Poezi

POEZI NGA PETER PAUL WIPLINGER

Nga gjermanishtja:
FERDINAND LAHOLLI
.
U lind në lokalitetin Haslach në vitin 1939, jeton në Vjenë. Ka mbaruar studimet në Shkencat Teatrore, Gjermanistikë dhe Filozofi. Është i njohur si Lirik, Publicist kulture e arti dhe fotograf.
Ka botuar deri me tani 46 vepra, kryesisht në poezi, shumë nga të cilat të përkthyera në mbi 20 gjuhë. Në shqip “Shënja Jete“ (Lebenszechen). Është anëtar i disa Klubeve e Organizatave letrare austriake e ndërkombëtare. Aktiviteti i tij letrar është i pasur, ka lexuar në mbi 350 orë letrare e artistike në shumë vende. Peter P. Wiplinger është njëri nga aktivët në P.E.N Clubin Ndërkombëtare dhe P.E.N Clubit në Austri. Është shpërblyer me shumë dekorata e mirënjohje ndër të cilat vitin 2015 “Dekorata e Lartë e Nderit për Merita ndaj Republikën e Austrisë”. Ka një qëndrim parimor të ashpër ndaj politikave diskriminuese në mbrojtje të të drejtave të njeriut si është anëtar i disa organizatave. Krijimtaria e tij e gjithanshme flet për një personalitet me vlera të mirëfillta jo vetëm tek lexuesi austriak por dhe më gjerë. Disa vite e mbështetë aktivitetin letrar të Lidhjes së Shkrimtarëve e Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu“ në Austri, ku është anëtar nderi. I kishte miq Dr.Ibrahim Rugovën dhe Ali Podrimën.

Peter Paul Wiplinger
SHENJË JETE

kohë
pas kohe

të japësh
një shenjë gjallimi

si shenjë
të jetës

HOMO SAPIENS
prore
dhunë e shkatërrim

liria
mbetet veç ëndërr

përmatanë kufijsh
vegimi i shpresës
i paepur të qëndrosh
mes muresh

loja e pushtetit
si lojë për botë

i mëvetmi
askush dhe asgjë

besimi për dritën
i pathyeshëm megjithatë

POEZI DASHURIE

lëkura jote
aq e bardhë

fytyra jote
aq pranë

e ndienim
shkulmin

e gjakut
të zemrave

si ta sjell
këtë
në kujtesë

pa u dashur
të vdes

ROMA

Drita
tek muret.

Ndriçimi
në mua.

SILUETË

Haslah/Vjenë 1983
Në vdekjen e nënës

dikush iku larg
prej meje dhe botës

befas boshësia
terri brenda dhomës

koha duket
të jetë copëzuar

gjithçka e pafjalë
asnjë tingull s’ndihet

veç ngandonjëherë
është drita që dridhet

TEK NJË ËNDËRR

brenda një ëndrre
një fjalë e humbur

ti vetë shfaqesh
si një trajtë e huaj

babai i vdekur
nëna e vdekur

vëllezërit të vdekur
motrat të vdekura

të gjithë janë befas këtu
si të jetonin akoma

tek një ëndërr
një tablo e harruar

si mbi një foto të vjetër
që ti e mban në duar

DRITA E MBRAME

drita e mbrame
si gjuhë
pemësh

si mesazh
qielli

bluzeza
hijet
e natës

ti e dëgjon
këtë heshtje

dëgjon
frymimin tënd

pulsimin
në ty

si kode
të kohës

KTHIMI

kthyer
tek heshtja

në zgrip
hijesh

ku boshësia
të bën vend

ku koha
s’të njeh

ku e vërteta
të gjen

Nga gjermanishtja:
FERDINAND LAHOLLI
© Wiplinger & Laholli

Ibrahim Rugova
Ti gjithmonë
fole me zë të ulët
dhe si përherë
kundër çdo dhune
por pyes veten
a mundet njeriu
pa dhunë
prej dhunës të mbrohet
varka na nxori
tek bregu tjetër
ngadalë i ngjitëm
shkallët lart
sa i brishtë
qenka njeriu
por dhe sa pa përgjigje
mendova njëkohësisht
Përktheu: Ajet Shira, Vjenë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *