Tema :OVIDI, AUTORI TIPIK I KRIJIMIT TË METAMORFOZAVE KLASIKE

PASQYRA E LËNDËS

1.Ç’kuptojmë me Metamorfozë

2.Si funksiojnë Metamorfozat në letërsi

3.Ovidi, autori tipik i Metamorfozave klasike

3.1.’’Dafneja shndërrohet në dafinë’’

3.2.’’Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë’’

a.Metamorfoza e Iosë

b.Metamorfoza e nimfës Siringa (rrëfim brenda rrëfimit të Metamorfozës për Metamorfozë)

c.Metamorfoza e Argut Arestoridit

d.Metamorfoza e emrave të personazheve

e.Metamorfoza e gjuhës

4.Përfundime

5.Bibliografia

 

 

 

1.Ç’KUPTOJMË ME METAMORFOZË  

 

Metamorfozë në greqisht është folje dhe ka dy kuptime:

1.ndryshim i plotë i natyrës ose i formës (sinonim: transifigurë, transmogrif)

2.ndryshim në strukturë (e hapur) ose në pamje (sinonim: transformë, transmutacion)[1]

Metamorfoza përfaqëson një nocion që përmban dy kuptime: Meta (ndryshim) dhe morphose (formë). Sipas konceptit latin çdo Metamorfozë është ndryshim dhe transformim, por jo çdo ndryshim dhe transformim përbën Metamorfozë. Metamorfoza përfaqëson nryshimin e plotë fizik të karakterit, pamjes apo gjendjes më një varg figurash narrative gjatë shndërrimit të tyre por, njëherazi dhe të trajtës humane të personazheve (herë  gradual dhe herë i menjëhershëm) në formë krejtësisht të re, si akti i fundit që e dëshmon këtë ndryshim[2].

Forma është një imazh, një figurë, një model i strukturuar elementesh organizues që hyjnë në kombinime dhe lidhje specifike si shndërrim fizik i dyfishtë (i pamjes dhe kuptimit) që funksionon si figurë poetike (siç janë tropet) dhe si trajtë fizike e natyrës humane të personazhit që rrjedh nga transformimi i brendshëm i karakterit human të gjinisë njerëzore[3].

 

2.SI FUNKSIONOJNË METAMORFOZAT NË LETËRSI

 

Metamorfozat funksionojnë në letërsi si një lidhje e dyfishtë e:

a.figurave narrative siç janë ‘tropet’ dhe

b.ndryshim i natyrës humane të personazheve dhe mbartja e saj në formë krejtësisht të re, si në kafshë, gur, bimë[4].

Pra, e gjithë kjo Metamorfozë apo ndryshim bëhet e mundur së pari me anë të gjuhës e cila ndryshon vetveten dhe bëhet e aftë për të shprehur mendime të thella dhe të ndërtojë një  ligjërim ku shkalla e abstragimit arrin në format më të larta.

 

3.OVIDI, AUTORI TIPIK I METAMORFOZAVE KLASIKE

 

Metamorfozat tek autorët modernë lindin në një situatë absurde ku ‘’narracioni është shumë pranë modelit të ‘realizmit’, por i fshehur nëpërmjet një forme ‘fantastike’ ku elementi magjik degradon dhe rrëfimi ngrihet më përtej se bota si fikcion.’’[5]

Krejt e kundërta ndodh tek autorët klasikë, këtu Metamorfoza ‘’paraqet ndryshimin e figurave narrative dhe shndërrimin e personazheve në trajta të tjera, vetëm në një realitet përrallor, ku mbizotërues është pushteti i magjisë tek Metamorfozat … në këtë rast kemi të bëjmë me një Metamorfozë të jashtëzakonshme, por fiktive.’’[6]

Ky tip Metamorfozash është i pranishëm tek Ovidi. Në pjesët që kemi marrë për analizë dalin në pah të gjitha karakteristikat e përmendura më sipër për Metamorfozat klasike.

Në vijim do të interpretojmë dhe paraqesim me shembuj të gjithë lëndën e analizuar.

 

3.1.’’DAFNEJA SHNDËRROHET NË DAFINË’’

Për krijimin e kësaj poeme, Ovidi ka shfrytëzuar mitin e Apolonit, hyut të ri, i fortë e krenar për mundjen e Pitonit, në bisedën që zhvillon me Erosin pas mundjes së gjarprit, i kërkon që t’ia lërë atij shigjetat dhe harkun e rëndë pasi ai s’është veçse një fëmijë. Erosi krenar hakmerret duke ndezur në zemrën e Apolonit dashurinë për Dafnen, e cila nga ana e saj është krejt e ftohtë dhe pa përgjigje ndaj Apolonit[7].

Gjatë analizës do të shohim se tek Ovidi, miti klasik nuk pëson ndryshim rrënjësor, por mbishtresohet dhe i mbivishet nga ana e autorit gjuha ekuivoke e cila i mundëson nga ana e saj shprehjen e mendimeve të reja dhe shtresëzimin e mitit fillestar me idetë e autorit mbi botën: ‘’të unitetit e lidhjes së gjithçkaje ekziston në botë, sende e qenie të gjalla’’[8], ‘’mendimin se çdo gjë është në lëvizje, në transformim’’[9].

Shkaku fillestar që do të bëjë të mundur Metamorfozat e mëvonshme të personazheve është padyshim krenaria e Apolonit:

Ç’punë ke me armë të forta, o djalë i fjetur

Për shpatullat e mia është kjo barrë:

veç unë i qëlloj me siguri

dhe bishën dhe armikun, ………………….[10]

                                                     ( Dafneja shndërrohet në dafinë, f.155)

Në vijim Metamorfoza përfshin të dy personazhet: Apolonin, i cili nën ndikimin e shigjetës së Erosit (faktorë i jashtëm) digjet nga dashuria për Nimfën, e cila po ashtu nën ndikimin e shigjetës së Erosit, i largohet dashurisë së hyut të ri:

dhe prej kukurës shigjetare nxori

dy bera me kalitje krejt të ndryshme;

njeri sjell dashuri, ndërsa ai tjetri

e shuan fare; …………………….

……………………………………

………………….. kur ja, në çast

njerin e zë meraku, kurse tjetri

nuk do t’ia dijë as emrin dashurisë,

( Dafneja shndërrohet në dafinë, f.156-157)

Pra nën ndikimin e faktorëve të jashtëm dhe sigurisht nën sfondin klasik të situatës përrallore, (ndjekja e Dafnes prej hyut te ri nëpër pyll, lutja e Nimfës të atit për shndërrim me qëllim ruajtjen e pastërtisë së saj) personazhet përfshihen nga transformimi dhe konkretisht: Apoloni pëson Metamorfozë të brendshme (lindja e dashurisë për Nimfën, si një ndjenjë e brendshme, që më parë as nuk e mendonte) dhe Dafneja pëson Metamorfozë të jashtme fizike –shndërrimi në dafinë:

Sapo tha lutjen, një të mpirë i rëndë

u bie gjymtyrëve të saj dhe gjitë e njoma

venë një cipë të hollë, flokët kthehen

në fletë, krahët në degë dhe ajo këmbë,

e shpejtë gjer atë çast, i ngulet n’dhe

me rrënjë të ngrathta dhe fytyra e saj

vjen dhe i zgjatohet, n’vashën s’mbetet tjetër

veçse shkëlqimi …………………………..

( Dafneja shndërrohet në dafinë, f.161)

Ideja se gjithçka është në lëvizje dhe transformohet nuk do të thotë vdekje por, përkundrazi zbulimi i një gjendjeje të re apo kalimin në një stad tjetër, jepet qartë nga Ovidi në këtë poemë. Dafneja shndërrohet në dafinë, duke humbur kështu pamjen e saj njerëzore, por jo bukurinë që vazhdon ta shoqërojë dhe që bëhet shkak që ajo të fitojë një status të ri dhe të bëhet simbol nderi për të kurorëzuar ballin e Apolonit:

Aherë thotë Hyu: ‘’Mbasi s’mund të bëhesh

gruaja ime, bëhu druri im’,

ti, o dafinë, gjithmonë do t’jesh kurora

e flokëve, e qestes dhe e kukurës sime,

Dhe, ashtu si koka ime prej djaloshi

është plot me flokë, dhe  ti për jetë të jetës

gëzofsh lavdinë e fletëve të tua.’’

( Dafneja shndërrohet në dafinë, f.162)

Metamorfoza këtu nuk çon në degradim, përkundrazi ajo i mundëson Dafnes një pozicion nderi dhe lavdie njëherazi ruajtjen e pastërtisë ashtu siç ajo kishte dëshiruar  më parë. Kemi një përputhje apo unitet mes asaj që duket dhe dëshirës së brendshme për të ruajtur virgjërinë e përhershme:

………………………. ‘’Babë i dashur

lejomë ta ruaj përherë virgjërinë time

( Dafneja shndërrohet në dafinë, f.157)

dëshirë e cila nuk mund të mbetej e paprekur:

Ai e pranoi. Mirëpo kjo farë hijeshie

s’të lë të jesh ashtu si dëshiron

dhe bukuria jote nuk pajtohet

me kushtin tënd. ……………………

( Dafneja shndërrohet në dafinë, f.157-158)

Kalvino thotë se dukja e saj fizike ‘’është e parapërgatitur, me linjat e lakmueshme të arratisë së saj, në metamorfozë bimore’’[11].

Mund të themi se Metamorfoza fillestare që tregon lindjen e dashurisë së Apolonit dhe shndërrimin e Dafnes, është thjesht një mbulesë poshtë së cilës Ovidi end mitin e tij letrar me tharmin, esencën apo ngjyrat e mitit klasik  dhe shfaq idetë e tij filozofike përmbi botën.

Të gjitha këto ide përçohen në vepër me anë të gjuhës, e cila bën material mendimin dhe e ndryshon atë duke ndryshuar edhe vetë. Kemi të bëjmë me një gjuhë simbolike, të shtresëzuar, ekuivoke larg kuptimit denotativ e aftë të shprehë mendime dhe ide të larta duke metamorfozuar kështu veten.

Për të treguar fuqinë e dashurisë së hyut të ri, Ovidi përdor një seri fjalësh të goditura me një fuqi shprehëse që të krijon përshtypjen sikur zjarri i zemrës së Apolonit gati po del jashtë tij:

……………………… Dhe ashtu si ndizen

kallamat e lehtë të kallinjve porsa të korrur,

siç marrin zjarr gardhiqet prej pishe

që udhëtari e hedh aty bri tyre,

kur zë të zbardhë drita, ashtu dhe Hyu

ndizet krejt flakë, ashtu i digjet zemra

( Dafneja shndërrohet në dafinë, f.158)

Fjalë pas fjale gjuha e mendimeve fiton një veshje të re, një kuptim të ri duke u shtresëzuar dhe metamorfozuar edhe vetë brenda saj.

 

3.2.’’IOJA KTHEHET NË MËSHQERRË DHE PËRSËRI BËHET NIMFË’’

Në sfondin e një bote  ku hyjnorja është mjaft e vështirë të ndahet nga tokësorja, ku dashuria e zotave thyen çdo lloj kufiri dhe nën peshën e një imagjinate  tej së zakonshmes, Ovidi na paraqet një poemë ku gjejmë një shumësi Metamorfozash: Metamorfozën e Iosë, Metamorfozën e nimfës së tregimit të Hermesit, si një Metamorfozë brenda tregimit të Metamorfozës së Ovidit, Metamorfoza e Argut, Metamorfoza e emrave të personazheve si dhe Metamorfoza e gjuhës.

a.Metamorfoza e Iosë

Ioja një nimfë e bukur kthehet në mëshqerrë. Si shkak fillestar i këtij ndryshimi shërben bukuria e saj fizike që magjeps Jovin, të parin e hyjnive:

………….. Atë e kish parë Jovi

tek kthehej drejt nga lumi atëror

dhe i kish thënë: ‘’Moj vashë e denjë për Jovin,

që u linde për t’i dhënë lumturi

nuk e di se kujt me shtratin tënd, oh, eja,

eja te hija e pyjeve të larta.

( Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.165)

Përveç bukurisë fizike të Nimfës një shtysë tjetër që çon drejt Metamorfozës është edhe një faktor tjetër i jashtëm, xhelozia e Herës. Frika  e zbulimit nga ana e saj e shtyn Zeusin ta kthejë Nimfën në mëshqerrë:

Ardhjen e gruas ia kish ndjerë zemra Jovit

dhe vajzën e Inakut e kish kthyer

në një mëshqerrë t’shkëlqyeshme ……..

( Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.165)

 

Situata e shndërrimit paraqitet si një situatë e jashtëzakonshme, tipike për Metamorfozë klasike, me një sfond ku janë të pranishëm elementet magjike. Nën këtë sfond magjik paraqitet edhe çasti kur Jovi i afrohet Nimfës:

………… Por ajo ikte dhe tashmë

kish lënë pas kullotat që ka Lerna

dhe fushat e Lirceut plot me prozhme,

kur Hyu i veshi tokës një re t’madhe,

e ndali vashën dhe ia hoqi turpin.

( Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.166)

Po ashtu edhe shpjegimi që Zeusi i jep së shoqes për prejardhjen e Nimfës është tërësisht në përputhje me psikologjinë klasike:

Dhe Jovi, me qëllim që gruaja e tij

të mos hetonte më, gënjeu dhe i tha

se e kishte lindur toka, …………….

( Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.166)

Përmbledhtazi  themi se kemi  një Metamorfozë e cila ndikohet nga faktorë fillimisht të brendshëm (dashuria e Jovit) dhe bëhet e mundur prej faktorëve të jashtëm (xhelozia e Herës). Nën ndikimin e këtyre faktorëve Ioja pëson Metamorfozë fizike duke u shndërruar në kafshë dhe jo në çdo lloj kafshe, por në mëshqerrë.

Ioja ishte nimfë dhe në shpjegimin që gjejmë në fjalor për nimfat thuhet, se ato ishin qenie tepër të bukura që popullonin ujërat, malet, luginat, bimët[12].

Pra duke qenë një qenie fizike pjesë e kësaj bote, paracaktuar që në lindje, Ioja kthehet sërish po te kjo botë, por tashmë në formën e saj të ndryshuar. Këtë pamje të re , Ovidi e tregon duke e shoqëruar dhe me një lloj tmerri nga ana e Iosë, duke na dhënë hap pas hapi me anë të fjalëve jo vetëm Metamorfozën fizike por edhe përjetimin së brendëshmi të Nimfës:

…………… Edhe sikur të donte

t’i lutej Argut dhe t’i shtrinte krahët

e vet drejt tij, ku kishte krahë ajo?

dhe aherë kur mjaft i dha vetvetes

të qahej, veç pëllitje nxori goje;

u tremb jashtëzakonisht prej asaj britme,

prej atij zëri t’vet fort u tmerrua.

Mëshqerra arriti der tek ato brigje

ku shpesh lodronte, n’brigjet e Inakut,

dhe n’ujë pa brirët e vet të rinj;

 

prap u tmerrua e iku larg vetvetes.

( Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.167)

E gjithë kjo na jep të kuptojmë se kemi të bëjmë vetëm me një Metamorfozë të gjendjes fizike, pasi së brendshmi ajo vazhdonte të ndjehej si përpara Metamorfozës. Këtë na e vërteton edhe fakti se Ioja edhe pse mëshqerrë arrin të komunikojë me të atin dhe t’i tregojë Metamorfozën e saj (pra ana psikologjike nuk ka pësuar ndryshim nën ndikimin e Metamorfozës):

Të kish fjalë, dhe ndihmë do kërkonte,

do thoshte emrin dhe do të rrëfente

të keqen që e kish gjetur. N’vend të fjalëve

një shkronjë, që këmba n’pluhur e shënoi,

i dha të zezën shenjë t’metamorfozës.

( Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.168)

Është pikërisht ruajtja e ndërgjegjësimit të brendshëm, se ajo ishte një qenie tjetër e ndryshme nga ajo në të cilën ishte transformuar, që i mundëson Iosë kthimin në trajtën e saj fillestare:

……. Pastaj, duke  vajtuar

me kuje e me pëllitje të përvajshme,

dukej sikur  po i ankohej Jovit

dhe i lutej t’ia largonte ato t’zeza.

Dhe Jovi, duke rrokur gruan e vet,

iu lut t’i jepte fund asaj hakmarrjeje

( Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.173)

Hera – faktori i jashtëm që u bë shkak për Metamorfozën e Nimfës, bëhet shkak për Metamorfozën tjetër të saj, shndërrimin dhe kthimin e Iosë në gjendjen e saj të mëparshme:

…………………. Mu në çastin

që u zbut Junona, asaj i erdhi fytyra

që kish pasur, u bë si kishte qenë,

i ranë qimet nga trupi, brirët ikën,

turiri iu shkurtua, rrethi i syve

mjaft u ngushtua, i dolën përsëri

shpatulla e duar, thundra e ndarë në dysh

shkoi e iu zgjat n’pesë gishta ……….

( Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.173-174)

Në këtë rikthim në gjendjen fillestare vazhdon të mbetet e ndërgjegjshme ana psikologjike, por tashmë Ovidi na e paraqet situatën të përmbysur. Nëse gjatë të qenit mëshqerrë, Ioja ndihej së brendshmi nimfë, në Metamorfozën e dytë ajo është fizikisht nimfë por së brendshmi e shoqëron ndjesia dhe frika e Metamorfozës së parë:

krejt e kënaqur vetëm me dy këmbët,

Nimfa u ngut dhe pati frikë të fliste,

se mos pëlliste si mëshqerrë e aherë

me druajtje u orvat të nxirrte fjalë të prera.

( Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.174)

Mund të themi në këtë rast se Ioja, si rezultat i Metamorfozës së parë fizike në rikthimin e gjendjes fillestare shoqërohet nga Metamorfoza psikologjike.

Në të dyja gjendjet e saj: si nimfë dhe si mëshqerrë mbeten shenja të dukshme që tregojnë qartë ndryshimin e pësuar dhe mbartjen e cilësive të mëshqerrës te nimfa dhe të nimfës te mëshqerra, pra një lloj alternimi. Në Metamorfozën e parë, Ioja vazhdon ta ruaj bukurinë e nimfës, me gjithë ndryshimin bukuria është cilësia e vetme që mbartet dhe e shoqëron në këtë transformim, si shenjë e asaj çka ajo ka qenë dhe si shenjë për të treguar se ishte pikërisht bukuria që do të vazhdontë ti sillte andralla:

………………. e si mëshqerrë

prap ish e bukur; ……………..

( Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.166)

Në Metamorfozën e dytë, bardhësia e mëshqerrës është ajo çka mbetet nga Metamorfoza e parë, të gjitha tiparet marrin trajtën njerëzore:

…………………………. dhe nuk mbeti

 

asgjë nga ajo mëshqerrë veç bardhësisë.

( Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.174)

 

b.Metamorfoza e nimfës Siringa

Ndërfutja e tregimit të Hermesit si mjë rrëfim brenda rrëfimit të Ovidit, duket se është në funksion jo vetëm të zgjatjes së rrëfimit nga ana e autorit por edhe një lloj analogoni me vuajtjet e vetë Iosë, zgjatja e rrëfimit (shkuarja ngadalë drejt zgjidhjes dhe fundit të rrëfimit) parakupton zgjatjen e Metamorfozës te nimfa Io.

Në rrëfimin e Hermesit, Siringa e bukur kthehet në kallam për t’i shpëtuar Panit:

e penguar në ikje nga ato valë,

u ishte lutur motrave ujore

ta transformonin; edhe si Pani,

kur po kujtonte se kish shtënë në dorë

Siringën, n’vend të trupit t’asaj nimfe,

kish rrokur veç kallamat e kënetës.

( Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri behet nimfë, f.171)

Metamorfoza si një gjendje  e re fizike, krijon mundësinë e zbulimeve të reja, të cilat në gjendje normale qëndronin të fshehura. Në Metamorfozën e Nimfës në kallam, Pani zbulon një cilësi të Siringës në gjendjen e saj aktuale, bukurinë artistike, nga kallami dilte një zë i bukur:

duke fryrë era aty nëpër kallama,

kish nxjerrë një zë të hollë si në vajtim:

se si Hyu, mahnitur nga ai art

dhe nga ai zë i ëmbël, kish gërthitur:

‘’Kështu, pra, do të flas gjithnjë me ty.’’

( Ioja kthehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.172)

Tek Ovidi, mbartja e një cilësie dhe veçanërisht e bukurisë në gjendjen e Metamorfozës, jo vetën që është mbizotëruese por edhe përcakëtuese dhe krijon terren për lindjen e Metamorfozave.

 

c.Metamorfoza e Argut Arestoridit

Përbindëshi i tmerrshëm me njëqind sy që kishte për detyrë të ruante Ionë e kthyer në mëshqerrë, vritet nga Hermesi. Argu me njëqind sytë e tij ishte personifikim i yllësisë qiellore duke parakuptuar kështu që brenda atij përbindëshi të egër në dukje gjendej shkëlqimi i bukur i yjeve. Është pikërisht ky fakt që bën të mundur gjendjen e transit apo të bartjes së syve të tij tek palloi i Herës, si për të treguar se asgjë nuk humbet, se gjithçka është në lëvizje dhe përtëritje të vazhdueshme:

Re plumb përdhé ti, o Arg, t’u shua drita

e gjithë atyre bebzave dhe i mbylli

një nat’ e vetme njëqind sytë e tu.

Saturnia vetë i mblodhi dhe i vendosi

ndër pendë të shpendit t’vet dhe i mbushi bishtin

me plot margaritarë porsi yje.

( Ioja ktehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.172-173)

d.Metamorfoza e emrave

Junona – Saturnia

Forinda – Ioja

biri i Jovit – Atlantiadi – Cileni

Jovi – është i vetmi emër që nuk ndryshon.

e.Metamorfoza e gjuhës

Mitet klasike, prej të cilave Ovidi ka marrë edhe esencën për ndërtimin e mitit të tij letrar, ruajn në vetvete, koncentrojnë, një fuqi të madhe mendimi. Duke qenë të tilla ato i krijojnë autorit mundësi shprehëse dhe një përpunim gjuhe në shkallën më të lartë. Gjuha si mjeti shprehës i cili materializon mendimin konotohet dhe shtresëzohet duke u larguar mjaft prej kuptimit të saj denotativ duke kaluar kështu edhe ajo vetë një gjendje Metamorfoze.

Të vërehen fjalët me të cilat Ovidi përshkruan lumin Pene:

……….. Andej Peneu, i dalë

prej rrëzave të Pindit, rrokulliset

me ujra plot me shkumë dhe, si e thyen qafën,

përhap një re, që kthehet n’avuj-fjollë

dhe bie si shi që shkon duke spërkatur

majat e drunjve e me poterë të vet

shurdhon gjer tutje vendin rretheqark.

Aty është banesa, aty selia e tij,

aty janë skuta e atij lumi t’madh.

I ulur në një zgavër, hapur n’shkëmb,

ai komandon gjithë valët edhe Nimfat,

( Ioja ktehet në mëshqerrë dhe përsëri bëhet nimfë, f.163-164)

Në gjithë këto vargje në rast se nuk do ta dinim që Peneu është një lumë në Tesali, përnjimend do të mendonim se po flitej për një njeri, aq të gjalla janë fjalët dhe mendimi. Me anë të personifikimit autoti e shpirtëzon lumin: ai del, rrokolliset, thyen qafën, shurdhon vendin rretheqark, ka banesë, seli, skuta, ulet në zgavër dhe është komandant i valëve dhe Nimfave.

Në domethënien e tyre denotative këto fjalë janë më se të zakonshme por krahas kontekstit ku janë vendosur ato fitojnë fuqi të tillë shprehëse (bëhen konotative, ekuivoke, shumëvalente) duke metamorfozuar kuptimin e tyre që njëherazi do të thotë pasurim ligjërimi, ndërthurje e bukur e frazave. E vendosur në një stad të tillë gjuha mundëson një shkallë të lartë abstragimi dhe fshehje kuptimesh që mundësojnë shumëkuptimësinë.

 

4.PËRFUNDIME

 

Në përfundim mund të themi se Ovidi është një mjeshtër në ndërtimin e Metamorfozave, një mjeshtër në përdorimin e gjuhës. Mitet klasike ai i ktheu në mite letrare dhe i dha vulën e tij autoriale, duke shprehur dhe materializuar në to edhe mendimet e idetë e tij filozofike për botën dhe gjallesat që e popullojnë. Ideja se çdo gjë është në lëvizje dhe ndryshim të vazhdueshëm gjen tek Ovidi mbështetësin e saj më të mirë.

 

5.BIBLIOGRAFIA

 

1.Fjalori i mitologjisë klasike, Tiranë, Medaur.

  1. Kalvino Italo, Përse të lexohen klasikët, Tiranë, Aleph 2012.
  2. Kun A. N., Mite dhe legjenda të Greqisë së lashtë.
  3. Lumi Elvira, Metamorfozat Kadare Kuteli Trebeshina, Tiranë, Scanderbeg books 2006.
  4. Ovidi në Poetë latinë, antologji, Tiranë, Naim Frashëri 1978.

 

[1] Elvira Lumi, Metamorfozat Kadare Kuteli Trebeshina, Tiranë, Scanderbeg books 2006, f. 29.

[2] Po ajo, po aty, f.30.

[3] Po ajo, po aty, f.31.

[4] Po ajo, po aty, f.15.

[5] Elvira Lumi, vep. e cit., f.46.

[6] Po ajo, po aty, f.45.

[7] N. A. Kun, Mite dhe legjenda të Greqisë së lashtë, f.66-70.

[8] Italo Kalvino, Përse të lexohen klasikët, Tiranë, Aleph 2012, f.44.

[9] Elvira Lumi, vep. e cit., f.23.

 

[10] Ovidi në Poetë latinë, antologji, Tiranë, Naim Frashëri 1978, (të gjitha citimet do të merren nga ky botim).

[11] Italo Kalvino, vep. e cit., f.43.

[12] Fjalor i mitologjisë klasike, Tiranë, Medaur, f.131.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *