Cikel me Poezi

 

Sabit JAHA: Tri poezi

KAPTIM SHTIGJESH
(Me rastin e 65-vjetorit të lindjes)

65 vjet sot(8.2.2017) unë… i mbusha
ndonëse më duket sikur të isha lindur dje
kam kaptuar… 77 kodra dhe 99… fusha…
mbi supe e kokë kam përjetuar breshër e rrufe.

Lindur e rritur me të parët e mi në Stagovë
përballë Malit Sharr-përballë Majës së Lybetenit
pareshtur në shërbim të At(Mëmë)Dheut Kosovë
Besën peng – fjalën e dhënë – kurrë besë… qenit

Në Odë të Burrave me jehun e Këngëve Kreshnike
në një shkollë katundi veç me një Abetare
sy e veshë i bëja katër…, more mik, moj mike
botën nuk e njihja, nuk e dija… shihja fare…

Njomak – fare i ri – mësues katundi në Stagovë
36 Dritare i çela për nxënësit e mi… me dëshirë
botoja artikuj, vjersha, tregime në gazeta në Kosovë
Babait tim i bëhej zemra mal… i vinte mirë.

Punoja e studioja pareshtur – pa u lodhur fare
nga dita më ditë punën e bëja me gjithë zemër
djersë e mund s’kurseja – s’jipja as “pesë pare”
shpërblimi i mundit tim më solli famë, emër.

Njoha shoqen time (gruan) me të cilën kemi Dy Fëmijë
Djali – Diell e Vajza – Hënë me ta ndjehemi të gjallë
kemi Katër Pinjollë – Katër Mbesa sa Një Mijë…
të Madhit Zot i përulemi, Atij i qofshim falë!

Nesër… mund të jem apo s’mund… nuk dihet fare
pasardhësit e mi diç mund të më kuptojnë më shumë
s’dihet edhe sa vjet të tjera në këtë jetë mundimtare
s’dihet edhe sa ujë do të kalojë nën urë nga ky lumë.

65 vjet i mbusha – tashmë jam baba, jam bërë gjysh
pasardhësve të mi ju dëshiroj fatbardhësi në jetë
paçin Uratën e Zotit, më kujtofshin mua për stërgjysh!
Jeta qenka shumë e shkurtër, ç’po kaluaka shpejt!

Prishtinë, 8.2.2017                             

 

PARA SHTATORES SË KOMANDANTIT
(Qamil Ilazi – komandant Bardhi)

Shteg më shteg – shtegtove
Kurrë s’u përule, o Burrë
hapin e bëre përtej kohe
ballë për ballë me katraligët
Komandant, s’u dorëzove kurrë!
Ti zemrën e pjesëtove me njerëz
emrin e Atdheut e lartësove
vuajtjet e popullit – gur sizifi
ishe, je e do të jesh Yll i pashuar!
Shpirti Yt shtegton ndër ne
Agu i Lirisë – Vepra Jote – Lapidar
Ti jehonë ndër mote – Ti qëndron krenar!
Sot Ti hesht – ne flasim për Ty
afër nesh… Ti përherë je i Ri…
buzëqeshja Jote ne na jep zemër
i Lirë Atdheu, të njeh me Emër
Tokëjona ta ruan nofkën, o Bardh
jemi ne me Ty, Ti përherë i Madh!
Atdheut ia fale jetën me dëshirë
historinë tonë lypset shkruar mirë
Agu i Lirisë – Bardhi i Bardhësisë!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NE FËMIJËT E VITIT DY MIJË…

 (Pjesë teatrale për fëmijët parashkollorë)

 

 

DORJANI:            Mua më quajnë Dorjan, ky emër mua më përket

secili nga ne, o ju miq, prezantohet vetë.

 

DRENUSHA: Jam bijë Kosove, më thërrasin Drenushë

jam lule e kësaj toke, rritur në këtë fushë.

 

ARBNORI:     Arbnor më quajnë, këtu jam denbabaden, o    miq

s`lakmoj tokë të huaj, nga vendi im s`luaj hiç.

 

SHQIPJA:      Unë jam vetë Shqipja, flas dhe shkruaj shqip  sot

Kosovës martire shqiptarët i dolën zot.

 

ARDIANI:    Ardian më thërrasin në shtëpi, në shkollë e kudo

fjalën s`e  bëj dysh: Po-së i them po, jo-së – jo.

 

GETUARI:    Më quajnë Getuar, por më thërrasin Ari

në lojë e në mësime dua të jem i pari.

 

KANARINA: E kam emrin Kanarinë, jam porsi kanarina

nuk prish punë, më gëzojnë kur më thërrasin Rina.

 

DRENUSHA: Ti Arbnor je i vogël, por ke zemër të madhe

je si bilbili në degë,  si bleta në luadhe.

 

ARBNORI: Po, si unë dinë edhe të tjerët, motër moj Drenushë

tok jemi si zogj e lule, në mal e në fushë.

 

DORJANI: Vërtet jemi si zogj e lule në pranverë

pa ne s`ka kuptim jeta kurrë, asnjëherë.

 

SHQIPJA: Ne jemi ardhmëria e Atdheut…

jemi stërnipa e stërmbesa të Skënderbeut.

 

ARDIANI: Ne na bën nder: Hasan Prishtina, Azem Bejtë Galica,

Luigj Gurakuqi e të tjerë nga Dukagjini,…, nga Drenica.

 

GETUARI: Po, pati edhe nga Llapi e Gallapi trima e trimëresha

si Adem Jashari –  luanë, si  Xhevë Lladrovci – luanesha.

 

KANARINA: Miq të dashur, edhe ne do të rritemi, ndonëse  jemi fëmijë.

jemi fëmijë të dymijëvjeçarëve – të viteve dy mijë…

 

TË GJITHË: Ju jeni të rritur, ne jemi fëmijë

jemi ardhmëria e viteve dy mijë…

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *