Lamtumirë Françesk Radi, o zë magjik me bekim dashurie

Lamtumirë Françesk Radi, o zë magjik me bekim dashurie

 

Nga Hyqmet HASKO

 

Shuhet ikona e muzikës së lehtë shqiptare, kantautori mbresëlënës Françesk Radi.

Njëri nga zërat më unik të këngës dhe muzikës shqiptare, këngët e të cilit u bënë hite dhe simbole të ekzistencës sonë shpirtërore në Diktaturë dhe në demokraci, nuk do të jetë më midis nesh, në skenat tona, në veprimtaritë muzikore aq të nevojshme në këto kohë të ngarkuara e stresante.

Por vepra e tij, ato tinguj magjikë plot befasime, ajo botë sharmante notash që thyeshin në pentagramin e dashurisë njeërzore, do të udhëtojë gjithmonë drejt nesh, përherë e më e gjallë, përherë e më atraktive.

Ishim mësuar me praninë e tij të heshtur, me talentin e tij të rrallë, me modestinë e tij, me përkushtimin ndaj muzikës, ndaj vlerave letrare, artistike e kulturologjike të kombit shqiptar, me të cilat qe i lidhur në mënyrë të pazgjidshme deri në ditët e fundit të jetës.

Muzikës së lehtë shqiptare do t’i mungojë zëri i veçantë i kantautorit Françesk Radi (1950-2017). I shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për shkak të hemorragjisë cerebrale para një jave, pavarësisht përpjekjes së stafit mjekësor, artisti nuk mundi që ta mposhte dot sëmundjen.

Përcjellja që një popull i tërë i bëri drejt banesës së fundit, me lule e lot, me mirënjohje e dashuri, tregon vlerën e këtij artisti modest, të heshtur e disi të vetmuar, por që në çdo skenë solli ritmet e vendit të tij, lirizmin dhe ngrohtsinë e tokës që e linid e rriti dhe e bëri artist në kuptimin më të plotë të kësaj fjale.

Françesk Radi ishte një zë unik që plotësonte kërkesat që kishte rinia për nivelin e këngës së lehtë në Shqipëri dhe në botë gjatë atyre viteve të ngrirjes së madhe, kur zëra të tillë ishin të dëshirueshëm si shiu në tokën e etur e të tharë.
Zëri i tij i veçantë ishte i pasur me tonalitete pak a shumë të muzikës moderne edhe të lehtë, por anonin nga ajo italiane.

Specialistët e muzikës e kanë konsideruar atë një zë mrekullor, duke shtuar  se në timbrin e tij kishte diçka nga Adriano Çelentano. Në kohën e Diktaturës, kjo gjë quhej negativitet dhe nuk lejohej, ndaj kur në Festivalin e 11-të në RTSH Françesk Radi interpretoi këngën “Kur dëgjojmë zëra nga bota”, dihen pasojat. Kjo ishte kënga hapëse në këtë festival. Tekstin e saj e ka shkruar poeti Sadik Bejko. Kjo këngë do të ishte si që Françesk Radi të shkonte për disa vite në Pukë. Sigurisht që kjo këngë ishte si pretekst për shkuarjen e tij në Pukë, sepse ai shihej pak si vëngër edhe për tematikën që sillte në këngët e tij, veçmas atë të dashurisë, të cilën e promovoi gjithmonë. Këngët edashurisë, këngët me tonalitete intime, në një kohë kur dekori brohoritës i betonarmesë shndërriste në qiellin e një revolucioni absurd, ishin një nga shkaqet e atyre privimeve që do të shoqëronin në jetë, në kohën e komunizmit Françesk Radin.
Ja teksti i këngës së Françesk Radit, që hapi siparin e Festivalit XI, festivalit më të përfolur në kohën e regjimit komunist dhe që shërbeu si shkas për një revolucion kulturor lejfenmist në artin dhe kulturën tonë komëbtare: “Kur dëgjojmë zëra nga bota”. “Mora shokët shkuam në park,/ Ishte mbrëmje, ishte qetësi. /Me kitarën ulur në një stol, /Nisa një këngë për shokët e mi. /Ah, ky zëri nuk dilte i lirë, /Dhe kitara nuk binte lehtë. /Më thanë shokët: Ç’farë ke ti në këtë natë/ Në këtë mbrëmje nuk kam gjë të fshehtë. /Në Vietnam o shokë /Bombarduan prap’ sonte /Shqetësimin tonë/Me kitarë ta këndojmë. Merr kitarën shokët më thanë /Heshtja parkut jo, nuk i shkon /Me kitarën ulur përsëri /Nisa një këngë për shokët e mi…
Brezi ynë i rritur me këngën dhe tonalitetet që ajo sillte në jetën tonë sociale, është rritur dhe formuar me Françesk Radin, me këtë këngëtar të përmasave evropiane, që vetëm në një vend si Shqipëria mund të paragjykohej dhe rrethohej me heshtje e ligësi.

Françesk Radi ishte kitarist, pianist dhe kantautor i shkëlqyer. Mbi të gjitha njeri me kurajë qytetare, artist me guxim dhe talnt jot ë zakonshëm.Këngë të tilla si “Biçikileta”, “Telefonatë zemrash” etj., nuk vdesin kurrë, ata iu përkasin të gjitha kohëve, të gjithë brezave dhe do të vazhdojnë të udhëtojnëdrejt nesh.

Françesk Radi (1950) lindi në Tiranë. Kreu Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve (sot UA) në Tiranë. Fillimisht nisi që të punojë në Estradën e Shtetit, si kitarist dhe kantautor. Në moshën 22-vjeçare, pas studimeve të larta, mori pjesë në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio-Televizion. Teksti i këngës “Kur dëgjojmë zëra nga bota”, i Sadik Bejkos, ishte një protestë për luftën në Vietnam. Shqipëria ishte në krahun e popullit vietnamez.  Ishte një këngë rrok. Ne ishim mësuar që temave politike t’iu këndonim me marshe, me himne. Kënga bëri përshtypje në qarqet e larta. Madje ministri i asaj kohe, deklaroi në një mbledhje: “Françesk Radi, i këndon Vietnamit, me kitarë si amerikanët”. Pas këtij interpretimi, e larguan nga Tirana, për prirjet moderne që ishin parë në muzikën e tij, dhe për 8 vjet ka punuar në Shtëpinë e Kulturës Fushë-Arrëz. Në vitin 1992 nisi punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme. Në festival u kthye me këngën “Një nënë, fëmijët, koha dhe unë” (1993) me tekst të Romina Poëer.  Një vit më vonë këndoi bashkë me Mariza Ikonomin “Telefonatë zemrash”. Disa nga këngët e tij janë “Rroku i burgut” (1996), “Jeta s’të lë fëmijë” (1997), “Erdha erdha” (1998), “Ky fat na ra” (1999), “Zemër trembur s’kam jetuar” (2002), “Syri i saj po më verbon” (2003) etj.
Një nga një po ikin në pyllin e një kohe pa kthim shkrimtarë, artistë, këngëtarë, kulturologë, që e kanë mbartur fatin shqiptar si një gur Sizifi në krijimtarinë e tyre, në shpirtin krijues, e Françesk Radi ishte njëri prej tyre, një majë e artit të këngës dhe muzikës shqiptare. 

Françesk Radi kishte një zë të jashtëzakonshëm, mahnitës e të papërsëritshëm, ku për më shumë se katër dekada krijoi mitin e pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e tij në vite mbeten në kujtesën e njerëzve të thjeshtë, u bënë hite dhe janë të preferuara edhe sot nga publiku, që e don dhe e çmon këngëtarin virtuoz. Ai i dhuroi publikut shqiptar, vetë Historisë së Muzikës Shqiptare, zërin e tij të artë, përkushtimin dhe dashurinë e pakufishme ndaj artit, dashurinë për vendin e saj, të cilin ai e mbarti kudo që vajti, në të gjitha skenat e botës, si një peng malli e përkushtimi, për t’i shërbyer deri në fund, me magjinë e një arti të madh e të papërsëritshëm.

E veçanta e tij si artiste është jo vetëm zëri i veçantë, ai timbër i magjishëm që duket sikur gurgullon bashkë me ujëvarat e bjeshkëve, por dhe shpirti i tij poetik, , që iu përgjigjet këtyre joneve që dalin nga thellësitë një zemre të dashuruar me vendin e tij, me bashkëkombasit, mes të cilëve ndihej gjithmonë i rrethuar me dashuri, respekt e mirënjohje të pakufishme.

Françesk Radi ishte dhe do të mbetet zëri i ngrohtë i tokës së tij, zëri i ndërgjegjes estetike të popullit, vetëdija e një arti elitar që i shërben fisnikërimit të kombit, maturimit të ndërgjegjes shoqërore, emancipimit të njeriut dhe fisnikërimit të ndjenjave më të bukura humane.

 

One thought on “Lamtumirë Françesk Radi, o zë magjik me bekim dashurie

  1. Ju lumshin duart që keni shkruajtur nje artikull dedikuar nje artisti të madh të vendit ton, Francesk Radit femijeria ime tingellon nga kenget e tij! I pahareuar pergjithmon

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *