FOTOGRAFIA E ÇUDITSHME

FOTOGRAFIA E ÇUDITSHME

 

Skifter Kellici

 

Babai, si çdo mbrëmje, nuk duhej te vonohej, se qe ndaluar qarkullimi nëpër rrugë. Patrullat gjermane  ndalnin  cilindo që lëvizte  në ato orë dhe i kërkonin  letërnjoftimin. Pastaj,  kur dyshonin se ishte guerrillas,  e kallnin në burg dhe e torturonin pa mëshirë . Madje dhe e vrisnin. Ndaj babai pra nuk u vonua.

Me t’u futur  në shtëpi, ai nxori nga çanta e tij dy fletore të mëdha vizatimi, qw si tw tjera ishin mall I jashtwm, sic i thonin atwherw, dhe na i dhuroi mua dhe vëllait tim, që sapo kishim filluar vitin e parë të shkollës fillore. Nuk u përmbajtëm nga gëzimi dhe e rrokëm fort. Por unë u habita kur në kapakun e fletores sime pashë një fotografi. Kisha parë plot fotografi, por kurrë një të tillë si ajo.

Nuk  më tërhoqën fare fletët e mëdha tw fletores, disi të ashpra, të mbuluara me një letër të tejdukshme, si  pëlhurë e hollë, ku, si vëllai  edhe unw do të bëja  vizatime me lapësa ngjyrash të ndryshme. Ato çaste nuk doja të shihja asgjë tjetër veç asaj  fotografie, ndaj nisa  ta vështroja me vemendje të madhe.

Ishte me të vërtetë fotografi e çuditshme: një burrë veshur me fanellë të zezë, pantallona të shkurtëra dhe me doreza, me çorapë të gjatë deri te kupa e gjurit dhe  me kasketë në kokë, po kërcente për të kapur në ajër një top të madh dhe të zi.

Nuk po merrja vesh asgjë. Mos vallë ky top i kishte shpëtuar nga duart  dhe  ai po matej ta kapte, apo ia kishte hedhur dikush që ndodhej jo shumë larg tij, edhe ai me pantallona të shkurtra, por me fanellë të bardhë që nuk ia ndante sytë topit? Pas tij dukej  edhe një burrë tjetër,  me pantallona të shkurtëra, por që fanellën e kishte të hirtë.

Sidoqoftë, ai burri  me kasketë kishte kërcyer lart dhe dukej se po vuante shumë i gjori   për ta kapur atë top, aq më tepër që aty pranë ngrihej një diçka e  zgjatur, që  më shëmbëllente si mur, a si kaçubë e dendur; kurse shumë  më tutje  dukeshin   dy shtylla  të ngulura në tokë dhe mbi  të një shtyllë tjetër, prapa të cilave varej një rrjetë.

Top aq të madh  sa ai që shihej në fotografi, nuk kisha parë kurrë.Por, ama, edhe burrë me pantallona të shkurtëra si ne, kalamajtë,  dhe me çorapë të gjatë, nuk më kishte zënë syri kurrë.

Përse ishte veshur ashtu? Po ato doreza dhe kasketën pse i mbante?

Pyeta tim vëlla që edhe ai po me aq habi sa unë vështronte kapakun e fletores ku shihej  e njejta fotografi. Por edhe ai nuk diti si të më përgjigjej. Dhamë e morëm kështu me njeri-tjetrin, por nuk ia dolëm në krye.

– Vë vast se ky burri me kasketë ka kërcyer për ta vjedhur atë top,- u hodh e tha pastaj vëllai dhe sytë i ndritën, si të kishte bërë një zbulim të madh.

– Ç’thua kështu ?- ia ktheva unë.- E përse   të kërcente?  Fare mirë mund të priste që topi  të binte për tokë dhe pastaj ta rrëmbente e t’ua mbathte këmbëve.  Ndaj unë them se ai po luan me atë top.

– Qenke fare ti! E ku luajnë burrat me top? – tundi ai kokën si të më vinte në lojë .

– Po ja që luakan…

– Ti flet kot. E ç’lojë qenka atëherë kjo? – më pyeti vëllai.

Unë mbeta dhe nuk dija si  t’i përgjigjesha. U shtrëngova të pyesja babanë:

– Vërtet  ky burri po luan me  top?

– Po,- m’u përgjigj babai.

–  Po si  luaka me pantallona të shkurtwra ? Ai nuk wshtw kalama si ne, – vazhdoi vëllai.

– Ato nuk janë pantallona, por të mbathura të shkurtëra, sepse  me to luhet më lirshëm.

Pas kwtyre fjalwve babai iu afrua sobës dhe nisi tw nxirte qw andej hirin.

-E sheh që më doli fjala,- i thashë vëllait me krenari.

Babai ktheu kokën nga unë dhe buzwqeshi.

– Po dorezat pse mban?-  e pyeti pastaj  vëllai.

– Që të mos i rrëshqasë topi nga duart.

Ne u bëmë edhe më kurreshtarë, ndaj zumë ta pyesnim  pa reshtur:

– Në foto luakan edhe burra të tjerë!

– Po, kundër njeri-tjetrit, ndaj dhe fanellat I kanë të ndryshme dhe përpiqen që topin ta futin midis atyre shtyllave të bardha që mezi duken në foto, pra tw asaj qw quhet portw.

–  Po ky muri, a kaçubja , c’është këtu?

– Nuk është mur, as kaçubë,sa nuk ia plasi gazit ai.- Ata janë njerëz.

Ne u pamë  në sy të çuditur.

– Nuk dallohen mirë, se janë larg,- vazhdoi babai.- Ata ulen nëpër shkallë për të parë si luajnë këta dhe të tjerë që nuk shihen në foto.

–  Sa shumë njerëz  mbushkan  ato shkallë! – u habit im vëlla.

–  Shumw e shumw mw tepwr se  banorët e mëhallave  tona,  të mbledhura së bashku,-  vazhdoi  me të qeshur babai.

–  Si quhet ky…ky… vend?- e  pyeta unë.

– Stadium.

–  A kemi edhe ne stadium?- vazhdova përsëri.

– Ne jemi të pushtuar nga gjermanët, na mungojnë shumë gjëra të tjera, mbi të gjitha,  liria e jo më stadiumi. Edhe kjo foto wshtw bwrw nw njw stadium tw huaj. Por nw qytet kemi një fushë, ku çuna shumë më të mëdhenj se ju luajnë futboll. Ndonjë ditë do t’ju shpie  atje.

Ne u mbushëm tërë gaz. Babai, bwri nga soba dhe  futi në atje  disa dru, që, kështu, nëna e cila  po pastronte  dhomën tjetër, të na pëgatiste darkën. Mirëpo  vëllait nuk iu durua pa e pyetur edhe një herë:

– Si quhet kjo lojë, baba?

– Mwsoje edhe kwtw: futboll .

– Fut…fut… boo…boll, – sa nuk iu mor goja vëllait.

– Po, futboll, – përsëriti babai,  dhe u vuri shkrepwsen druve nw sobw.

–  C’ domethënë  futboll? – e pyeta unë duke u rrekur që edhe mua të mos më merrej  goja si vëllait.

-Më mbytët me këto pyetje! – vuri buzwt nw  gaz babai.- Lojë që luhet me këmbë.- Kur njeri nga këta që shihni në foto , e godet topin  dhe kur ai tund  atë rrjetën pas shtyllave, atëherë bëhet gol.

E  kuptuam se nuk duhej ta  pyesnim atë më gjatë, ndaj u tërhoqëm në këndin pranë dritares dhe filluam të shikonim edhe më me shumë kurreshtje  atë burrin me pantallona  të shkurtëra, çorapë deri në gjunjë, që rrekej  ta mbërthente  topin, dhe të tjerët pas tij.

Pastaj ramë të flinim. Po gjumi nuk po më zinte. Gjithnjë e kisha mendjen te loja që quhej futboll. Desha t’I flisja vëllait , por ai kishte fjetur. Mbylla sytë. Atëherë   më doli përpara ai burri me pantallona të shkurtëra , që tashmë e mbante topin e madh nw duar. Më buzëqeshi dhe ma dha.

-Unë, pra, jam ai që ruan portën, -më tha pastaj. – Përpiqu ta godasëh topin brenda këtyre shtyllave.

Dhe qëndroi i përkulur midis tyre. Ashtu bëra. E vura atw  në tokë dhe e gjuajta   fort. Burri, ndonëse   u përpoq shumë,  nuk mundi ta kapte topin qw kështu tundi rrjetën.

-Gool, gool !- u dëgjuan britma njerëzish që mbushnin shkallët e stadiumit.

Nuk e përmbajta veten nga gëzimi. As vëllai dhe as babai që  për çudi ndodheshin  midis turmave në shkallët e stadiumit.

Befas hapa sytë. Vëllai vazhdonte të flinte.
Kisha dremitur i zhytur në ëndërrat e kësaj loje të quajtur futboll, që ende pa e parë, po më rrëmbente më të papriturat e saj.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *