POEZI

Arif Molliqi

 

 

Dy poezi

 

 

ishte vonë për të thënë  diçka

 

 

sot më dymijë e gjashtëmbëdhjetë

më duket e shtune edhe vjeshtë

të erdha pranë

ti nuk më vërejte sepse nuk bëra zhurmë

as lule nuk të solla

as fjalim mortor nuk mbajta

asgjë që më zgjon shumë kujtime

por desha të te marrë me vete

por s´munda

të flisja për gjëra boshe s´kishe qejf

prandaj veç heshtëm

se Ty

t´u duk vonë për të thënë diçka

këtu e tej u besoj vetëm vdekjeve

kjo s´na u deshtë kështu

ngase koha na e la hingëllimën e tepërt

në kuptimësitë e tona

i lamë të hyjnë të tjerët

në librin e harrimit i vumë vetes pikë

derisa të vdekurit koten më punët e rënda

të gjallët i kërkojmë kot

djathtas e majtas

kanë shkuar të tregtojnë më flamuj

 

 

 

ëndërr e shprishur

honeve të botës

 

 

“Isha, pash, u ktheva…”

 

e pashë

kur foton e zverdhur

n´kufi ma shikuan

 

sa i disiplinuar që dukesha

si evropian

imazh i rrem se po jetoj diku

 

se jam gjallë…

mes Evrope

 

ndoshta  e gjithë kjo

s´ishte gjë tjetër

veçse malli i përhumbur

ëndërr e shprishur rinie

bartur honeve të botës

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *