“…SHPALLET NË KËRKIM PËR DEKONSPIRIM”

Nga Kozma Gjini

 

…. Tashmë dihet se organet e mbrojtjes së rendit kanë si “partner” në punën zbuluese- parandaluese edhe celularët e qytetarëve…( ose më saktë, ortakët me pagesë, kompanitë celulare).Lind pyetja:Kush përgjon pas telefonit të qytetarit? “Zoti Sorge” i  punësuar në eter.Le të pranojmë për një moment se “Ai=Z.Sorge” është njëherazi përgjuesi, por edhe “mbrojtësi” ynë. Atëhere:

  1. a) Dyshimi te shteti: Ligji i Përgjimit të telefonave na e ka futur “spiunsigurinë” në xhepat tanë.Na përgjohet çdo fjalë, çdo bisedë, çdo lëvizje, çdo takim, çdo hyrje e dalje, me çdo njeri, me këdo e në çdo kohë…Na survejojnë ku ndodhemi tani e ku do të jemi pas një ore, me kë do të takojmë e çfarë do të bisedojmë. Survejohet nëpunësi i thjeshtë, burri, gruaja, zyrtari, gazetari, biznesmeni, deputeti, ministri, presidenti… Është apo s’është normale kjo, këtë s’e vuri kush në diskutim.Legjislativi “vuri veton”.Por, a bie ndesh përgjimi me Konventën Ndërkombëtare të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut? A është dhunë psikologjike kjo, kur qytetari kupton se telefoni i tij është duke u përgjuar? Nëse ky qytetar është kriminel, a mund të përshpejtojë ai realizimin  e krimit apo do t’i shmanget atij e të largohet në drejtim “të paditur”?…Thuhet se nga ky ligj s’ka pse të shqetësohet njeri që s’është përfshirë në trafik, krim, drogë, korrupsion…etj.Atëhere… përgjonani me kuç e me maç!Veç një gjë: Sa më fin!
  2. b) Kur shteti ia fut thikën vetes, qytetarët kush i mbron? Pranojmë për një moment të kundërtën: se “Z.Sorge” (ai pas celularit tonë), qënka i besuari serioz i shtetit. Qënka ai që na “mbron” nga rrëshqitja drejt humnerës… Mirëpo, “z.Sorge” këtë rol tashmë e kryen nëpërmjet regjistruesit të çakorduar (që ngjan me radion “Iliria” të monizmit që donte me grusht që të hynte në valë)…dhe që, me apo pa dashje, është kthyer në shpërdorues i informacionit, i nxjerrjes së sekretit, ose “ndihmues” i kriminelit. Pse? Sepse logjistika e përgjimeve është sjellë nga jashtë me shënimin “Speciale për Shqipërinë”, siç janë sjellë edhe produktet ushqimore, bujqësore, farmaceutike etj. Në kushtet e kësaj amullie, elementi i rrezikshëm, krimineli, keqbërësi,… i ka krahët të ngrohta, sepse në rrugëtimin e tij qëllimkeq… ka si “informator” celularin e vet, për shkak të elementëve skandalozë përgjues. Teknika jonë e përgjimeve, regjistrimeve e transmetimeve është ende në pelena. “Telefoni im përgjohet, na tregonte një qytetar i cili tërë jetën kishte punuar në trurin e telekomunikacionit…Sapo marr në telefon, ndiej se hapet një buton, bëhet zhurmë karakteristike dhe…, pa dyshim, zëri im nis të përgjohet…” Kjo është “Thëmbra e Akilit”. Kjo është logjistika e tranzicionit të përgjimeve tona.Nëse qytetari kupton se është duke u përgjuar, atëhere vaj medet për shtetin. Për instancat zbuluese, ky nuk e ka emrin përgjim, por dështim.Dhe ndodh pastaj që nga qulli t’i fryjmë kosit… “Këtu ishim të gjithë!…Ndodhi çuditërisht para syve tanë? Si nuk e kuptuam?…Nuk na e merrte mendja!”. Mendo se ç’rëndësi merr kjo për ruajtjen e rendit në kushtet e rrezikut terrorist dhe futjes së të panjohurve nga cv-ja e tyre (si në një han pa porta)…

Rrjedhjes së informacionit për shkak të cilësisë së dobët të aparaturave përgjuese, po t’u shtosh dekonspirimin me dashje nga punonjës të pandërgjegjshëm…( ja tek është rasti  i gjyqtares se lartë,…ai i Rinasit,… apo i policëve të kanabisit …etj.), atëhere gjendemi përpara një kaosi informativ. Disa javë më parë, një televizion qendror njoftonte me titra: “Një zyrtar shpallet në kërkim për dekonspirim…(!)”. Kur atij i mungon arsimi, kualifikimi profesional, aftësia për të përdorur dhe kontrolluar teknikën,…çfarë s’pritet  prej tij? Po sa të tillë ka në administratë dhe qendrojnë në detyrë vetëm se janë partiakë apo i mbajnë ison shefave të tyre, sepse janë vënë në detyrë me miqësi e shoqëri?Kur shteti e drejton tehun nga vetja, po qytetarët kush i mbron?

  1. c) Ndërgjegjësimi qytetar, civilizimi dhe sekreti shtetëror.  Në kushtet e përpjekjeve që bëhen për përsosjen e sistemit të legjislacionit, bashkëpunimi i organeve të rendit (dhe të drejtësisë) me popullin dhe ndërgjegjësimi e kultura e qytetarëve për të dhënë informacion, është i pazëvendësueshëm. Disa nga pushtetarët tanë ua kanë dhënë numrin e telefonit qytetarëve edhe që nga studiot televizive. I hapin apo s’i hapin, kur një qytetar i bie ziles së tij, kjo është në dorën e tyre. E megjithatë, shteti është defiçitar në informacionin detaj më detaj në fushën ekonomike, financiare, korrupsionin, pale për problematikat e sigurisë, të shkeljes së kufirit tokësor e ajror… Ka vend këtu për reflektim zyrtar e qytetar?

Tranzicioni për “riformatimin” e ndërgjegjes qytetare, ende është ne fillesën e vet. Delet në këtë konstatim, sepse qytetari ynë është ende larg atij evropian apo amerikan, të cilët në çdo nëpërkëmbje të të drejtave qytetare, apo shkelje të ligjit,  marrin në telefon instancat përkatëse.Kurse ne s’dimë as numrat e telefonave të tyre.Pra, ajo që na duhet sot është, jo thjesht reformë rrënjësore në drejtësi.  por “revolucion”  në ndërgjegjen qytetare për të përmbysur mentalitetin anakronik mbi informacionin dhe për të gjeneruar një mentalitet i ri bashkëkohor, euroatlantik, ku nëpunës, zyrtarë e qytetarë të jenë në unison dhe përgjegjës për çështjen kombëtare e veçanërisht të sigurisë publike.

 Qoftë dhe një rast dekonspirimi, nuk e zëvendësojnë as dhjetra trajnime apo masa administrative.Shpesh herë na i nxjerrin lakrat në shesh të huajt.E keqja jonë është se vet shteti i ka “nxjerrë” sekretet në pazar e u japim argumente të tjerëve të na bëjnë skanerin.Kurse gazeta prestigjioze “Neë York Times”disa javë më parë shkruante për Shqipërinë: “…ekziston një vend në Ballkan i cili kufizohet me vetveten…ku të gjithë nxitojnë për në punë dhe askush nuk arrin  në kohë… Aty ku historia  përsëritet çdo ditë… Aty ku sekretet shtetërore janë publike… një vend ku me ndershmëri, sinqeritet dhe zell nuk do të arrish qëllimin e dëshiruar”…      0-0-0

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *