Interviste

Intervista – Bibika Kokalari: Pse Enveri ia shkatërroi jetën Musinesë

 

Ditët e fundit të shkrimtares e politikanes Musine Kokalari

Rrëfimi i ndërpritet herë pas here nga ngashërimet apo ndonjë psherëtimë e thellë. Ngashërehej si dikur, kur Musineja nisi të rrëfente për torturat çnjerëzore që i kishin bërë në burg.

Si i kishin futur një mace një çitjane dhe e qëllonin me shkop… Bibika Kokalari nuk e ka të lehtë t’u kthehet kujtimeve. Ajo është nuse në derë të Kokalarëve, por qëlloi të ishte një ndër njerëzit që do ta shihte më shpesh Musinenë, madje asaj e të shoqit, Platonit, do t’u besonte dorëshkrimet dhe disa sende personale që i ruajnë me fanatizëm edhe sot.

Në 100-vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit, Bibika tregon njohjen me të dhe ditët e fundit të shkrimtares e politikanes, që dha frymën e fundit në internim, në Rrëshen, larg njerëzve të dashur.

 

Ç’lidhje keni ju me Musinenë dhe ç’kujtoni prej saj?

Vjehrri im me Musinenë janë djalë dhe vajzë xhaxhai. Vjehrri im si jetim është rritur bashkë me dy vëllezërit e Musinesë, që u pushkatuan. Ishin thuajse moshatarë dhe me një lugë i ushqente aneja. Kur jam martuar, nuk e kam takuar, sepse ajo ishte në Rrëshen. Na dërgonte telegrame, i dërgonim letra, madje së fundi kam gjetur letrat që ne i dërgonim asaj, në fund të jetës. I kishte ruajtur të gjitha. Ndërsa të gjitha letrat e saj unë i kam në shtëpi.

Çfarë ju shkruante?

Ishin letra shumë familjare. Na fliste për sëmundjen e saj, kur do vinte nga Rrësheni. Vitin e fundit ajo ishte shumë e pafuqishme dhe nuk na thoshte që më prisni, por na tregonte ditën dhe orën kur nisej nga Rrësheni e mbërrinte në Tiranë. Ne e kuptonim që duhej ta prisnim dhe dilnim, e çonim në spital.

Ju kishte treguar për vuajtjet e saj?

Musineja nuk fliste shumë. Në fillim fare e kam pyetur: Musine çfarë të kanë bërë kur ke qenë në burg? Mua, tha, më kanë futur një mace në çitjane dhe i binin me shkop dhe duke u përpjekur të dilte ajo e çirrte. Imagjinoni se ç’mund të ndodhte. Unë fillova të qaja dhe ajo më tha që nuk do të të tregoj më asgjë.

Kur ka qenë hera e fundit që e keni takuar?

Kam vajtur në korrik. Në disa letra, me radhë, ajo na lutej që të shkonim të merrnim disa gjëra të saj. Ajo i kishte përgatitur dorëshkrimet dhe ca gjëra të saj, si këtë unazë, që ka qenë e nënës së Musinesë. Na shkroi sërish dhe na thoshte që ejani se kam akoma ca gjëra për t’jua dhënë. Mirëpo unë shkova në Vlorë te prindërit dhe nuk arritëm të shkonim më, sepse ajo u shua më 13 gusht të 1983-s. Ne ishim ende në fshat. Të dielën nuk punonte posta, të hënën kur erdhi telegrami, ne u nisëm, por kishte mbaruar gjithç- ka dhe ajo ishte varrosur. Kur kam shkuar në Kanada para 6-7 viteve, kam gjetur atje varrmihësin Gjergji Gjergo, dhëndri i Beqir Ballukut. Edhe ai ishte i internuar në Rrëshen. Të komunales i thanë ta hapte varrin në fund, sepse mendonin se ishte ujë, por në fakt ishte shtufë, shumë i fortë dhe mezi e kanë hapur. “Edhe atje që ata donin ta dënonin, prapë nuk e dënuan dot”, më tha.

Çfarë ju dha Musineja?

Ajo ne na dha shumë gjëra, që edhe pse unë nuk e dija që do vinte kjo ditë, i kam ruajtur. Ajo ka lënë vetë gjëra me shkrim për muze. Janë ekspozuar një çarçaf dhe një brez që i kishte në Rrëshen. Kam dorëshkrime të saj, thuajse të pabotuara. Pak gjëra janë botuar, ndonjë poezi apo “Si lindi Partia Social-Demokrate”, për të cilën është kujdesur im shoq, Platoni, që i vinte shpesh në Rrëshen.

Çfarë janë këto dorëshkrime?

Ka përralla, gjëegjëza, ritualet e dasmave, vdekjes, lindjes. Por ato kanë nevojë për një studiues që të botohen.

Në çfarë kushtesh jetonte Musineja në Rrëshen?

Musineja ka ndërruar 10 shtëpi. Parmbrëmë e kam lexuar në një dorëshkrim të sajin, ku thoshte se kishte ndryshuar 10 shtëpi në Rrëshen. Unë një herë e kam gjetur në një shtëpi të vjetër, shumë të keqe. Që aty e çuan diku tjetër, në kushte pak më të mira. Kishte një dhomë me sende të pakta: një krevat dërrase, një raft buke me rrjetë teli, një tavolinë, dy karrige, një sobë të vjetër.

A ishin të survejuara takimet tuaja nga njerëz të Sigurimit?

Herën e parafundit apo të fundit, për të shkuar te dhoma e Musinesë, pasi hyje në derën kryesore, zbrisje tri shkallë. Ngjitur ishte një dhomë ku rrinin dy gra të tjera, ishte tualeti dhe karshi rrinte një i paralizuar, që gjithë kohës kokën e mbante nga dera. “Mos e shiko Bibika, më tha, se ai atë punë ka, kush hyn e kush del”. Duket e survejonte.

Ju ka përmendur emra njerëzish që i kanë bërë keq?

Mua jo, ndoshta me tim shoq ka folur. Në shënimet e saj ka edhe emra.

Njerëz që i keni njohur?

Edhe që i kam njohur.

Ç’marrëdhënie keni pasur me familjen e Enverit, e keni kushëri të largët?

Nuk e kishin të largët. Ne Kokalarët e kishim të largët, ndoshta kushëri të katërt, ndërsa Musineja e kishte kushëri të dytë. Nënat ishin kushërira të para: vajzë halle dhe vajzë daje.

Është e vërtetë që donin të lidhnin krushqi?

Nuk e di të ketë ndodhur, por thonë se nënat e tyre kanë biseduar që t’i fejonin.

Thuhet që Enveri i ka kërkuar dorën Musinesë…

Nuk e di që Enveri të ketë dashur Musinenë. Ai ka qenë i fejuar, ishte njohur me Nexhmijen në mal, ndërsa Musineja ishte në Itali.

Nuk njiheshin ata si të rinj, kushërinj, gjirokastritë…?

Jo, jo, se edhe shkollat i kishin larg, njëri në Romë, tjetri në Francë. Janë versione që njerëzit i nxjerrin për t’u dukur se po thonë edhe ata diçka.

E përmendte ndonjëherë Enverin apo Nexhmijën?

E përmendte, i thoshte ai kushoja ynë. Por njëherë ka ndodhur që një nga Rrësheni do shkonte të takonte Kadri Hazbiun që kishte qenë hetuesi i Musinesë dhe e pyet Musinenë nëse kishte ndonjë gjë për t’i thënë, dhe ajo i tha: Thuaji Kadriut, më qafë e pastë Musinenë. Dhe ai shkoi në Tiranë e takon dhe kur u kthye, i tha: E takova Kadriun dhe i thashë dhe ai m’u përgjigj: Gjithçka që i është bërë Musinesë, është bërë me urdhër të të madhit.

A i ka çuar letër Enverit që t’ia hiqte dënimin, duke qenë edhe e sëmurë?

Po, por ai nuk pranoi.

Ka pasur njohje me Nexhmijen?

Kanë pasur një njohje të hershme. Kam përshtypjen se kanë bërë shkollën të dyja te “Nëna Mbretneshë” dhe kanë pasur kontakte kur botonin te “Zërin e Lirisë”.

Nuk i çoi ndonjë fjalë Nexhmijes që të ndërhynte për të?

Jo, ajo nuk do ta bënte kurrë.

ALMA MIL

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *