Poezi

RUTINË

 

Nga Anila Toto

 

Unë rri pranë rrugës që e ka emrin paqe

Majtas rrijnë miq e farefis që ndoshta me duan

Djathtas disa njerëz që ngrenë kurthe e shfaqje.

Përpara sytë , pas të gjithë ata që me dëbuan…

Të gjithë luftojmë për të njëjtat shkaqe!

Ti flet por kurrë nuk më ke bindur për çka thua

Për çka do e ëndërron kur gjithë bota fik dritat

Kështuqë kjo çështje mbetet pakëz e ngatërruar

Aq më tepër kur unë s’kam frikë nga errësirat

E pres, ç’ke vetëm mua për të më treguar ?!

Nëpër botë thuhet se po ndodhin gjëra mizore

Gjithmonë përqendrohemi për të kuptuar

Pse ne s’na prekin aspak faktet botërore!?

Këtu ku jemi nuk ka asgjë për të treguar

Veç një rutinë poshtëruese shoqërore

Që lë për të dëshiruar…

 

 

 

Ty…

 

Κam mbështetur kokën

Aty…në supin tënd!

Desha pakëz paqe,

As pasuri, as mënd !…

 

 

 

PROTESTA IME

 

Edhe unë sot dua të protestoj …

Për vitet më të bukura që mi morri kurbeti

Për ëndrrat e vrara në këtë vend

Për trysninë e streset nga shteti!

Ndonjëherë protestoj për vitet e rinisë

Për sytë e tu që më robëruan

Për shoqen e ngushtë që jeta ju prish

Vetëm se e tradhëtuan!

Pastaj protestoj për fëmijët e mi

Që nuk përshtaten kursesi me këto epoka

Që ditë për ditë u vrasin lumturinë

Ankthe e pasiguri të kota !

Pastaj protestoj për veten time

Sikundër kurrë nuk kam protestuar!…

Ky shtet e do femrën statujë antike

Gjakftohtë e të pikturuar !

Por përpara artit …Më zbutet shpirti,

E ndihem e etur dhe e tjetërsuar!

Se nëse do të kishte një parti …Artisti,

Atë…do të kisha votuar !

 

 

 

O TI…

 

O ti, që këndon atë këngë rritmi

E s’tkurresh kurrë nga e vërteta,

Më jep një tingull të mbledh shpirtin,

E të më gëzojë më shumë jeta !

Se kam ca vite, kam marrë ca lajme,

Më ndrydhin trupin e më rrëgjuan,

Më heshtën këngët e nuk ka mbetur

As frymë më …Për të kënduar !

Prandaj …të dëgjoj e dashuruar

Për kohë të bukura e të zjarrta

Ku veç me këngë kam përjetuar

Vitet e shpirtit, ndjenjat e arta !

 

 

 

MURE

 

Jam një, jam një edhe i vetëm!

E kam rreth meje katër mure…

Përballë …tavani më ka nxirrë jetën,

E qielli më nuk duket!

Ndonjëherë është më e bukur nata,

Qielli i mbuluar nga errësira,

Se muret e bardha e të akullkta,

Ku ngurosesh… nga vetmia !

 

 

 

QYTETI IM

 

Qyteti im është i egër….

Deri në drithërimën e dallgëve të pashpirta!

Të dërmon deri në eshtër,

Në kohë të mira e të liga!’

Kështu edhe puthjet e fundit

Ti kthen furtunë e lotë.. .

Ka problemin e Un-it,

E nuk humbet dot !

Qyteti im është i dashur…

Kryelartë, por pa kështjella!

Kështu edhe nëse je duke ardhur

Mos prit miqësi të thella !…

 

 

 

 

PARA  TEJE

 

Para teje ndihem një grua e butë

E mbrojtur nga luftërat që më ka hapur historia

Bëhem më e menduar, e ndjeshme, e urtë

Më t’kurr dashuria!

Pastaj marr një forëm krejt tjetër

Bëhem serioze e flas me shumë bindje

I dashur, është veçse një gënjeshtër

Prej dashurie !

Për mua ti je ajri, je fryma, je deti …

Nëse unë përmbahem, është çështje dinjiteti !

 

 

 

 

NJË DITË

 

Një ditë do të ikim edhe nga kjo botë

Pasi të kemi çliruar gjithë ç’mbajmë në shpirt

Gjysma e arësyeve që kemi luftuar është e kotë

Gjysma ishte thjesht një motiv!

Atëherë do të jemi mbushur plotësisht me rrudha

Por ndoshta do ta kemi çliruar tërësisht zemrën!

Gjysma e dhimbjes ka qënë një shpresë për të fituar

Gjysma për të mos u ndjerë vetëm!

Do të përqafohemi ndoshta për herë të fundit

Atëherë do ta kemi çliruar edhe mendjen

Gjysma e lirisë për ëndrrën dhe trupin

Gjysma për tu falur edhe të tjerëve !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *