BURIMI I DRITËS

BURIMI I DRITËS

 
Tregim nga Vjollca Pasku
Atë mëngjes korriku, degët e rrezeve të kristalta nga dera paksa e hapur e ballkonit loznin dhe qeshnin në fytyrën e Jonës. Qepallat e saj hapeshin ngadalë për të lundruar në ajrin e kapsulës së bardhë të ditës… Shtrirë në krevat, mes çarçafëve të kaltër, ajo dukej si një dritë koralesh e dalë në sipërfaqen e oqeanit dhe ishte e ëmbëlsuar nga nata e djeshme . Jona kishte mbaruar për mësuesi dhe dje kishte dhënë provimin e diplomës, të cilin e kishte marrë me rezultate të mira. Pranë qëndronte dashuria e saj, i hijshëm me flokë kaçurrela pak të gjata të shpërndara andej- këtej, i zhdërvjellët, që përtonte të ngrihej nga krevati, si i lodhur pas një noti në oqean… Ai e përkëdheli me frymë duke rrëshqitur ajrin, në ballin e saj të sedeftë, në hundën e vogël të kthyer pak me majë, në buzët e kuqe, ku fshiheshin konturet e një lule bajameje e në gjithë trupin e saj, si perëndesha Afërditë. Ajo e vështronte duke i thënë:
– Të lutem i dashur, ndjeje frymën time!… Se ajo është si re zogjsh, ku ajri luan melodinë e dashurisë. Ti më shikon me sytë e tu të smeraldë. Një hije i përshkon ata sy dhe nuk i lë të ndriçojnë. Përse vallë, zemra ime?… Dashuria nuk është një varg apo një poezi e shkruar, janë tingujt e zemrës. Unë rri zgjuar dhe përgjojë gjumin tënd. Por edhe fryma jote është e mjegullt. Ah, sikur ta shihja shpirtin tënd si me një fener makine, që ndriçon për një çast hijen e një peme…
Me gjithë dyshimin që vërtitej, ajo ishte e lumtur, ndërsa ai shijonte kënaqësinë e çastit. Ai filloi ta puthte pa fund dhe i tha:
-Ti Jona, nuk i numëron dot puthjet e mia. Ato janë si kokrrat e grurit në hambar.
-Do ti numëroj, t’i shtoj me frymë magjike dhe do t’i shpërndaja me krahë engjëlli, si farë, që të mbinte anembanë dashuria…- ia ktheu ajo.
-E bukur kjo, por ti moj vajzë e imagjinon dashurinë të përjetshme, gjë që nuk ekziston. Gjërat e bukura zgjasin pak, ndaj janë edhe të bukura, ndryshe monotonia do ta vriste dashurinë, martesa do ishte plogështi dhe plakja rehati e vdekjes- shprehu ai filozofimin e tij pas pak
-Çdo të thuash? -u hodh Jona sikur e pickoi gjarpri.
-Dua të them se unë, nuk kam marrë asnjëherë ndonjë lidhje seriozisht. Ja, të dy kaluam mirë deri tani dhe kaq… Jona u ngrit e nervozuar dhe i tha:
-Të dashurova me shpirt e me zemër… Jam 24 vjeçe dhe ti e di që ishe i pari për mua, Mendoja se ishe dashuria e vërtetë, dhe jo një aventurë e Don Zhuanit. Ai qeshi me një fare ironie te ravijëzuar nën hunde
. -Juve vajzat i hiperbolizoni gjërat, e më pas i dramatizoni… Po unë s’jam tip që lidhem. Nuk ka lindur akoma ajo vajzë të më lidhë me martesë…
-Nuk të kërkova diçka të tillë. Por më vjen keq që kimia ime gaboi duke më tërhequr tek ty. Martesa nuk është detyrim. Është finalizim i ndjenjës, – iu përgjigj Jona disi e vrarë shpirtërisht.
-Nëse dëshiron të ikësh, lamtumirë!… Nëse dëshiron të më telefonosh të mirëpresë.
-Hajde në djall me gjithë mirëpritjen tënde… –ia priti ai me ton të rëndë dhe i ktheu shpinën. Jona e zhgënjyer iku nga shtëpia e Ardit dhe lotët i rridhnin faqeve… Sa e lumtur kishte qenë dje dhe sa e hidhëruar ndihej në këtë çast mëngjesi. Mjafton një përplasje, e ngrihet një dallgë e madhe dhe trazon gjithë ngjyrën e detit. Ose më saktë algat e errëta të mendimeve dolën prej buzëve të Ardit duke u bërë brenga e saj… Ngashërimi i gëlonte përbrenda shpirtit dhe shpërthente mbyturazi, nën syzet e errëta që mbronin sytë e saj nga vështrimet kureshtare të kalimtarëve. Të gjitha ëndrrat e bukura, që kishte thurur, u bënë mjegull. Ndihej e zemëruar e vrarë. Rrugën për në shtëpi e bëri në këmbë duke mos ndier se lëvizte shpejt si era. Dashuria është edhe parajsë edhe ferr, mendoi. Tani përjetonte vuajtjet e ferrit. Shoqet i kishin thënë se ai ishte “një Don Zhuan”, por nuk i kishte besuar. Nuk e besonte që fundi i dashurisë, ishte kaq i shkurtër dhe kaq i thjeshtë… Kaluan ditë, dhe Jona po përpiqej të mblidhte energjitë e veta. Nuk donte të bëhej pishman për dashurinë. Një njohje prej një viti dhe tani i erdhi fundi. “Dëgjova zemrën time dhe pikë”, ngushëllonte veten. Ajo ndjenjë ishte një regëtimë e artë. Ishte si shpërthimi i një gonxhje të ëmbël, brenda shpirtit dhe farëzat e saj çelën trëndafila në mollëzat e faqeve, dhe sytë morën vështrim brilant. A mund të krahasohet kjo pasuri e shpirtit me gjithë thesaret e botës ?!… Shpirti i dritësuar rri kurdoherë pranë dashurisë. Kur ai e puthi për herë të parë, iu duk sikur qielli zbriti në këmbët e saj. Zëri i tij kishte gjithë dridhërimën e rritjes së një zambaku dhe përkëdhelja, ishte më e butë se petalja. A mund të kontrollohet një ndjenjë e tillë që ndodh për të parën herë?!… Nuk ishte bërë pishman. Por tani kishte dy muaj pa i ardhur cikli mujor. Ishte gjysmë e përgatitur nëse do të ishte shtatzënë… Kur testi e verifikoi, mendoi se ky fëmijë ishte fryti i dashurisë së saj. Do ta mbante dhe do ta rriste vetëm. Për të filluar punë e ndihmoi një kushërirë e babait të saj, që kishte një pozitë drejtuese. Të paktën fati këtu i tregua bujar me të. Larg vendlindjes së saj, do e kishte shumë të lehtë të rriste një fëmijë pa vënë kurorë. Nga Ardi nuk priste asgjë. I telefonoi për një takim. Ai i gëzuar, që ajo ndoshta kishte menduar se mund të vijonte një dashuri të lirë pranoi menjëherë. Shkuan në kafenë e tyre të preferuar. Ai vuri re ndryshime tek Jona, faqet i kishte më të mbushura dhe dukej më rrumbullake se zakonisht nga trupi. Mendja i shkoi vetëtimë…mos ishte … Por kur dëgjoi që ajo ishte vërtetë shtatzënë, hapi portofolin dhe i zgjati 1000 euro.
-Po këto, përse?!- i tha ajo e habitur.
-Për abortin, nuk besoj se ke ndërmend ta mbash?…
-Natyrisht që do ta mbaj dhe nuk të pyes ty. Të vura thjesht në dijeni, mendova se duhet ta dije…
– Sa do atëherë 2000 apo 5000 merri dhe bëj abortin. Rregullo disi jetën tënde!…
-Vallë kaq vlen jeta e fëmijës tënd ?
– Jo, ti nuk ke aq para sa ta paguash, – i tha ajo me zemërim dhe ia hodhi në fytyrë shukun e parave..
– Nuk do ia dalësh kurrë, Jona!… Rroga jote është sa lëmosha që unë iu lë lypsarëve të rrugës. -thirri ai i nervozuar. I hipi me vrull makinës dhe shkoi të zbrazte një gotë në kafene. Ajo ndjeu një trazirë në fundin e barkut dhe mendoi, “Rri e qetë zemër, mami jot të do shumë!”… Brenda saj po merrte formë një jetë që do shëmbëllente atë, që kishte dashur mbi çdo gjë në këtë botë. Ajo ndiente thellë në qenien e saj se e donte akoma. Megjithëse ai i shikonte femrat vetëm si një kënaqësi e çastit, si kukulla me kurdisje, që kur mbaronte melodia dhe i mërzitej pamja e ndërronte me një tjetër. Ëndrrat e netëve të saj kishin pësuar një zhgënjim,…. por tani ato morën ngjyrën e një fëmije. Ardi vazhdoi jetën e tij të lirë, tregtia i ecte dhe femrat vinin vetë se e kishte qesen plotë… Jona filloi punë si mësuese dhe ndërkohë përgatitej për ardhjen në jetë të fëmijës. Kur Prindërit e saj e mësuan shtatzëninë e vajzës, erdhën menjëherë në Tiranë dhe nuk e përmbajtën dot zemërimin e tyre. Jona e qetë u tha se ky ishte vendimi i saj. Ata e kuptuan se çdo lloj arsyetimi martese apo aborti ishte i kotë. Kështu kaluan gjashtë muaj. Në një ditë të ftohtë janari, kur qielli në Tiranë shkundte puplat e bardha të dëborës, Jona lindi një vajzë topolake. Por dukej sikur diçka nuk shkonte me beben e vogël. Ajo qante gjatë gjithë kohës. Doktorët po i bënin të gjitha analizat e mundshme dhe deri tani s’kishin gjetur asgjë… Atë ditë Ardi me miqtë e tij kishin vendosur të shkonin në Dajt. Dëbora e Tiranës nuk mbajti shumë dhe donin ta vazhdonin akoma festën e bardhë.. Kur po ngjiteshin së bashku me një shokë tjetër në “kurrizin e Devesë” si e quajnë ndryshe vendasit, në kthesën e dytë makina rrëshqiti, kërceu në ajër, devijoi nga rruga dhe duke rëne përmbys, e mbajtën tri pemë, për fat të mirë, që të mos binte në humbëtirë.. Shokët e tij me dy makina përpara ndaluan menjëherë për t’u dhënë ndihmën e parë. E kthyen makinën mbarë, sepse dera nuk hapej dhe morën rrugën drejtë spitalit… Shoku i tij rënkonte nga brinjët e thyera, ndërsa Ardi nuk jepte asnjë shenjë jete, këmbët e tij ishin shembur dhe ishte mbytur në gjak… Ardit për momentin iu duk vetja si një re sferike e dalë jashtë trupit të tij… Diçka magnetike e tërhiqte drejt një tuneli të errët, si një rrufe rrethore dhe në fundit të tij, e priste një dritë e fuqishme, si një diell i blatuar me dashuri. Një pyetje ndiente brenda vetvetes ato çaste: “Je i kënaqur me jetën që ke bërë?”. Ai ndjeu një boshllëk, ashtu si jeta e tij boshe, pa asnjë qëllim… Një ekran peizazhesh e përshkoi me ngjyrat më të gjalla, gjithë jetën e tij, që nga fëmijëria, makina e zjarrfikësit lodra më e dashur, kur ia theu motra e tij dhe ndjeu dhimbje. Shkolla e tij, të gjitha çapkënllëqet. Të dashurat që i kishte ndërruar me radhë. Dhe tani Jona… Biseda e fundit, kur Jona ishte shtatzënë. Foshnja e tij ndiente të gjitha fjalët e tyre. Ndjeu shqetësimin e saj duke lëvizur me shpejtësi. Ai pa zemrën e saj që i rrihte prej ankthit, si një i dënuar kur pret vendimin. Ai pa lindjen e saj dhe qarjet që nuk i pushonte. Oh, njëra këmbë e saj ishte më e madhe. Fëmija ishte çalaman. U ndje keq, i vogël , një atom në këtë botë drite. Ç’farë kishte bërë në jetë…Vetëm qejf dhe kishte lënduar pa menduar…. Filloi të dëgjoj zëra…U kthye, erdhi… Ai hapi sytë .Drita hynte nga dritarja e spitalit. Doktorët veshur me të bardha i dukeshin engjëj.
“Ia hodhe! – i tha një nga shokët e tij.”. Nga makina e nxorën pa ndjenja. Kur erdhi në spital, prej hemorragjisë, pësoi një vdekje klinike për pesë min. Doktorët e kishin risjellë përsëri në jetë me elektroshok në zemër. Nëna dhe babai i tij u përlotën të gëzuar. Një gëzim pushtoi gjithë qenien e tij. Jetonte… Pra, mund të niste një jetë nga e para. Por përnjëherësh ndërroi fytyrën, si retë e qiellit
-Po Maksi? – pyeti-për shokun që kishte në makinë
. – Mirë është, – i tha nëna e tij.
-Po ti s’i ndihesh?
-Kam dhimbje, por do kalojnë, – tha Ardi. Kur u larguan shokët e tij, ai i tregoi nënës së tij gjithçka në lidhje me Jonën, përjetimin e tij dhe fëmijën. Ai u lut ta lajmëronte Jonën të vinte… Jona nuk deshi të ndahej nga foshnja e vogël. Por nëna e tij shpirtmirë, i dha fjalën se do të kujdesej për mbesën e saj. Ajo është mjalti i mjaltit, princesha e ëndërruar që kishte vazhdimësinë e gjakut të saj. Ajo bisedoi me doktorët të cilët i thanë se këmba e vajzës do rregullohej, do i vinin një jastëk në këmbë, e duke u rritur problemi do të eleminohej. Jona u qetësua, u ngrit ngadalë dhe shkoi tek Ardi. Ajo shikoi një njeri krejtësisht të ndryshuar. Sytë e tij lëshonin një energji plotë dritë, gjë që nuk e kishte pikasur kurrë më parë gjatë njohjes së tyre. Si ka mundësi që njeriu të shndërrohet krejtësisht?- mendoi ajo
-Të lutem, Jona, më fal, një fjalë nuk justifikon gjithë periudhën e vështirë që ke kaluar, për shkakun tim!… Jam zgjuar njëherë e mire nga letargjia boshe e jetës së kaluar. Dua të nisim një jetë të re, unë , ti , dhe vajza jonë… Jona s’po u besonte veshëve. Shpirtin e saj e zaptoi hareja dhe gëzimi. Tani ajo ishte në qiellin e parajsës tokësore.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *