ROMANI “STINË JARGAVANËSH” I FLORA BROVINËS, NJË PRELUD TRONDITËS MBI LIRINË DHE HUMANIZMIN

Nga Alisa VELAJ

ROMANI “STINË JARGAVANËSH” I FLORA BROVINËS, NJË PRELUD TRONDITËS MBI LIRINË DHE HUMANIZMIN

“Po cili nga ne, në momentet e madhështisë, nuk do ta ëndërronte mrekullinë e krijimit të një proze poetike”, shprehej i ngazëllyer poeti freng Sharl Bodler. Kjo thënie rrok në vetvete të vërtetën e padiskutueshme, se proza poetike si lloj shkrimor mund të ngjizet në mënyrë të përsosur vetëm nga poetët. Flora Brovina, pranuar njëzëri nga kritika shqiptare dhe ajo botërore, si një nga poetet bashkohore më të mira shqiptare, vjen para lexuesit me romanin e saj të parë “Stinë Jargavanësh”. Pavarësisht etiketimit “roman” si preferencë e vetë autores, leximi faqe pas faqeje i tekstit, të krijon bindjen kokëfortë, se kemi të bëjmë me një prozë poetike, nga më të bukurat që mund të jenë shkruar ndonjëherë në letërsinë shqipe. Gjuha e veprës evokon në mënyrë të pandërprerë imazhe të pastra poetike dhe ndërthurja e fjalëve dhe fjalive krijojnë një kumbim aspak të zakontë për tekstin e kulluar prozaik. Kumbimin e gjuhës e krijon më së shpeshti përsëritja e vazhdueshme e e së njëjtës frazë, ose e të njëjtit togfjalësh.

Sipas Milan Kunderës ekziston një zotësi e përsëritjes. Kështu, nëse përsëritet një fjalë kjo ngjet sepse është e rëndësishme tingullshmëria dhe shenjimi i saj, sepse rreket të bëhet kumbuese në hapësirën e një paragrafi, të një faqeje. Zotësia e përsëritjes është teknika mbizotëruese si në poezinë e Brovinës, ashtu edhe në prozën poetike të saj. Romani “Stinë jargavanësh” vjen si vazhdim i vëllimit me poezi “Mat e çmat”, botuar në vitin 1995. Madje mund të thuhet pa më të voglin hezitim, se “Stinë Jargvanësh” është roman i një poeteje, duke qenë se ngjizet fund e krye nga bërthama e poezive të Brovinës, përsa i përket frymëmarrjes të tij poetike. Romani mban si vit krijimi vitin 1997 (Kososovë 1997, shënim i autores) dhe disa herë para pjesëve hyrëse të çdo rrëfimi, apo edhe në “trup” të rrëfimeve përdoren vargje nga poezitë e vëllimit “Mat e çmat” . Ja si shfaqet knkretisht në tekst kjo zotësi e përsëritjes.

“- Ruaj sytë! – i thoshte babai, e ajo buzëqeshte.
– Sytë! Si ruhen sytë? Po t’i mbyll,  nuk do të shoh, po t’i hap, a harxhohen, a çmallen?! – i thoshte nëna.
– Ruaj sytë! – përsëriste babai. Ajo vetëm qeshej e qeshej. Sa bukur qeshej nëna ime. I kishte hije qeshja.
Sot sërish më duket sikur dëgjoj zërin e babait :
Ruaj sytë nuse, ruaj sytë!
– Sytë. ..! – foli nëna me zë. Pastaj ktheu kokën dhe më shikoi në sy.
E mora me mend se nëna fliste me kujtimet.
– E si t’i ruaj,  si…kur ti nuk je?! – më dukej se thoshin sytë e nënës.”

Po çfarë shenjon teknika shkrimore e përsëritjes në kufijtë e prozës poetike të Brovinës? A është kjo teknikë thjesht një truk stilistik, apo vjen si një karrem narratologjik për të depërtuar më në thellësi të mesazheve që teksti përcjell tek lexuesi model? Teknika e përsëritjes shton në mënyrë të përshkallëzuar dozën e dramacitetit. Një dramacitet kumbues, aspak latent, që nuk lë asnjë hapësirë të papushtuar si në shpirtin e atij që rrëfen (qenia rrëfimtar), ashtu edhe në përjetimet e recepientit të tekstit, aq sa ky i fundit, jo vetëm që e ndjen veten bashkëshkrues të rradhëve që lexon, por edhe fajtor për dramat nëpër të cilat ka kaluar historia e popullit shqiptar të Kosovës. Nëse romani është një art, dhe jo vetëm një “zhanër letrar “, kjo ngjet ngase zbulimi i prozës është misioni i tij ontologjik, që asnjë art tjetër përveç atij nuk mund ta marrë përsipër tërësisht. (M. Kundera, Testamentet e tradhëtuara, f.141). Në këtë kontekst, ajo çka zbulon prozaizmi në këtë tekst të kategorizuar prej nesh si prozë poetike është pikërisht konceptimi i realitetit përmes bashkëekzistencë së vetjeve të ndryshme kohore, poetike dhe historike. Ajo që përcakton gjithë llojet e dialogimeve në tekst është vetja kohore. Përmes një të tashmeje “të përjetshme” gjatë rrëfimit të ngjarjeve, kjo vetje herë shpik një simotër të saj poetike, nëpërmjet se cilës shpalos përjetimet e rrëfimtarit-fëmijë, që duke i parë dhe gjykuar ngjarjet dhe fenomenet me logjikën e fëmijës, jo vetëm që i shton edhe më tragjicitetin ngjarjeve të hidhura, por e shpalos zbulimin e farës së dehumanizmit si akt të vërtetë barbar, në shekullin e njëzetë, artëherë kur më shumë se kurrë flitet për liritë dhe të drejtat e individit. Vetja kohore apo ajo që autorja e quan rritje e përhershme brenda vetes rrok dramën e një populli të tërë që gjeneratë pas gjenerate e priti lirinë si stinën e jargvanëve. E priti lirinë si më të bukurën stinë.

Stina e jargavanëve shndërrohet në vetjen poetike dhe kohore njëherësh. Ajo plasmon në vetvete lirinë e ëndërruar dhe aktin heroik si veprim konkret, në mënyrë që kjo stinë të mos jetë më veç kohë ëndërrimi, por ëndrra të shtyjë drejt veprimit për ta shijuar këtë stinë edhe në realitet. Jargavanë jo vetëm në stinën e ëndrrave, por jargavanë në stinët e jetës. Jargavanë që nuk sjellin më, nuhatjen e pranverave të përgjakura, por aromën pranverore të Lirisë. Lirisë që kërkon vetsakrifikim. Ajo lloj vetje që rritet si bimë e si dhimbje shndërrohet kështu në vetjen historike, në shërbim të idealeve që e bëjnë robërinë, jo më një gjendje me të cilën pajtohemi, por një nostalgji të një të kaluare të makthshme.

Rrëfimtari-fëmijë na shfaqet përmes dy trajtash në këtë rrëfim. Së pari, personazhi-femije me kuptimin e ngjarjeve dhe të fenomeneve me kndvështrimin e fëmjës. Kjo teknikë narrative, e përdorur më parë nga Ismail Kadareja në romanin e tij “Kronikë në gur”, i jep tekstit përngjasime me elementë të realizmit magjik. Le të përmendim këtu veshet e murit dhe terrin si gojë ujku në rrëfime si: “Librat i vodhën kur pikoi tavani”, “Muret me veshë” dhe “Zërat në mur”. Së dyti, personazh i fëmijëruar (i rikthyer në fëmijëri), për të transmetuar tek lexuesi përsëritjen e së njëjtës dramë në kohë të ndryshme, teknikë narrative që vjen parme retrospektivës. Kjo e fundit perzjen gjykimin e ngjarjes nga nje prespektive e larget (personazhi i femije syhapur nga habia) dhe femija tashme i rritur, mbarsur me kujtimet e hidhura qe dikur perpiqeshin me dhunë t’i helmonin fëmijërinë përmes mohimit të identitetit, ku atdheu (njëjtë si në poezinë e Brovinës) na vjen e rivjen si pjesë e vetvetes, ndërsa liria e atdheut, si pjesë e lirisë së qenies. Atdheu jam une, je ti, atdheu është gruaja, biri dhe bija. Vetëm dhe vetëm në këtë mënyrë atdheu është kombi dhe kombi atdheu. Pra kur gjithsecili prej nesh e ka atdheun pjesë të vetes, pjesë të qenies.

 

“- Ç’te duhet gjuha e nënës…he, gjuha e nënës? ! – ngërdheshnin dhembet.

[…] I mbylla veshët me duar dhe bërtita :

– Pa gjuhën e nënës nuk jam une. Nuk jam une, e kuptoni, nuk jam une!  – u shkreha në vaj, ndërsa lotët më shkonin lumë.”

 

Personazhi fëmijë shkrin pikëllimën me gaz e vaj, ç’ka e bën lexuesin model ta përjetojë të gjithë këtë si një humor të zi. Fëmija dhe fëmijërimi përkëmbejnë njëri-tjetrin përgjatë hapësirës rrëfimore, duke përshkruar udhët e së njëjtës klithmë, Klithmë që bëhet përherë e më e thekshme prej fëmijërisë në rritje, prej natës në dirë. “Natën rritemi si bima si dhimbja/Këpucët na vrasin çdo mëngjes”, citon vetjen e saj poetike autorja e këtij romani.

 

“- Bananë, babanë thua? – sikur befasohen. Edhe mund ta kesh, po përtej grilave ka grila, -qeshin me zë ata dhe më shikojnë vërenjtur. […]

– Kush je ti, kë këekon?- më pyesin sërish.

– Erdha ta takoj mikun, – u them e skuqur all…

 Ata sërish zgërdhihen”.

Përngjasimet me elementë të realizmit magjik në prozën e Brovinës, mund t’i perceptojmë si të tilla, vetëm nëse marrim për bazë mendimin e kritikut Teo D’haen, i cili e përcakton realizmin magjik si degë të postmodernizmit, duke radhitur edhe tiparet themelore të postmodernizmit, një pjesë të përbashkëta edhe me realizmin magjik. “Do të argumentoja se tiparet e mëposhtme konsiderohen përgjithësisht si shenjuese të postmodernizmit: vetëpasqyrimi, metaproza, larmia, eklektizmi, tepria e fjalëve, shumësia, ndërprerja, intertekstualiteti, parodia, shpërbërja e personazhit dhe rrëfimit, fshirja e kufijve dhe pështjellimi i lexuesit.”[1] Një pjesë të të këtyre tipareve i hasim edhe ne këtë roman postmodern të Flora Brovinës. Përmendim personazhin që rrëfen botën e tij (vetëpasqyrimin), eklektizmin e ideologjisë së marrë të pushtuesit, polifonia e zërave në rrëfim, intertekstualiteti, fshirja e kufijve mes prozës dhe poezisë dhe pështjellimin e lexuesit, si në mënyrën e perceptimit të rrëfimit (rrëfimeve), si në realitetin peshtjellues dramatik që servir në tërësi kjo vepër.

 

Dhimbja gjer në klithmë dhe malli i lirisë e bën irrreale kohën e dhimbjes. Poetes i duket se shëtit, ashtu e përhumbur nga dhimbja, në botën e lashtë të legjendave dhe baladave. Vetëm në legjendave mund t’i takojë vuajtjet dhe dhimbjet e saj. Vetëm në legjenda mund ta gjejë veten Nuse dhe Moter .Legjendat dhe baladat i lënë vendin realitetit tmerrues. Tmerret e këtij të fundit kanë përmasa epike njësoj si në legjenda. Sakrifica dhe besa ndaj tokës së shqipeve është njëlloj legjendare, si në kohën e Gjergj Elez Alisë, si në kohët moderne të helmimeve të fëmijëve të Kosovës, me helmin e luftës të njohur me emrin Sarin. Përmasa dramatike e tekstit shuëfishohet sidomos përmes pranisë së baladave të rrëfyera tashmë në prozë si; “Nusja”, “Baladë” dhe “Vasha e shkëmbit”  Si lloj epiko-lirik, balada përmban një konflikt të natyrës dramatike, ku me një ton të ngadalshëm e të pikëllueshëm flet për pësimet dhe fatkeqësitë nëpër të cilat kalon heroi i tyre. ((Zejnullah Rrahmani,Teoria e Letërsisë,f.296, 291). Toni i pikëllueshëm që përshkon fund e krye romanin “Stinë jargavanësh”, rrok përmes baladës, jo më pësimet dhe fatkeqësitë e një heroi të vetem, por fatin tragjik të një populli të tërë. Janë shumë pësime në emr të çmendurisë më të madhe njerëzore, luftës. Është pikëllima dhe vuajtja jo e një heroi të vetëm, por pikëllima dhe vuajtjet e një kombi hero dhe të martirizuar në shekuj.

 

Rrëfimi i fundit “Nositi” merr statusin e një teksti palimsest. Mënyra parabolike e të rrëfyerit, më një bukuri të llaftaruar poetike, na shpie drejt mesazheve të mëdha morale, filozofike dhe shoqërore. Njësoj si Lasgushi ynë i madh, Brovina na flet me zjarr mes rreshtash mbi ontologjinë e qenies, kuptimin e vërtetë që mbart fjala atdhe dhe mbi varrin që ka hapur ne kraharorin e saj dhimbja dhe pamundësia për të mos e sjellë dot e vetme stinën e jargavanëve. Duhet më shumë se një nosit që të vijë liria. Një nosit i vetëm nuk mund ta sjellë dot lirinë. Duhet të saktifikohet një gjeneratë e tërë që jargavanët të jenë vetëdija jonë e përhershme dhe jo vetëdija e përkohshme, ajo ëndërrtarja që nuk e njeh asfare, vetflijimin, dhe kështu nuk ka për të njohur me themel as lirinë.

“- Ti gjithnjë deshe të jesh Nuse. Ti u bëre nuse sa herë u kërkua flijimi në bregun e lumit,  sa herë  filluam ndërtimin e Urës , – më thua.
– Dashuri me llahtari, kacafytje me tmerrin për fluturimin e lirë të zogjve. Flijim! Le të marrin grimca grimca nga gjiri im atë që iu përket. Le të rriten e fluturojnë në qiellin e lirë!
Nositi nuk është qyqe,  ai nuk rri i vetmuar. Flijimi nuk është vdekje.”

Në këtë prozë poetike, përmes metaforave të fuqishme ekzistenciale, Brovina jep edhe mesazhin e bashkimit kombëtar. Vetmia do të na vrasë ne shqiptarëve, parasheh Brovina me një kthjelltësi të pashoqe. Do të na vrasë si na vrau në shekuj pushtuesi. Vetmia nuk është për ne. Vetmia është vdekje. Është qyqe. Ne kemi nevojë për pëllumba, ndaj duhet të jemi të pandalur në rrugën drejt lirisë. Liri ka vetëm kur jemi të bashkuar. Liria është atdheu dhe atdheu është liria. Liria është stina e jargavanëve që shpërthen në aroma pa pasur frikë nga ora policore. Është Nusja që vjen me krushqit e Lirisë, në një atdhe shpirtëror me emrin Shqipëri etnike.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

[1]  Theo L. D’haen “Magical Realism and Postmodernism: Decentering Privileged Centers”, Zamora and

Farris “Magical Realism: Theory, History, Community” Duke University Press, 1995, f 192-193.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *