Bota poetike e Abdullah Thaçit

Thaçi e deshi aq shumë poezinë, sa iu bë pjesë e zemrës dhe e shpirtit

Bota poetike e Abdullah Thaçit

“Në gjithë krijimtarinë poetike të Thaçit, pra në rrjedhën e poezisë së tij, është e pamundur të mos ndjesh ritmin e saj në unison me ritmin e gjakut në trupin e poetit. Pastaj, ajo, si pakuptuar, kthehet në metaforë të jetës njerëzore. Mendoj, që kjo ishte natyra e krijuesit Abdullah Thaçi.”

Nga Xhahid Bushati

“Kur të më thërrasin,
Nëna dhe babai,
Lutem më përcillni
Pa lot e pa vajë.

Pasurinë e vogël,
Ia fala njerëzisë,
Pasurinë e madhe
Po ia lë shtëpisë.

Shkruan a nuk shkruan,
Te guri mbi kokë:
‘Edhe poetët
I marrka kjo tokë!”
(Abdullah Thaçi, poezia “Epitaf i pashkruar” )

Me të drejtë, për poetin Abdullah Thaçi që i mbeti ‘besnik’ poezisë, studiuesit dhe kritika letrare kanë shënjuar se ‘vjershat… shquhen për lirizmin e ngrohtë, për fabulat domethënëse, të cilat paraqesin gjëra interesante, të cilat nga ana e fëmijëve kapen lehtë, sepse shumë prej tyre ruajnë elemente dhe frymë të llojeve të ndryshme të folklorit, si: të përrallës, legjendës, mitit, të trajtave të dendura të mendimit e të filozofisë popullore, si: fjalëve të urta, gjëegjëzave dhe mënyrën komunikuese gojore…’
Herë pas here, radhë-radhë po këndoj dhe po studioi librat poetikë të poetit Abdullah Thaçi (12.06.1942 – 21.10.2015). Me pikësynimin: për njohje të mëtejshme, më të thelluar të personalitetit të tij artistik.
Së fundi, sapo përfundova së lexuari librat: “Kalaja e fjalës” (Prizren, Biblioteka Ndërkomunale, 2015); “Kodi i Harmonisë” (Prizren, “Fidani”, 2016); “Kalliri i fjalës” (Prizren, “Fidani”, 2016). Tre libra të shkruara në gjallje, por të botuara pas vdekjes së autorit. Tre libra, si fjalë të fundit-amanet i poetit Abdullah Thaçi, që në tërë opusin e krijimtarisë së tij mbeti besnik i poezisë. Në fjalët-amanet Thaçi na la: germat e bukura dhe të shtrenjta shqipe, fjalë zemre, bulëzime motivesh, aktin e krijimit, natyrën poetike të përveçme, vazhdimësinë e një ëndrre… Gjithçka na la…, gjithçka që lë bota e një poeti përmes magjisë të fjalës së tij!.. Me të drejtë e plot dhimbje studiuesi Xhevat Syla, teksa flet për poetikën e Thaçit, pohon: “Na u shua edhe një gurrë e çiltër poetike, ndër më të çiltrat që patëm, ajo që me decenie u njoh si gurrë poetike e Abdullah Thaçit, i cili diti të na gëzojë e kënaqë me çdo buqetë vjershash, secila më e mirë se tjetra,, përherë me depërtime edhe më të thella dhe me prurje të reja tematike, motivore, por edhe metrike e figuracionale, me vargjet që na vinin si rezultat i një loje dhe mjeshtërie të lakmueshme artistike.”
Abdullah Thaçi e deshi aq shumë poezinë, sa iu bë pjesë e zemrës dhe e shpirtit. Ndaj, nuk iu nda gjithë jetës, deri në frymën e fundit, e përtej saj…: që nga libri i parë “Lumi i dritës” (1980) e deri tek i fundit “Kalliri i fjalës” (2016). Plot 36 vjet nga botimi i librit të parë. Në këtë hark kohor vitesh e këndoi poezinë për fëmijë e të rinj me rrahjet e zemrës e me fjalët e shpirtit!.. Ashtu ‘butësisht’. Se ‘butësisht’ e rrezatim drite e pati shpirtin poeti njerëzor e fisnik Abdullah Thaçi. Ai, po, ‘butësisht’ shkruan këshilla të tilla urtie:
“Në je djalë a në je burrë,
Mos i mbyll dyert me “kurrë”.
……
“Kurrja” është dry i ndryshkur,
Që e bën lulen të vyshkur.

Të gjitha dyet këtu e n’qiell,
Lëri hapur… Le të ketë diell!” -poezia: “Butësisht”-

Me poezinë, Thaçi ka një rrugëtim të gjatë e, që nuk ndalet. Sepse, edhe pas botimit të këtij libri, me siguri do të gjenden të fshehura aty-këtu, edhe poezi të tjera të panjohura ende. Poezi të fshehura që u ngjajnë vjollcave që, edhe në heshtje lëshojnë aromë, freski e dashuri…
Nuk ishte rastësi, që autori Abdullah Thaçi u prezantua në fillimin e tij poetik me librin “Lumi i dritës”. Ai do të udhëtonte si një ‘lumë’…, jo vetëm i kthjellët e i pastër, por edhe si ‘lumë drite’. Dhe kjo ‘dritë-a’, na sjell ndërmend poezinë “Dashjet e gjyshit”, ku në mes të tjerave thotë:
Thirrmini ca vargje,
Mos të keni brengë,
Kur t’iu lë shëndenë
M’përcillni me këngë!

Një lirikë optimiste, ëndërrtare! Vargje-amanet që shpalosin tharmin e njeriut-poet për të vërtetën, dashurinë për jetën dhe për vlerat estetike të gjinisë që lëvron. Një poezi që, që në syprinën e saj shfaqet vetiu e zbuluar; por ruan një madem të çmueshëm: Përjetësinë. Këtë e shohim në të gjitha strofat, por edhe në këtë që cituam më lart.
Në gjithë krijimtarinë poetike të Thaçit, pra në rrjedhën e poezisë së tij, është e pamundur të mos ndjesh ritmin e saj në unison me ritmin e gjakut në trupin e poetit. Pastaj, ajo, si pakuptuar, kthehet në metaforë të jetës njerëzore. Mendoj, që kjo ishte natyra e krijuesit Abdullah Thaçi. Ky ishte ligjërimi i tij poetik. Mendimi dhe përjetimi, tharmi jetësor dhe shqetësimet reale ku i madhështon fantazia krijuese.
Në këtë aradhë librash, edhe “Kalliri i fjalës” duke ruajtur simbolikën e tij të gjetur, funksionale e dobiprurëse (simbolika – karakteristikë edhe shumë librave të tjerë të mëparshëm) përvijon dhe njëkohësisht thellon veçoritë e krijuese të poetit Thaçi, gdhend akoma më tej portretin e tij poetik.
Teksa komunikon me çdo poezi të këtij vëllimi, është e pamundur të mos marrësh ca përftesa, të cilat dua t’i shpërfaq:
*Gjen trajtime me mjeshtëri të problemeve aktuale.
*Shpesh herë fabulat poetike i shoqëron me doza të caktuara humori e ironie.
*Në rrëfimin e tij ligjërimor, artikulimin e fjalës e të shprehjes poetike, jo vetëm e ka melodike, por në përputhje me rendin dhe strukturat sintaksore të shqipes. Jo shpesh një dukuri e tillë gjendet tek poetët, veçanërisht në kompozicionin e vjershës dhe në ritmikën, apo theksat në e vargut. P. sh. ‘Në jetë kur vijnë / Nga farat mbijnë … Frutat na i falin / Për vete s’i ndalin. (poezia: Pemët”).
*Autori, herë në rolin e gjyshit, herë në rolin e prindit, herë në rolin e të urtit, herë në rolin e poetit, ndërton një mozaik poezish, ku përveç ngjyrave që “shëtisin” hapësirave të poezisë, jep dhe plot këshilla e porosi të vlefshme. Elementet didaktike ruajnë dukshëm raportet me ato artistike, pa rënë në moralizime, një sëmundje kjo që ende nuk po e shëron poezia shqipe (edhe tani aktualisht). Vetiu, më vijnë ndërmend poezitë: “Përballë detyrash”, “E qartë”, “Të dua kështu si je”, “Saraji pranveror”, “Mozaik”, etj.
*Përmes preferencave të tij të vargëzimit: distik, tercinë, katër vargësh, monokolonë, etj., ende i ‘qëndis’ ata përmes detajeve poetike të kthyera në metafora: veçanërisht peizazhet, të cilat, mendojmë se i dashuron së tepërmi. Dhe një pjesë të shpirtit të poetit e kërkojmë dhe e gjejmë edhe tek poezitë, si: “Veriu”, “Hëna”, “A kthehet?”, “Zgjim pranveror”, “Është – ç’ është -1”, “Dashjet e gjyshit”, etj.
Kuvendimin me poetin Thaçi do ta vazhdoj më tej, sepse tipologji të tjera poezish, të larmishme gjejmë në këtë libër, si ato që, si motiv kanë atë patriotik, mjedisor, mall e kujtime… Vazhdoj më tej. Me plot befasime lodërtare, proverbiale, urtake, me urime dhe bekime nënash, përrallore, fabulistike, kontrastuese, të paraqitjes së elementit grafik, humoristike, etj., etj. Vazhdoj edhe më tej. Me një begati fantazie, me një informacion të pasur shkencor, etj., etj. Në të gjitha këto hapësira-realitetesh lëviz e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja, ku poeti Abdullah Thaçi me fjalë e pa bujë, me shpirt e në heshtje e begatoi letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj me mjaltin e tij, dhe për këtë mjaltë gjeti lulet më të bukura me syrin e poetit, gjeti lule me aromë vendlindjeje, të cilën e deshi shumë; lule që nuk vyshken kurrë.
Larmia e motiveve, gjerësia dhe thellësia e tyre, na konkludon se ai e deshi poezinë, e rrëfeu bukur, e ligjëroi ndjeshëm. Njëra poezi nuk ia përngjet tjetrës. Që në zanafillë ruan befasinë e origjinalitetin thaçian. E, origjinaliteti, në mes të tjerave, vërehet në fokusimin që i bën personazhit-fëmijë. Mjafton të kujtojmë: si i drejtohet, si e pyet, si i rrëfehet, si e shoqëron, si i buzëqesh, si e uron… Në këtë fokusim më ngjan sikur autori kthehet në kronikan. Po, po kronikan të ngjarjeve dhe ndodhive pafund, të fantazive dhe të mesazheve pafund, të virtyteve e mbarësive pafund … Një shpalosje të botës fëmijërore që e deshi aq shumë!..
Abdullah Thaçi si individualitet artistik la ‘shkollën e tij poetike” në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj. Në mbyllje, po përmend poezinë “Kënga e mugët e gjyshit”, që ka vlerën e një monumenti:
Një atdhe në tokë
Një atqiell mbi kokë
Rreth me miq e shokë.

Unë diku në mes
Në stacion të pres
Trenat përshëndes.

Venë e vijnë vagonat
Mbush e zbraz stacionet
Hip e zbrit gjitonët.

Në cep të katundit
Pi kafenë e mundit
Hip n’vagon të fundit.

Shkodër, mars, 2017

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *