Princi i Bjeshkëve

Nga Xheni Shehaj

Kohët e fundit më ra në duar një nga tregimet e Kadaresë; është fjala për tregimin “Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Namuna”. Tematika e ngjarjes për kohën kur është shkruar, ishte tabu. Letërsia shqipe jo rrallë herë ka patur tema tabu, njëra prej të cilave trajtohet në tregimin e Kadaresë, ajo e homoseksualizmit. Homoseksualizmi, i shfaqur në një mjedis aspak miqësor, në një mjedis ku burri ka peshë e zë vendin kryesor. Si gjithmonë, autori spikat me mënyrën e rrëfimit dhe zig – zaget e tij. Rrëfimi nis në një kafene të kryeqytetit, me bisedën “e ngrohtë” mes Gaspër Carës dhe doktorit:

“Si ke qenë me shëndet? Gjithmonë probleme të brendshme, lëndime shpirtërore, dyshime, përpjekje për të kapërcyer vetveten?”[1]

Duket një bisedë mes miqsh, që e njohin njëri – tjetrin, doktori ia njeh brengën Gasprit. Biseda rrjedh natyrshëm deri në momentin kur Gaspri kumton lajmin për konkursin e bukurisë që do të zhvillohet në Bjeshkë, konkurs vetëm për burrat. Këtu nis e merr formë të plotë rrëfimi, pikërisht kur Gaspër Cara jep kumtin për tokrendën, dhe doktori i habitur nga lajmi lëshon fjalët: “Konkurs bukurie për burrat në zemër të Bjeshkëve?!”

 

 

– Vendi

Më shumë se sa fakti që do zhvillohej një konkurs bukurie vetëm për burra, ishte problem vendi, në Bjeshkë, në Lugjet e Epërme, në mal. Miti i malit është tepër i lashtë ndër ne. Mali simbolizon forcën, mashkulloritetin, egërsinë, ai është i ashpër, i patundur. Mali është vatër burrash, s’mund të pranonte bythecë në strehën e tij. Por ja që ata ekzistonin, ata ishin aty mes maleve, bashkëjetonin përditë me njëri – tjetrin.

Lajmi kish marrë dhenë. Të gjithë pyesnin kur, ku, pse, mos ka diçka tjetër në këtë mes? Pas qartësimit të vendit ku do zhvillohej, padiskutim që një event i tillë do çonte në pyetjen më të natyrshme; Kujt i lindi mendimi për të organizuar një të tillë konkurs?!

– E kujt ishte idea?!

Dy janë hipotezat që hedh autori;

– Fillimisht mendohet se mund të kenë qenë gratë e Gomsiqes që dhanë idenë për konkursin (femrat shiheshin si mendjelehta dhe vetëm atyre mund t’u lindte një ide e tillë). Por kjo hipotezë bie pasi zbulohet që gratë nuk gisht në këtë punë.

– Së dyti, autori jep si opsion amanetin, këtë fjalë të fundit që duhet vënë në vend kurdoherë. Një burrë i moçëm duket sikur kish lënë amanet për të bërë konkursin pasi burrat e malësisë e kishin lënë veten pas dore.

 

– Koha

Pëshpërimat për konkursin kishin nisur në Mars. Marsi, ky muaj i dyzuar, dimëror / pranveror, paralajmëronte stuhi e diell, paragjykime e ngazëllim. Në fund të prillit mori jetë tokrenda mashkullore.

“I pari u zbukura qielli, thua se konkursi do të bëhej atje. Brenda tri ditësh u kthjellua, pastaj u përpi nga mjegulla, për të dalë prej saj me një kaltërim më të fortë. Si përherë më e ngadalshme, ngrohej toka”.[2]

Qielli u kthjellua, pasi ishte më bujar, i pranonte në lartësitë e tij të pafundme të gjithë. Toka, kjo “kufomëngrënëse”, e ftohtë, e ashpër, kjo bartëse varresh, ngrohej ngadalë, e panxituar, e palëkundur, e sigurtë për forcën e saj.

– Shpresa e Gaspër Carës

Gaspër Cara ndihej i elektrizuar nga idea e konkursit. I pyetur nga doktori nëse do merrte pjesë në të, ai i përgjigjet “Natyrisht”, pa asnjë mëdyshje. Thellë në vetvete, atij i lindi shpresa se gjërat mund të ndryshonin, mund të merrnin për mirë. Gaspri gjatë dhe pas konkursit ia nguli sytë fituesit, Prenk Currit, si të donte të depërtonte në qenien e tij. Një fije drite, vetëm një shenjë do i mjaftonte Gaspër Carës. I regëtinte një dritë, një copëz shprese ndër sy, dhe zemra i gufonte. Gaspri e ndoqi Princin deri te burimi i Lerës së Ftohtë.

“Shenja e fshehtë që Gaspër Cara kishte kërkuar të kapte gjithë ato ditë, ajo shenjë që herë jepte një shkrepëtimë e herë fikej aty për aty, shpalosej tani haptaz, në atë shtrirje joshëse”. O zot i madh, u lut përsëri, bëj që të merremi vesh. I duhej të lutej jo veç për vete por për një brez të tërë të humburish në këtë botë të ashpër”.[3]

Shpresa e Gasprit ishte e vetmja gjë pas së cilës ai ishte kapur fort. Por ajo do të zhdukej si flluskë sapuni. Princin e bukurisë, princin e maleve, e priste krahëhapur toka e ftohtë. I shtrirë në sipërfaqen e saj, malësori i bukur u fundos në humbëtirat e pafundme të harresës.

[1] Vepra, vëllimi i katërt, Ismail Kadare, Fayard, Paris, 1996, f. 490.

[2] Vepra, vëllimi i katërt, Ismail Kadare, Fayard, Paris, 1996, f. 502.

[3] po aty, f. 514.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *