Bisedë e Presidentes së PEN Qendrës të Shqipërisë, Entela Kasi me Janos Benyhe – Diplomat karriere, Sekretar i Përgjithshëm i PEN Qendrës të Hungarisë

Bisedë e Presidentes së  PEN Qendrës të Shqipërisë, Entela Kasi me Janos Benyhe – Diplomat karriere, Sekretar i Përgjithshëm i PEN Qendrës të Hungarisë

 

Janos Benyhe : Të shohësh televizion është e thjeshtë, të lexosh letërsi  është  e vështirë

 

Kultura e spektaklit pra e të voglës, sipërfaqësores, është bërë pushtuese ndërsa letërsia e mirëfilltë e të lexuarit duket se po humbet, jemi të pushtuar nga kultura e internetit, e të mos lexuarit, gjëra të shpejta dhe të përcipta, e në këtë kuptim në këtë botëkuptim social duhet me të vërtetë një forcë e madhe të merresh me letërsi, sepse të shohësh televizion është e thjeshtë, por të lexosh letërsi të shkëlqyer është  e vështirë.

 

 

 

 

Entela S. Kasi: Ju keni një karrierë të gjatë, në letërsi, përkthim dhe diplomaci.

 

 

Benyhe Janos: Po në fakt. Jam mjaft i vjetër për ti pasur këto, por në fakt gjatë gjithë jetës time kam qenë i impresionuar nga letërsia dhe gjuhët e çdo vendi. Unë jam lindur në Hungarinë e jugut dhe kam ndjekur studimet në kolegjin më të mirë të Budapestit, të themeluar në 1895, unë studiova atje që në vitet 1945 deri në 1949.

Ky është një institut që edukon mësues, profesorë, por ky është një Institut i shkencës, për letërsi histori dhe art. Kështu pas kësaj unë studiova gjuhë dhe letërsi, dhe nisa karrierën e letërsisë dhe shumë shpejt u bëra lektor dhe redaktor i botimeve, dhe paralel me këto aktivitete kurrë nuk hoqa dorë nga përkthimi dhe kam përkthyer letërsi Franceze, Spanjolle, Portugeze, Latino- amerikane etj.

Në esetë e mia i jam referuar qytetërimit dhe këtyre letërsive. Kur regjimi ndryshoi në Hungari, qeveria e re Hungareze kishte probleme me “ Rojat e vjetra”. Ministria e jashtme më kërkoi të merrja përsipër detyrën si ambasador në Misionin diplomatik në Brazil, dhe pas disa mendimeve vendosa po, pasi isha i interesuar edh në politikë, ndërsa pozita ime për këtë kohë ishte pozitive, sepse unë isha për ndryshimet dhe isha njeriu i kohës së re në Hungari, pas një kohe të vështirë, dhe diktaturës.

Qeveria pas katër vjetësh ra, dhe mbasi u shkëputa nga politika nisa përsëri përkthimin dhe iu dedikova tërësisht letërsisë dhe përkthimit. Në të  njëjtën kohë isha pyetur të merrja një tjetër detyrë, në këtë kohë presidenti i PEN Qendrës  të Hungarisë më kërkoi të drejtoj PEN, dhe unë u dhashë menjëherë pas kësaj sepse në PEN gjeja idealet e artit. Nëse i referohemi Brazilit më pëlqente  të luaja edhe piano, pra desha të them që e dua shumë artin e s’mund të largohem nga arti, tashmë unë jam sekretar i përgjithshëm i PEN qendrës të Hungarisë dhe më duhet të jem në konferenca, kongrese, dhe kështu  t’u kemi edhe ju këtu, shkrimtarë nga vende të ndryshme të botës, nga gjuhë dhe kultura të ndryshme, për të diskutuar tema të rëndësishme sikur është edhe kjo” Qyetari i Rusoit në shekullin e XXI”. Arti dhe letërsia nuk njohin kufij, gjuhësorë dhe politikë.

 

Entela S Kasi: Do të doja të pyesja më konkretisht për temën që sapo folët, “Qyetari Ruso dhe ndryshimet globale, social- politike dhe ekonomike”. U tërhoqa shumë nga kjo, sidomos nga idetë në të menduarin tuaj për   shekujt e IX- XX, dhe të XXI si një krahasim. Ku po shkon bota?

 

Benyhe Janos: Kjo temë u zgjodh sepse ka lidhje me Rusoin, qytetari dhe qenia, dhe me të vërtetë si të bashkojmë problemet aktuale me idenë e Zhan Zhak Rusoit, kjo temë e cila nuk është thjesht letërsi por edhe histori më bëri të mendoj se çfarë të përbashkëta ka Rusoi me aktualitetin Hungarez dhe botëror të sotëm, duket sikur jemi shumë të presuar nga situata ekonomike dhe ekologjike në botën e sotme, po universi? Kjo gjendje është shqetësuese…

 

Entela S Kasi: Mos  duhet një rrugë e tretë, për  stabilitetin ekonomik dhe politik të botës të sotme. Cila mund të jetë rruga e tretë?

 

Benyhe Janos: Në mendimet e mia, pas rënies të komunizmit dhe socializmit dhe pas krizave të reja në sistemin kapitalist rëndësia e të quajturës rrugë e tretë qëndron në zgjidhje që duhet të funksionojnë. Komunizmi dhe socializmi dështuan. Nëse shohim ekonominë e tregut dhe kapitalizmin si sistem ekonomik edhe ky ka problemet e veta. Rruga e tretë nuk është një gjë e re, është si mund të ishte një marrëveshje e re, si psh: një ekonomi e tregut e socializuar, pra ne e kemi pasur një rrugë të tretë, por interesat financiare dhe globale e lanë mënjanë këtë rrugë të tretë, ky është Globalizmi, por edhe ngrohja globale,dhe hegjemonia kanë bërë që sistemet financiare të mos jenë të sigurta.

 

Entela S Kasi: Nëse sot diskutuam botën e shekullit të XXI, sipas meje  bota po shkon në dy drejtime. Globalizim në rrugën më sipërfaqësorë të mundshme, dhe globalizim që merr në konsideratë ndryshimet kulturore dhe origjinat, duke përfshirë edhe grupet etnike edhe minoritetet edhe gjuhët, pra identitetin. Duket se qytetarët  varen në përkatësinë e tyre të identitetit. Ç”mund të bëjë kultura letërsia apo qoftë edhe shkrimtarët për të vendosur ekuilibrin midis kësaj, le të themi vendeve në lindje, lindje të mesme qoftë edhe lindje të largët, kur vende në perëndim, shoqëri të hapura dhe demokraci të stabilizuara duket sikur nuk kuptojnë thelbin e problematikës të atyre me eksperienca të kundërta me ta?Ndërsa ne flasim për një stad tjetër zhvillimi dhe sfida të shekullit të XXI ku siguria, ushqimi, energjia dhe stabiliteti përballen me riskun e mungesës, dhe bota duket se po humbet ekuilibrin dhe paqen.

 

Benyhe Janos: Në tërë jetën kudo dhe në të gjithë këtë ka pasur e do të ketë presione sepse superfuqia ekonomike është më e fortë sesa kultura, letërsia dhe historia e ka treguar shpesh. Shkrimtarët kanë vrapuar para kohës së tyre dhe kanë thënë përmes librave gjithçka, ndërsa politika, ekonomia dhe superfuqia ekonomike nuk i kanë vendosur në listë thëniet e tyre, e më në fund mundësia më e mirë që kemi ne apo kanë njerëzit e kulturës, shkrimtarët sa vijnë dhe kufizohen, dua të them që vendimet përfundimtare merren nga politikanët, ata po vendosin në të gjithë fatin dhe destinacionin e shoqërisë, e kjo varet tërësisht prej tyre.

 

Entela S Kasi: Njerëzit e kulturës si shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët, apo edhe të tjerë ndoshta janë përfaqësia më e qartë e identitetit kulturor në Globalizëm, apo edhe një mundësi shkëmbimi ndërkulturor. Ne në Shqipëri kemi pasur një njeri të jashtëzakonshëm të letrave, Faik Konicën, bashkëkohës i Apolinerit dhe Pikasos, mik i tyre dhe një model i  identiteti, në kohën kur Shqipëria dhe Franca ishin dy gjëra krejt të ndryshme, nëse i referohemi, ekonomisë dhe zhvillimit. Nëse modele të jashtëzakonshme të tilla ekzistojnë natyrisht që vendet marrin më të mirën e njëri tjetrit. A mendoni se urat kulturore në botën e sotme mund të çojnë në ura të sigurta të marrëveshjeve të rëndësishme dhe stabilitetit botëror?

 

Benyhe Janos: Individët e jashtëzakonshëm si Konica, kanë qenë dhe mbeten njerëzit më të rëndësishëm në momente kyçe të historisë kur botës i duhet të njohë dhe prekë atë që është larg saj. Në këtë kontekst janë me fat vendet që kanë njerëz të jashtëzakonshëm të kulturës, letrave, artit, dhe gjuhës, të cilët duke përfaqësuar vetveten kanë përfaqësuar shumë më tepër se vetveten, origjinën gjuhën dhe kulturën e kombit të cilit i përkasin prej origjinës dhe gjuhës. Shkrimtarët, poetët, gjuhëtarët, njerëzit e kulturës, janë dhe mbeten ambasadorët më të mirë në kuptimin kulturor, ndërsa politikanët në shumicën e rasteve janë njerëzit e momentit, e këta të fundit duhet të mësojnë të dëgjojnë.

 

Entela S.Kasi: Nëse i referohemi historisë Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, pra një tjetër kohë të Evropës, historia ka sjellë në skenë të takohen burra shtetesh, përveç politikanësh…

 

Benyhe Janos: Po, Skënderbeu, heroi juaj kombëtar, Gjergj Kastrioti, i cili ishte me të vërtetë një burrë shteti në historinë e vendit tuaj dhe një politikan i jashtëzakonshëm. Ai bëri aleancë me Janush Huniadin, babain e mbretit të mëvonshëm, mbretit të famshëm hungarez Mateas. Janush Huniadi ishte një lider i jashtëzakonshëm në atë kohë dhe ata së bashku, thyen ushtrinë turke në betejën e Kosovës, sot atje është edhe Kosova.

 

Entela S. Kasi Le ti kthehemi Kosovës, në Ballkan, në Ballkanin që ka provuar lufta dhe urrejtje midis etnive dhe vendeve, sot  situata e Ballkanit është ndryshe, unë e shoh me optimizëm, po ju?

 

Benyhe Janos :Jam optimist me situatën dhe të ardhmen e Ballkanit sepse ca probleme u zgjidhën por gjithsesi është ende një rrugë e gjatë deri sat të mbërrihet në zgjidhjen përfundimtare, sepse ndoshta ndeshen shumë interesa, psh, ish Jugosllavia ka ende të njëjtën eksperiencë, sikur ishte komunizmi, ose si e patëm edhe ne në Hungari, pra mbas kaq vjetësh vendet u kthyen në origjina dhe nuk mundën të qëndrojnë si në ish Jugosllavi psh. Pra ky vend i madh i sllavëve, Jugosllavia nuk ekziston më. Kroatët, Sllovenët, të gjithë kanë shtete te tyre, tashmë edhe Kosova ka shtetin  e vet, dhe tashmë janë zotë të fateve të veta dhe janë shtete më vete. Pra Ballkani është në tjetër situatë, pozitive por që kërkon ende kohë për tu stabilizuar në standarde.

 

Entela S Kasi: Kur Ballkani ishte diçka tjetër, një grua shumë e bukur nga Hungaria, kontesha Geraldinë Apony u bë gruaja e Mbretit Zog, dhe Mbretëresha e Shqiptarëve…

 

Benyhe Janos:  Isha fëmijë dhe e mbaj mjaft mirë konteshën Geraldinë Apony, gruan shumë të bukur dhe të re që u martua me Mbretin Zog të shqiptarëve, le të themi se ne tani kemi një lidhje tjetër me Shqipërinë, ose le të themi që fati përmes historisë i ka dhënë një lidhje Shqipërisë me Hungarinë, një martesë mbretërore të kohëve të mbretërisë, dhe një lidhje gjaku. Me sa di unë familja mbretërore është kthyer në Shqipëri, dhe Mbretëresha, Geraldinë Apony është ndarë nga jeta. Ajo ka qenë një nga mbretëreshat më të bukura të kohës.

 

Entela S.Kasi: Nëse i kthehemi përkthimit, a keni ndonjë autor të preferuar?

 

Benyhe Janos:.Nëse flasim për Servantesin, po! Por nëse vazhdoj udhën  kthehem tek Mopasan, Kamy, Stendal, apo edhe te nobelistë të kohëve të reja Vargas Llojsa,  por edhe të tjerë, më së shumti novelistë, romancierë . Janë shumë autorë që unë i dua. Në fillim e shoh veten si përkthyes pastaj edhe si eseist, kur ndaloj si eseist letrar shoh që kam shumë më tepër shkrimtarë që i dua.

 

 

Entela S.Kasi: Ku po shkon letërsia, sepse sot tregu i librit është ai marketi i best-sellërve, dhe jo i letërsisë së shkëlqyer?

 

Benyhe Janos: Duhet të keni dëgjuar për” Galaksitë e Gutenbergut” besoj. Kultura e spektaklit pra e të voglës, sipërfaqësores, është bërë pushtuese ndërsa letërsia e mirëfilltë e të lexuarit duket se po humbet, jemi të pushtuar nga kultura e internetit, e të mos lexuarit, gjëra të shpejta dhe të përcipta, e në këtë kuptim në këtë botëkuptim social duhet me të vërtetë një forcë e madhe të merresh me letërsi, sepse të shohësh televizion është e thjeshtë, por të lexosh letërsi të shkëlqyer është  e vështirë.

 

 

Entela S.Kasi. Ne në Shqipëri kemi lexuar Shandor Petofin, Fernc Molinarin, Andreadin, Kertis Imre, etj

 

Benyhe Janos:. Këta shkrimtarë janë pjesë e gjuhës dhe kulturës Hungareze, por në fakt i takojnë botës së letërsisë. Ne kemi pasur disa libra të Kadaresë në gjuhën Hungareze, dhe e njoh letërsinë e tij, ndërkohë që ai është përkthyer në shumë gjuhë të botës. E kam lexuar edhe në Frëngjisht dhe Anglisht. Desha të them edhe ne në Hungari ende lexojmë, e me këtë rast desha të them që letërsia e vërtetë ende lexohet, por nga lexues shumë të veçantë, shkrimtarët janë lexuesit më të mirë të letërsisë shumë të mirë.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *