POEZI

KAM FRIKE FEMIJERINE

 

Nga  Vaid Hyzoti

 

 

 

PO Ç’PATE, O ZOT!

 

Vijnë Krishtlindjet dhe Santa troket derë më derë,

dhuratat dhe drerët e transportit i fshehën priftërinjtë.

Po ç’pate, o zot, që misionarë të tu

zgjodhe në tokë vetëm… ateistë!

 

JERMI

 

Kot më lidhni me tuba serumesh, që dhimbjet t’i ktheni në ëndrra të bardha,

dua tl dal në rrugë… Të eci ca hapa, pas derës së xhamit!

S’më trembni dot. E di dënimin tim… Ka kohë që e keni zbardhur.

Toga e pushkatimit është pas derës së spitalit.

Mos i lodhni pushkatuesit e mi, që më presin kaq ditë,

vetëm për komandën: GATI PER ZJARR!

Pse më mbani me ilaçe, serume e gjithnjë masni tensionin,

pse u dashka të jem i shëndoshë, kur do më dorëzoni në varr?

S’besoj se e bëni për mua, por për të kënaqur vrasësit,

të trimërojnë se vranë dikë me shëndet të plotë (!)

Hiqmëni tubat edhe ilaçet kuruese! Më mirë të vetevritem,

si gjithë ata të marrët, që besuan lirinë në këtë botë!

 

LUMI

 

Një lumë ka lenë shtratin bosh në vendlindje,

as gjeologët dhe sizmologët nuk e dinë pse…

Një lumë që çan malet, gërryen femijërinë time.

Vetëm emrin ka lenë atje.

 

Pata lëshuar britmën e mallit

dhe maleve ku rrjedh iu krijuan të çara.

Pemet pa mua në buzë të lumit,

janë pa gjethe, krejt të thara.

 

Një lumë që unë e thirra të lëvizte në vena e kapilare,

ka gjetur poshtë deteve dhe oqeanit një udhë të fshehtë,

të më bëhet kompresë, kur digjem në ethe,

të më lëvizë në deje, të më mbajë në jetë.

 

KAQ MUNDA, NENE…

 

Jam i turpëruar, por nuk munda, nënë,
t’i mbaja të gjitha porositë e dhëna.
Ato që m’i le me amanete,
ato në biseda, qoftë dhe në ëndrra.

Ishin shumë. Ishte mal i lartë.
Tërë jetën u robtova të zija majën.
Rrugë e vështirë. Dhe s’isha vetëm.
Se beso, e di: Kam dhe djalin,vajzën…

S’gjeta udhë të çelur. Veç hapja shtigje.
Sa shpesh kacafytesha me egërsira.
Fort rëndë e lëshoja grushtin mbi ta,
Se armë me vete – sipas porosive – nuk kisha.

U lodha, nënë! Tani damarët mavi,
më duket se do të plasin lëkurën.
Veë dhimbjes, një gëzim kam fshehur në gji,
Vij të të takoj… (Sa herë rëndë sëmurem).

Përmallur jam. Por dhe kryeulet,
se malit s’arrita t’i ngjitem majës.
Kaq munda, nënë! Por ëndrrat e tua
Ua le amanet djalit dhe vajzës.

 

 

URE E PRISHUR

 

E prisha urën që ndërtuam të dy, me dëshirën e marrë të shpejtonim takimet,
por përsëri shihemi përballë si hije buzë lumit, karakolle në brigje…
E prisha urën, të mos takohemi fare, ndërsa shtohet lumi i dëshirave,
u tremba nga vrulli dhe dallgët e dashurisë së frikshme.
Pastaj të vura blloqe të pakalueshme në facebook, ne vibër, në telefon,
të ruaja zemrën e mendjen, mësova si në internet bëhet bllok…
Veç këmbët përsëri më çojne tek lumi.

Per të vuajtur për ty dhe më fort…

 

SA HERE…

 

Sa herë jam i mërzitur
pi duhan;
kur jam i gëzuar,
pi verë.

… s’di pse cigaren
s’e lashë asnjëherë!

 

FJALA

 

Pak frymëmarrje e pak frymënxjerrje,
një rit i pafund i botës së gjallë.
Eshtë e mjaftueshme të jesh në jetë,
të jesh fjalë.
Se fjala është prej ajri. Dhe dashuria
është e ajërt. Dhe pema prej ajri është e gjelbër si gjethja.
Ajër është shtëpia, rruga ku ecim,
fjalë është lufta dhe urrejtja.
Eshtë fjalë qielli, me ajrin që i japim,
sipas belbëzimit vjen i ngrohtë apo i ftohtë…
Ah, të dinim pak më mirë gramatikë, të lidhnim fjalët,
tjetër ajër do të kishte në botë!

 

MALET

 

Mos u tremb nga malet, nuk janë vetëm të rreptë,

edhe pse me një të thithur cigareje pijnë vetëtimat.

Në shkembinjtë e egër shqiponjat kanë foletë,

por në shtat u blerojnë pishat,

të buta i kanë luginat.

 

PASIONI I SHTEPIVE

 

Përftova pasionin e ndërtimit të shtëpive që herët në shtëpinë e babait,

me oborr të madh, ku gëzonim rritjen shumë motra e vellezër.

Më pas kaluam portën, se kërkonim lodra në mëhallë e shokë të rinj…

Dhe ftoja ndonjë shoqe në oborrin tim, të ndërtonim shtëpi veç nga të tjerët.

Endërrova dhe një zogu në kumbull i mora folenë,

e vura me shkopinj në fund të oborrit, si mbi themele në tokë.

Dy kukulla lashë brenda dhe i thashë: “Jemi burre e grua!”

Ajo, e turperuar, më tha: “Po ne jemi shokë!”

Shokë mbetëm. Pak më vonë atë e martuan

dhe unë mora shtëpi të vërtetë me gruan time…

Mbrëmjeve pija cigare në ballkon dhe mendoja shtëpi më të madhe,

ishte koha kur në shtëpi më hyri një zë fëmije…

Dhe prapë ndertova tjetër.  Dhe nje tjeter akoma…

Për çdo zë fëmije një shtëpi kam ngritur.

Veçse dhomat në shtëpinë këtu më dalin të tepërta:

Vajza u rrit dhe në shtëpi të vet ka ikur.

Kurse mua më ra pasioni i ngritjes së shtëpive,

me ballkone patjetër dhe me shumë dritare…

Vjen një moshë kur mblidhesh në një shtëpi të mbyllur,

ku nuk duhet as dera dhe… nuk pihet cigare!

 

SYMBYLLUR

 

Kaq vite dhe akoma e zhveshur
më shfaqesh në sy.
S’je xheloze, por kur shkoj me ndonjë tjetër,
ti hop – aty!
Me syrin me rremba të blertë,
me qukat – pluhur kanelli mbi ëmbëlsirë,
me nishanin mbi thithkën e njerit gji,
më poshtë – ah, purgatori! – që më kthente të dlirë!
Më shfaqesh, më huton dhe gjithnjë më duket,
se bëj dashuri me ty, ndonëse është tjetër femër!
Mbyll sytë mos të shohin, nuk e nxjerr sekretin,
se burri në jetë veç një grua mban në zemër!
Dhe pse kaq vite ka që s’po takohemi,
unë sekretet i ruaj si burrë i matur.
Por s’di kur do vish, mbase para se të çmendem,
të bjveç një herë dashuri me sy hapur!

 

ME PARATE E MIA

 

Fal çdo ditë para të mundit e të dhimbjes

dhe kur m’i kërkojnë me urdhër apo me të lutura.

Pasurohem me falenderime fallso,

dhënë përmes mërmërimës,

varfërohem me shpresën e ditëve më të bukura!

Se bie telefoni pa nderprerje nga spitalet,

duan një çek të vogël,  “… është për fëmijtë!”

Ndërsa tim bir s’e vizitojnë pa paguar,

është pa ishurencë, ilegal. Ka problem “ biografitë”!

Një shtëpi pleqsh është gati të mbyllet.

Pleq të vetmuar kërkojnë një farë ndihme…

Im atë vajti “matanë”, pa u ndarë me mua.

Kurrë s’i dhanë vizë. Kishte lindur… në Lindje!

Ca para i duhen dhe ia nis Bashkisë.

Ka shumë të papunë. Eshtë krizë e rreptë!

Unë që rropatem të punoj në punë te zeza,

të jetoj ketu “zyrtarisht” s’kam të drejtë!

Dhe telefoni nuk pushon asnjëherë,

ca para do edhe policia…

Të më zërë mua, ngaqë jam i huaj,

Të më çojnë nga erdha, me… paratë e mia!

KAM FRIKE FEMIJERINE

 

Ka kohë që fëmijëria më lëshon zëra e më kërcënon,

kur sheh që vonoj të shkoj e të takohem me të.

Unë që e desha kaq shumë, tani tutem.

Ajo më bërtet: Kot fshihesh,

do të të zë!

 

Më nis detin, se deti rreh brigjet e vendlindjes.

Dhe brigjet e fëmijërisë parreshtur m’i rreh deti…

Ninulla e nënës e bënte valën të bardhë,

kurse dallgët më përkundnin…

Mbi dallgë ishte djepi.

 

Në rritje, tek qeshja, detin zbardhja më shumë,

duart e vogla i nxirrja përjashta.

Fëmijë mësova notin, në atë djep të drunjtë.

Detin kalova, kur u rrita,

me krahët si lopata.

 

Tejshkova oqeanin, i ika fëmijërisë,

jam kaq larg me vite e me milje…

Por dallgët e detit tim më sjellin stuhinë,

më mpijnë gjymtyrët,

durimsosurat në pritje.

 

Më ngrenë tensionin edhe në zemër,

çdo ditë e më shumë më shtërngojnë fort.

Kam filluar t’i trembem fëmijërisë së dytë,

se djepin ma ka ruajtur,

ta kthejë në arkëmort!

 

 

Vaid Hyzoti

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *