NË KËRKIM TË BUDALLENJVE Tregim nga ligor Shyti

NË KËRKIM TË BUDALLENJVE

Tregim nga ligor Shyti

 

Prej disa kohësh po mendoja për temën e diplomës dhe ende nuk e kisha vendosur. E kisha të vështirë. Nuk gjeja dot një temë që të më mbushte mendjen. Porosia e prof. Marias ishte që të gjeja një temë të palëvruar më parë. Pas netëve të tëra pa gjumë, në ato ditë të nxehta qershori, vendosa. U takova me udhëheqësen dhe i shpjegova idenë time në kërkim të budallenjve. Ajo, në fillim nënqeshi, por pasi i rrëfeva detajet e zgjedhjes sime, më pa e menduar dhe më tha:

-E di që s’e ke keq? Më duket temë interesante!

-Po. -Vazhdova unë dhe fillova t’i shtjelloja idenë për të ndërtuar temën, ndërsa ajo më ndërpreu, duke më kujtuar se duhet të bëja kujdes që tema të ishte gjithëpërfshirëse dhe të përmbante një material jetësor nga realiteti i kohës ku po jetojmë.

Atë pasdite punova deri vonë për të ndërtuar pemën e studimit tim psiko-social në qytetin tonë. E dija se ishte një punë e vështirë, por kisha besim se do t’ia dilja. Diçka e brendshme më shtynte të mendoja se në qytetin tonë ka mjaft njerëz me probleme të rënda të karakterit mendor, dhe kjo do të ma lehtësonte punën. Aq më shumë që ishte një punë shkencore dhe kjo, ndoshta, do t’i shërbente qytetit tonë për të forcuar shëndetin mendor të qytetarëve të tij në funksion të një jetë më të shëndetshme në këtë qytet të bukur.

Të nesërmen e asaj dite vendosa të dal në terren e të pyes për budallenjtë e qytetit tim. Si fillim shkova te Kryetari i Bashkisë, me mendimin se do të kishte ndonjë statistikë për këtë punë, apo, do të më orientonte diku për të marrë të dhëna. Të paktën një adresë, një shoqatë, apo një individ ku unë mund të merrja informacionin e duhur. Sa ngjita shkallët dhe iu drejtova zyrës së tij, Kryetari doli nga zyra dhe, sa më pa, m’u drejtua:

-Urdhëro Gon, pse je munduar?

-Kisha një problem, zoti Kryetar…

-Do që të kthehemi në zyrë, apo flasim duke ikur, se do dal të pi një kafe…

-Jo, nuk ka problem, -vazhdova unë. -desha vetëm të të pyes.

-Më thua! -Tha ai dhe u nisëm të dy të ecnim shkallëve të katit të dytë të Bashkisë.

-Kam një temë studimore dhe, për këtë, po mbledh disa të dhëna për budallenjtë e qytetit tonë. A mund të më thuash diçka, ka ndonjë të dhënë…?

-Për kë? –pyeti ai, duke vënë në dyshim dëgjueshmërinë e veshëve të tij.

-Për budallenjtë e qytetit tonë, ka ndonjë statistikë, a ndonjë organizim…?

-E ç’i ke këto, o Gon, ku ka statistika të tilla. Po do ndonjë të dhënë për invalidët, mund të t’i japim, por…

-Jo, jo, ndërhyra unë menjëherë. -Unë dua ndonjë informacion për budallënjtë e qytetit. Njeh ndonjë ti?

-Ah, më vjen keq, por nuk mund të të ndihmoj! -tha ai duke buzëqeshur, ndërsa dolëm në hollin e katit të parë. Në fund, duke më dhënë dorën, më tha:

-Shko një herë tek kjo zyra e shërbimeve sociale, mbase kanë ata ndonjë informacion!

-Faleminderit! -i thashë ftohtë dhe e shoqërova me sy deri në dalje të Bashkisë. Takimi me të më kishte zhgënjyer shumë. Si ishte e mundur që Kryetari i Bashkisë së këtij qyteti, të mos kishte informacion për budallënjtë?! I hodha një sy zyrës së shërbimeve sociale dhe po ndërmendja të hyja, por një punonjës i Bashkisë që e mori vesh shqetësimin tim, më tha duke tundur kokën:

-Eh, as mos e mendo të marrësh ndonjë përgjigje nga Kopi. Ai s’mbush për vete, jo të të japë ty përgjigje për budallenjtë e qytetit!

-Po si t’ja bëj?

-Shko vetë. Tako njerëzit në rrugë dhe pyeti. Më mirë se ata, s’ka kush ta dijë!

Në çast m’u kujtua porosia e udhëheqëses për të kontaktuar me njerëzit dhe t’i pyesja ata drejtpërdrejt. Takimi me Kryetarin e Bashkisë më la shije të hidhur. Shpresa dhe meraku im për të realizuar një temë të veçantë, sa vinin dhe shuheshin. Unë u kisha dhënë fjalën pedagogëve të mi se do të ishte një temë e bukur dhe studimi im do të futej në rangun e studimeve me vlera të larta shkencore për qytetin tonë.

Ika nga ndërtesa e Bashkisë dhe u nisa drejt lagjes sime në përiferi të qytetit. Ishte prag fushate dhe qyteti ziente nga lëvizjet e makinave dhe flamurëve të partive që përpiqeshin të vendosnin gjithandej flamuj sa më të dukshëm dhe më të mëdhenj. Nga të dy anët e urës së betonit mbi lumë, ishin vënë flamujt e partive më në zë të së majtës, por më të mëdhenj dhe më të lartë ishin ata të LSI-së. Pak metra më tej urës, drejt rrugës kryesore që të shpie për tek vorrezat e heronjve të luftës, ishte fotografia e kandidatit të djathtë, me pamje prej babaxhani dhe flokë pak të rëna në pjesën ballore, për të cilin thuhej se flamujt e partisë nuk i ka shumë qejf, por po punon shumë fort për të marrë pushtetin. Këtë e konfirmon edhe një komunist që punon si sahatndreqës, i cili ka marrë përsipër që në këto zgjedhje t’i prishë punë Partisë Socialiste, e cila nuk e paska futur në punë në katër vitet që shkuan.

Një çast u tundova nga mendimi për të shkuar tek veranda e hotelit, ku më prisnin një grup miqsh, por ndërrova mendim shpejt. Mendja më rrinte tek budallenjtë e qytetit dhe pikërisht atë çast, miqtë e mi më dukeshin më budallenjtë e botës. Nuk shkova. Ndoshta sepse me ta do të merresha një ditë tjetër, ndoshta, sepse e dija që, po të shkoja tek ata, do të hapej biseda e votimeve dhe nuk më pëlqente. Ishin zgjedhje lokale dhe si këtë radhë s’kishte ndodhur kurrë. Qyteti ynë po votonte si në kohën e Haxhi Qamilit. Të gjithë njerëzit do të votonin për kunatin, për xhaxhain, për nipin, apo për mbesën, pavarësisht nëse kandidati i plotësonte, apo jo, kriteret për të qenë anëtar i Këshillit bashkiak.

Shkova në shtëpi dhe fillova të shkruaj diçka për temën. Hodha në letër qëllimin e këtij studimi, karakteristikat dhe natyra e hartimit të punës për temën e studimit, si dhe çështjet praktike që do të ndiqja gjatë periudhës së studimit, ku më të rëndësishme ishin intervistat, mbledhja e mendimeve dhe opinioneve, nxjerrja e pyetjes kryesore dhe atyre mbështetëse, hartimi i përmbajtjes fillestare, si plan pune për ditët në vazhdim. Kërkimi i literaturës dhe ndarja e saj sipas klasifikimit të bërë nga shkenca që merret me studimin e budallenjve (duhet ta theksoj se nga studimet e deritanishme, kjo shkencë është më e theksuar në vendin tonë, si pasojë e traumës së madhe që ka lënë sistemi komunist). Hulumtimi shkencor, eksperiencat europiane për këtë qëllim dhe në fund, shkrimi, korrektimi dhe shtypja e versionit përfundimtar, për t’ja lënë më pas zbukurimeve kompjuterike dhe kopertinës, e cila do të jetë një dilemë më vete, pasi nuk është kollaj të bësh një studim për budallenjtë e qytetit tim dhe të mos kesh gjetur një kopertinë serioze siç ata e meritojnë.

Beteja e parë me Kryetarin e Bashkisë më kishte vajtur dëm. Një ndjenjë e brendshme më shtynte dhe më thoshte se nuk duhet ta humbisja besimin dhe shumë shpejt do ta rikuperoja humbjen. Pasdite nuk isha i qetë. Kisha një dëshirë të paparë të dilja dhe ta bëja publik shqetësimin tim, edhe pse ishin ditë të nxehta, por nuk e bëra. Në mbrëmje, vendosa të shkoja në sheshin qëndror e të pyesja njeriun më të parë që do të më dilte përpara.

Sa dola nga shtëpia, pak metra përpara se të mbërrija përballë ndërtesës së ish-komandës së Divizjonit, vura re që nga larg se po më afrohej Lipi, një personazh i njohur i kohëve tona. Ai njihet si orakull i qytetit për aftësitë e tij parashikuese në fushën e motit, por asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje se do të më jepte një informacion që unë s’e kisha ëndërruar kurrë. Sa e pashë që m’u afrua, e pyeta:

-O Lipi, si je?

-Mirë, m’u përgjegj ai menjëherë.

-A ke qenë mirë me shëndet?

-Mirë, -tha ai përsëri dhe me kokën pak mënjanë dhe vështrimin përtokë, vazhdoi:

-Po ti?

-Mirë jam, o, mirë, po ja, -thashë unë dhe vazhdova, -jam i shqetësuar për këto zgjedhjet. Si do t’ja bëjmë?

-Si do t’ja bëjmë. Ja, siç kemi bërë gjithnjë…

-Po mirë, po unë nuk di kujt t’ia jap votën. Ai, Shpati, është burrë i mirë, po s’e mbështet partia. Guli është djalë i ri dhe e mbështet P.S.-ja.

-Guli?

-Po. -Thashë unë dhe desha të vazhdoja, por ai më ndërpreu në çast dhe u nis të ikte. –Akoma me Gulin ti, o? Hajde mendje, hajde. Qenke budalla! Akoma me Gulin ti, o? Mirë o mirë…

Në çast m’u kujtua fakti që ai ishte një parashikues i shkëlqyer i kohës, por, kur më tha se unë isha një budalla dhe akoma besoja se Guli do fitonte, më hutoi fare. E pashë me vëmendje, por ai shpejtoi hapat dhe u largua, duke më lënë pa fjalë. Po sikur të ndodhë vërtet kështu dhe Guli të mos fitojë?!

U ndava nga Lipi me një dilemë të madhe. Humbja e Gulit më dukej vërtet një çudi, por në vetvete ndieja një lloj gëzimi të pashpjegueshëm. Kisha hedhur hapat e para drejt ëndrrës sime për të takuar budallenjtë e qytetit tim dhe tani s’më ngelej gjë tjetër vetëm ta zgjeroja gamën e të intervistuarve. Mendja më shkoi te Niku, aktori “modern” i kohëve tona që herë pas here japte shfaqje teatrale falas në mes të qytetit. Në fakt, qyteti ynë ka kohë që nuk ka një qëndër teatrale, por në mungesë të atij mjedisi, del Niku dhe improvizon skena që edhe teatrot më në zë të vendit do ta kishin zili. Dihej tashmë nga të gjithë se ku e kishte selinë Niku. Aty, tek rruga e pazarit të vjetër, është një farmaci. Në krah të djathtë, pak metra më lart, është një byrektore ku Niku blen byrekët e tij të shijshëm dhe ha mëngjesin. Tek disa shkallë metalike, ai ulet deri në orët e vona të drekës dhe kuvendon me miqtë e tij. Në mbrëmje nuk e gjen aty. Shëtit i vetëm në shëtitoren e qytetit dhe përshëndet vajzat e bukura që bëjnë xhiro në grupe. Stina e shfaqjeve është në përfundim dhe ende s’e ka marrë veten nga lodhja e gjatë. Zakonisht, ai i fillon shfaqjet në fund të marsit, kur çelin lulet dhe i mbaron me fillimin e temperaturave të larta.

Ecja anës trotuarit në shëtitore dhe lutesha me vete që Niku t’i kishte përfunduar shfaqjet e tij teatrale nëpër qytet, me shpresën se do ta gjeja të lirë dhe t’i merrja ndonjë intervistë në lidhje me temën që po përgatisja. Njerëzit e shumtë në shëtitore të krijonin idenë se vera këtë vit do të ishte e veçantë. Qytetin e kishin pushtuar studentët dhe turistët.

Kisha për të vazhduar rrugën dhe s’do ta vija re Nikun, po të mos më kishte tërhequr vëmendjen një gjimnaziste e veshur bukur, me rroba të lehta, allafrënga, e cila ju drejtua Nikut me zë të lartë, sa tërhoqi vëmendjen edhe të disa kalimtarëve të tjerë:

-Niku, të kam thënë sa herë, mos më përshëndet kur jam në xhiro me shoqet!

Atë çast ktheva kokën dhe vura re Nikun që ndali dhe ju drejtua asaj:

-Po, ç’ke moj, të keqen Niku? Unë s’të thashë gjë!

Ndërsa vajza i foli me ton të lartë dhe u largua me grupin e shoqeve të saj, Niku, duke më vështruar mua, vazhdonte të më sqaronte se nuk i kishte thënë gjë asaj. E përsëriti disa herë shprehjen “Unë s’i thashë gjë!” dhe vazhdoi rrugën po në të njëjtin drejtim, ndërsa unë po mendoja se vajza që i tha ato fjalë Nikut, më kishte prishur punë. Kisha rastin më të mirë që ta takoja dhe të lija me të një takim për problemin që kisha. Më iku një rast i mirë që të bisedoja me Nikun, por kjo nuk më bëri aspak të tërhiqesha. Unë e dija mirë vendin se ku e kishte selinë e tij dhe të nesërmen vendosa t’i shkoja atje. Paraditja, edhe pse e mbarsur me jehonën e politikës, do të ma jepte këtë mundësi.

Të nesërmen u ngrita shpejt dhe, pasi hodha shpejt e shpejt disa shënime për bisedën që do të bëja me Nikun, u nisa drejt farmacisë. Ai sapo kishte mbaruar mëngjesin e tij të shijshëm me byrekë me lakra të egra dhe po pinte një shishe me dhallë të thartuar, që ja dhuronte shitësi i mëngjesores. Ju afrova pa u ndjerë dhe, si zakonisht, e përshëndeta me një lëvizje të lehtë të dorës. Ai më ktheu përshëndetjen dhe më ftoi të ulesha në shkallët e hekurta që për momentin s’kishte tjetër.

Pasi e pyeta për shëndetin dhe ndenja pak çaste në heshtje, fillova ta fut në temë, ende pa i marrë mendimin nëse donte, apo jo të më përgjigjej.

-Ore, ç’bëhet kështu me këta njerëz? Shikojnë, apo nuk shikojnë këta se ku po shkon kjo botë?!

Ai, sikur ta kishte gati përgjigjen, pa humbur kohë, vazhdoi:

-A, mo të keqen Niku, këta nuk shohin dot as hundën e tyre, jo të shohin brenda vetes. Jo, se këta janë shenjtan-budallenj, ore. Të ligat, i shikojnë, po i shikojnë te tjetri. Te vetja e tyre shikojnë njeriun e mençur, ju pëlqen vetja. Askush nuk thotë që unë kam dhe ca budalllallëk brenda vetes.

-Domethënë, ti thua që të mençurin brenda vetes, e shohin, kurse budallanë, nuk e shohin.

-Hë, e shohin o e shohin edhe budallanë, po s’duan ta bëjnë publike. S’duan ta marrin vesh të tjerët, që brenda vetes ka dhe një budalla, se kanë hall si i tallin, njëlloj si puna ime. Ja dha truri atij gomarit të Deçkës, më thirri budalla dhe më ngeli damka mua. Hajde mbushu mendjen njerzve tani, që Niku është i mençur…

-Po, ti mos e çaj kokën, le të thonë ata. Ty, mjafton që të të qëndrojnë zogjtë në tel…

-Ee, po kjo është e keqja, mo të keqe Niku, se dhe këta të Bashkisë, manà deshën dhe, sa shkoj unë për ndonjë kërkesë, më përcjellin; Ikë, më thonë, se do ta rregullojmë dhe na… gishtin! –tha ai dhe tregoi gishtin e mesit. -Kam dhjetë vjet që s’më jep njeri punë. Shyqyr që më japin atë raportin mjekësor dhe ha një kafshitë bukë…

Biseda jonë kishte filluar mirë dhe gëzimi që po intervistoja qytetarin e dytë, pas Lipit, më kishte përfshirë të tërin. Niku fliste me pasionin e tij tashmë të njohur dhe herë pas here më shihte me bisht të syrit, por nuk e ndalte ligjëratën:

-Këta, o shef, duan t’i internosh. Bënte mirë ai “miku”, atëhere që ua gjente kokën atyre që shkelnin ligjin. Janë të tërë të korruptuar mo, dhe s’u bën përshtypje që vjedhin shtetin, sikur e kanë mallin e babait. Mafiozë janë, njëlloj si mafia italiane. S’kanë asnjë ndryshim. Arat e babait tim i ka me dokumente “harbuti” i lagjes Maiden…

Biseda do të kishte vazhduar gjatë, por dikush na ndërpreu bisedën dhe Niku u ngrit rrëmbimthi dhe iku si me telekomandë.

-Ika unë, o shef! –tha dhe u largua. Nuk e di pse ideja e tij për internim më kujtoi “Invazjonin e budallenjve” të Umberto Ekos. Kishte të drejtë ai kur shkruante se budallenjtë kanë pushtuar sheshet dhe s’mund të ndalen.

Ditët ecën njera pas tjetrës. Intervistat e mia sa vinin e shtoheshin. Çdo ditë takoja nga një intervistues. Për çudinë time, në këtë bisedë u përfshinë njerëz që kurrë s’më kishte shkuar ndërmend më parë se do të paraqeste interes për ta. Fola me të rinj, me pensionistë, me shitës dyqanesh, me mësues, mjekë, oficera të liruar, ekonomistë, policë dhe tani s’më ngelej gjë tjetër veçse t’i klasifikoja dhe të argumentoja për çdo kategori sociale. Kjo ishte pjesa më e vështirë. Të dhënat që kisha grumbulluar ishin tronditëse dhe më kishin budallallepsur fare. Për një çast m’u duk e pamundur, por u desh ndërhyrja e pedagoges që më udhëhiqte për temën. Ajo, kur dëgjoi informacionet e mbledhura, më tha se kisha bërë një punë të lavdërueshme dhe ndërkohë më orjentoi që, si fillim, të bëja ndarjen sipas  arsimit, më pas do të studioja edhe shkaqet e budallallepsjes dhe do t’i ndaja në kategori.

Po atë mbrëmje fillova t’i klasifikoja sipas arsimit. Një pjesë e madhe e opinionistëve mendonte se budallenjtë më të mëdhenj të qytetit tonë janë ata që kishin nga një diplomë dhe ishin të lidhur me partitë në pushtet. Në vend të dytë ishin ata që bënin drejtësi dhe nëpunësit e ligjit e të shtetit. Më pas vinin biznesmenët e pashkollë dhe të papunët. Sipas pedagoges sime më duhej t’i kushtoja vëmendje shkaqeve të budallallëkut dhe jo statistikave të arsimit, dhe kjo sa vinte bëhej më e vështirë. Nëse për nivelin arsimor më duhej të pyesja qytetarë të zakonshëm, për të zbuluar shkaqet e budallallëkut ishte një detyrë goxha e vështirë. E vetmja rrugë për ta bërë këtë ishte të shkoja në spital dhe të bisedoja me ndonjë mjek që të më ndihmonte, por nuk qe e thënë. Pas një bisede që bëra me një nga mjekët e spitalit, sigurisht miku im, më tha se shkeleshin të drejtat e njeriut për ruajtjen e të dhënave personale dhe ai nuk mund ta bënte atë.

Po të nesërmen e asaj dite u përpoqa të flisja me një nga punonjësit e rojeve të spitalit, për të marrë ndonjë të dhënë, por ai ma preu shkurt: “Ik, shiko punët e tua, mos u merr me amerikanët!”. E pashë me vëmendje të madhe dhe thashë me vete se kjo punë qenka e vështirë. Ç’lidhje kishin amerikanët me shkakun e budallallëkut, aq më tepër kur bëhet fjalë për qytetarët e qytetit tim, që Amerikën e kishin dashur shekuj më parë dhe e kishin ëndërr?!

-Qenkan budallallepsur të tërë! –thashë me gjysmë zëri dhe u largova. Në mendje më ndiqnin fjalët e Edison Ypit, në një intervistë televizive, pak ditë më parë, ku ndër të tjera thoshte: “…falë internetit, janë shtuar frikshëm një numër budallënjsh që ankohen pafund për gjithçka. Japin mendime, madje edhe zgjidhje për çështje madhore, fotografojnë surratin e vet nga dhjetra kënde, shkruajnë vargje për të vjellë, që t’i sjellin zorrët në fyt…” dhe në fund shton: “…po t’i kqyrësh vetëm pak çaste, kupton se s’janë asgjë më tepër, veçse ca copa mishi…”.

O zot, thashë, tipa të tillë qyteti ynë ka ngado që hedh sytë. Të jenë vërtet ashtu siç thotë ai? Vërtet qytetin e kishin pushtuar budallenjtë?!

U largova nga mjediset e spitalit dhe mora rrugën drejt qendrës. Kisha një dëshirë të madhe të flisja me dikë dhe njeriu më i mirë për ta bërë këtë ishte Antoniu. Nxora telefonin dhe formova numrin. Ai, sikur ta dinte se një ditë do të hapej një bisedë e tillë, e thoshte shpesh me shaka, se në qytetin tonë është një grup të marrësh që, kur mblidhen bashkë, kthehen në njerëzit më të lumtur në botë. Të ishte vallë lumturia ajo që e shkakton këtë virus? Mos vallë edhe tregtarët e qytetit, këto vitet e fundit, janë bërë të lumtur nga fitimet kolosale dhe si rrjedhim paraja i ka bërë të lumtur?! Po këta drejtuesit partiakë, që i kanë kthyer vendet e punës si prona të tyre dhe shkeljen e ligjit e kanë kthyer në ligjësi, ç’i bën të lumtur? Një çast e humba fare dhe s’po e bëja dot lidhjen midis lumturisë dhe budallallëkut. E shihja shpesh komshiun tim, polic, që fishkëllente dhe këndonte duke punuar, por asnjëherë s’më kishte shkuar ndërmend lidhja e lumturisë së tij me budallallëkun. Jo, jo. S’ka mundësi! Kësaj do t’i jepte përgjigje vetëm Antoniu, i cili pas pak do t’i bashkohej tavolinës ku po e prisja dhe ende pa ardhur mirë, kafja ekspres, nga dora e kamerieres bukuroshe, do të fillonte të më shpjegonte gjithçka. Ai do të më shpjegonte edhe kategoritë e shkaqeve të budallallepsjes. Isha i bindur se ai e kishte lexuar intervistën e Umberto Ekos, “Invazjoni i Budallenjve” dhe padyshim që kishte një koment për këtë.

Pas një pritje disa minutshe, që mua m’u duk tepër e gjatë, zoti Antoniu erdhi në tavolinë dhe tepër entuziast për ditën që kishte kaluar një natë më parë, me disa miqtë e vet nga Tirana, m’u drejtua:

-Hë, ç’lumenj kanë rrjedhur këtej, se kam dy ditë që s’kam dalë?

U mendova një çast për të gjetur fillin e duhur të bisedës, edhe pse s’e kisha kaq të lehtë. E dija që ai njeri ishte thesar nga njohuritë e tij, por edhe tëpër i brishtë. Aq sa i pathyeshëm është në dallgët e jetës, aq delikat është në raportet e tij me miqtë. Një stimul i gabuar mund të më prishte krejt planin.

-Ja, -i thashë, -na ra në pjesë të jetojmë në një qytet që me bukurinë e tij ka bërë të shtohen shumë budallenjtë. Kam disa ditë që po e vras mendjen dhe s’arrij ta kuptoj dot ç’ndryshim ka një budalla nga një i mençur?

Ai tundi kokën si zakonisht, shtrembëroi pak buzën e poshtëme, mbylli sadopak syrin e majtë dhe me vështrimin e tij të përhumbur diku, por jo në sytë e mi, tha:

-Dëgjo këtu, mor’ djalë i xhaxhit. Injoranti, ose budallai, ta themi kështu me termin popullor, është i prirur të fajësojë të tjerët, për gjithçka që e rrethon, apo për çfarëdo që ai e mendon se nuk shkon në shoqërinë e sotme. Ndërsa i mënçmi, ka tendencën ta kërkojë fajin tek vetvetja. Veri në ballancë të kësaj llogjike të gjithë dhe ke për ta parë se kush janë budallenj, dhe kush janë të mençurit e këtij qyteti.

-Vërtet? –pyeta për ta shtyrë më tej bisedën.

-Po, pa asnjë dyshim. Filloje që nga politika e lartë dhe dil tek njerëzit e thjeshtë.

-Domethënë, ti thua se ne që mblidhemi darkave me njeri-tjetrin dhe diskutojmë problemet e të tjerëve, jemi budallenj dhe shkuar budallenjve?!

-Jo, nuk më kuptove. E kam thënë vazhdimisht që keni vështirësi të më kuptoni. Unë thashë se budallai ka tendencën të fajësojë të tjerët për gjërat që nuk shkojnë, ndërsa i mënçmi, e kërkon shkakun tek vetvetja. A e di se ç’ndodhi pak ditë më parë tek ujërat termale?

-Jo, -thashë, -për t’i lënë hapësirë rrëfimit të tij që tashmë kishte hyrë në faza të pakthyeshme.

-Janë ca profesorë të nderuar që vijnë që nga Tirana me X-5 dhe secili nga ata kishte me vete nga 1 femër të re në moshë, nga 18-25 vjeç dhe kalojnë aty disa orë në ujë të ngrohtë. Thonë se uji i llixhave ju bën mirë edhe në drejtim të rigjenerimit të hormoneve seksuale. Ndërkohë, pak metra më tej, tek klubi, midis budallenjve të qytetit kishte plasur sherri se kush e kishte më të re dhe më të bukur. Njeri, thoshte se ajo ditë ka qenë ndër më të bukurat e jetës së tij, sepse kishte biseduar pothuajse më shumë se dy orë me njerin prej tyre. Ishte një Profesor i jurisprudencës, tepër kompetent, me kulturë të lartë etike dhe profesionale. Jepte mësim edhe jashtë shtetit, ndërsa tjetri, lumturohej sepse turizmi i vendit tonë të vogël kishte filluar të shtohej dhe kjo i shtonte të ardhurat zonës sonë.

Pas një ligjërate goxha të gjatë, miku im m’u drejtua mua, si për të më tërhequr vëmendjen: “A e kupton se ç’bëhet me ne qytetarët e këtij shekulli? Bota s’gjen kohë të zgjidhë problemet e veta, ndërsa ne vrasim kohën me problemet e të tjerëve…”

Pas një pauze të shkurtër gjeta rastin ta pyes:

-Si mendon ti, z. Antoniu, ka ndonjë shkak kjo budallallepsja, apo lind nga rrethanat?

-Ah, Gon Gon! Me sa shoh, sot ke vendosur të më shkëputësh nga toka. Ti e di që unë kur flas për këto gjëra, dal nga vetja, shkoj në një botë tjetër, botë ndryshe nga kjo që shoh përditë. A e ke vënë re se ç’ndodh me disa kategori sociale, me ca grupe njerëzish, që e mbajnë veten sikur janë më të diturit e kësaj shoqërie? A i ke vënë re debatet që bëjnë, veset që ata kanë, sjelljet e tyre të pashfaqura në publik, por që në një mënyrë, apo në një tjetër, përsëri u dalin në shesh? A të ka shkuar ndonjëherë në mend se ç’gjuhë komunikimi përdorin ata, që ty dhe mua na duken njerëz të mençur të këtij qyteti? A e ke vënë re atë “xhuxhin” e politikës, që deri dje e kishim ministër të Jashtëm, ministër Ekonomie, Profesor Dr. Para katër vitesh shkonte te varrezat e dëshmorëve me të majtën dhe festonte ditën e çlirimit në datën 29 nëntor, ndërsa sot ka kaluar me të djathtën dhe feston ditën e çlirimit më 28 nëntor. Thoshte mirë Daut Gumeni, në romanin e tij që ka dalë këto kohët e fundit,“Bletë dhe Fishekë”, “Më fal o i zoti i vështit, po këta mëkëmbësit e tu këtu, më duken ca budallenj, që ç’të të them?!” dhe ka të drejtë.

-Dhe ti ke të drejtë! –thashë, ndërsa ai më pas vazhdoi të më fliste për motivet e budallallepsjes dhe ndarjen e tyre në kategori. Më foli për një kategori budallenjsh që lindin të tillë nga prindërit, për ata që i budallalleps koha dhe mjedisi, duke e mbyllur ligjëratën e tij me atë që ai kishte më shumë për zemër, budallallepsjen nga politika. Në fund më përmendi një shprehje të Gëtes: “Vetëm budallenjtë mendojnë se janë origjinalë në të gjitha pikëpamjet…”.

Tani isha turbulluar fare. Të mençurit e këtij qyteti po më dukeshin budallenj dhe budallenjtë po më dukeshin të mençur. Lokalet te Sheshi Qëndror më dukeshin sikur kishin ndërruar rolet. Ai, lokali afër verandës, që dikur më dukej se ishte vendqëndrimi i njerzve të mençur, tani më dukej si streha e budallenjve, ndërsa lokali në krahun tjetër, ai nga ana e Bashkisë së qytetit, që dikur më dukej se uleshin njerëzit e thjeshtë, pijanecët, pensionistët dhe të papunët, tani më dukej sikur mbartte në vetvete njerëz të mençur. Në atë shesh është edhe një lokal i ndërmjetëm, që mbahet si lokali që punëson kamerieret më të bukura të qytetit, por aty ka pak klientë dhe frekuentohet më shumë nga të huajt dhe mysafirët.

Pikërisht atë çast kur biseda jonë kishte hyrë në faza interesante, mespërmes sheshit po kalonte një qytetar i devotshëm për studimin tim, por që unë s’munda dot ta intervistoj. Ishte një burrë i shkurtër, rreth të gjashtëdhjetave, që kishte vendosur një tabelë kartoni në gjoks, lidhur me ca rripa në formë fjongoje, në të cilën qe shkruar me gërma të ngatërruara të shqipes, disa të vogla të dorës, disa të mëdha të shtypit: “Kërkohet një shqiptar që të shikojë punët e veta!” dhe thërriste me të madhe: “Nuk na mjaftojnë hallet tona, po ngeli të shkojmë e të çlirojmë dhe Sadamin e Sirinë… Të tërë janë lëshuar pas pasurisë, po ç’e duan? Kot e kanë, kur vjen puna, dheu i ha të gjithë. Ja, unë kam toka plot, do t’ja lë Edi Ramës, le t’i marrë. Ç’kuptim kanë paratë? As qeni s’i ha… këta bien pas pasurisë dhe harrojnë të bëjnë chek-ap-in, siç e bën Amerika dhe Evropa. Ju ruat paraja, të tërë vuajnë nga tensioni, nga zëmra, nga mbipesha. Më sheh mua? Vajta 60 vjeç dhe s’kam pirë një aspirinë…!”

U trondita. Si është e mundur që ai i ftonte njerëzit të shihnin punët e veta, në një vend si ky yni, që ka shumë nevojë për opinionin dhe pjesmarrjen e të gjithëve?!

-O zot, -thashë, -u prish dynjaja!

-Mos u çudit! –ndërhyri miku im, Antoniu, që e vuri re shqetësimin tim, ndërkohë burri me tabelën në gjoks u kthye në drejtimin tonë dhe, sikur engjëjt t’i kishin folur në vesh për shqetësimin tonë, na u drejtua: “Pse, unë do ta rregulloj këtë qeveri, këtë shtet? Shteti nuk është vegël, që po u prish, ndërroi një pjesë dhe rregullohet. Shteti jemi ne. Ne, po të duam, e prishim, ne, po të duam, e ndreqim. Bota përpiqet ta ndreqë, ne përpiqemi ta prishim, ta vjedhim, ta shpërdorojmë, ta përdorim si mallin e babait, po ku ka kështu? Shteti është kontratë, ore, s’bën dot ndryshe. Ne duam që edhe rrogën ta marrim, dhe të bëjmë devër, të pijmë kafe tërë ditën, të bëjmë pazar në kohën e punës, sa të verë ora dhe të mbyllim zyrën. Kështu nuk ka në Amerikë. Atje ka punë dhe para. I bën punën, të jep paranë. Këtu, as punën s’e bëjnë, as paratë s’i marrin siç i duan…

Antoniu më pa një herë në sy dhe, sikur ta kishte lexuar mendimin tim, tha me zë të ulët:

-Të paguajmë dhe të ikim se më duket se na zuri virusi.

U ngrit më këmbë, nxorri nga xhepi një monedhë 100-lekshe, e la mbi tavolinë dhe m’u drejtua:

-E vazhdojmë një herë tjetër bisedën tonë!

I bëri shenjë kamerieres dhe pasi më përshëndeti me kokë ju drejtua periferisë së sheshit për t’u futur më pas në rrugën me blina që sapo ishte ristrukturuar, ndërsa unë ika në drejtim të kundërt me dilemën e madhe në vetvete nëse na kishte kapur, apo jo edhe ne virusi i budallallëkut.

Ecja rrugës i menduar me një ndjenjë gëzimi se isha në përfundim të temës time, kur befas më del përpara Niku, miku im i kudondodhur që më kishte dhënë një kontribut të çmuar atë periudhë për studimin tim. Edhe pse qe një vapë e tmerrsshme atë ditë, ai kishte hedhur një xhaketë në krah dhe në dorën tjetër mbante një shishe me dhallë të thartuar që po t’i hapje tapën kishte rrezik të shpërthente si bombë.

-O shef, më fal një minutë, të të bëj një pyetje?

-Po, Niku, më thua, si është puna?

-Dëgjo, se ti i di mirë këto punë. Më thotë ky i biri i priftit, që shoqëria shqiptare nuk është në krizë. Po akoma të jetë në krizë Shqipëria? Nuk e kupton ky që tërë vendi është në krizë? Ai i gjati, i mori të gjitha përvete, prona s’na la, para s’na jep, me Amerikën e ka marrë majë për majë, vëllai dhe motra s’do t’ja dijë fare… hë, mo? Më thua ti, gjen njeri sot të flasë mirë për vëllanë e për motrën? Të gjithë shajnë njeri-tjetrin, të gjithë ja fusin njeri-tjetrit dhe ky më thotë s’jemi në krizë. Akoma kërkon ky që të prishet dynjaja, o?!

-Lëre fare, mos u merr me të, nuk i kupton gjërat si duhet ai…

-Po jo, mo të keqen Niku, po është situatë e rëndë. Unë do të iki, po mjer ata që do rrinë këtu. Ika, natën e mirë, merrini të gjitha, ua kam falur…! -tha ai dhe iku me hapa të shpejtë. Ishte shumë i shqetësuar dhe, ndërsa ecja, mendja më ngeli te fjalët e Nikut. Ai do të ikte nga ky qytet, por mendja dhe zemra i punonte tek situata e rëndë që mbretëronte në qytetin tonë…

Për më shumë se 15 ditë rresht që u mora me kërkimin e budallenjve të qytetit tim, mësova aq shumë gjëra sa nuk i kisha dëgjuar kurrë në jetën time. Jetoja në qytetin e ëndrrave dhe për një çast e pashë veten pa ëndrra, pa të ardhme, pa jetë, në mes të një turme budallenjsh që gënjejnë veten se jetojnë. Në mes të një turme vegjetantësh që shijen dhe ngjyrat e ditës i kanë njëlloj çdo ditë të javës, çdo ditë të muajit, çdo ditë të vitit dhe kujtohen atëherë kur dikush u thotë se u ka ardhur mosha e pensionit dhe duhet të bëjë gati dokumentet. Po… gjithsesi, jetova.

 

gusht 2016, L.K.

One thought on “NË KËRKIM TË BUDALLENJVE Tregim nga ligor Shyti

  1. Mënçuria vjen nga populli, budallallëqet vijn nga kokrrat. Budallenjt e sotëm jan më shumë njerëzit e shthurur e të etur për përfitime, që harrojn të drejtat njerzore duke kryer mëkate nga më ç’njerëzoret. Njërzit e thjeshtë budallallepsen nga larmia e halleve që nuk arrijn ti zgjidhin dot, derisa kokrrat e shthurura do kërkojnë të zhvatin ç’do gjë për veten e tyre të pa ngopur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *