Cikel poetik

MUSA VYSHKA

cikël poetik

 

E HËNË

 

Sot u zgjuam si fëmijë të gëzuar,

Edhe vetë të dyve na u duk vetja e çuditur,

As e vranë mendjen sa para kishin për të harxhuar,

Se e dinin që çmimet prapë do ishin rritur.

 

Dhe duke buzëqeshur të lumtur lidhëm një fjalë

Nuk do t’i shihnim më lajmet që gjithë gazin na nxinin

S’do ta vrisnim mendjen kush e kishte të drejtën (vallë)

Nga ata që vidhnin, shanin e ulërinin.

 

Pastaj iu lutëm qiellit

Që ta urdhëronte fjalën “nesër”

Të vinte një shekull tjetër…

 

Tiranë, janar 2017

 

 

DERA

 

Rreth saj

U mblodhën lule

Që s’çelën asnjëherë.

 

Përqark u lartuan mure,

U ngrit dhe një pallat

 

E ajo mbeti si një plakë e mjerë

E harruar

Ku nuk trokiti asnjë

As ditë e as natë,

Dhe as ajo e mjera

E heshtur, e mallkuar,

Nuk e mori vesh kurrë

Qe dru apo qe hekur!?

Po ju?

A keni parë derë të vdekur?

 

Tiranë, shkurt 2017

 

DITË E PENSIONISTIT

Moshatarëve

 

Ia shkela syrin diellit duke qeshur:

-Çohu! Ende po fle, o plakush?

Ai qeshi

Qielli me re të bardha u mbush.

 

U ngrita,

Dola të mbush ujë për lulet e zhuritura

Zgjova një këngë

Që më priste me tinguj nervangritura

E u ula t’i bëj Maries kafenë e parë.

Pastaj

Mora trastën e dola në pazar,

E duke ecur e numëruar

Përpiqesha të kujtoja

Një poezi që e kisha lënë pambaruar…

Dhe u kujtova

Ku e kam lënë kartelën e pensionit

Që s’po e shoh më?

Jo për gjë,

Por ta mbuloj me batanije

Që të mos ftohet

E ta lë të flerë…

 

Tiranë, janar 2017

 

 

 

QENTË

 

Ne rronim bashkë në një kullë të vjetër

Dhjetë familje, pesëdhjetë fëmijë të uritur

Dhe kulla e vjetër tretej ditë e natë

Në heshtje lumturinë duke pritur.

 

N’oborr një bust i mvrejtur zinte vënd

As fliste, as buzëqeshte… një qyqar,

Ne s’dinim se ku fshihej çdo mëngjes

Kur i dëgjonte foshnjat duke qarë

 

Papritur erdhi një ditë pa zhurmë e bujë,

Bustin dikush e hodhi larg,

Atje ku luanim ne, të uriturit,

U ngrit ashtu papritur një pallat.

 

Pallati u mbush shpejt me drita e këngë

Makinat zunë oborrin dhe më shpejt,

Dhe në çdo hyrje bashkë me këngë e drita

Çdo ditë e natë ulurinin qentë…

 

Dhe kori i qenve shtohej e tërbohej

U trashej qafa porsi me magji

Më shumë hante mish njëri prej qenve

Se ç’hante në një javë një shtëpi.

 

Pushoi kënga jonë. Në pallat

Buçiste kënga e qenve ditë e natë

Ne ngryseshim e gdhinim të uritur

Në pjatat tona… lotë e bukë thatë.

 

Kjo melodi që vrau fëmijërinë

Vazhdoi e buçet sot e përgjithmonë

Ju lutem, mbyllni gojën, mos tregoni

Se mund të vijnë dhe mua t’më kafshojnë…

 

Tiranë, 17 janar 2017

 

 

MOS E HAPNI DERËN

Urim për Vitin e Ri

 

Mos e hapni derën! Ulini perdet! Shuajini dritat!

 

Të mos dëgjoni ulurimën e hajdutëve,

Që derë më derë ju kërkon.

Të mos shikoni kurthet që ju ngrejnë kudo prita!

Dhe vdekjen tuaj çdo çast uron.

 

Ulini perdet, mos e qani qiellin e gjorë

As hënën që e qan, as ajo nuk ka faj?

Ulurimat e qeveritarëve

i nxjerrin ujqërit në oborr,

Të tallen me ne e ta bëjnë globin të qajë!

 

Flini, po mundët! I lini të qetë fëmijtë!

Asnjë përrallë për lumturinë mos u tregoni!

Vetëm u thoni që s’do të shohin kurrë dritë!

Po qe se ulurimat e ujqërve

do të besoni.

 

Mos e hapni derën! Jashtë, duke qarë

Po ikën Plaku i Vitit të Ri!

Lereni ta tërheqë karrocën zvarrë!

Lereni në pleqërinë e tij!

 

Dhe ai duke ikur shpreson që do të kthehet prapë

Dhe s’do ta përzërë më nga katër stinët pranverën,

Por gjersa të kthehet ai

Uluni dhe shtyjeni me shpresa

Edhe këtë natë të gjatë

Por mos e hapni derën.

 

Tiranë, dhjetor 2016

 

 

ELEGJI FESTIVE

 

Kaloi edhe Plaku i Vitit të Ri,

Erdhi duke qeshur, iku duke qarë

 

Lulja mbi lule nxiu për çudi,

Malet e përcollën me erën e marrë.

 

Kaloi dhe kudo dhimbje mbolli

Dhe… i ra derës së lumturisë:

Tak, tak.

 

Në derën e lumturisë një përbindësh doli

-Nuk mund të hysh, po nuk pate mandat!

 

Plakushi nuk e kishte me vete fjalorin,

Iku larg kokëulur me trishtimin e tij.

 

Mijra në prangat e urisë rënkonin,

Dritat po shuheshin shtëpi më shtëpi.

 

Ai u kthye prapë në kështjellën e lumturisë

T’u lutej të qasnin deri në prag,

 

Lukuritë e ujqërve  e tallnin përmes stuhisë.

-Shporru, o plak!

 

Dera e lumturisë qe mbyllur, hapej vetëm për djajtë

Qielli nga ulurimat e urisë dridhej shpat më shpat,

 

Plaku i lodhur shkoi te dielli

të qanin të dy bashkë

Se edhe dielli qe vetëm

meqë s’kishte mandat…

 

Tiranë, dhjetor 2016

ETYD

 

Mami duke rënkuar tërheq fëmijën përdore,

Dora e saj e lodhur skuqet më tepër,

Fëmija qan se do një akullore,

Mami i premton se do ia blejë herën tjetër.

 

Mami tërheq fëmijën e në qiell tërbohet era,

Fëmija tërheq zvarrë sandalet fijekëputura,

Mami i premton se sapo të vijë vera

Do mbledhë prapë paratë për këpucë të bukura.

 

Mami tërheq fëmijën e lodhur, fëmija kërkon

Të gjejnë një makinë e të kthehen sa më shpejt,

Mami mallkon autobusin që përditë vonon,

Lodhet duke mallkuar dhe e kapitur hesht.

 

Mua s’më bën zemra ta shoh diellin në sy

Dhe psherëtijmë të dy…

 

Tiranë, shkurt 2017

 

 

SHTËPIA E PLEQVE

 

Nata zgjat qafën në dritare

E, duke psherëtitur,

Dëgjon kërcitjen e lugëve

Të një shekulli të uritur

Dhe shkon,

Duke buzëqeshur pa zë

Por asgjëkundi në qiell

Gjumi s’e zë…

 

Dielli çohet,

E bën inventarin e ëndërrave të vdekura,

Agimi sjell ilaçet e reja,

Për shpresat e mbetura.

 

Kalon andej e hutuar dashuria

E qan për ëndërrat e tretura.

 

Jeta fsheh lotët e u thotë

“Natën e mirë!”

 

Ata i buzëqeshin

Dhe në krahë të shpresave

Qeshin deri në të gdhirë…

NOKTURN

 

Dritat janë shuar dhe qiejt gjëmojnë,

Rrufetë e çmendura thyejnë barrikadat e dimrit,

Nëpër dhomat e ftohta qindra dashuri rënkojnë

Gjysma prej lumturisë, gjysma prej dëshpërimit.

 

Hëna kërkon një yll të dashurohet me të

Dhe nuk gjen dot asnjë.

 

Hëna ndez kandilin e nëpër terr vrapon

Kandili nuk i bën dot dritë dëshpërimit

Nëpër dhomat e ftohta lumturia rënkon,

Ikin nëpër terr rënkimet e gëzimit.

 

Hëna kërkon një yll të dashurohet me të

Agimi vjen dhe duke qarë e zë…

 

Tiranë, 2004

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *