Poezi

Ç`KOSTUM DUHET TË VESHIM

 

 

Nga QAZIM SHEHU

 

Ç`kostum duhet të veshim

Në ditën më të bukur të kombit,

Drejt kësaj dite ecim

Me gjunj të lodhur..

 

Kostum me ngjyra ,lakmues rrufesh

Shekujve shpirtin na ruajti

Ahtin mori prej nesh

Në kënde impresivë estetika mbruajti

 

Gjithë ëndrrat e brezave për ta pritur

Ditën më të bukur që na lanë

Me shpresën tonë të mirërritur

Lule kostumesh e breza ylberor në spikamë.

 

Të sotme s`e bëmë dot ditën më të bukur

E shtymë për nesër

Ndoshta se diçka i mungonte kostumit

Dhe shpirtit tonë të ndjeshëm…

 

 

 

 

T`I SOLLA LULET

 

Ti solla lulet prej letre

eh ,ku ti gjej të tjera,

Më gazmon një respekt  i mbetur

Për lulet që përkund era.

 

 

Në i pranofsh ti ato

Pa ngjyrën këndellëse

Në këtë botë që sajo

Manekinë në vend të njerëzve.

 

Do më shpëtoje nga një ankth

I pranimit të sajimit

Dhe lulet në livadh

Prej dorës së verbimit…

 

 

 

KUR THELLËSI E MUZGUT

 

Kur thellësi e muzgut më ngushton rrugën

Vë veshin e përgjoj si dëfrejnë thellësitë

Me një tingull të mistertë prej pambuku

Me një zilkë që e harruan stolitë.

 

 

Dhe me një buzëqeshje që u tret ngadalë

Me një kujtim që u zhyt në të,

Pastaj nga thellësitë ngrihem pa fjalë

Mjalti  i muzgut zhduket e helmin më lë…

 

 

 

LËKURË E DIMRIT

 

Rrobat e hapësirës me re

Jelek pranvere e meshin dimri

Shpesh mbi supe i ke,

Në garderobë ditësh.

 

Jelek i pranverës ngjyroset

Lëkurë e dimrit më e murrme

Si horizonti vreroset

Mbi supet e tundshme…

 

Në garderobë të ditëve sa herë

Dikush jelekun vjedh,

Zhvoshket meshin i dimrit i mjerë

Si lëkurë dragoi trupin akull ndez…

 

 

 

BUZËT E MUREVE

 

Valë e muzgut u fsheh

Në hijeshinë e trupit

Në sallon muret plasën buzët

Të hurbnin…

 

Fjollë e freskisë

Myshku i flokëve dalldisës

I nxirrte muret prej zisë

Lëvizshmërisë pritëse.

 

Sapo ato hapën buzët

Të të prisnin moj valë,

Unë të prapsova tutje

Mos ktheheshe në Rozafë…

 

 

 

TOKA

 

Sa pak kujtohemi për tokën

Prej saj mbahemi, ecim në të,

Ashtu si nuk e ndjejmë kokën

Peshën që mbi qafë na vë.

 

Për orbitën e saj pak kujtohemi

Për hapësirat pa faj,

Ndonëse prej saj mbrohemi

Nga shkreti e një planeti  përskaj…

 

Toka kapelën e muzgjeve vë

Autografë yjesh nënshkruajnë

Ujërat,kur freskohet me të

Në brendësi kur nebulozën ruan..

 

Krahët shtriq në gadishuj

Prek ujëra e prek skaje

Lotët lëshon, bëhen ishuj

nga tërmete të ardhshme.

 

Dhe ne kujtohemi pak,

Për lëmshin prodhues që na mba,

E lërojmë me djersë e gjak

Pastaj ajo kthehet e na ha…

 

 

 

GRIGJË

 

Lëshohet fantazia në tetor

Grigjë që humb rrugën,

Gjethet në pemë ,theror

presin të bëhen e të zhduken…

 

…Prisni pak, mos bini,

Sa të vijë dhjetori,

Një pakt me nëntorin vini

Në një përpëlitje agzori…

 

Patstaj fantazia mbledh

Tufën e grigjës së bekuar,

Më bindet a më dhemb

Në nëntor për të mos e lëshuar….

 

 

 

SHKULM I RITMIT TË DITËVE

 

Shkulm i ritmit të ditëve

Zemrën ngre përpjetë

Ngrihet zog qiejsh

Cicërima mbjell.

 

Kur kthehet në fole

Me cicërimat peng

Ajo nuk vë re

Sa kraharori dhemb.

 

Bosh ai gjëmon,

Brenda brinjëve të tij,

Shkulmet bëhen shkrumb

Hi që prushin përkund…

+++

Dridhet zemra e përpëlitet

Në sizmikë të hollë fekton,

As sizmiologët, as ditët

Dridhjen s`e shpjegojnë..

 

Mendjen shpesh s`e pyet

Kjo mëkatare në vuajtje

Dhe ngre gjer tek yjtë

Çfarë dy hapa s`mundin.

 

E lodhur si bishë mbyll sytë

E ti kujton se fle,

Ajo hap gojën e përsëdyt

Jo duke ikur,

Po duke të kthyer në pre…

 

 

 

NUMËRIM I RËNDË

 

Nëpër caqe kallur

Nga era e jugës

Një ditë m`u shpall i falur

Hap i vajzës,çupës.

 

Të cilën e desha

Petale në horizont të mugët.

 

Drithmohet mendja heshtur

Prej numërimit të tij,

Gjer ku do ketë bredhur

Si s`munda ta di?

 

Iamazhe telashe,brenga

Prurje,masë,zbrazje

Si iu dogj nga brenda

Këmbka në këpucë prej varke?

 

Si eci aq gjatë

Drejt pragut të panjohur

Numërimet me radhë

Sa më paskan lodhur.

 

Për hapin e pazbardhur

Caqekallur…

 

 

VALLJA E RRAJCËS

 

Ç`është kjo valle që ngrihet në ajër,

Unazat e e lidhura të ritmeve

Tutje Qafë Thanës liqen i pastër

I valëvit ,flamuj nositi.

 

Gjymtyrët çlidhen,gjoksi elegant,

Ngrefoset,sa hijeshi,

Lëvizjet  braktisin ngjyrat,

Për t`i rimbledhur përsëri.

 

Ah,po,valle Rrajcës…,

Kaq mitike,ritmike,impozante

Ajo shkëmbit ia thithi palcën,

Kodrës një lulethane.

 

Tundet,lëkundet,shkundet,

Në tokajër,moteve sa lindi

E krijoi popull i muzgjeve,

Një dorë i dha …Sadi Halili…

 

 

E DJESHMJA

 

E djeshmja s`ka fjalë,

E djeshmja ka mall.

Kambanë e etur

Në gjoksin tonë.

Veç kur i vemë gjuhën e së sotmes

Kumbon…

 

 

SHIU SARHOSH

 

shiu sarhosh diç donte të më thosh

kur era i hurbi fuqinë

sa shpejt iku nën vetëtimë laroshe

trembur nga një bubullimë.

 

Dhe bubullima u shua,era

Me shpatë fishkëllime të egër

Preu pemët degëgjëra

I krehu nëpër mjekër.

 

Lotë pemësh të përmbysura

Kurorështrira përdhe

Pas stuhisë lart ngritën

Dhimbjen nëpër re…

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *