Fjalën nuk e skllavërova dot

Fjalën nuk e skllavërova dot

Nga Enkeleda Pashaj Murtaj

Për të mos lënduar njeri

e poqa mirë fjalen

në mullirin e mendjes

me dashuri,me kujdes

të mos digjej ,përcëllohej

edhe ngjyrën ta ndërronte

E bluajta me delikatesë

deri në thërrmijën më të imët

të pastër e pa guricka

gjuhës t’ia servirja

Për të ruajtur shenjtërinë e fjalës

kurrë për të s’u betova kot

shumë fjalë ngelën të pathëna

vetëm se s’desha fjalën ta ndot.

Fjalës i dhashë vend nderi

as e skllavërova,as më skllavëroi dot

me te ndeza shpresën

universit të dhunës i thashë-stop

 

 

Kur buzëqesh ngjyra e zezë

 

Sot në filxhanin e kafesë

një buzëqeshje e bukur u ravijëzua

kur buzëqesh dhe ngjyra e zezë

për  ngjyrat e tjera ç’më thua?!

 

 

Para pasqyrës

s’kam frikë të shoh rrudhat e kohës

as dikur…

as tani…

isha unë përplasur mes dallgësh

… dhe sot , … portret i eklipsuar kristalit blu.

Luleve,

U rrëmbeva farfurimën më të bukur

Dallëndysheve,

kurrë s’ua prisha folenë

bastun për pleqërinë tënde kohë

… dhe shami për lotët e fëmijëve në botë.

Pasqyrë të shoh çdo ditë në sy,

për rrugët dhe gjurmët e yjeve të humbur

për dhimbjet e mbetura peng atje,

për jetën …,

dhe paqen e njerëzve udhëkryq.

 

 

 

 

 

-Përqafoje jetën

 

Mos e lër mërzinë

Të ulet këmbëkryq në zemrën tënde

Shpirtin tënd mos e mbulo me pelerinë të zezë

Trurin mos e prangos me zinxhirë të rëndë.

Mos lejo që të të vrasë trishtimi

Mendimet të ti thajë

Dhe nëse rrëzohesh

Gjej forcë

Ringrihu prapë.

Përqafoje jetën

Lodro me optimizmin

Puth gëzimin

Kapu fort pas saj

Mos prano që hije të zeza

Të vendosin fatin tënd

Të të gllabërojnë

Të të shkatërrojnë

Retë e zeza davariti

Për agime të bardha shpreso

Dhembjet e shpirtit sfidoji

Të nesërmes mos iu frikeso.

Çaje mjegullnajën

Ti mos u dorëzo

Vlerëso jetën ,veten

Mëshirë mos prano

Mos u mbyt në lotët e tu

Kur ndjehesh bosh

Përhumbjen flake tutje

Kurrë mos u përpëlit

Fluturo

Jetën veç bardhë e zi mos e shiko.

Iki harresës

Në kllapi mos jeto

Mos i rrëno ndjenjat

Gjakun mos e prish

Thithe aromën e jetës

Zemra le të të këndojë

Lëre dhembjen

Ta marrë era

Larg prej teje le ta shpjerë

Zemrën mos të ta çjerrë

Ndriçoji skutat e shpirtit

Shkule me rrënjë zymtësinë

Mbill farën e dashurisë për jetën

Hidh krahëve mantelin e gëzimit

Mos mendo fundin

Lart sa më lart vështro

Ndjeje gjallërinë e jetës

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *