POEZI

Emigranteske 

 

Poezi nga Teuta Sadiku

 

 

Na thanë :Ju ikët

si gjethet e pemëve andej nga fryjti era

Po,e vërtetë

morrëm arratinë

kur pamë si i prisnin Lisat e pyllit

për një copë letër.

U vendosëm në Shpellën  Para Erës.

U hapën qiejt.

Pluhur u bë Guri nga rrebeshet e kohës .

Po tani?!

Tani çpojmë qiejt në tjetër Planete. 

 

 

E pabesueshme

 

Nënë ,

ke dalë mes katër  rrugëve dhe shet trupin tënd?

Po pse s’më tregoje të vërtetën

atë natë kur u mblodhëm të gjithë,

rreth vatrës

mua birit tënd më mban këto të  fshehta ?!

Nuk mund ta imagjinoj dot

as nuk e di kë ke shitur të parin:

gjinjtë e bukur ,ishullin e Sazanit?!

trupin e bukur,kurorat e maleve mbi kokë,

apo  barkun pjellor ,

Mos vallë syrin e kaltër të ujshëm

që  ti ka zili një botë e tërë ?

Nënë ,

Jo,  një gjë të tillë

nuk mund ta besoj

 

 

 

 

 

 

 

E imagjinuar

 

Atë natë  të pagojë

u mlodhëm tek vatra e ndezur,

nëna i  hodhi një kërcu të thatë zjarrit.

Fëmija qeshte e qante në ëndërr,

hijet luanin me gjuhët e  flakëve  në muret e qytetit.

Të pritëm,

ku je ,

at~ dhe këtë natë nuk erdhe .

 

Kujtime

 

Porta e vjetër gjysëm e rënuar
kurrë nuk e pengoi dritën e ditës
në odën e miqve të hyjë.

Mbaj mend si sot Nënën time
gjithë natën qëronte ftonj
në kthinën e motit
duke vështruar trupin pa jetë të Atit tonë,
ku gjithmonë mbante shtrënguar diçka,

nga dita e kaluar në dorë.

 

 

At  dhe Mëmë

 

At~dhe me Ty dua të bisedoj

shtruar gju më gju At dhe Bijë.

Kam nevojë shumë për dorën,

fjalën e ngrohtë të mamasë

në këtë kohë të vështirë.

Kuptomë,

kam nevojë për dikë

të mendojë, të ketë merak për mua

ku jam ,a jam mirë, pse u vonova.

Ty të dua akoma më shumë

Po në një mënyrë krejt tjetër .

At~dhe për këtë do të flasim

një here tjetër.

Po tani

dëgjomë me vëmendje:

 

Mësova se mamaja ka TENSION të lartë.

U shqetësova ndaj

në çantën që po u dërgoj me vetminë

poshtë ilaçeve për  mamanë

jo pa qëllim,

po të vë një fotografi të lashtë.

 

At~dhe thoji mamasë mos ta futë rrëzave

ta vari në portën para shtëpisë,

jo nga brenda

nga jashtë, ta shohi gjithë bota.

 

Poshtë fotografisë kam vënë një palë ndresa,

të dyta

Mbase ndron lëkurën koha, e ndryshojnë gjërat

e bëhemi  të gjithë bashkë.

 

At~dhe unë e di ,

ja sikur të jem aty

ty lotët nuk të duken por Ti qan  në heshtje me ngashërim ,

Mos u mërzit ,

nuk është e largët dita e BASHKIMIT

 

P.S .

At~ dhe një porosi të fundit kam

të lutem rriji pranë mamasë,

qetësoje

kujdesu për të ,

unë nuk vi dot akoma

se jam pa Kartë.

 

 

 

 

 

 

 

Tablloja

 

E gjithë tablloja zgjati një sekondë

piktori kapërdiu një fërgëllimë kujtimi

atje përmblidheshin në një grusht

mijra kilometra të përshkuara më këmbë,

ditë që fshiheshin nga çdo lëvizje e ndjekje policie.

Piktori qëndroi para tabllosë

pa i hequr sytë nga e kaluara.

Errësira synonte të shndrohej

në një tufë mjegulle mërgimi.

 

E SHTUNA

 

E shtunë, dita që kam kohë të pastroj shtëpinë:

nga pisllëku – i kujtimeve të javës që shkoi,

të zgjedh një dëshirë për ta çngurtesuar në vaktet e fundjavës

mos harroj të blej më të domosdoshmet në markatë:

Një shishe ujë çmallengjimi me aromë loti nga firma  Trebeshina

një krem për djegie nga dashuria në këtë vapë torture.

Kam frikë se do më duhet të marr ilaç rezervë

për transfusion shprese ,

se ajo që kisha s’më bëri punë .

A , pa tjetër duhet të marr

një ilaç me pika ëndrrambytëse për dëshirat e parealizuara,

një kuti me kokrra qetësuese për ndjenjat e trazuara,

kur pashë listën e emigrantëve të kapur pa dokumenta.

Prapë dola nga llogaria ime

dhe këtë periudhë të keqe që ka pllakosur vendin

jam fare e shkundur, pa kokërr leku.

Tani më duhet të tjerat ti marr verese:

paketa me ide si dhe garza sterile për heshtjet e mia gjithë plagë.

Aman, kur do të vijë e Hëna?!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *