GJENERALI ANDREA VLLASOV KUNDËR STALINIT (MANIFESTI I SMOLENSKUT) Nga Prof Ass. dr Spiro Mëhilli

GJENERALI ANDREA VLLASOV KUNDËR STALINIT

(MANIFESTI I SMOLENSKUT)

Nga Prof Ass. dr Spiro Mëhilli

Ushtria e Kuqe në vitin 1942 përpiqej të merrte veten nga humbjet drastike që pati në njerëz dhe në lëshimin e një territori të madh sa që ushtria naziste arriti në portat e Moskës. Pikërisht, në atë periudhë rrol kryesor luajti informacioni i fundit i Rikard Sorges që lajmëronte Moskën se Japonia nuk ishte e përgatitur për luftë dhe se nuk do sulmonte në frontin lindor, pra në Siberi. Në këtë kohë filloi ndihma e gjithanëshme me armatime, lëndë të parë, makineri etj.nga  Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që çoi në stabilizimin e frontit para dyerve të Moskës Në këtë kuadër, më 9 shkurt të vitit 1942, u zhvillua beteja e parë e madhe e Damianskut, ku trupat gjermane me 6 divizione dhe rreth 100000 ushtarë  u rrethuan dhe arritën të shpëtonin duke tërhequr çdo dy ditë nga 6000 veta nga korpusit 2 me anën e  600 avionëve të  transportit.

Në javët e para të janarit të vitit 1942,  gjenerali Sokolov,   me që trupat nuk kishin  mundur të mbronin territorin që ai komandonte, u detyrua të  shkarkonte  gjeneral Klikovin dhe  shefin madhor të tij. E gjithë egërsia e Stalini për këtë disfatë ra mbi gjeneral Andrea Andrejeviç Vllasovin, komandantin e  Armatës II, personin që dy muaj më parë kishte mbrojtur heroikisht Kievin. Andrea Vllasovi i ishte bashkuar Ushtrisë së Kuqe në vitin 1919 dhe në   vitin 1937 kishte qenë konseguent kundër marshall Tukashevskit dhe përkrahësve të tij. Ishte Vllasovi komandanti i Armatës XX që kishte gozhduar forcat gjermane të shkonin drejt Moskës, Solneçnogorskut dhe Volokajamskut. Për këto merita u dekorua me urdhërat e Leninit dhe Flamurit të Kuq. Këtë person  Stalini e çoi në Vollkov komandant të 17 divizioneve dhe 8 brigadave që mbronin territorin  midis Çudovës dhe Ljubanës.  Armata e II e Vllasovit më 27 mars 1942 sulmoi fortesën Erika me 6 brigada sulmuese siberiane dhe 6 brigada të blinduara duke shkuar drejt  perëndimit.  Aty nuk mundi ta thyente ushtrinë gjermane, megjithatë, me mbetjet e ushtarëve dhe oficerëve u përpoq të rezistonte për rreth një muaj.  Në kushtet e krijuara,  i ndodhur në pyje dhe moçale,  i lindi idea të ngrinte popullin rus  në revoltë;  të shkatërronte dominimin e bolshevikëve, që sipas logjikës së tij ishin në shërbim të “interesave të huaja”, të bënte paqe me nazistët gjermanë për të shmangur rrëketë e gjakut dhe të “krijonte një Rusi” ku çdo rus të jetonte i lumtur. Në muajin korrik të vitit 1942, Armata II sulmuese sovjetike jo vetëm që u shpartallua por përveç mijëra të vrarëve dorzoi edhe  32000 veta. Gjeneral Vllasovi u fsheh me gjithë shtabin madhor. Gjermanët e kërkuan dhe në qytet hodhën me mijëra fletushka dhe fotografi për gjetjen e tij. Pas 6 muajsh ai u konvertua në antibolshevikNë përgjithësi, humbjet sovjetike nga 14 maj deri 14 korrik 1942, pra brenda dy muajve,  arritën në 706000 ushtarë e oficerë të vrarë, 3940 tanke dhe 7100 topa  të shkatërruar ose të kapur nga gjermanët

Vllasovi më 27 dhjetor 1942 lëshoi “Thirrjen e Komitetit Rus” për  luftëtarët  dhe komandantët e Ushtisë së Kuqe, për gjithë popullin rus dhe popujt  e tjerë të Bashkimit Sovjetik në formën e  një “Programi Demokratik” që u quajt  “Manifesti i Smolenskut”. Ja se çfarë thuhej në të: 

Miq dhe vëllezër! Bolshevizmi është armiku i popullit rus. Fatkeqësi të panumërta i ka sjellur ai Rusisë tonë, dhe më në fund, e ka çuar popullin rus në luftë të përgjakshme për interesa të huaja. Kjo luftë i solli atdheut tonë vuajtje të papara. Miliona njerëz rusë tashmë e kanë paguar me jetën e tyre synimin kriminal të Stalinit për sundimin e botës dhe për fitime të kapitalistëve anglo-amerikanë. Miliona njerëz rusë janë gjymtuar dhe përgjithmonë kanë humbur aftësinë për punë. Gratë, të moshuarit dhe fëmijët vdesin nga i ftohti, uria dhe nga puna e vështirë.Qindra qytete ruse dhe mijëra fshatra janë shkatërruar, rrënuar e djegur me urdhër të Stalinit.

Historia e atdheut tonë nuk njeh të tilla shkatërrime, sesa ato të kryera nga Ushtria e Kuqe në këtë luftë. Duke mos parë në vetsakrifikimin e luftëtarëve dhe komandantëve, duke mos parë në trimërinë dhe vetmohimin e popullit rus, po humben beteja pas betejash. Duket që ky është kalbëzim i gjithë sistemit bolshevik, paaftësia e Stalinit dhe e shtabit të tij të përgjithshëm.

Tani, kur bolshevizmi  doli i paaftë të organizojë mbrojtjen e vendit, Stalini dhe klika e tij vazhdojnë me ndihmën e terrorit dhe propagandës mashtruese t’i shtyjnë njerëzit  drejt vdekjes, duke dashur që me gjakun e popullit rus të qëndrojnë në pushtet qoftë dhe për një farë kohe.

Aleatë të Stalinit, kapitalistët anglezë e amerikanë e tradhtuan popullin rus. Duke synuar me shfrytëzu bolshevizmin për zotërimin e pasurive natyrore të Rusisë tonë, këta plutokratë jo vetëm shpëtojnë lëkurën e tyre me jetën e çmuar të miliona njerëzve rusë, por dhe kanë përfunduar me Stalinin marrëveshje të fshehta skllavëruese.

Në të njejtën kohë, Gjermania bën një luftë jo kundër popullit rus dhe aleatëve të tij, por kundër  bolshevizmit. Gjermania nuk cënon hapsirat jetësore të popullit rus dhe lirinë e tij nacional-politike.

Gjermania Nacional Socialiste e Adolf Hitlerit i ka vënë qëllim vetes organizimin e një Europe të Re  pa bolshevikë dhe kapitalistë, ku çdo kombi do t’i sigurohet një vend i nderuar.

Vendi i popullit rus në familjen e popujve europianë, vendi i tij në Europën  e Re, do të varet nga shkalla e pjesmarrjes së tij në luftën kundër bolshevizmit ose zhdukjen e pushtetit gjakatar të Stalinit dhe të klikës së tij kriminale, do jetë në radhë të parë çështje e vetë popullit rus.

Për bashkimin e popullit rus dhe udhëheqjen e tij në luftë kundër regjimit të urryer, për bashkëpunimin me Gjermaninë në luftë me bolshevizmin për të ndërtuar Europën e Re, sytë e popullit  tonë dhe  patriotët e atdheut tonë, krijuan Komitetin Rus.

Komiteti Rus ven para tij këto qëllime:

a- Përmbysjen e Stalinit dhe klikën e tij, zhdukjen e bolshevizmit.

b- Krijimin, me Gjermaninë dhe popujt e tjerë të Europës, Rusinë e Re pa bolshevikë dhe kapitalistë.

Komiteti Rus ka si qëllim ndërtimin e Rusisë së Re me principet kryesore të më poshtme:

1- Likuidimin e punës së mundueshme dhe sigurimin punëtorëve të drejta reale në punë, duke i siguruar atij mirëqenie reale;

2- Likuidimin e kolkozeve dhe dhënia me plan e tokës në pronësi të pjesshme fshatarëve;

3-  Rimëkëmbjen e tregtisë, artizanatit, zanatçinjve,  dhe lënien e mundësisë së iniciativës së lirë për të marrë pjesë në jetën bujqësore të vendit;

4- Dhënie mundësi inteligjiencës, që lirshëm të punojë për mirqënien e popullit të tij;

5- Sigurimin e  drejtësisë  sociale dhe mbrojtjen e  punonjësve nga ekspluatimi i dëmshëm;

6- Vendosjen  për punonjësit e të drejtave reale për arsim, pushim dhe pleqëri të sigurtë;

7-  Zhdukjen e regjimit të terrorit dhe dhunës, vendosjen e një lirie të vërtetë fetare, ndërgjegjie, fjale, mbledhjeje dhe shtypi. Garanci për mosprekjen e personit dhe pronës;

8- Garancinë e  lirisë nacionale;

9- Çlirimin e  lidhjeve politike me bolshevizmit,  kthimin nga burgjet dhe kampet në atdhe, i të gjithë atyre që i janë nënshtruar represioneve në luftë kundër bolshevizmit;

10-  Rindërtimin e  qyteteve dhe të fshatrave të dëmtuara gjatë luftës, për llogari të shtetit;

11- Rindërtimin e fabrikave dhe uzinave shtetërore të shkatrruara gjatë luftës;

12- Refuzimin e pagesave nga marrëveshjet skllavëruese të lidhura nga Stalini me kapitalistët anglo-amerikanë;

13- Sigurimin e  minimumit jetësor invalidëve të luftës dhe familjeve të tyre.

Beso shenjtërisht, që në bazë të këtyre principeve, mundet dhe duhet ndërtuar e ardhmja e lumtur e popullit rus. Komuniteti Rus u bënë thirrje të gjithë njerëzve rus që ndodhen në zonat e çliruara dhe në zonat e okupuara nga pushteti bolshevik, punëtorëve, fshatarëve, inteligjencies, komandantëve luftëtarë, punëtorëve politikë, bashkohuni në luftë për atdheut kundër armikut të egër-bolshevizmit.

Komiteti Rus shpall armiq të popullit Stalinin dhe klikën e tij. Komiteti Rus shpall armiq të popullit të gjithë ata që shkojnë vullnetarisht në shërbim të organeve ndëshkimore  të bolshevizmit, në repartet e veçanta të NKVD-së. Komiteti Rus shpall armiq të popullit ata që zhdukin vlerat që i përkasin popullit rus.

Detyrë e çdo biri të ndërgjegjshëm të popullit të tij është të zhduk të gjithë armiqt e popullit, që çojnë vendin tonë në një fatkeqësi të re. Komiteti Rus i bën thirrje të gjithë popullit rus të plotësojë këtë detyrë. Komiteti Rus i bën thirrje ushtarëve dhe komandantëve të Ushtrisë  së Kuqe, gjithë popullit rus të kalojnë nga ana e Armatës Çlirimtare Ruse të lidhur me gjermanin. Për këtë, të gjithë atyre që kalojnë në anën e luftëtarëve kundër  bolshevizmit, i garantohet paprekshmëria dhe jeta, jashtë rrethanave të veprimtarisë së tij të mëparshme dhe detyrës që kryente. Komiteti Rus i bën thirrje popullit rus të çohet në luftë kundër bolshevizmit të urryer, të forcojë çetat çlirimtare partizane dhe të kthejnë armët kundër shtypësit të popullit-Stalinit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Njerëz rusë, miq dhe vëllezër!

Mjaft keni derdhur gjakun e popullit! Mjaft të veja dhe jetimë! Mjaftë uri, punë të detyruar dhe vuajtje në qelitë bolshevike. Çohuni në luftë për liri! Në luftë për çështjen e shenjtë të atdheut tonë! Në luftë për vdekje për lumturinë e popullit rus! Rroftë paqja e nderit me Gjermaninë që rrënjos fillimin e miqësisë shekullore të popujve gjermanë me popujt  rus! Rroftë populli rus, anëtar me të drejta të barabarta të familjes së  popujve të Europës së Re.

President i Komitetit Rus, Gjeneralleitënant A.A.Vllasov.

Sekretar i Komitetit Rus, gjeneralmajor V.F.Mallëjshkin.

27 dhjetor 1942. Qyteti Smolensk.

 

Manifersti i Smolenskut për kohën kur u shkrua ishte një thikë pas shpine për luftën që bënin popujt e Europës, ku futej dhe vendi i tij, BS, pasi luftohej dhëmb për dhëmbë me ushtrinë naziste. Çështë e vërteta, futja në luftë nga BS i atribohet paktit famkeq Stalin-Hitler të 28 gushtit 1938, nënshkruar në Moskë, nga Ribentropi dhe Molotovi në prani të Stalinit. Lufta për të dy palët kishte pabesinë e saj, pasi më 9 korrik 1941 do sulmonte rusi dhe jo gjermani, por sikundër dihet ushtria gjermane kaloi kufirin sovjetik më 21 në të gdhirë të 22 qershorit 1941. Stalini ushtrinë e Kuqe e kishte përgatitur moralisht për sulm, sa që kishte shkatërruar dhe vijën mbrojtëse “Stalin” 1200 km të gjatë, nga Balltiku në Detin e Zi. Ai përbuzi dhe ofendoi të gjithë ata që e paralajmëruan  mbi ditën dhe orën e saktë të sulmit. Stalini me kohë e kishte lënë ushtrinë e tij pa kokë komanduese. Në  vitet 1937-1938 korpuset e oficerëve  të Ushtrisë së Kuqe u reduktuan në 50 deri 60 për qind  dhe Komanda e Lartë u likujdua tërsisht. U arrestuan, u burgosën, u internuan  në kampet e GULAK-ut  dhe u pushkatuan 90% e gjeneralëve; 80% e kolonelëve. Ja si numër: 3 marshallë nga 5 që kishte Ushtria e Kuqe; 8 admiralë  dhe admiralë të gradës parë   nga 9; 13 komandantë armate nga 15; 50 komandantë korparmate  nga 57; 154 komandantë divizioni nga 186;  220 gjeneralë brigade  nga 406;  16 komisarë politik armate nga 16; 24 komisarë korparmatash  nga 28; 58 komisarë divizionesh nga 64; 11 nënkomisarë të mbrojtjes nga 11; 98 anëtarë të këshillit  ushtarak  suprem nga 108; 18 admiralë të shkallës së parë  nga  19,  dhe të gjithë komandantët e rajoneve ushtarake. Kështu u larguan nga forcat e armatosura rreth 43000 oficerë  duke filluar nga major e lart. Asnjë spiun gjermanë nuk kishte. Gjeneral Vllasovi në manifestin e tij flet shumë keq për raportet miqësore që krijoi BS me Qeveritë Anglo-Amerikane. Po mos të kishin ardhur ndihmat e jashtëazkonshme amerikane Rusia zor se do e përballonte furinë hitleriane.Vështirë të thuash se ç’e shtyu këtë gjeneral të hidhej nga ana e ushtrisë gjermane, vallë urrejtia ndaj Stalinit?

Më 12 prill 1943 gjeneral Vllasovi u kap rob nga ushtria gjermane  në sektorin Volkov dhe u izolua në një vilë në Dahlem, pasi fillimisht nuk i kishte pëlqyer Hitlerit. Ai nuk ishte kuisling sikur donin ta quanin, por produkt i Revolucionit Socialist të  Tetorit (alias Grushtit të Shtetit), djalë i një fshatari nga Nizhni Novgorodi, që në moshën 17 vjeç kishte marrë pjesë në Repartet Speciale Territoriale, pastaj  ishte futur në ushtri  për  të shërbyer  24 vjet. Komanda gjermane në atë kohë donte të krijonte një bashkëpunim me vullnetarë rusë që ndodheshin në territoret e pushtuara prej saj. Vllasovi si i përzgjedhur i tyre, u dërgua nga njëra shtatmadhori në tjetrën, por ai këmbënguli që   “Rusia është një dhe e pandarë”, dhe  kundërshtoi shpërbërjen e Rusisë me elementë nacional, ashtu sikundër donte pavarësinë e Ukrainës, Bielorusisë dhe Kaukazit. Vllasovi e njihte politikën e Leninit dhe Stalinit përsa i përkiste subjekteve nacionale, njihte të drejtën e pavarësisë dhe donte ta shikonte të realizuar në kuadrin e një shteti unik dhe para së gjithash kërkonte të krijonte një bashkëpunim efektiv  të të gjitha forcave antibolshevike nën drejtimin e tij.

Për rrëzimin e pushtetit të Stalinit  me kohë ishin sponsorizuan tri lëvizje me njerëz të bindur ideologjikisht.  Afër Smolenskut, në vitin 1944, në kohën e kryengritjes së Varshavës, nga refugjatë rusë, nën patronazhin  gjerman, u krijua brigada “Ushtria  Nacionale për Çlirim”,  që iu besua inxhinierit Bronisllav Kaminskit, e përbër nga  ushtarë terroristë,  që vepronin kundër ushtarëve të veçuar të Ushtrisë  së Kuqe, kundër forcave partizane dhe kundër popullatës ruse dhe  së bashku me forcat SS u dërgua për shuarjen e kryengritjes. Kaminski u tërhoq dhe  u pushkatua me urdhër të Hitlerit. Ajo Brigadë në vazhdim iu besua gjeneral Andrea Vllasovit, të luftonte kundër  Ushtrisë së Kuqe krahas ushtrisë gjermane. Si një mbrojtës i vetëm i interesave ruse, në nëntor 1944 para Himlerit, ai  paraqiti programin  minimum të adaptuar shumë më gjërë,  çlirimin e të gjithë popujve të Bashkimit Sovjetik e bashkimin e tyre  nën autoritetin e tij, dmth mbi gjithë rusët. Konferenca krijoi “Komitetin për Çlirimin e Popujve të Rusisë” që u bë në Pragë më 14 nëntor 1944. Vllasovi u zgjodh president i komitetit dhe u  adaptua një manifest ku thuhej:

Pjesmarrja e popujve të vendit tonë, me ndërgjegje të plot  të përgjegjësisë ndaj këtyre popujve ndaj historisë dhe ndaj brezave të mëvonshëm, ka krijuar një komitet për çlirimin e popujve të Rusisë me qëllim që të çojë në luftën e përgjithshme  kundër bolshevimit. Ky komitet është ngritur:

a- Të luftojë tiraninë staliniane, të çlirojë popujt e vendit tonë nga regjimi bolshevik dhe të  kthejë lirinë për të cilën  ata luftuan në Revolucionin  Popullor më 1917.

b- T’i japin fund luftës dhe të përfundojnë një paqe  të ndershme me Rajhun Gjerman.

c- Të krijojnë një Shtet të Ri pa bolshevikë dhe pa eksploratorë.

Komiteti i Çlirimit të Popujve të Rusisë ve në themel të gjitha forcat  nacionale dhe nën varësi  për misionin  e përbashkët: shkatërrimin e pushtetit të bolshevikëve, kusht themelor për fitoren mbi bolshevizmin.

Numri i ushtarëve rusë në ushtrinë gjermane ishte 800000 veta. Në janar të vitit 1945  u ngritën dy divizione vullnetarësh të udhëhequra nga Vllasovi dhe u dërguan në Çekosllovaki, por aty,  ushtarët  që ai komandonte iu kundërvunë forcave SS-e dhe u bashkuan me çekët për çlirimin e Çekosllovakisë.  Kur trupat sovjetike po futeshin në Pragë, gjeneral Andrea  Vllasov refuzoi të arratisej i vetëm me avion për në Spanjë  dhe  me ndihmësit e tij u paraqit në shtabin amerikan më 5 maj 1945, duke u  dorëzuar së bashku   me 100000 ushtarë  e  duke pranuar  fundin  e tij. Pas lufte, aleatët, Vllasovin dhe gjeneralët e tij, që u munduan të justifikoheshin, i  dorëzuan te trupat ruse.  Ai  doli në gjyq  dhe u dënua me vdekje. Byroja Politike e miratoi vendimin më 23 korrik 1946, i cili u zbatua menjëherë. Ushtarët u amnistuan nga një dekret  në nëntor të 1945 dhe u dërguan për 6 vjet në Siberi, në Kazakistan dhe në Veriun e Largët. Në vitin 1946, sipas listës të departamentit për aziliatët dhe kolonat speciale, sipas MPB ishin mbi 148079 vllasovas, kurse mijëra vllasovas, kryesisht nënoficerë, u akuzuan për tradhëti dhe i dërguan në kampet e punës në gulak.

Ja si i drejtohet popujve sovjetik Viktor Nekrasovi: “Ju luftuat për Stalinin. Ju shkuat në sulm duke çjerrur gurmasin: “për Atdheun, për Stalinin” (e pranoj, kjo gjë ka ndodhur edhe me mua), juve mbrojtët sistemin më të tmerrshëm në botë, mundet, më të tmerrshmin se ai hitlerian, dhe e shikoni, se çfarë ndodhi!?;

Aleksandër Minkin në vitin 1991 do të shprehej : Po mos të ishte Stalini,luftë nuk do të kishte: dobësoi vendin, i hoqi kokën ushtrisë, shkatërroi vendin i frikësuar; “nuk vuri re” përgatitjet e gjermanëve, provokoi sulmin:

– Sulmin e pabesë?

– Gjeti kujt t’i besonte…

– Por jo e papritur!

– Braktisi gjithçka, nga Çërçilli deri te Sorge, që i thanë ditën dhe orën.

– Por fituam ne! Duhet me u krenu dhe jo me sha.

– Kush e fitoi luftën: ai që humbi 5 milionë veta, apo ai me 30 milionë veta?

Gjeneralët dhe marshallët  u lodhën duke thënë se luftën e fitoi populli dhe jo Stalini. Një taktikë vetëvrasëse prej budallai, e pa ndryshueshme gjatë gjithë kohës së luftës: të marrim qytetin për festë, – taktikë, që sakrifikoi në tokë ushtarët tanë në raport 7:1 (kurse ka ndodhur dhe 20:1 dhe jo në vitin 1941 por në vitin 1944). Nga faktet e reja, gjermanët humbën 4.5 milionë veta, ne 27 milionë. Josif Stalini bëri të ditur 7 milionë, me sa duket nuk donte të shkaktonte hidhërim në popullin – fitimtar. Duket sikur ai donte të pështynte mbi popull;

dhe së fundi,  Prof. Kvasha, që duke studjuar të dhënat e historianëve, konsideron drejtpërdrejt humbjet e popullit sovjetik në 26-27 milionë, kurse tërthorazi  22-23 milionë. E gjithë Lufta Patriotike 1941-1945 sipas tij  rrëmbeu 48-50 milionë jetë njerzish. Fitoi Stalini, nuk fitoi populli. Autoriteti i tij pas luftës u rrit në mënyrë të frikshme. Fitoi Stalini dhe Stalinizmi. Populli luftoi por fitoren ia vodhën. Më 1945 vdiq fashizmi, por nuk vdiq Gjermania. Po të kishte fituar Gjermania, ç’do ndodhte? Do vdiste jo Rusia, por regjimi i saj, Stalinizmi. Neve çliruam Gjermaninë, por më mirë do të ishte të na çlironin ne. Fitorja e Hitlerit do ishte humbje e Stalinit, e Stalinit dhe jo e popullit. Kush është më i mirë, Hitleri apo Stalini? Edhe Hitleri, edhe Stalini janë vrasës. Me vra është keq. Për llogari të Hitlerit të gjithë të vdekurit në kampet gjermane dhe në Luftën II Botërore nga ana e gjermanit (gjithkush përgjigjet për vete) janë 6 milionë hebrej, 4.5 milionë gjermanë dhe disa qindramijëra rumunë, hungarez e austriakë, etj. maksimumi 15 milionë. Për llogari të Stalinit 20 milionë fshatarë, 30 milionë viktima të luftës, akoma  dhe 20-30 milionë në kampet e përqëndrimit dhe të pushkatuar. Shuma 70-80 milionë veta.Viktimat tona ushtarake janë për llogari të Stalinit. Sulmuesi (gjermani) duhej të kishte më shumë viktima, për më tepër që ishim ne në mbrojtje (BRSS), mos vallë sulmoi në të paarmatosur apo idiotë? Nga sasia, Stalini ishte 5 herë më i keq se Hitleri. Hitleri ishte i hapur, ndërsa Stalini gënjeshtar, hipokrit. Hitleri shpalli zhdukjen e hebrejve, i premtoi gjermanëve rracën më të  lartë, i premtoi politikën e sundimit botëror. Stalini betohej për internacionalizmin dhe paqen, kurse vetë ndëshkoi kombe pas kombesh. Hitleri vrau fëmijë çifutë e ciganë, Stalini internacionalist vrau fëmijët e të gjithë popujve. Njeri vrau hapur, që sigurisht është keq, tjetri vrau me hipokrizi, që është akoma më keq. Hitleri ushqeu gjithë popullin, Stalini vetëm aparatin e tij.

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *