Poezi

 

 

                NIKOLLA SPATHARI

 

Nikolla Spathari ka lindur në Malësi të Madhe me  5. 12. 1940,  ku  mori edhe mësimet e para. Në Shkodër bëri shkollën e mesme pedagogjike . Studimet e larta i kreu në Tiranë për matematikë – fizikë. Ka filluar të botojë në vitet gjashtëdhjetë të shekullit njëzet. Në vitet shtatëdhjetë boton dy librat e parë dhe bëhet një emër i njohur në publicistikën shqiptare. Me botimin e dy librave pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Pas shembjes së rregjimit totalitar ka qenë themelues dhe kryeredaktor i gazetës “ BESA “ në Shkodër  ( 1991 – 1993 ) dhe  i gazetës letrare “ PENA “ në Durrës  ( 2004 – 2005 ). Ka qenë gjithashtu reporter për Shqipërinë i gazetes “Albania Herald” (1991-1996) që dilte në Amerikë . Nga viti 2009 e në vazhdim është drejtor i revistës  “ Vegime letrare.”.

Pas viteve nëntëdhjetë ka qenë sekretar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Shkodrën (1992-2004 ), sekretar i Shoqatës Atdhetare-Kultirore Kosova  dhe nga viti 2007 është Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës.

Është poet, shkrimtar, publicist, studiues.

Ka botuar deri tami 17 libra me poezi, prozë, letërsi për fëmijë, publicistikë, studime, monografi etj., Ka botuar dy vëllimet e para të veprës së plotë letrare, që do të jetë në 13 vëllime.

Është nderuar me medaljem “ Naim Frashëri “ nga Kuvendi Popullor dhe me titullin “ Mirënjohja e Qytetit “ nga Bashkia e Durrësit,

Ka marrë çmimin “ Migjeni “ , çmimin “ Mark Tuen, çmimin “ Dritero Agolli “

për librin më të mirë me poezi të vitit 2013, tre çmime të paa dhe  dy çmime të dyta në poezi etj..

 

 

 

                                NIKOLLA SPATHARI

 

S’ IKI DOT NGA KJO VJESHTË

– Cikël me poezi –

 

 

SA TË LUMTUR KEMI QENË

 

Sa të lumtur ishim atëherë

Kur nëna na vinte për të fjetur

Pesë fëmijët,

Si në një tabllo

Të Françesko Gojës,

Na porosiste të thoshim lutjen e mbremjes

Dhe të thërrisnim pranë engjujt e rojes.

 

.Flinim të qetë.

Secili me  engjullin e vet te koka

Si një re.

Tani ato vite kanë ikur larg dhe unë jam vetëm.

As nëna as engjujt nuk janë më.

 

 

SHIU

 

Nën qiellin e vogël të një çadre

U gjëndëm rastësisht,

Ndërsa në lugina thyhej rrufeja,

Unë vura re se ti ishe e bukur

Dhe këtu filloi odiseja…

 

S’i mbaj dot mend

Të gjithë shirat që kanë rënë,

Por kam edhe unë tani shiun tim.

Ti e di mirë si nisi ai shi

Dhe si e ngrite çadren me nxitim?!

 

 

SA SHUMË BORËRA

 

Ca fjalë mes nesh

Krisën si qelqe të thyera,

Po tjetër çfarë ndodhi,

Se di !

Nëntori bëri vetëvrasje gjethesh te drurët,

Retë ikën me ty dhe se ku e çuan një shi.

 

Ti Helios,

Që e mallkove me diell  atë vjeshtë,

Mallkoi dhe të gjithë dimrat

Që kaluan,mbi këtë tokë!

Dimrat që hodhën aq shumë borëra

Dhe të gjitha na u ulën mbi flokë.

 

 

ILUZION

 

As këngë

Nuk dua të këndoj,

As poezi

S’po shkruaj më,

Zëri ka nisur të mos më bindet,

Fjalët të mos më rrinë atje ku i vë.

 

S’më pëlqente

Kjo  që ishte

Dhe desha ta rikrijoj  jeën,

Si të gjithë Don Kishotët

Që iluzionojnë vetëveten.

 

 

VIZITË PRANVERËS

 

Sot

I bëra një vizitë pranverës,

Në rrugicat, mes luleve,

Takova diellin,

Mbi degë të dafinës

Përshëndeta një bilbil.

Ti e di se këtu ku ndizen të gjitha petalet

Të kam puthur te çdo trëndafil.

 

 

VDEKJA E POETIT

 

Vite e vite

E masakruan poetin,

Me intriga,

Thashetheme e  ligësi,

Më në fund uli kryet nën hijen e një molle

Dhe vdiq në qetësi…

 

Zgjodhi kopshtin për të vdekur

Që ta rrethonin zogjtë

Dhe atje të tretej në hapësirë,

Por njerëzit e futën në arkivol dhe e mbyllën me gozhdë,

Medet, nuk paska as vdekje të lirë

 

 

MAGJIA E  NJË KËNGE

 

Kur këndoje ti

Desha të mos ishim midis njerëzish,

Të ishim diku larg

Në një pyll,

Pranë gjetheve, atje ku është gjelbërimi,

Ku të digjet, mbi kokë, papritmas  një yll.

 

Dhe të bënim së bashku një koncert,

Zëri ynë

T’i binte natës dhe degëve mes për mes,

Te një trung edhe mund të putheshim,

Se çdo bënim deri në mëngjes…

 

Por ajo natë se nga më iku,

E mua

S’ më ndahën e s’më ndahën largësitë,

Me to, monopateve, grindet era ,

Por do përleshem dhe unë një ditë.

 

 

NGA ATO QË DUHËN THËNË

 

Nga ato që duhën thënë

S’kemi thënë ende asgjë.

S’kemi thënë,bie fjala,

Se një nga gënjeshtrat e mëdha

Është dhe lumturia ,

Se njerëzimi është po aq i marrë sa duhet

Që të besojë te liria.

 

Eh, sa gjëra s’kemi thënë,

S’kemi thënë, për shembull,

Se të shkruash një Iliadë

Duhet të jesh Homer,

Se gjithkush e ka Beatriçen e vet,

Por duhet të dijmë t’i dashurojmë,

S’kemi thënë se çdo ditë na gënjejnë

Dhe çdo ditë u besojmë.

 

Nga ato që duhën thënë,

Pothuajse të gjitha

Pa thënë kanë mbetur.

Mbase ka ardhur koha të themi diçka

Para se të nisemi për të vdekur.

 

 

FLOKË TË TILLË

 

Të gjithë librat e teologëve i kam lexuar,

Dhe të them të drejtën

S’ua falë:

Në flokët e tu si rrika mëkati

Kur nga ngjyrë e diellit kanë dalë ?!

 

S’ka mëkat

As në flokët e tua ,

As në dorën time që i lëmon,

Madje unë then se atje është Parajsa

Pa çka se asnjë nga librat e shenjtë s’e pranon.

 

Kjo natë është e imja,

Por mua s’më njaftojnë

As të gjitha netët,

Se flokë të tillë që bien lehtë mbi supe

I çmendin poetët.

 

 

MËDYSHJE
Erdhën pelikanët
Dhe çukasin gjithandej nëpër hije,
Kisha menduar se do t’ishe ti
E para që do të vije.

Por  ti ende rri
Në një mëdyshje hutimi,
Si mëdyshja e një zogu
Në çast fluturimi.

 

 

REFLEKSION

 

Përse u dashka

Të jesh i mençur,

Të jesh i zoti,

Kur më i famshem se vetë Servantes

Është Don Kishoti…

 

Çfarë duhet vallë

Sinqeriteti,

Në këtë botë ku vijnë dhe ikin miliona,

Kur Jago është mbuluar me lavdi

Ndofta më shumë se Dezdemona…

 

E përse të shejtërosh në këtë jetë ?!

Të zbehesh në lutje

Si murgu dhe prifti,

Kur Juda është bërë i pavdekshem,

Po aq i pavdekshëm sa ç’është edhe Krishti…

 

 

TË NDALET STUHIA

 

Vetëtimat që flinin në kreshtat e reve

U zgjuan,

Nga streha e vjeshtës doli shtrëngata

Breshëri u bie xhamave me grushtat e akullt,

Pas dritares çirret,çmendurisht,nata…

 

Mes drurëve kalon era

Dhe le pas një grindje të madhe degësh,

Qielli nxin, lëshohën me tërbim bubullima,

Ç’bëhet sonte me zogjtë

Që mardhin dhe dridhen nën vetëtima?!

 

Çfarë ndodh me lypsat e vegjël,

Që flenë nëpër qoshe se u mungon çatia!?

Pa e ditur se ç’bëj dal mes rrebeshit

Dhe i bërtas vjeshtës: “ Të ndalet stuhia!”

 

 

NATË

 

Dielli iku prapa një mali.

Gjinkalla pushoi së kënduari nga vapa,

Reja e fundit ngeci në majë të një plepi,

Atje e zuri nata…

 

Zogu i vogël s’e pati mbaruar ende këngën e vet

Që të kthehej tek lisi,

Fluturimi i tij mbeti mbi një degë,

Vetëm cicërima iku…

 

Në bregun e heshtur të detit

Shëtitjën e argjendë bëri hëna,

Monologun e ngatërruar të valëve

E zuri mëngjesi te rëra.

 

 

S’ IKI DOT NGA KJO VJESHTË

 

Dallëndyshja

E ka lënë shtëpinë e vogël

Te zhveshja e plepit

Dhe ka ikur e qetë,

Por unë

S’iki dot nga kjo vjeshtë.

 

Si shenjtor

Të dëbuar nga  parajsa.

Më presin së bashku plepi dhe hëna,

Sikur s’ka ndodhur ndonjëherë gjë

Te këto gjethe të rëna…

 

 

 

HUMBA NJË SHOK

 

Mbrëmja më gjeti të pikëlluar

Se humba papritmas një shok,

Atë që më telefononte çdo ditë

Kafenë e mëngjesit ta pinim tok.

 

As nuk u prishëm,

As nuk u grindëm,

Në miqësinë tone nukj pati tërmet,

Jo,jo e humba fare thjeshtë:

 

 

PROMETEU DHE ZJARRI

 

Të lidhën, Promete, të lidhën,

Shkëmbi yt

U rrokullis në skenat e tragjedive,

Le të thotë çfarë të dojë plaku Eskil,

Unë u jap të drejtë perëndive.

 

Zjarri ishte mirë në qiell,

Ç’ të shkrepi që e lidhe me tokën?

A nuk e dije se njerëzit, para se të ngrohnin duart,

Do të mendonin si të digjnin botën?

 

 

KUJTIME TË VJETRA

 

Në kujtimet e vjetra ne kemi mbetur

Te një zbehje hëne

Stolisur nga pyjet,

Nën dilemën e madhe të një qielli të kaltër,

Që s’di çdo të bëjë me yjet.

 

Kemi mbetur përgjithmonë

Anës së lumit,

Ku si hiperbola zgjateshin ca hije,

Dhe lumturia s’mund të marrë tjetër formë

Veç formës që pati atë natë në korije.

 

ZGJIMI

 

Më iku dhe kjo natë

Nga vetmia pa fund e netëve,

Mëngjesi erdhi

Me një agim të sfilitur,

Kisha qëndruar gjithë natën mbi gurin e një ëndrre

Duke të pritur…

 

 

VETMIA

 

Mirëmbetshi kafene

Dhe ju sheshe gjysmë të çmendur !

Sa shumë kohë

Për të arritur deri te vetmia!

Mirëmbetshi dhe ju salla ku çirrën mediokrit

E  ku ndahën tituj e çmime, me mijëra!

 

S’e kisha ditur

Që vetmia

Mund të merrte formën e një vjeshte,

Dhe unë të dashurohesha me këtë vjeshtë

Larg atyre që mburren pa bërë asgjë,

Mirëmbetshi !

Aty, te ”lavdia“ po ju lë.

 

Dhe atdheu

Sigurisht ju mban,

Siç ka mbajtur në shekuj çdo  brengë,

Ashtu si lisat që mbajnë bilbila,

Por mbajnë  edhe zogj  pa këngë…

 

 

DIELLI DHE NE

 

S’e di

A na pa dielli, atë ditë,

Kur hodhi një sy në dritare

E rrëshqiti në qiell,

Por di se të gjitha bregdetet së bashku,

Sa sytë e tu, s’ kishin diell..

 

Nuk jam budalla që vendosa të digjem!

 

 

QYTETI DHE AJO

 

Mbremë, kur deti u trazua,

Erdhi tek unë e dashura ime,

Kodrave u ngritën telajot e shirave

Si metonimi çastesh intime.

 

Në mëngjes

Më la një të puthur dhe iku…

Hapat e saj

I shoqëruan dielli dhe deti,

Sigurisht ajo banon diku këtu,

Ndryshe s’do t’ishte kaq i bukur qyteti.

 

 

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *