FILLIMET LETRARE TË IBRAHIM RUGOVËS APO IBRAHIM RUGOVA POET

 

Po të ishte gjallë Ibrahim Rugova e ta shihte këtë preokupim timin me poezinë e tij, mbase do të mund të pyetej: Ç‘i duhet të merret me poezitë e mia, kur unë vetë nuk u mora më me to? Por nisur nga fakti se pikërisht në këto shkrime shpaloset talenti letrar që kishte dhe shpirti i tij, mbase edhe do t’i vinte mirë, ose, së paku, nuk do t’i pengonte. Më në fund, secila nga poezitë e tij të botuara në periodikun letrar të kohës është prodhim i një çasti të caktuar, i një gjendjeje shpirtërore, i një frymëzimi i cili në të shumtën e rasteve, sidomos si krijim i publikuar, ngel i pashlyeshëm në kujtimet e autorit.

Mirëpo, të merrem me poezinë e Ibrahim Rugovës më nxitën mbresat nga leximi i tyre, të përmbledhura në librin “Kode të shkrimit letrar”, botim i Shtëpisë botuese “Faik Konica” në Prishtinë, më 2009, por edhe disa kujtime të mia të hershme për to dhe për autorin e tyre.

I gjendur rreth 12 vjet më vonë në bankat e të njëjtës shkollë fillore, ku ende punonin një numër i të njëjtëve mësues, pata rastin qysh herët të dëgjoja rrëfime për Ibrahim Rugovën si krijues letrar, sado që poezitë e tij nuk i kisha të njohura. Ato, të fillimeve, i ishin botuar në periodikun letrar të kohës në vitet kur unë ende as shkoja në shkollë, as lexoja. Në të vërtetë, unë kisha lexuar dhe i mbaja mend mirë disa poezi për të rritur, të cilat ai i kishte botuar në vitet 1968/69, në kohën pra kur edhe lexoja, edhe shkruaja e botoja ndonjë krijim letrar. Dhe, natyrisht se më pëlqenin ato krijime. Ishin poezi të një autori për të cilin më kishin folur mësuesit e mi, të një autori rrugës së të cilit më thoshin se shkoja edhe unë me dashurinë ndaj librit dhe ndaj poezisë. Dhe kjo, pa dyshim, ma shtonte kre­n­arinë, por edhe kërshërinë, dashurinë dhe respektin për Ibrahim Rugovën e Cërcës, të cilit, siç më thoshin që në vegjëli, ia kishin vrarë babanë dhe gjyshin, kur ende ishte foshnje, e të cilin e kishte ruajtur dhe rritur nëna e tij fisnike.

Por çfarë thonë krijimet e para letrare të Ibrahim Ru­go­vës, vjershat për fëmijë dhe për të rritur, të botuara në pe­riodikun letrar dhe të mbetura aty gjithnjë për të gjallë të tij?

Vjershat e para të Ibrahim Rugovës të botuara në periodikun letrar, kryesisht në “Rilindjen për fëmijë”, apo edhe ne “Jetën e re” në rubrikën e njohur të fillestarëve “Horizonte” janë të kushtuara atdheut, nënës, dëshmorëve, rinisë, shkollarëve… Vetë këto preokupime flasin për subjektin krijues i cili që herët do të ketë qenë i preo­kupuar me çështjet esenciale, të cilat në një mënyrë do t’i ngelin preoukupim dhe angzhim i përhershëm. Në vjer­shën, sigurisht nga të parat të botuara, “Uroj atdheut”[1], poeti i ri atdheut i uron përherë pranverë dhe jetën më të mirë në botë; i uron të reja, por edhe liri të përhershme, duke mos e harruar as djersën e derdhur për jetën e re të popullit tonë. Dhe, me urime të këtilla Ibrahim Rugova do të vazhdojë dhe në vjershën tjetër me titull “Atdheut”, në të cilin përdor më shumë figuracion, ndaj edhe ligjërimi poetik del më i arrirë, jep shenja se krijuesi ka marrë rrugën e shkrimit si mjet për të artikuluar preokupimet dhe idetë e veta. Ai edhe këtu ia uron atdheut pranverën e lulëzuar, pra jetën e re me diellin e artë në gji, por e uron atdheun edhe për këngët e thurura për të me aq shumë dashuri. Është e kuptueshme, prandaj, që vjershat e para të Ibrahim Rugovës, sidomos ato për fëmijë, i përshkon fryma e kohës, e entuziazmit që karakterizonte njeriun tonë kur i ishte dhënë me aq përkushtim zhvilllimit të përgjithshëm arsimor e kulturor, para së gjithash, i cili gjatë kohë i ishte i ndaluar. Kjo ishte fryma që shquante krijimtarinë letrare dhe përgjithësisht artistike të krijuesve tanë në atë kohë. Të kësaj atmosfere janë edhe përshkrimet e natyrës, të stinëve të vitit, të zogjve e të qenieve të tjera.

Poeti i ri Ibrahim Rugova, me siguri nga mësimet në shkollën e kohës, kupton se liria e cila gëzohet dhe jeta e lumtur që bëhet nëpër shkolla është fryt i luftës së dikujt për të, para së gjithash i atyre që janë flijuar për lirinë e vendit, ndaj me pietet i këndon dëshmorit:

 

N’ditët gjakatare

Me armik tu’u kapë…

N’beteja fitimtare

Dole me ballë hapë.[2]

 

Krahas këtyre vlerave, djaloshi i nisur që herët në udhën e librave dhe të krijimtarisë letrare i këndon edhe të ardhmes, përkatësisht rinisë dhe shkollarëve, atyre që objektivisht marrin përgjegjësinë për ndërtimin e jetës së re. Kështu, në vjershën “Rinija”[3] autori shkruan se kjo kategori e shoqërisë punon pareshtur, duke mbjellur lumturi me djersën e vet. Këta të rinj, me shpresa të zgjuara, të dhënë punës dhe përparimit, poetit të ri i ngjajnë në yjet qiellorë, prandaj edhe gëzimi në popullatën e kësaj atmosfere ngjan me diellin e hënën në qiell. Këtë ndjenjë, këtë ngazëllim dhe përkushtim për mësim, për punë e vepra të mira, poeti përpiqet ta mbjellë te çdo njeri, para së gjithash te fëmijët në bankat e shkollës, të cilët i këshillon të mësojnë, që t’iu buzëqesh jeta e re:

 

Në punë rrit’ni – lule t’reja,

Prej jush lindtë njeriu i ri…

U shtoftë gëzimi dhe hareja

N’zemrat tueja – si flori![4]

 

Ndër këto vlera, të cilat nga këto krijime të para të autorit dalin si preokupime, duhet veçuar edhe një që është e pandashme me atdheun dhe lirinë, e ajo është nëna. Nëna është e veçantë në jetën e secilit njeri, por në jetën e djaloshit poet do të ketë qenë e jashtëzakonshme, mbështetje kryesore, ndaj edhe dashuri e pakufishme, meqë dihet se ai shumë herët ka ngelur pa babain dhe është rritur me kujdesin e nënës. Nga numri modest i krijimeve poetike të botuara, sidomos për fëmijë, krijimet për nënën bëjnë numrin më të madh.

 

“Fytyra jote,

plot rrudha

oj nanë,

asht e bukur,

ma e bukur

se qielli me hanë.[5]

 

Ose vjersha tjetër, në të cilën shpreh gëzimin që rritet me kujdesin dhe dashurinë e nënës:

 

Dashunija për ty m’rrëmben si valë

Nana ime butësisht t’përgdheli;

Kangën ma t’bukur ty ta kam falë –

I lumë n’dorë tande – drandofil po çeli…[6]

 

Nëna, si dashuri më e madhe dhe mbështetje shpirtë­rore, do të jetë ajo që do ta frymëzojë poetin Ibrahim Rugova edhe atëherë kur poezinë e tij do ta artikulojë për një lexues më të rritur:

 

Sonte t’kemi qëndisë në ball –

Me katër sy,

Me tufëz shikime –

Me ndriçue ma tepër.

 

Kështu do t’i këndojë nënës poeti i ri Ibrahim Rugova. Këto vargje jo vetëm pse janë botuar në “Jetën e re”, por edhe për shkak të atmosferës dhe të mendimit që ngërthejnë në vete flasin se poeti ngadalë do të shkruajë edhe për të rritur. Kësaj kategorie të lexuesve iu përkasin disa nga lirikat e tij të mrekullueshme, të lëna po ashtu në periodikun letrar të kohës. Krijimet e tilla, si ato me titujt “Poezi”[7], “Lirikë”[8] “Unë e ti – dhimbë”[9], “Vargje e lot”[10] etj., paralajmëronin se letërsisë sonë po i vinte një poet i mrekullueshëm lirik, mirëpo me kohë, Rugova, i dhënë më shumë pas leximeve, dhe i mahnitur me vlerat që haste te disa krijues të traditës së poezisë shqiptare dhe asaj të huaj, botoi serinë e shkrimeve letrare nën mbititullin “Zenite letrare” në revistën letrare ‘Fjala”, me të cilat më vonë sajoi librin e bukur që atëbotë erdhi si xhevahir për dasha­mariët e letërsisë – “Prekje lirike”[11]. Ky libër njëherësh hapi edhe rrugën e autorit në fushën e studimeve letrare, ku arriti suksese të dalluara.

Megjithëse gurra poetike iu ndal, me poezitë që i botoi ai ngeli në kujtesën e dashamirëve të letërsisë si një poet e veçantë, që veçohej për ligjërimin e tij poetik të sinqertë, plot melankoli dhe filozofi të jetës, një ligjërim jeseninian. Vargjet e tij janë një kuvenim i hapur dhe i çiltër me lexue­sin apo me subjektin që e frymëzon, për të cilin shkruan apo të cilit i flet, janë një shpalim i shpirtit. Kjo mbase më së miri del nga strofa e fundit e poezisë “Vargje e lot”:

 

Por një të dihet se zemra e poetit,

N’dimër a n’verë s’di të ngurrë

Dhe kur ndjen valë rreth vetit –

Qan e qesh, nuk qetësohet kurrë.

 

Ky ishte poeti që e njihte Ibrahim Rugova nga vargjet e më të shquarve poetë të letërsisë sonë dhe të letërsisë botërore, poeti që e ndjente në shpirtin e vet, poeti i cili është i lidhur aq shumë për krijesën e vet sa, siç e thotë në poezinë “Kanga për kangën”[12], “veten prej saj s’mundesh me e nda”. Pra, poeti robërohet nga kënga, nëpërmjet së cilës artikulon ndjenjat, frymëzimet dhe idetë e veta. E, është vërtet mëkat që Ibrahim Rugova nuk ngeli në atë robëri, sado që gjithë atë potencë, dije e invencion e realizoi aq bukur në analizat, interpretimet e studimet e shumta letrare, duke u bërë një autoritet i respektueshëm në letrat shqipe.

I mësuar nga shembujt më të mirë të traditës së varg­nimit shqip, shumica e poezive të I. Rugovës kanë ritëm, muzikalitet, rimë dhe figuracion, siç vërehet edhe nga vargjet e njërës prej vjershave të para të publikuara “Erdhi vjeshta”:

 

Erdhi vjeshta, erdhi,

Vera shkoi përsëri,

U zverdh pylli, mali,

U tha bari n’vrri.[13]

 

Invencioni dhe liria e shprehjes e karakterizon edhe gjuhën e tij poetike. Ai jo rrallë, varësisht nga konteksti, përdor fjalë të rralla apo edhe të reja, me të cilat arrin efekte metrike dhe tingullore të poezisë së tij, duke e fuqizuar artistikisht mendimin që shpreh, përgjithësisht ligjërimin e tij poetik.

 

[1] Rilindja, Prishtinë 28.XI.1961, fq. 14

[2] Rilindja, Prishtinë, 25.XII.1962, faqe 10

 

 

[3] Rilindja, Prishtinë, dt. 6.VIII.1963, faqe 10

[4] Rilindja, Prishtinë, dt. 8.X.1963

[5] Rilindja, Prishtinë, 30.I.1962, fq. 10

[6] Rilindja, Prishtinë, 3.IV.1962, fq. 10

[7] Flaka e vëllaznimit, Shkup, 16 maj 1968, faqe 5

[8] Fjala, Prishtinë, nr. 7, 1968, faqe 13

[9] Zani i rinisë, Prishtinë, 12 tetor 1968, faqe 13

[10] Bota e re, nr. 1, janar 1969

[11] Ibrahim Rugova, Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë 1971

[12] Jeta e re, Prishtinë, 1963, faqe 109

[13] Rilindja, Prishtinë, 3.X.1961, faqe 9

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *