta të diellit.

U nisën ahishtet nëpër flladitjen e aheve

Për në mushkëritë e nxehta të diellit.

U nisën ujvarat nëpër zhurmat e ujrave

Për në mushkëritë e nxehta të diellit.

U nisën torishtat nëpër blegërimat e deleve

Për në mushkëritë e nxehta të diellit.

U nisën arat nëpër fëshfëritjen e misrave

Për në mushkëritë e nxehta të diellit.

U nisën gërxhet nëpër vrapin e kaprojve

E dhive të egra.

Për në mushkëritë e nxehta të diellit.

Rendja e agullimit e freskët, e gëzuar

Për në mushkëritë e nxehta të diellit.

Gjithçka bjeshkëtare, e ngutur, e lehtë

Për në mushkëritë e nxehta të diellit.

Dielli mpaku barkun e bulshitë.

Sërish pa zë çdo rendje u zhgalit

Nëpër pjerrësinë e frymëmarrjes së diellit

U shkri në gaz

E shndërruar në frymë të kuqe dielli.

 

 

 

KORBAT

 

Krrok, krrok, krovok!

Krrokatin thershëm korbat mbi bjeshkën time.

Uf, krijesat e bjeshkës sime!

 

S’di kur u rrënqeth kaq shumë kjo tokë bjeshke,

S’di ç’e rrënqethi,

Veç këta korba fluturuan nga mishi i saj.

 

Rrënqethjet e zeza u mishëruan hapësirës.

Krrok, krrodok, … krrok, krrook…

Thika të zeza që nuk i ngulen bjeshkës

Gurë të zinj që nuk i tret toka.

 

Korbat dhe krrokatjet lëshojnë hije të zeza

Që duan dikë të plagosin.

Thonë se korbat presin luftëra

Dhe ndjellin kobe.

 

Thonë se kobet krrokatin si korbat

Ngulur mbi stivat pa jetë të ushtrive

Kobet zi si korbi.

 

Po ne s’u trembemi as luftërave, as kobeve

Na tremben luftërat, korbat dhe kobet e shekullit.

 

Krrok, krrok… krrook … krrovok,

Notat  zeza të korbave lëshojnë shi të zi

Nga pentagramet e zeza të kobeve.

 

Krrok, pikë, krrook, piiikë,

Korba hëngërshi kokën tuaj!

 

 

KËNGA E FYELLIT

 

Kënga e fyellit

Kënga jonë e gjelbër që na solli në trollin e lagët.

 

Shtëpia jonë e metaltë me 6 dritare njëra mbi tjetrën,

Të vetmet dritare

Ku vajzat tona ëndërrimtare mbështetën bërrylat

Derdhën vështrimet e flokët e gjata.

 

Lëndina e plleshme që rriti barin e ëmbël

Nën këmbët e valleve

Të dasmave tona.

 

Blegërimat e njoma të shqerrave

Që zgjodhën në barin e butë, në gurgullimën e krojit

Në tërfilin e bujës.

 

Rrjedha e shumëngjyrtë e tërfilit të verdhë,

E përroit

Dhe freskut të ashtës.

 

Dielli ynë që tentoi të na i gjejë frengjitë e ngushta

E që ra në fund të luginës

Me plumb në rrashtë.

 

Dielli ynë që u gjet në rakitat e lumit

I vdekur

Nga plaga

E plumbi.

 

Zemra jonë e kuqe që e vumë në kaltrinë e qiellit tonë

Për ditën tonë.

 

Zemra jonë që do të jetë zemra e përbotëshme,

Kënga e fyellit,

Kënga jonë,

Pavdekësisht me ne.

SHKËMBINJTË

 

Shkëmbinjtë

Skaj horizontit pritje e lëbardhme

Që tretet moti në rreshjet e stinëve.

 

Nga zemra e përvëluar e tokës

Mësymja më e vrullëshme, e gurtë

Për qiell.

 

Shkëmbinjtë

Pleq me rrudha që rritin bar, lule epike

Me rininë e rrëmbyer

Nga lumenjtë dhe qytetet.

 

Shkëmbinjtë

Të rinj që u nisin pëllumba të egër yjeve

Me të ardhmen e vet të sigurtë

Në lumenjtë dhe qytetet.

 

 

 

DIELLA

 

Kur qesh Diella

Agimi shndërrohet në zog të blertë

E kënga e zogut të blertë në lule qershie.

 

Kur të shikon Diella

Hapësira zvogëlohet në sytë e saj

Dhe veten e ndjen

Njëqind herë më të gjërë.

 

Në agime Diella ka një grigjë qingja

E një grigjë dëshira

Që i kullot shpateve.

 

Perëndimevet ajo vonohet te roga e imshtës

E merakosen djemtë.

 

Eh, Diella ndonjë mbrëmje me qingjat

Diellin si manar do e sjellë.

Diella që mban diellin në grusht si qingjin

Me bar të butë, kundërmim pylli e ujë vrelle.

 

Atë muzg që grigja u kthye pa Diellën

Djemtë nuk thanë:

Eh, Diella ka ndejtë me fjetë me diellin sonte,

Diella që fle në ëndrrat e tërë djemve.

 

 

LUMI I GASHIT

 

Na thoshin në fëmijëri se je hungërimë e kaltër

E ariut të murmë

Panjat, frashërit, shelgjet s’u ngopën me ty

Mbi trupin e ngrënë të bjeshkës.

 

Po  ti më shumë i ngjake ariut të kaltër

Të dheut të murmë,

Që pasi nuk ngopet me galaktikat e qiejve

Hap rrënjët e brinjët e strofullës së vet.

 

 

 

MOTIV BARITOR

këngë e kohës së shkuar

 

Në sytë e tu u shngjyrofshin sytë e mi!

Në sytë e mi u shngjyrofshin sytë e tu!

 

Duart e mia u vyshkshin në duart e tua!

Duart e tua u vyshkshin në duart e mia!

 

U trettë zëri im në zërin tënd!

U trettë zëri yt në zërin tim!

 

Mbaroftë trupi im në trupin tënd!

Mbaroftë trupi yt në trupin tim!

 

Dashuria jonë qyqe të vajtojë mbi muranë!

Qyqja mriz më mriz dashuria jonë!

 

 

PUTHJA

 

Më puthi pa e dashur me buzët si akull,

M’i kaploi puthja e akullt ëndrrat e gjumin,

Më rëndoi në faqe

E m’u bë gur.

 

E çoi gurin te rruga e vërritarëve

Sërish rruga e shtrembët nën peshën e rëndë

E sjell tek unë.

 

Mbeti guri

Për t’u shkrirë

Nga dy buzë të ngrohta që i dua unë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *