Një Zhuljetë pa Romeo/ “Martesa e dytë”, një roman i dramës individuale dhe kolektive

Nga QAZIM SHEHU

Prozatori Flamur Buçpapaj tërhoqi vëmendjen e lexuesit me romanin e ri: ”Martesa e Dytë”, për temën e mprehtë që kapi dhe jo vetëm për këtë, por edhe për thellësinë e pasqyrimit, zhdërvjelltësinë e stilit dhe rrjedhshmërinë e narrativës, duke sjellë kështu lehtësinë në lexim dhe peshën tronditëse të mendimeve që zgjohen nga trajtimi i hollë me detaje i botës shpirtërore të personazheve. Kështu, romani lexohet me një frymë dhe krijon gjendje, një aspekt i një proze të rëndësishme e cila jep efekte. Prozatori i talentuar, Flamur Buçpapaj shenjon një stil të vetin që dallohet më së shumti nga dramaciteti dhe lirizmi, nga tentativa e suksesshme për të depërtuar në botën shpirtërore të personazhit. Duket se autori ka ndenjur gjatë në shkrimin e romanit duke sjellë kështu edhe qepjen me kujdes të një strukture solide dhe të mirëpërcaktuar. Këto janë përshtypjet e para pasleximore, po këto përshtypje vijnë dhe thellohen teksa përsiat mbi fenomene sociale e shpirtërore të kohës së sotme. Shoqëria e sotme mbetet e tallazitur, kokëfortë në mbrapshtitë e saj, e sidomos nga këto vorbulla të idhta e ka pësuar femra. Në këtë roman kemi një Romeo pa Zhuljetë ose anbasjelltas. Ky koncept këndvështrues sillet si risi, ndërsa shikojmë vetvrasjen e Borës dhe mbetjen gjallë të të shoqit. Me këtë zgjidhje autori transmeton idenë se ajo që e pëson, që ndjen më shumë, që paragjykohet, është pikërisht femra. Kjo është ngjethëse në një shoqëri maskiliste, në një shoqëri ku dominojnë ende kultet e vjetra dhe streotipet e të menduarit se burri është vazhdimësia dhe gruaja vetëm mundësia riprodhuese. Po kur gruaja nuk mundet të riprodhojë, atëhere çfarë mund të bëhet me të; të flaket, të shkojë drejt vetasgjësimit, siç ndodh me Borën; ja si gjallojnë koncepte të tilla në një botë me një këmbë në të vjetrën e tjetrën në të renë, pa pyetur për ndjenjat, për personalitetin njerëzor. Në një aspekt përgjithësurs kjo ngrihet në shumëçka, kur na duhet të mendojmë pikërisht për një botë dilematike dhe spazmatike, plot kontraste dhe thellime të tyre. Një temë e vështirë, po që autori ia ka dalë mbanë ta bëjë zap në një procedim narrative mjaft konkludues përmes natyrshmërisë së rrëfimit. Ai na thotë se fati i njeriut si fat biologjik(Bora ka një bukuri mahniteëse, karakter, po ajo nuk lind fëmijë), nuk ka pse ndëshkohet nga trysnia konceptuale e përjashtimit dhe e ndarjes së kurorës. Drama e saj zhvillohet në një shpirt të ndjeshëm, ndaj ajo e sheh veten të gjykuar gabimisht po prej vetes, kur duhet ti japë fund jetës. Një Zhuljetë që e bën këtë në emër të dashurisë, jo të ndonjë kodi moral, sepse nuk është turp të ndahesh, vetëm është dhimbje të ndëshkohesh padrejtësisht. Mendoj se autori ia ka arritur ta bëjë këtë kalesë përmes një motivimi psikologjik të fortë dhe të japë bindshëm zhvillimin e dramës. Do të donim që të mos ndodhte kështu, po kështu zhvillohet jeta, ka edhe gra që e presin me qetësi një fat të tillë, po kjo nuk mund të ndodhë me Borën e sidomos në ata shpirtra të ndjeshëm të cilët venë dashurinë mbi gjithçka. Me këtë subjekt autori hedh parabola mendimore, shenjë e ngjizjes së simbolit në gjithë këtë kohëhapësirë të familjes shqiptare e cila gjendet e prekur nga tallazitjet shpirtërore, sociale, zakonore dhe të emigrimit. Ndërthuren të gjitha këto pamje e jepen me një thellësi të trishtë që vjen nga ajo çfarë duhet të mendojmë dhe që, na zgjoin kjo prozë subtile, poetike dhe me një arsenal të kursyer të fjalëve të cilat mbajnë në thelbin e tyre kuptime të forta në bërthamën e rrezatimit të idesë. Me të drejtë autori në rrëfimin e tij ndërthur disa linja; linjën e dashurisë, martesës, linjën e kurbetit, linjën e vjehrrës dhe nuses së re, linjën e vetmisë, po edhe përshpejtimin e çasteve lirike -dramatike brenda vetes, ambientin social që ta kujton deri diku atë ambient të Camajt tek “Rrungaja në Mars”. Këto linja nuk mund të shpështillen lehtë, ato janë të ndërthurura dhe shkokolepsja e tyre jo vetëm s`mund të bëhet po edhe s`mund të trajtohet pa përballur atmosferën që hedh një pamje mbi pamjen tjetër. Fati bëhet mbisundues, në fund fatit nuk mund t`i shpëtosh. Po a kemi të bëjmë me fatalizëm, në një përpjekje për t`i shpëtuar dhe e ndodhura që pritet na e tregon këtë?Këtu zbërthet tragjika dhe sillet gjithë përpjekja e njeriut në këtë luftë të vazhdueshme me fatin. Është meritë e padiskutueshme e autorit sesi ai është ndalur në përvijimin e botës së Borës, një përvijim që kohë pas kohe vjen dhe shumon pamjet dhe thellon diskursin psikologjik, mpreh shqisat e të parit, të dëgjuarit, kur lexuesi ndjen dhe fantazon sesi një shpirt shkon drejt plagosjes dhe vetasgjësimit. Këtu është trilli poetic, dramatik dhe bota trancendentale me të cilën personazhi ngrihet në ajrin e qenies drejt fluroritetit. Me këtë procedim stilistik Buçpapaj tregon se ka një talent të fortë në zbërthimin e personazhit përmes së zsakonshmes që bëhet e jashtëzakonshme duke e kundruar personazhin në thellësi të ndjenjës. Bora mbetet kështu personazhi më i realizuar, një personazh që të shoqëron një kohë të gjatë në mendje dhe të bën të mendosh gjatë për të. Kjo, se ai(autori) di ta ndërtojë personazhin, ka fantazinë dhe mundësinë krijuese t`i japë biografinë e plotë jetësore dhe ta shikojë brenda shtratit dhe shtatit të vet në mënyrë të plotë, gjithnjë duke e gdhendur natyrshëm, larg stonaturave. Përballë saj, vjehrra vjen si plotësim, po kështu i shoqi, për shkak të emigracionit, vjen si një përballje dhe në këtë konotacion ai mbetet një sfond, ndërsa duhet të jepet në plane të tjera. Me të drejtë, mund të themi se, autori është fokusuar në portretin e Borës për të treguar se gjithnjë peshën e absurditetit në raportin burrë- grua e mbart femra, dhe kjo është e padrejtë, ngjethëse dhe klithëse, e kjo siellet në një ide kontekstuale që vetë duhet ta marrim me mend, ndërsa e kemi parë dhe lexuar sesi në këtë raport, në letërsinë botërore femrat gjithnjë masakrohen dhe e pësojnë. Tablotë e thjeshta të jetës nuk janë aq të thjeshta, kur na duhet të gjykojmë se nën shtresën e kësaj thjeshtësie qëndron një fontanë ndjenjash dhe përpjekjesh të njeriut për ta gjetur ndjenjën e vet përmes një arratie të ëndrrës, se diçka e pamundshme mund të bëhet e mundshme. Kështu, përmes këtij veli të thjeshtë, zbulohet murrëtimi i një realiteti gri, asnjanës dhe kokëfortë, një realiteti që rri larg teje, por që ti ndodhesh brenda tij e nuk mund ta shmangësh. Të gjitha këto përsiatje i sjell ky roman i mirë dhe ato i injekton e dhe në përditshmërinë e jetës njerëzore, kur sjell ndërmend raste të ngjashme dhe mirëfilli të zhvilluara në kohra dhe hapësira të ndryshme. Me të drejtë mund të thuhet se romani zgjon mendime, e kjo është së pari sukse i një proze të mirë, larg një proze limonatë, thjesht për këshëri, dhe kthesa episodesh për këshëri. Kjo, se autori ngjarjeve të thjeshta në të cilat noton fati i njeriut u jep tonusin filozofik dhe i ngjiz brenda këtij tonusi, pa i kërkuar shpjegim fatit të njeriut, po duke i dhënë shpjegim njeriut përmes fatit dhe fatit përmes njeriut. Kjo, se kështu ndodh, po kështu s`mund të jetë, po kështu mund të jetë, se kështu ndodh. Pyetje dilematike shkojnë gjithnjë përmes shtjellimit të një absurdi konvultiv, shtjellim që e bën prozën e Buçpapajt sa realiste aq edhe moderne, sa poetike aq edhe të shqepur nga pesha e faktit të thatë, një prozë që ruan linearitetitin e saj, po që siguron thyerjet e nevojshme digresive, thyerje që synojnë të japin dritëhijet e jetës dhe të shpirtit njerëzor. Në këtë vështrim mund të themi se ai si autor na bind se mund të japë romane të tjera po kaq të mira, duke pasqyruar tablo tronditëse të realitetit po edhe duke zbërthyer fate njerëzish në prizmin e duhur të plotërisë së ngjizjes së personazhit. Kjo bindje përforcohet se proza e sotme ka nevojë për një prurje të tillë stilistike. Në roman njihemi me disa tema dhe motive të mprehta ekzistenciale, ë cilat nuk janë të reja(ato janë të trajtuara që në Antikitet ) si: njeriu dhe fati, njeriu e njeriu, mjedisi shqiptar e ai europian, mjedisi si percetim i fortë lëvizës në epokën e re, koha reale dhe koha filozofike etj. Duke vendosur dy personazhe si plotësim, të një Zhuljete që kërkon Romeon, që e di se e ka, po në të vërtetë nuk e ka, autori shpreh njëherit atë koncept të dashurisë së sotme që shpesh gjendet e frustuar nga dilema të ndryshme. Jetoni, i shoqi, është njeriu shqiptar që ka ikur në Europë dhe rikthehet sërish në vendlindje. Duhet thënë se autori e ka vizatuar atë me elemente të ndryshëm të psikologjisë së kohës që veshin portretin e një personazhi të tillë. Vetë sjellja e tij që duhet t`i bindet dëshirës së nënës për ta ndarë Borën, na shpreh më tepër një malësor që duhet të respektoj atë thirrje të lashtë të fisit për mosndërprerjen e riprodhimit të tij. Ai e ndan Borën për t`u martuar me një tjetër, sepse fisi kërkon riprodhim. Me që e ndan, ai këtë e bën me dhimbje të madhe, po e bën. Atëhere përse duhet të pijë një dozë ilaçesh kur dëgjon për vetvrasjen e Borës. Mendoj se këtu duhej të justifikuar më mirë për të mos dalë nga logjika zhvillimore e personazhit. Duhet thënë se Buçpapaj vëzhgon jetën dhe di të ndërtojë pamje e tablo të saj, jo thjesht në aspektin përshkrues, po më së shumti përmes së zakonshmes të zbulojë drama të mëdha të fatit të individit dhe të kolektivit, duke i parë këto dy nocione në ndërlidhje të kuptueshme. Proza e këtij autori dallohet nga dialogu dinamik dhe i shkathët, duket se zhvillohet përmes këtij dialogu një bisedë për hallet e njeriut, një bisedë që s`ka fund. E përmes këtij dialogu profilizohet ideja dhe pamja e personazhit, i cili në penën e Buçpapajt merr formë e trajtë në nivele të kënaqshme të individualizimit. Realizmi dhe surrealja përzihen bashkë, po më së shumti proza realiste e nis procedimin shtjellues përmes reflekseve dhe fluksit të tyre poetik. Poetika e jetës ndërpritet nga dramaciteti dhe sjellja konvultive e fatit dhe e personazheve që shpesh mbërthehen në mentalitete dhe një psikologji që nuk mund të justifikohet para asaj që është e drejtë dhe, pikërisht, për këtë zhvillohet drama e merr kah të mprehtë sjellja impulsive e individit. Përshkrimi i Buçpapajt është i zhveshur nga teprimet, në masën e duhur dhe në një raport dispropocional me dialogun, gjë që tregon se ai i jep ngjarjes një aksion të brendshëm psikologjik dhe i vë personazhet në përballje të vazhdueshme më njëri tjetrin, po edhe siguron një lexim të mirë dhe tërheqës nga ana e lexuesit. Dimamika e ndjenjës dhe evoluimi i ngjarjeve që percepitojnë me shpejtësi drejt fundit, gjejnë veten në dialogun e shkathët dhe të punuar e mjaft funksional të këtij romani.
(vijon në faqen 7)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *