Shkon në përjetësi mbreti i teatrit kosovar Hadi Shehu Jetoi për publikun dhe atij ia kushtoi jetën

Nga MIGENA ARLLATI

“Besoj se kam pasur shumë kulme në karrierën time por erërat e shumta i kanë rrëzuar shpesh ato kulme. Tani mendoj se ky sonte është fillim i ndërtimit të një kulmi të ri. Marrë parasysh shëndetin tim them se është fillimi i mbarimit tim… jo mbarimi i karrierës sime, por fillimi i mbarimit të karrierës sime”, do të deklaronte Shehu në dt. 1 korrik 2009 pas aktrimit gjenial në monodramën “Marrëzia apo komedia njerëzore”
Nga dyert e teatrit, aktori i shumënjohur i skenës shqiptare Hadi Shehu u largua në vitin 2015 kur përmbylli karrierën e tij me rolin e fundit në dramën “Pjata prej druri”, ndërsa të dielën e datës 12 mars Gjakova hapi dyert për të pritur ngushëllime prej mijëra vetëve, që vinin nga anë e kënd Kosovës e Shqipërisë për t’i dhënë lamtumirën e fundit 68 vjeçarit Hadi Shehu.
“Skena – jeta ime”, do të deklaronte Shehu kur u ringjit në skenë edhe pas problemeve të shumta shëndetësore por edhe peripecive që përjetonte teatri në ditët e vështira. Nuk e emociononte asgjë më shumë se prania e dashamirësve në ulëset e teatrit a të kinemasë. Ai mendonte se vetëm arti ka atë fuqi të veçantë magjike që nëpërmjet katarsisit të arrijë pastrimin e shpirtit të njerëzve dhe ngritjen e tyre intelektualisht, artistikisht.
“Më duket nganjëherë se aq shpejt kanë kaluar këto 50 vite në skenë, sa nuk mund ta imagjinoj këtë kohë të kaluar me kaq nguti. Gjatë këtyre viteve që ia kushtova jetën time skenës dhe filmit kosovar, kalova nëpër sprova nga më të ndryshmet. Unë jam i bindur se historia përsëritet, se të mirat e kaluara do të rikthehen dhe do të ngritet vlerat të cilat duhet t’i ofrojë kultura, teatri, filmi rinisë sonë dhe të ardhmes së vendit. Kjo mbetet moto e artit dhe moto e imja, që çdo gjë të bëjmë që kultura jonë të ecë përpara në mënyrë që të ushqehet ai shpirti i copëtuar i popullit tonë në shekuj”. Kështu do të thoshte Hadi Shehu në një nga intervistat e tij në vitet e fundit të jetës, intervistë dhënë autores së këtij shkrimi.
Aktori i njohur kosovar, Hadi Shehu të dielën që shkoi i dha frymën e fundit familjes, qytetit të tij Gjakovës dhe artit panshqiptar. Në teatrin e Gjakovës, ai aktroi fillimisht si amator, kur ishte në moshë të re si nxënës. Ishte themelues i Teatrit Profesionist në Gjakovë dhe Drejtor i këtij teatri deri në vitin 2007.
Në skenën e Teatrit të Gjakovës ka realizuar me qindra role të paharruara dhe të mahnitshme në drama të ndryshme, duke gdhendur fuqishëm figurat historike të Sulejman Vokshit, Bajram Currit, Betim Kosovës e shumë të tjerë, personazhe që erdhën fuqishëm në dramat: “Fisheku në pajë”, “Njeriu me top”, “Epoka para Gjyqit”, “Monserati”, “Kur shpirti ndërron jetë” etj., etj., dhe po ashtu ka luajtur rolet kryesore në dhjetëra filma artistikë.
Hadi Shehu, edhe pse për disa kohë me rradhë u përball me vështirësi shëndetësore, iu rikthye sërish skenës së teatrit dhe të filmit, për të cilën thoshte se do t’i mbetej besnik deri në ditët e fundit të jetës. Ndonëse i lodhur ende nga sëmundja që kish kaluar, edhe pas disa operimeve në sy dhe veshkë, ish ngjitur disa herë të tjera në skenë, duke konfirmuar kështu për të disatën herë se atë, skenën, e kishte vend të shenjtë. “Nëse tani do të isha në fillim të jetës sime dhe sikur të më pyesnin se me se do të merresha, unë prapë do të merresha me aktrim, sepse aktrimi dhe skena janë shpirti e jeta ime”, do të shprehej me rastin e një filmi dokumentar dhe ekspozite me foto nga rolet e shumtë, të përgatitur në kuadër të 40 – vjetorit të jetës së tij skenike.
Teatri nën udhëheqjen e tij, gjithmonë i dha rëndësi dramës shqipe. Edhe në kohërat kur s’kanë guxuar për shkak të rrethanave politike, Teatri i Gjakovës ka luajtur pjesë të autorëve shqiptarë, dhe Shehu e vinte në dukje me krenari këtë fakt. Ai kishte besim të padiskutueshëm tek emrat e mëdhenj të artit shqiptar. “Aq më tepër në kohën e pasluftës, kur jetojmë në kohëra demokratike dhe kur nuk censurohen pjesët e zgjedhura për t’u vënë në skenë, do të ishte turp që të anashkalojmë një autor si Kadareja. E kam për obligim që edhe me një këmbë, edhe gjunjazi, të luaj rolin e Zeusit. Do të bëj të pamundurën të kthehem në skenë, edhe pse s’kam fituar kondicionin e duhur”, deklaronte ai para vënies në skenë të “Stinë e mërzitshme në Olimp”, duke qenë i bindur në suksesin e dramatizimit të veprës së Ismail Kadaresë e regjisorit Gëzim Kame me të cilin bashkëpunoi për këtë vepër.
Pas disa dekadave e kilometrave të kaluar në dërrasat e skenës teatrore dhe kamerave e xhiruese filmikë, Hadi Shehu disa herë e mundi vdekjen, duke u rikthyer sërish në skenë, edhe pse jo krejtësisht i shëruar. Mundja e vdekjes nga ai mund të quhej një reprizë e shumë mundjeve të vdekjeve që ai ka pasur nëpër filmat dhe shfaqjet të cilave iu ka bërë nder me vetë prezencën e tij. Në secilën vepër të luajtur, ai lulëzonte në mënyrë të papërsëritshme, që është karakteristikë e të gjithë aktorëve të mëdhenj. Ndaj emri dhe kontributi i tij do të mbesin gjithmonë mbuluar nga nderi dhe krenaria për gjithçka që dha për vendin dhe popullin e tij. Ai gjithmonë do të mburrej në modestinë e tij tipike duke thënë një të vërtetë të madhe se arti iu dedikohet njerëzve dhe pa diskutim mban vulën e kohës të cilën e përjeton. Me këto fjalë të thëna me aq vërtetësi, ai u largua nga jeta dhe skena në një moment të caktuar, por jo nga mbamendja e njerëzve, e publikut, i cili me të drejtë e nderon si mbretin e virtytshëm të skenës kosovare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *