Poezi

DUA TË TË SHOH A TË KA HIJE DHIMBJA

 

Nga Nikoll Ulndreaj

 

 

1-DY SY LLAVË ZJARRI

 

Qelqet e shikimit vashëzo m’i theve,

Me atë peizazh profili tërë magji.

Rrëmisht kupën e helmit ma ktheve,

Se s’kam mundur t’i puth sytë e zi.

 

Dy sy si dy yje a si dy llavë zjarri,

Më dogjën mua të mjerin së gjalli.

Po ti mos më lerë të shkoj te varri,

Pa m’i njomë buzët lëng portokalli.

 

Një ditë të motit do vyshkesh si lule,

E do të tretesh si gurra e ujit në rërë.

Do pendohesh që në prehër s’më ule,

Mbi varr do të mbijë ferrë e tërë…!

 

 

2- DUA TË TË SHOH A TË KA HIJE DHIMBJA

 

Gjethin e porsa çelur të blirit,

Do ta bëj varkë ëndrrash,

E të lundroj;

Në oqeanin e dallgëzuar –

Të syve të tu qelqor.

 

Edhe në u mbytsha,

Shtojzovallja ime bjeshkore;

Të lutem mos qaj!

Mos qaj, as mos më zgjo,

Se në syrin tënd e dua varrin!

Të vdesësh nuk është lojë,

As si të lozësh kut e cingël rudinave.

 

Këtë e di,

Por dua të të shoh;

A të ka hije dhimbja –

A të ka hije loti.

 

Nga kjo botë e trisht do të ikja,

I djegur etje, i këputur malli,

Se nuk u bëra ortek bore;

E të shkisja –

Peizazhit të brishtë të trupit tënd,

Para se të mbulohem me qiell –

Një herë të paktën.

 

3-HËNA ËSHTË BËRË XHELOZE

 

E ndjeva aromën e lules, çelur thellë në zemër të gëmushës,

Ylli i dritës, të zbriste në mal, kish një farë frike.

Era e lindur në Lugjet e Verdha, më sillte zërin e Tanushës,

Unë kisha humbur, në vetmi mistike.

 

Gjithë ngjyrat agsholit, mblidhja me zell, të mbush shportën,

I mbusha dhe i rimbusha, dëshirës kupën e zjarrtë.

Fshehur mbas kaçubës, po prisja stanit kur t’i hapin portën,

Të lexoja poezitë e shkruara në flokun tënd të artë.

 

Flladnajë, zogjtë qeshnin, vura re se pranvera kish ardhë,

Brenga e fjetur hapi sytë, u zgjua me zjarr në buzë.

Tingulli i hapave tu mbyllte shteg-kalimit në Qafë të Bardhë,

Veç ti e di Tanushë, sesi më lidh me tërkuzë.

 

Brenda shpirtit tim, rrmisht rridhte një rrekëz e prushtë,

Më digjte e më ledhatonte, si shtojzovalle tekanjoze.

Qiellin mbaj në duar, kur numëroj fije flokësh të pushtë,

Tanushë më thuaj: pse hëna është bërë xheloze?

 

4-PËRTEJ HESHTJES

 

Bjeshkët janë aty, ku kanë qenë dikur,

Herë mbas here përjetojnë vetmi të pafajshme,

E gjumi nuk i zë.

As me këngët e laureshës, as me këngën e zogjve, as me vajin e qyqeve.

Një stuhi fshinte gjurmët, turbullonte shikimin,

Shpërndante magji, të papritmës së beftë.

Livadhe e zharre shkretëtirë e gjelbër, mrizet përgjumur,

Mbuluar me muzg, e heshtje.

Lisat e emrit rrënjës shkëmbinjve të murrmë,

Kërcisnin lëkurën nga jeta e zbrazët.

As kali i egër, nuk hingëllinte në livadhe, e pushta tërfilore,

Ku puthen rrezet, e hënës me të agut;

Dhe me tingujt, e harpës së verës.

Trëndafila të egër, kishin mbirë, në atë guvë të rënë prej shkëmbi,

Aty ku ujku, më ka pasë ngrënë qengjin sugar,

Kur po e kullosja buzë Bregut të Diellit,

Një të premte fundkorriku.

Kur po luaja në lëndinë, me top leckash, me fëmijët bjeshkatarë,

Krejt i mbytur në mërzi, u ktheva te stani.

Një gurrë mali qante, qante e lodhur nga rrjedha,

Nuk donte t’ia dinte, për hijeshinë tënde,

As për buzët e tua, të rreshkura, moj, Tanushë,

Që vyshkeshin si gjethi i njomë, dikund larg –

Larg gjithçkaje, të bukur bjeshkore, që shikojnë sytë.

Fidanët e vetmisë harliseshin, përreth bjeshkëve, deri në Lugje të Verdha,

Në Bjeshkët e Nëmura, ku Muji e Halili, përditë gjuanin dhi të egra.

Ahu shtatëqind vjeçar, me flokë të thinjur, te varri i Omerit,

I ishin thyer kurmet nga vuajtjet e frutat e lotëve,

Stuhitë e rrënojës, acaret e kohës;

Një gju ishte rritur bari, mbi varr të Omerit –

Nga lagështira e lotit të Ajkunës.

Midis shiut e erës, flladit, pellgjeve të hijeve me ngjyrë të errët,

Shtriheshin shtigjet nga mund të kalonin dhimbjet,

Dhimbje-plagë, të mbetura nëpër stane –

Që kur iku fryma e njeriut.

Të zgjonin në shpirt trishtim, të plasaritnin durimin,

Zymtësia grindej me mallin, me lotin, me rrënojat e lindura.

Në vatër, ku ndizej zjarri bubulak, nga ime nënë.

Të shikoje stanin kërrusur, e rrëzuar prej pikëllimit,

Që qante, për faqesh i rridhnin lotët.

Në qiell të hapur, ku vetmia të ngrinë së ftohti,

Askush nuk të ngrohte, as nuk të zgjonte.

Përveç kaçurrelave të kaltër që vazhdojnë të zgjaten në bjeshkë,

Prej kohës që nuk ka shkelur këmba e njeriut.

Brenga e thellë, digjte shpirtin e zharit të Mirashit në Qafë të Mrrethit,

Dredhëzës e mjedrës, i pëlciste faqja prej së kuqes,

Në Shpate të Kakisë, shkokëlohej prej qejfi boronica.

Aty malli bëhej i marrë, aq i marrë saqë të lidhë me litar,

Të digjte me prush, të përqaftë, shfajësohej para kohës,

Në të katër stinët,

Në një formë, qe ti nuk ke ndier, as nuk ke parë kurrë.

Si dashuria të ledhaton, me duart e puhizëta,

Netëve të lënë pagjumë, duke qitë avull;

Si korita e tamblit të valuar në policë të stanit.

Bjeshkët ishin aty, ku kanë qenë dikur.

Veç dy zjarre yjesh, ndizeshin muzgut në majë të Hekurave,

Kur lisat e bjeshkës, ia merrnin këngës majakrahu.

 

5- GJITHË DITËN QAU TANUSHA

 

Gjithë të lumen ditë te Mrizi i Zanave, qau e kukati Tanusha,

Ikën.. e kishin harruar aty, as u kish shkuar ndër mend.

E kish mbërthyer një vaj, saqë prej zori u vyshk lulja në fusha,

Nëpër bjeshkë pa u lagur nga shira lotësh s`mbeti vend.

 

Kjo krijesë e bukur, e brishtë e zotit në lëkurë të vet mbështjell’,

Një pamje e ngadhnjimet ende puthte sytë e zi’ të saj.

S’kërkonte mëshirë pse kish mbetur fillikat, e vetme nën qiell,

Lozte me lodrat e dimër – verës bjeshkës në skaj.

 

* * * *

 

Turma kapuç bardhësh e shamilarmesh ecnin për krah Drini,

Pa kurrgjë të qëndrueshme, që mund t`u zihej besë

Kish nis si një lojë e sikletshme, të shkonin ku nxirrej florini,

Të linin pas përgjithmonë fukarallëkun me shpresë.

 

Ishin molepsur keq me pesimizmin, kishin një thes me halle,

Dhimbje-trishtimi u këpuste shpirtin, u merrej fryma.

Jashtë varoshit të bjeshkëve grykë-ngushta të hidhnin valle,

Larg krismave të verbra, larg qiellit ku të zë bryma.

 

Shteti bënte sehire, pa prishur terezinë ngrohte duart në zjarr,

Në rrënjë pritej njeriu i shkret, siç pritet një lis mali.

Kish plas sherri, ora e kombit të jetë pa akrepa, thotë një i marr’,

Ngjyrë dheu lëkura e njeriut që zbriste nga kali.

 

* * * *

 

Bjeshkatarët ikën, një dite me diell, me të ftohtë të thellë, të thatë,

Përtej fytyrës së akullt, u dridhej qerpiku i zbehtë.

Dritë në largësi të ditëve të përhimë, ishte vështirë të shihje gjatë,

Gjithçka i rrethonte digjej nga një flakë frike e lehtë.

 

Në bjeshkë kish humbur ardhja e përvjetshme e bjeshkatarëve,

As shenjat e kthimit, së afërmi s`dukeshin gjëkundi.

Gjithçka ndryshoi, u hodhën mbas krahësh kënga e lavërtarëve,

Kolonia e arave të bukës, flamur heshtje tundi.

 

Shkëmbi u plasarit nga ikja e këngëtarëve, të këngës maja krahut,

Ngjyrat humbi ylberi kaçurrelat humbi dhe ujëvara.

Pishat humbën flladnajën, ngjyrën e ëmbël humb njomëza e ahut,

Farë pikëllimi mbinte si gojfili gurëve në të çara.

 

****

 

Malësorët e mirë, me shpresë ecën drejtë perëndimit të diellit,

Me varka vozitnin ujërat e kthjelltë, të deteve të vjetër.

Ata me vete kishin marr lotin e çdo fije bari dhe lotin e qiellit,

Rendnin të zbulonin lumturinë, fshehur në një vend tjetër.

 

Gjithçka ngjante e vështirë, e hidhur, duhet kufijtë mallit thyer,

Balli thellonte rrudha, teksa bulëzonte pikla vese.

Flutura e ndjenjës brezave jetën në vend të huaj të kenë gërryer,

Lules nën dëborë, syri i veton rreze shprese.

 

****

Plagët e hapura fshatrat bjeshkatarë, t`i kenë mbështjell me gëzof,

Dhimbja do të nxjerrë guximin nga pellgu i vrerit.

Shkrimtar, poet, politik-bërës, pranvera-ardhës, ciceron e filozof,

Gërmojnë thellësisht dheut, varfërisë t’i këputet filli i perit.

 

Sërish gurra gurgulluese bjeshke, do të njomin buzë të zhuritura,

Sfida shpinë gjymtyrët në degët e reja të lisit.

Hapësirës honesh të thella mbillet farë jehu, cicërima të uritura,

Nis të shkrijë akullnaja te këmbët e fisit.

 

****

 

Bjeshkëve, zhareve, livadheve loti i Tanushës ende s’është tharë,

Gojfili, dredhëza, mjedra, boronica magji reshin.

Flenë hijeve mrizesh të puthjes lënë në harresë zgjohen si ujëvarë,

Kthimet e bjeshkatarëve, peizazh bjeshke veshin.

 

Yjet prushojnë në flokët e Tanushës, të lëshuar me argjend lyer,

Ikjes në qiell të bilurtë, i këputet e shuhet meteori.

E mbushur frymë flladnaja një tufë dallëndyshe u ka fërshëllyer,

Oxhaku i kullës, nxirrte tym e flakë kraharori.

 

*****

 

Ditë-bardhat, net-mugëtat, etja e lumit më kallin shpresë e frik’,

Në jetë s’kisha parë derëngujuar tërë kullat fshatit.

Ndjehem keq, arsyetohem, pyes veten, të rri, të ndez yjet me ik,

Apo si paraardhësit e mi t’i nënshtrohem fatit.

 

Jo, s’mund të ik, ma beso shpresën tënde, shpirti im të flet,

Ti e dije, e dije se s’mund të veproja ndryshe.

Një fjalë e urtë thotë: “guri peshon rëndë në vendin e vet”

Pranvera i kthen bjeshkës dallëndyshe.

 

Buzëlulet e Tanushës të vullkanta krejt të zjarrtë rrjedhin llavë,

Lotët e valë në faqen e mollët, ia fshi me buzët e mia.

Edhe nëse Valbona me ujë të kristaltë, s’m’i shuan flakët një javë,

Do të digjem flakë në buzët e tua, dua të vdes nga dashuria.

 

6- MOJ EVË

 

Me shtatë palë rreze diellahanë, Shtat palë qiej me bardhësi;

Përflaket qerpiku yt –

Moj mbretëresha Evë.

Kurë hedh valle,

Me valët e Lumit të Bardhë;

E me valëte Lumit të Zi.

 

Mbushet njomëzore krejt bjeshka,

E prushërojnë yllësit midis fluturave të hutuara;

Qiellore,

Gjer herët në mëngjes,

Kur harkojnë ylbere –

Sytë e tu, moj, Eva.

 

Kambanës së bjeshkëve i bie,

Në oborrin e një stani të rrëzuar.

Te një larë bore,

Kur të rrëzohet orteku i mallit;

Nga majat e maleve –

Të zemrës time.

Moj Eva,

Eva moj,

Si pupël dallëndysheje e këputur.

 

Midis një tisi lisash gjelbërosh,

Sa hap e mbyll sytë;

Një puthje,

Na pati mbetur përgjysmë,

E na djeg shpirtin, moj Evë –

Ah!

 

7-HUMBAS

 

Afro shtatëdhjetë vjet që humbas,

Në lojën e fatit jetim.

Peizazhit të fytyrës shumëfishohen,

Retë zevzeke;

E lënë gjurmë sa putra e ketrit –

Pikla të bruzta.

 

Të katër stinëve,

Shpirti që digjet nxjerr tym të lagur.

E përplasë patkonjtë përditë,

Kur vetëtinë qielli shkretëtirave të largëta;

E yjet digjen –

Ku nuk të njeh asnjeri.

 

S’ka faj fati se i bien puplat,

Zogut të shpirtit tim.

Udhëve të shkreta ngjyrë deti,

Ku lumenjtë të duket se i kanë buzët me vaj –

E valët e palexueshme.

 

Qiellin me duar se mbërri dot,

As çelësat e fatit s’mund t’i nxjerr nga fundi i detit,

Që ti atdhe m’i ke hedhur kaq lehtë,

Dhe hesht.

Edhe pse ndodhem mes rrathësh polarë,

Të kësaj bote të pandjenje;

Me stuhi e erë.

 

8-HAJMALIA E ARTË

 

Si një tufë zogjsh në udhëtim të gjatë,

Hodhëm hapa drejtë Evropës,

Male, hëna, shtojzovalle e nëna,

Na dhanë; hajmali të artë, ta mbanim nën sqetull –

Të na sillte fat e mbarësi!

 

Zemrat hidhëruar, sytë përlotur,

Ecnim të takonim Kristofor Kolombin e Xhon Kabot;

Që kishin zbuluar Amerikën.

Të zbulonim edhe ne botën e re,

Duke na u ngjitur për fryme –

Dete, oqeane, lumenj, male e shkretëtira të trishta.

 

Pas na ndiqte dhembja e qiejve bjeshkorë,

Plot vaje e lot.

Ylberet e ujëvarat flinin nën dëborën e bardhë,

Vetmia i zgjidhte nyjën,

Zhgënjimit të kullave, në thepa të bjeshkëve;

Të të parëve tanë –

Që do të kishin mall dhe këngën e dallëndyshes!

 

Si të dehurit i gëzoheshim ikjes,

Me buzëqeshje të fshirë,

Ndoshta ngase për herë të parë fluturonim;

Larg kufijve të Atdheut,

E hynim në lojë më kohën –

Duke ia lënë perandorisë së erës arat shterpa!

 

Lulet e stinës qajnë e qeshin si zogjtë,

Hapin sytë të shikojnë zukamën e pranverës,

Bjeshkëve kreshnike që u hiq supesh;

Trafikun dimëror,

E dallëndyshet shtegtare të kthehen –

Nga përtejdeti…

 

9-KE FSHEHUR MISTERIN

 

Fiket ngadalë-ngadalë,

Meteori i shikimit tim;

Ndër buzët tua si trëndafil i çelur,

Misteri tretet një vrap rrëkeje –

Kur ti qesh apo vrapon me yjet.

 

S’di pse kam frikë,

Se pas një gjetheje panje fshihet,

E pakuptueshmja ;

E hirit të thëngjillit ndezur.

 

Dëshira jote i ngjaka trumcakut,

Që loz me erën,

Në vrasën e qafës,

Ke fshehur misterin e gjembit;

Të trëndafilit.

E nga kafazi s’mund të ik,

Edhe pse ky shi i sotëm është i rrëmisht –

E u prish gjumin drurëve.

 

Ti i ngjan hënës së majit,

Fjetur mbi një lule sheboje;

Sa herë shfaqesh i përndezë lulet shpresës,

E krahët i hedh rreth qafe ndjenjës,

Që digjet heshturazi –

Në krahët e njomë të dashurisë.

 

Tiranë me dt. 11. 05. 2016

 

10- NJË LULE VJOLLCË

 

Midis kufoma drurësh të rrëzuar,

Kërciste dhëmbët,

Pikëlluar ;

Një lulevjollcë sypërlotur.

Ajo,

Mbështet kokën;

Mbi gurët e dhimbjes time.

 

Qelqet e kristalta të stinëve,

Shpirtligësia e vetmisë;

I thyen nëpër kopshtet e erës,

Xhunglat përreth lundron nëpër mjegull të muzgët,

Të syve –

Të lulevjollcës.

 

Ikjet e ardhjet e dimrave idhnak,

S’ka mundur ta shfarosin dot;

Veçse i ka dërrmuar gjoksin,

E tash ajo,

Vyshket pak e nga pak;

Pa mundur ta shikoj syrin e diellit –

Që ia fshehin retë.

 

Sot u lodha duke e kërkuar,

Hapësirës së zënë në faj,

I shqetësuar,

Se ndoshta me zjarrin e trupit –

Nuk mund ta ngroh në shpirt…

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *