Poezi

S’ IKI DOT NGA KJO VJESHTË

POEZI NGA NIKOLLA SPATHARI

SA TË LUMTUR KEMI QENË

Sa të lumtur ishim atëherë
Kur nëna na vinte për të fjetur
Pesë fëmijët,
Si në një tabllo
Të Françesko Gojës,
Na porosiste të thoshim lutjen e mbremjes
Dhe të thërrisnim pranë engjujt e rojes.

.Flinim të qetë.
Secili me engjullin e vet te koka
Si një re.
Tani ato vite kanë ikur larg dhe unë jam vetëm.
As nëna as engjujt nuk janë më.

SHIU

Nën qiellin e vogël të një çadre
U gjëndëm rastësisht,
Ndërsa në lugina thyhej rrufeja,
Unë vura re se ti ishe e bukur
Dhe këtu filloi odiseja…

S’i mbaj dot mend
Të gjithë shirat që kanë rënë,
Por kam edhe unë tani shiun tim.
Ti e di mirë si nisi ai shi
Dhe si e ngrite çadren me nxitim?!

SA SHUMË BORËRA

Ca fjalë mes nesh
Krisën si qelqe të thyera,
Po tjetër çfarë ndodhi,
Se di !
Nëntori bëri vetëvrasje gjethesh te drurët,
Retë ikën me ty dhe se ku e çuan një shi.

Ti Helios,
Që e mallkove me diell atë vjeshtë,
Mallkoi dhe të gjithë dimrat
Që kaluan,mbi këtë tokë!
Dimrat që hodhën aq shumë borëra
Dhe të gjitha na u ulën mbi flokë.

ILUZION

As këngë
Nuk dua të këndoj,
As poezi
S’po shkruaj më,
Zëri ka nisur të mos më bindet,
Fjalët të mos më rrinë atje ku i vë.

S’më pëlqente
Kjo që ishte
Dhe desha ta rikrijoj jeën,
Si të gjithë Don Kishotët
Që iluzionojnë vetëveten.

VIZITË PRANVERËS

Sot
I bëra një vizitë pranverës,
Në rrugicat, mes luleve,
Takova diellin,
Mbi degë të dafinës
Përshëndeta një bilbil.
Ti e di se këtu ku ndizen të gjitha petalet
Të kam puthur te çdo trëndafil.

VDEKJA E POETIT

Vite e vite
E masakruan poetin,
Me intriga,
Thashetheme e ligësi,
Më në fund uli kryet nën hijen e një molle
Dhe vdiq në qetësi…

Zgjodhi kopshtin për të vdekur
Që ta rrethonin zogjtë
Dhe atje të tretej në hapësirë,
Por njerëzit e futën në arkivol dhe e mbyllën me gozhdë,
Medet, nuk paska as vdekje të lirë
MAGJIA E NJË KËNGE

Kur këndoje ti
Desha të mos ishim midis njerëzish,
Të ishim diku larg
Në një pyll,
Pranë gjetheve, atje ku është gjelbërimi,
Ku të digjet, mbi kokë, papritmas një yll.

Dhe të bënim së bashku një koncert,
Zëri ynë
T’i binte natës dhe degëve mes për mes,
Te një trung edhe mund të putheshim,
Se çdo bënim deri në mëngjes…

Por ajo natë se nga më iku,
E mua
S’ më ndahën e s’më ndahën largësitë,
Me to, monopateve, grindet era ,
Por do përleshem dhe unë një ditë.

NGA ATO QË DUHËN THËNË

Nga ato që duhën thënë
S’kemi thënë ende asgjë.
S’kemi thënë,bie fjala,
Se një nga gënjeshtrat e mëdha
Është dhe lumturia ,
Se njerëzimi është po aq i marrë sa duhet
Që të besojë te liria.

Eh, sa gjëra s’kemi thënë,
S’kemi thënë, për shembull,
Se të shkruash një Iliadë
Duhet të jesh Homer,
Se gjithkush e ka Beatriçen e vet,
Por duhet të dijmë t’i dashurojmë,
S’kemi thënë se çdo ditë na gënjejnë
Dhe çdo ditë u besojmë.

Nga ato që duhën thënë,
Pothuajse të gjitha
Pa thënë kanë mbetur.
Mbase ka ardhur koha të themi diçka
Para se të nisemi për të vdekur.

FLOKË TË TILLË

Të gjithë librat e teologëve i kam lexuar,
Dhe të them të drejtën
S’ua falë:
Në flokët e tu si rrika mëkati
Kur nga ngjyrë e diellit kanë dalë ?!

S’ka mëkat
As në flokët e tua ,
As në dorën time që i lëmon,
Madje unë then se atje është Parajsa
Pa çka se asnjë nga librat e shenjtë s’e pranon.

Kjo natë është e imja,
Por mua s’më njaftojnë
As të gjitha netët,
Se flokë të tillë që bien lehtë mbi supe
I çmendin poetët.

MËDYSHJE

Erdhën pelikanët
Dhe çukasin gjithandej nëpër hije,
Kisha menduar se do t’ishe ti
E para që do të vije.

Por ti ende rri
Në një mëdyshje hutimi,
Si mëdyshja e një zogu
Në çast fluturimi.

REFLEKSION

Përse u dashka
Të jesh i mençur,
Të jesh i zoti,
Kur më i famshem se vetë Servantes
Është Don Kishoti…

Çfarë duhet vallë
Sinqeriteti,
Në këtë botë ku vijnë dhe ikin miliona,
Kur Jago është mbuluar me lavdi
Ndofta më shumë se Dezdemona…

E përse të shejtërosh në këtë jetë ?!
Të zbehesh në lutje
Si murgu dhe prifti,
Kur Juda është bërë i pavdekshem,
Po aq i pavdekshëm sa ç’është edhe Krishti…

TË NDALET STUHIA

Vetëtimat që flinin në kreshtat e reve
U zgjuan,
Nga streha e vjeshtës doli shtrëngata
Breshëri u bie xhamave me grushtat e akullt,
Pas dritares çirret,çmendurisht,nata…

Mes drurëve kalon era
Dhe le pas një grindje të madhe degësh,
Qielli nxin, lëshohën me tërbim bubullima,
Ç’bëhet sonte me zogjtë
Që mardhin dhe dridhen nën vetëtima?!

Çfarë ndodh me lypsat e vegjël,
Që flenë nëpër qoshe se u mungon çatia!?
Pa e ditur se ç’bëj dal mes rrebeshit
Dhe i bërtas vjeshtës: “ Të ndalet stuhia!”

NATË

Dielli iku prapa një mali.
Gjinkalla pushoi së kënduari nga vapa,
Reja e fundit ngeci në majë të një plepi,
Atje e zuri nata…

Zogu i vogël s’e pati mbaruar ende këngën e vet
Që të kthehej tek lisi,
Fluturimi i tij mbeti mbi një degë,
Vetëm cicërima iku…

Në bregun e heshtur të detit
Shëtitjën e argjendë bëri hëna,
Monologun e ngatërruar të valëve
E zuri mëngjesi te rëra.

S’ IKI DOT NGA KJO VJESHTË

Dallëndyshja
E ka lënë shtëpinë e vogël
Te zhveshja e plepit
Dhe ka ikur e qetë,
Por unë
S’iki dot nga kjo vjeshtë.

Si shenjtor
Të dëbuar nga parajsa.
Më presin së bashku plepi dhe hëna,
Sikur s’ka ndodhur ndonjëherë gjë
Te këto gjethe të rëna…

HUMBA NJË SHOK

Mbrëmja më gjeti të pikëlluar
Se humba papritmas një shok,
Atë që më telefononte çdo ditë
Kafenë e mëngjesit ta pinim tok.

As nuk u prishëm,
As nuk u grindëm,
Në miqësinë tone nukj pati tërmet,
Jo,jo e humba fare thjeshtë:

PROMETEU DHE ZJARRI

Të lidhën, Promete, të lidhën,
Shkëmbi yt
U rrokullis në skenat e tragjedive,
Le të thotë çfarë të dojë plaku Eskil,
Unë u jap të drejtë perëndive.

Zjarri ishte mirë në qiell,
Ç’ të shkrepi që e lidhe me tokën?
A nuk e dije se njerëzit, para se të ngrohnin duart,
Do të mendonin si të digjnin botën?

KUJTIME TË VJETRA

Në kujtimet e vjetra ne kemi mbetur
Te një zbehje hëne
Stolisur nga pyjet,
Nën dilemën e madhe të një qielli të kaltër,
Që s’di çdo të bëjë me yjet.

Kemi mbetur përgjithmonë
Anës së lumit,
Ku si hiperbola zgjateshin ca hije,
Dhe lumturia s’mund të marrë tjetër formë
Veç formës që pati atë natë në korije.

ZGJIMI

Më iku dhe kjo natë
Nga vetmia pa fund e netëve,
Mëngjesi erdhi
Me një agim të sfilitur,
Kisha qëndruar gjithë natën mbi gurin e një ëndrre
Duke të pritur…

VETMIA

Mirëmbetshi kafene
Dhe ju sheshe gjysmë të çmendur !
Sa shumë kohë
Për të arritur deri te vetmia!
Mirëmbetshi dhe ju salla ku çirrën mediokrit
E ku ndahën tituj e çmime, me mijëra!

S’e kisha ditur
Që vetmia
Mund të merrte formën e një vjeshte,
Dhe unë të dashurohesha me këtë vjeshtë
Larg atyre që mburren pa bërë asgjë,
Mirëmbetshi !
Aty, te ”lavdia“ po ju lë.

Dhe atdheu
Sigurisht ju mban,
Siç ka mbajtur në shekuj çdo brengë,
Ashtu si lisat që mbajnë bilbila,
Por mbajnë edhe zogj pa këngë…

DIELLI DHE NE

S’e di
A na pa dielli, atë ditë,
Kur hodhi një sy në dritare
E rrëshqiti në qiell,
Por di se të gjitha bregdetet së bashku,
Sa sytë e tu, s’ kishin diell..

Nuk jam budalla që vendosa të digjem!

QYTETI DHE AJO

Mbremë, kur deti u trazua,
Erdhi tek unë e dashura ime,
Kodrave u ngritën telajot e shirave
Si metonimi çastesh intime.

Në mëngjes
Më la një të puthur dhe iku…
Hapat e saj
I shoqëruan dielli dhe deti,
Sigurisht ajo banon diku këtu,
Ndryshe s’do t’ishte kaq i bukur qyteti.

Nikolla Spathari ka lindur në Malësi të Madhe me 5. 12. 1940, ku mori edhe mësimet e para. Në Shkodër bëri shkollën e mesme pedagogjike . Studimet e larta i kreu në Tiranë për matematikë – fizikë. Ka filluar të botojë në vitet gjashtëdhjetë të shekullit njëzet. Në vitet shtatëdhjetë boton dy librat e parë dhe bëhet një emër i njohur në publicistikën shqiptare. Me botimin e dy librave pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Pas shembjes së rregjimit totalitar ka qenë themelues dhe kryeredaktor i gazetës “ BESA “ në Shkodër ( 1991 – 1993 ) dhe i gazetës letrare “ PENA “ në Durrës ( 2004 – 2005 ). Ka qenë gjithashtu reporter për Shqipërinë i gazetes “Albania Herald” (1991-1996) që dilte në Amerikë . Nga viti 2009 e në vazhdim është drejtor i revistës “ Vegime letrare.”.
Pas viteve nëntëdhjetë ka qenë sekretar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Shkodrën (1992-2004 ), sekretar i Shoqatës Atdhetare-Kultirore Kosova dhe nga viti 2007 është Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës.
Është poet, shkrimtar, publicist, studiues.
Ka botuar deri tami 17 libra me poezi, prozë, letërsi për fëmijë, publicistikë, studime, monografi etj., Ka botuar dy vëllimet e para të veprës së plotë letrare, që do të jetë në 13 vëllime.
Është nderuar me medaljem “ Naim Frashëri “ nga Kuvendi Popullor dhe me titullin “ Mirënjohja e Qytetit “ nga Bashkia e Durrësit,
Ka marrë çmimin “ Migjeni “ , çmimin “ Mark Tuen, çmimin “ Dritero Agolli “
për librin më të mirë me poezi të vitit 2013, tre çmime të paa dhe dy çmime të dyta në poezi etj..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *