Shtepia Botuese Nacional publikon librin e studiuesit Flamur Bucpapaj: E KALUARA MORFO –ARKOLOGJIKE E RRETHIT TË TROPOJËS, QYTEZA ILIRE E ROSUJËS BUJAN. SVASTIKA, VAZHDIMËSIA ILIRO- SHQIPTARE, KRYQI I THYER

Shtepia Botuese Nacional publikon librin e studiuesit Flamur Bucpapaj: E KALUARA MORFO –ARKOLOGJIKE E RRETHIT TË TROPOJËS, QYTEZA ILIRE E ROSUJËS BUJAN. SVASTIKA, VAZHDIMËSIA ILIRO- SHQIPTARE, KRYQI I THYER

“Në mbarim të epokës së bronxit, simboli i kryqit të thyer gjendet me shumicë në përgjithësi në Iliri dhe veçanërisht në Ilirinë e Veriut. Në mbarim të shek VI dhe të V pr.K. simboli i kryqit të thyer shpesh gjendet në trevën e Alpeve të Veriut dhe vetëm një rast tek liburnët.
Domethënia simbolike e svastikës është e njohur mirë nga historia e religjionit. Vetë fjala svastikë, në sanskrinishte do të thotë svasti, shëndet, mirësi dhe gëzim. Svastikën, ilirët e kanë simbolizuar si dielli në lëvizje, pra një rreth i thjeshtë mbi të cilën është vendosur kryqi. Me kohë rrembat e kryqit janë thyer dhe kështu është fituar trajta e svastikës me rremba të thyer brenda rrethit. Kjo është paraqitja e hershme grafike e svastikës. Këto svastika janë të kohës së neolitit, të cilat i gjejmë në Dardani dhe në veri të Shqipërisë, sidomos në Vincë, Kosovë.”
“Malësorët e veriut e kanë përdorur kryqin e thyer brez pas brezi duke e bërë dhe tatuazhe, por edhe në rrasat e varreve si p.sh në Salcë, Lelkbibaj etj. Në zonën e Nikaj- Mërturit, këtë svastikë ata e quajnë “Dielli i gjyshave”, “Dielli i Qafës së Malit”, etj. Diellin në çati e kemi gjetur dhe në Malësinë e Kelmendit dhe në rrasat e çative të zonës së Nikaj-Mërturit.
Por kuptimi kryesor i svastikës tek ilirët e veriut, njësoj si në trevat e tjera të Ilirisë në thelb ka qenë solare. Mirëpo svastika ka dhe kuptime të tjera. Forma të svastikës i gjejmë edhe në mburojat e ilirëve të veriut, në monedhat e qytetit antik të Shkodrës etj. Pastaj shëmbëlltyra e trikvetrumit në kallcinjtë e liakut etj, ku ka pasur domethënie apotropoike, ndërsa një paraqitje të tillë e gjejmë te fibulat, byzylykët etj.”
Nga Flamur Buçpapaj
Gjithmonë nisem të mbledh fakte për Ilirinë e Veriut, edhe për shkakun e thjeshtë se përgjatë pesedhjetë viteve të kaluara dhe njezet viteve pluralizëm, studimet rreth veriut të Shqipërisë kanë munguar. Kjo zbrazëtirë studimore në fushën e arkeologjisë mendoj se ka ardhur për shumë arsye, ku më kryesorja mbetet ajo ideologjike. Kjo politikë dashakeqe dhe jashtëshkencore, në mënyrë të njëanshme ka lënë veriun e Ilirisë së vjetër thuajse pa asnjë studim, duke u lënë akademive të fqinjëve tanë tendenciozë fushë të lirë interpretimi dhe akoma më rëndë, keqinterpretimi.
Për fat të keq vërehet se thuajse asnjëherë nuk kanë thënë se vazhdimësia jonë iliro-shqiptare është e qartë fare në këtë trevë, dhe se elementi grek ose romak është shumë pak i përzier me kulturën vendase, gjë që e ndeshim jo rrallë në Ilirinë e Jugut.
Në të gjitha objektet e zbuluara në Tropojë ose në Dardani vihet re stili dekorativ ilir dhe simetria e harmonia e objekteve në kompozim, si në motivet gjeometrike që zbatonin ilirët për zbukurimin e enëve ishin teknika të gërvishtjes dhe mbushja e figurave me ngjyrë të bardhë. Ndër figurat më të dashura të ilirëve të veriut gjejmë trekendeshin, vijat zigzage, tufat e vijave, rrethin dhe kryqin e thyer. Gjithë këto figura janë edhe sot në teknikën e punimeve të qeramikës. Deri vonë, në qeramikën artizanale janë imituar këto teknika në punishtet shqiptare, gjë që vërteton se shqiptarët kanë pasur një të kaluar të ndritshme në këtë teknikë. Po kështu edhe vazot dhe qypat e bërë me dorë kanë pasur një cilësi shumë të mirë deri në fund të viteve tetëdhjetë të shekullit të njezetë.
Unë kam shumë punime të ndërmarrjeve tona artistike të bëra gjatë kohës së regjimit totalitar dhe jo rrallë kam krahasuar teknikat e punimit të tyre me ato ilire, dhe me shumë lehtësi aty gjen vazhdimësi, mjeshtrash të transmetuar brez pas brezi deri më sot. Gjithashtu në të gjitha punimet e tjera, si zbukurimet me gips, vëthët tokëzat të prodhura gjatë kësaj kohe, kanë stil vazhdimësie, që po t’i krahasosh me ato të gjetura në varre apo në nëntokën tonë kanë të njëjtin motiv dhe vazhdimësi. Edhe në fushën e arkitekturës në trevat e Ilirisë së Veriut, unë kam gjetur banesa njëkatëshe e dykatëshe të ngritura me gur, të punuara shumë më mirë se sa në ato helene. Po kështu kemi banesa mesjetare që janë vazhdimësi e qartë e banesës ilire.
Dua të marr vetëm një shembull nga shtëpia ime në fshat e bërë nga babai im me gur, me trashësi 50 cm, dykatëshe, me punime të tavaneve në dërrasa pishe, të gdhendura me dorë, kryesisht me trekëndësha, lule dhe svastikën e diellit, figura gjeometrike që tregojnë të njëjtën vazhdimësi shekullore ilire. Bile mbaj mend se edhe vendi ku lihej kafeja dhe mulliri i kafesë ishte një punim në dru dhe gur me një kompozim dekorativ të trashëguar shumë mirë i cili ngjason me teknikën ilire të gjetur po në trevën time, Tropojë.
SIC E KAM THËNË EDHE NË STUDIMIN TJETËR TË VAZHDIMËSISË ILIRO- SHQIPTARE, TREVA E DARDANISË , MË SAKTË TROPOJA ËSHTË BURIM GJETJESH TË VAZHDIMËSISË QË VERTETON KULTURËN DHE QYTETËRIMIN ILIR
Në vazhdimësi të lulëzimit të kulturës ilire e cila arriti kulmin e lulëzimit gjatë shekujve VIII-V, pr.K. një sërë objektesh morën formë të përthyer, tipike ilire me një art dekorativ të formuar që dallon nga popujt e tjerë fqinjë. Kjo kulturë u formua në sajë të marrëdhënieve ekonomike, politike e kulturore ndërkrahinore ilire, në sajë të fuqizimit të artizanatit vendas. Në bazë të kulturës ilire qëndron niveli i lartë i punimit të qeramikës dhe veçanërisht i objekteve prej argjendi dhe ari të gjetura veçanërisht në Dardani. Karakteristikë e tyre janë enët me dy vega të ngritura mbi buzë, të përdorura për të pirë. Shumë bukur punoheshin armët e sulmit si hanxhari me kurriz të përkulur dhe përkrenarja ilire.
Po të shohim me vëmendje, të gjitha enët e bëra më vonë, deri në dekadat e fundit nga artizanët privatë, por edhe nga ish-ndërmarrjet shtetërore gjejmë elemente të shumta vazhdimësie dhe se kultura e punimit ilir transmetohet shumë qartë në të gjitha objektet që unë i krahasoj me ato ilire.
Duke studiuar arkitekturën ilire vërehet se u zhvillua me shpejtësi ky art. Një serë qendrash prehistorike u kthyen në qytete të cilat u rrethuan me mure të fuqishme me potra të mëdha dhe kulla të shumta, të zbukuruara me blloqe gurësh teknikisht të butë, por të buxharduar, që i jepnin një zbukurim origjinal me motive ilire jo vetëm portave e kullave, por edhe qemereve, dritareve dhe dyerve të brendshme e të jashtme.
Duke parë anën që na intereson, pra anën figurative, shohim që në periudhën qytetare ilire shek V-II para Krishtit, artet figurative u zhvilluan me teknikën më të lartë bashkëkohore. U shfaq skulptura ilire prej guri, me shtatore dhe portrete njerëzish. Nje tjetër degë e artit ilir ishin dhe terrakotat prej balte të cilat paraqesin zakonisht kultet e kohës, p.sh kryqi i thyer, kushtuar diellit. Edhe arti dekorativ mori një hov me frymëzim vendas të cilin e gjejmë në punimin e enëve prej balte dhe bronxi dhe në pafkat metalike të brezit. Në shek III-II pr. K. ndeshim amphora, kupa dhe enë kozmetike të zbukuruara në reliev me tema mitologjike, erotike dhe bimore. Aplikime të arteve figurative gjenden edhe në varrezat monumentale, çfarë vërteton dhe arktekurën e zhvilluar të ilirëve të veriut ku gjenden parimet më të larta estetike të zbatimit të artit, por edhe në shumë objekte të një cilësie të dobët, por ama nga ana figurative ngjasojnë mjaft, janë prodhuar vazhdimisht dhe në ditët tona, gjë që për mua përbën një vazhdimësi.
Në mbarim të epokës së bronxit, simboli i kryqit të thyer gjendet me shumicë në përgjithësi në Iliri dhe veçanërisht në Ilirinë e Veriut. Në mbarim të shek VI dhe të V pr.K. simboli i kryqit të thyer shpesh gjendet në trevën e Alpeve të Veriut dhe vetëm në një rast tek liburnët.
Domethënia simbolike e svastikës është e njohur mirë nga historia e religjionit. Vetë fjala svastikë, në sanskrinishte do të thotë svasti, shëndet, mirësi dhe gëzim. Svastikën, ilirët e kanë simbolizuar si dielli në lëvizje, pra një rreth i thjeshtë mbi të cilën është vendosur kryqi. Me kohë rrembat e kryqit janë thyer dhe kështu është fituar trajta e svastikës me rremba të thyer brenda rrethit. Kjo është paraqitja e hershme grafike e svastikës. Këto svastika janë të kohës së neolitit të cilat i gjejmë në Dardani dhe në veri të Shqipërisë, sidomos në Vincë, Kosovë.
Malësorët e Veriut e kanë përdorur kryqin e thyer brez pas brezi duke e bërë edhe tatuazhe, por edhe në rrasat e varreve si p.sh në Salcë, Lelkbibaj etj. Në zonën e Nikaj – Mërturit, këtë svastikë ata e quajnë “Dielli i gjyshave”, “Dielli i Qafës së Malit”, etj. Diellin në çati e kemi gjetur edhe në Malësinë e Kelmendit dhe në rrasat e çative të zonës së Nikaj-Mërturit.
Por kuptimi kryesor i svastikës tek ilirët e veriut, njësoj si në tevat e tjera të Ilirisë, në thelb ka qenë solare. Mirëpo svastika ka dhe kuptime të tjera. Forma të svastikës gjejmë edhe në mburojat e ilirëve të veriut, në monedhat e qytetit antik të Shkodrës etj, pastaj shembëlltyra e trikvetrumit në kallcinjtë e liakut etj, ku ka pasur domethënie apotropoike, ndërsa një paraqitje të tillë e gjejmë te fibulat, byzylykët etj.
Dihet se svastika me gjemba të thyer në drejtim të lëvizjes së diellit ka qenë simbol i diellit, dritës dhe gëzimit, kurse ajo e kthyer në gjemba në krah të kundërt paraqet sidomos vdekjen.
Unë e kam gjetur kryqin e thyer në disa kapela në Gash, Lekbibaj dhe Geghysen të Tropojës, ku popullsia e krishterë nuk është konvertuar për shkak edhe të rrethanave gjeografike të relievit dhe mosnënshtrimit ndaj pushtimeve.
Askund më mirë se në zonën veriore të Shqipërisë nuk vërtetohet vazhdimësia iliro-shqiptare.
Arti ilir i periudhës së hekurit, i cili karakterizohet me stilin e tij dekorativ, të thelluar, të epokës së bronxit, por që vërehet mirë në periudhën e hekurit VIII-VII pr.K.
Ky stil i vjetër ilir është aplikuar jo vetëm në enët metalike, në bronx apo qeramikë, por edhe në dru dhe kockë, të cilat gjenden deri në shek. V-III të erës sonë në Alpet e Veriut, pra në Tropojë. Ky stil përfaqësohet nga një gamë e theksuar figurash gjeometrike, si rrathë të veçantë dhe bashkëqendrorë, rombe, trekëndëshe me fusha të zbrazura, ose të mbushura me vija paralele.
Në artet figurative që u zhvilluan në këta shekuj të erës sonë, por edhe në ato që u zhvilluan më vonë në Iliri, gjejmë figura njerëzish dhe kafshësh të trajtuara skematikisht ose në mënyrë të stilizuar si në objekte të tjera, si art dekorativ i ndërthurur me motive gjeometrike.
Në shek. VI p.e.s. deri në shek. III e.s. gjejmë objekte me stil të lartë figurativ. Shprehjen më të qartë të kësaj përsosmërie e gjejmë tek situlat liburne.
Në një stil të pjekur dhe arkaik të kohës, janë paraqitur momente nga jeta e ilirëve të veriut, në mënyrë të veçantë të shoqërisë së pasur të kohës, mes të cilave edhe një valle grash, të kapura dorë për dore, apo të një proçesioni funeral, ku përcjellja ndodh në mes të një vargu kurorash luftarake dhe kalorësish, që marrin pjesë në varrim. Në mjaft raste ka skena dyluftimi, gjuetie etj.
Pra këto gjëra, përveç anëve artistike më shërbejnë mua për të vërtetuar vazhdimësinë iliro-shqiptare.
Përsa u përket besimeve të ilirëve të epokës së hekurit dhe më pas, ato nuk ndryshojnë deri më sot. Mund të themi se shumë i përhapur tek ilirët ka qenë adhurimi i diellit, adhurim i cili ka ardhur i paprekur deri më sot në trevat e Alpeve, ku njerëzit betohen: “Për këtë diell.” Rolin e pjellorisë së tokës e gjejmë në shumë aplikacione, gjurmët e të cilit, siç kam theksuar edhe më lart, i gjejmë në objekte të ndryshme si p.sh. varëset në forme kali, kaprolli, zogu etj. Kultin e gjarprit, si simbol të pjellorisë sonë dhe si simbol të mbrojtjes nga syri i keq e kam gjetur edhe tek ilirët e veriut.
Vendosja e varreve në tuma përreth një varri të hershëm dhe shoqërimi i të vdekurit me objekte, ndodh dhe sot në përgjithësi, pra është zhvilluar kulti i të parëve, si dhe besimi në jetën e përtejme.
Ilirët e veriut ishin dhe mistikë. Ata sajonin lloj-lloj varësesh [amulet] për t’i mbrojtur ata nga sëmundjet e ndryshme, gjë që vazhdon dhe sot me hajmalitë.
Ndërsa nga ana linguistike mund të përmend disa fjalë që nuk janë larg gjuhës sonë shqipe, p.sh. rhinos= mjegull, maz= kali i vogël, kalibe = kasolle, bila =bijë, etj, pra gjithsej janë rreth një mijë emra.
Ndërsa tek vendbanimet e shikoj vazhdimësinë p.sh tek shtëpitë tona në veri, të cilat në shumicë janë ndërtuar mbi vende të ngritura të shoqëruara me ledhe. Dikur ato quheshin gradina dhe i gjejmë me shumicë tek dardanët, por dhe në Shuec të Bilishtit. Gradinat janë të vendosura mbi kodra mbizotëruese. Ledhet jane masa dheu apo gurësh që arrijnë 7-15m. Sistemi mbrojtës, ashtu si sot, bëhet me gardh hunjësh që ngrihej mbi ledhin dhe në disa raste të shoqëruara me hendekë. Në përgjithësi gati e gjithë jeta artistike, piktura dhe skulptura e bërë në ndërmarrjet artistike të kohës së monizmit, si dhe punimet me dorë, artizanale, po t’i krahasojmë me vëmendje me gjetjet ilire, janë pothuajse njëlloj.
Edhe punimet e tjegullave si të sheshta dhe në formë lugi, janë po ato që kanë qenë në kohën e Ilirisë, e në vazhdim përgjatë shekujve.
Në të vertetë, duke krahasuar të gjitha objektet e mbledhura gjatë kohës sonë me ato shekullore ilire kam vënë re se shumë objekte janë pothuajse të njëjta, me ndryshimin e vetëm se objektet e kohës sonë janë të pasuruara me kompozime të reja.
Për shembull, kjo vijimësi vërehet në shumë objekte të ndryshme utilitare, përfshirë edhe aplikimet e këtyre motiveve në qilimat dhe sixhadet e bëra në Kukës e në qytete të tjera të vendit, ku pothuajse ndeshim figurat e ngjashme gjeometrike si dhe figura të tjera të luleve dhe diellit, ato të kafshëve e të tjera që ngjasojnë me kulturën e vjetër ilire, duke ruajtur deri më sot këtë vazhdimësi iliro-shqiptare.