Intervistë me gazetarin, poetin dhe studiuesin e njohur Mentor Hoxha JA PSE NUK E KAM INTERVISTUAR ASNJËHERË KRYEMINISTRIN RAMA

Intervistë me gazetarin, poetin dhe studiuesin e njohur Mentor Hoxha
JA PSE NUK E KAM INTERVISTUAR ASNJËHERË KRYEMINISTRIN RAMA

Intervistoi: Ilmi DERVISHI

Mentor Hoxha në këtë intervistë exluzive flet për karrierën e tij profesionale si poet, studiues dhe gazetar. Tregon se përse nuk e ka intervistuar asnjëherë kryeministrin aktual dhe cili është vendi i Edi Ramës në historiografinë shqiptare. M. Hoxha është diplomuar në Universitetin e Tiranës për “gjuhë-letërsi”. Ka mbaruar shkëlqyeshëm Masterin Shkencor për studime letrare. Ka kryer disa specializime jashtë vendit për gazetari e mësuesi. Nga viti 1996 ka punuar si gazetar tek “Koha Jonë”, redaktor politik dhe shef kulture tek “SOT”, “Telegraf” dhe “Emigranti Shqiptar”, gazetar tek revista javore “Blic” dhe kryeredaktor tek revista “Vajza e Ditës”.

Z. Hoxha. Keni botuar 11 libra: poezi, studime dhe publicistikë. Keni shkëlqyer edhe në gazetari ku keni patur edhe poste drejtuese. Ndiheni më mirë në media apo në kërkim shkencor?

Fusha e gazetarisë dhe e kërkimit shkencor janë sa pranë aq edhe larg njëra-tjetrës. Të dyja janë të lodhshme dhe secila kërkon stilin e saj. Mendoj se e kam gjetur fillin e të dyjave dhe ndihem shumë mirë pranë tyre.

Keni mbi 20 vite si gazetar profesionist dhe keni botuar 8500 artikuj politikë, socialë e kulturorë, 1500 portrete dhe intervista eksluzive me figurat më të rëndësishme shqiptare të 20 viteve të fundit: presidentë, kryeministra, ministra, deputetë, politikanë, diplomatë, ambasadorë, shkrimtarë, gazetarë, miss-e, artistë, aktorë, këngëtarë, valltarë, sportistë, etj. Shumicën e intervistave e keni botuar tek revista “Blic” dhe gazeta ditore “SOT” dhe “Telegraf”. Këto intervista kanë zënë faqet e para të gazetave dhe kanë bërë bujë tek publiku për shkak se sollën për herë të parë në Media-n shqiptare botën e padukshme të VIP-ave shqiptarë, si dhe foto që për kohën kur u publikuan quheshin tabu. Mjaft prej tyre i keni botuar në 4 libra të titulluar “Sekretet e VIP-ave” dhe “Sekretet e Miss-eve”. Kë veçoni si intervistën më të mirë?

Intervistat i kam si fëmijët dhe nuk mund t’i ndaj nga njëra-tjetra. Për mua nuk ka rëndësi personazhi, por bota e tij shpirtërore. E veçanta është se gjithsecili ka hapur zemrën e tij duke zbuluar pjesë të panjohura për lexuesin dhe publikun shqiptar.

Në serinë e intervistave me 1500 personazhe VIP mungon kryeministri aktual Edi Rama. Nuk ke dashur ta intervistosh apo ke tentuar dhe ai nuk ka pranuar?

Emrin e Edi Ramës e kam ndeshur për herë të parë në faqet e gazetës “Koha Jonë” ku mbuloja si gazetar profesionist prefekturën e Dibrës. Nga mënyra me mllef që shkruante ndaj kundërshtarëve të tij m’u krijua një ndjesi e keqe për të. Fytyrën e tij të vërtetë e nxori si ministër i Kulturës kur fyeu rëndë një gazetare të media-ve opozitare vetëm pse ajo i bëri një pyetje provokuese. Ai ka fobi ndaj gazetarëve opozitarë dhe kritikë me të, sidomos ndaj gazetarëve femra. Kjo u duk para disa kohësh kur fyu rëndë në Bruksel gazetaren e ABC News, Erisa Zykën dhe moderatoren e emisionit “Tonight” Ilva Tare në studion e Ora News gjatë kohës kur po intervistohej prej saj. Zhargonin fyes nuk e ka kursyer as ndaj gazetarit B. Fevziu kur është vënë në siklet nga pyetjet e tij, ndërkohë ka shfaqur arrogancë dhe ndaj gazetarëve të tjerë opozitarë. Nisur nga këto gjeste arrogante dhe aspak dashamirëse me gazetarët nuk më ka shkuar kurrë ndërmend ta intervistoj.

Keni mbi 20 vite që punoni si gazetar profesionist në disa gazeta ditore dhe revista periodike që kanë qenë dhe janë në opozitë me të gjitha qeveritë shqiptare si “Koha Jonë”, “SOT”, “Telegraf” dhe revista javore “Blic”. Përse ndodh kjo me ju. Nuk ju pëlqejnë mediat qeveritare apo ato pranë qeverisë?

Nga natyra jam rebel, kështu që nuk duroj padrejtësitë që u bëhen njerëzve të pambrojtur dhe të nëpërkëmbur nga qeveria dhe klasa politike. Mediat qeveritare e të blera nga qeveria nuk lejojnë kritika ndaj kryeministrit, qeveritarëve apo liderëve politikë, prandaj kam zgjedhur mediat e pavarura opozitare “SOT”, “Telegraf” dhe revista javore “Blic”, e cila më 1998-1999 ishte revista opozitare më e lexuar dhe më kritikja ndaj qeverisë socialiste dhe qeveritarëve të saj. Frymën opozitare e vazhdova edhe te gazeta ditore “SOT” me disa artikuj politikë ku për disa kohë kam qenë redaktor i politikës, më pas shef i departamentit të Kulturës. Si redaktor politik tek e përditshmja “SOT” unë mbuloja veprimtarinë e opozitës e cila drejtohej nga PD dhe Sali Berisha. Në prag të zgjedhjeve lokale të 2007-ës u botuan për herë të parë më 11 shkurt 2007 në gazetën “SOT” disa foto nudo të kryebashkiakut të Tiranës, E. Rama (sot kryeministër i Shqipërisë), nga ana tjetër kryebashkiaku dhe veglat e tij filluan një sulm të egër ndaj “SOT” dhe gazetarëve të saj. “SOT” ishte më kritikja ndaj Ramës, e tillë është edhe aktualisht, por sot, z. Rama është Zot i plotpushtetshëm: ka në dorë qeverinë, policinë, prokurorinë, ekonominë, administradën, madje dhe gjykatën dhe mafian. Edhe pas 11 vitesh ai e ruan inatin dhe urrejtjen ndaj gazetarëve të “SOT” dhe mendon se fotot nudo të tij i kam zbuluar dhe botuar unë. Dje kam marrë një telefonatë anonime ku më thonë: “Nëse shkruan sërish kundër kryeministrit dhe qeveritarëve do të të vrasim familjerisht. Kërcënime të tilla me jetën time dhe të familjes kam marrë shpesh gjatë punës si gazetar i mediave kritike me qeverinë, por këtë herë kam frikë se mos më vrasin mua, pasi familja dhe djali im im i vetëm janë të mbrojtur, pasi ndodhen në një shtet të BE-së. Miqtë e mi më thonë që të denoncoj kërcënimet dhe të kërkoj mbrojtje nga policia, por nuk kam fare besim tek ato, pasi faktet dëshmojnë se asnjë gazetar që ka denoncuar në polici për dhunë dhe kërcënime me jetë ndaj tyre nga njerëz të veshur me pushtet nuk kanë marrë kurrë mbrojtje, përkundrazi janë vënë më shumë në shënjestër të pushtetit dhe të qeverisë. U kërcënua hapur deputeti rebel socialist Ben Blushi nga kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvin Roshi dhe megjithë denoncimin që bëri Blushi në parlament, policia dhe prokuroria nuk morën asnjë masë ndaj kërcënuesit, kurse kryeministri Rama, ministri i Brendshëm Tahiri dhe kolegët socialistë të Blushit në parlament heshtën përballë këtij rasti flagrant, pasi Roshi ishte i privilegjuari i tyre. Raste të tilla ka me dhjetra, kështu që unë nuk kam besim tek policia, pasi kur nuk u mbrojt deputeti si mund të më mbrojnë mua që jam një gazetar dhe studiues pa asnjë imunitet parlamentar.

Krahas intervistave të spikatura me personazhe VIP shquheni edhe si studiues i letërsisë dhe i historisë. Keni botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë disa artikuj studimorë dhe dy libra voluminoz shkencorë të redaktuar nga dy emra të shquar të letërsisë shqiptare. Si studiues i letërsisë dhe i historisë si e shikoni figurën e Edi Ramës në historiografinë shqiptare. Mund të zër ai vend përkrah kryeministrave të mëdhenj të Shqipërisë?

Nga viti 1912 kur u krijua shteti i parë shqiptar dhe qeveria shqiptare numërohen 45 kryeministra. Nisur nga CV- e tyre më rezulton se Edi Rama, gjer më tani mund të konsiderohet vetëm si element statistikor i historisë shqiptare dhe jo si vlerë, madje mund të konsiderohet si antivlerë e saj. Gazetari i njohur Ylli Rakipi e ka quajtur si kryministrin më budalla që nga viti 1912, ndërsa unë do ta quaja si kryeministrin më mashtrues dhe butaforikë të të gjitha qeverive shqiptare. Një Don Kishot entuziast që lufton me mullinjtë e erës, një kryeministër ireal që krenohet për suksese imagjinare të qeverisë së tij, ndërkohë që 90 përqind e njerëzve janë të papunë dhe vuajnë korrupsionin e qeveritarëve. 300 mijë shqiptarë kanë ikur gjatë qeverisjes së tij, dhe 200 mijë të tjerë aplikuan vitin që shkoi për LLotarinë Amerikane. Do të kujtohet si kryeministri që detyroi të ikin mbi gjysëm milion banorë, apo si kryeministri që në emër të bërjes së shtetit arrestoi dhe burgosi njerëzit më të varfër të Shqipërisë, kurse deputetëve të tij miliarderë u dha tendera disamilonëshe. Ai kriminalizoi parlamentin shqiptar me futjen në parlament të 4 deputetëve të dënuar për vepra të rënda penale, kriminalizoi bashkitë me kryebashkiakë të dënuar për përdhunime dhe drogë, hoqi nga parlamenti profesorët dhe solli 35 deputetë me diploma të blera tek Universiteti jopublik “Kristal”, largoi nga administrata publike të paaftët dhe emëroi në vend të tyre analfabetë dhe kriminelë. Do të kujtohet si kryeministri që bleu të gjitha mediat e rëndësishme në vend dhe mbylli 4 televizione e gazeta që ishin në opozitë me të, futi autocensurën në media dhe shantazhin e kërcënimin ndaj mediave dhe gazetarëve opozitarë. Mediat që nuk iu bindën si “55”, “ABC News”, “SOT”, “Telegraf”, “RD” dhe portalet mediatike “Lapsi.al”, “Syri Net” i quajti “këneta mediatike”.

Nga 1500 personazhet që ke takuar dhe intervistuar, cili personazh ju ka bërë më shumë përshtypje dhe ju ka ngelur në kujtesë?

Të gjithë më kanë magjepsur me sinqeritetin dhe përgjigjet e drejtpërdrejta. U janë përgjigjur pa hezitim edhe pyetjeve të sikletshme dhe që përbënin tabu për kohën. Po ashtu u fotografuan dhe sollës foto familjare apo personale që quheshin të ndaluara. Ruaj takime mbreslënëse me mbretëreshat e bukurisë shqiptare, Valbona Selimllari, Sidorela Kola, Monika Zguro, Hygerta Sako, Aldona Elezi, Enkelejda Bargjo, Mimi Kodheli, Arta Dade, Valentina Leskaj, Teodor Laço, Sabri Godo, Bamir Topi, Arian Starova, me shkrimtarët dhe studiuesit tanë më të talentuar: Dritëro Agolli, Besnik Mustafaj, Agron Tufa, Fatos Kongoli, Mimoza Ahmeti, Petraq Kolevica, Dionis Bubani, Shaban Sinani, Klara Kodra, Viron Kona, me piktorët e shquar: Alush Shima, Arben Golemi, Arben Morina, me gjigandët e skenës sonë: Kadri Roshi, Serafin Fanku, Timo Flloko, Llazi Sërbo, Vasjan Lami, Edmond Budina, Veronika Xhentili, Leonard Bombaj, Rozana Prendi, Andeta Radi, Gëzim Kame, Sulejman Dibra, Hajrie Rondo, Met Bega, Behar Mera, Lita Rati, Vasillaq Vangjeli, Stefan Prifti, Fejzullah Myftari, Muharrem Hoxha, Tahir Baçova, Eriselda Shllaku, me vajzat më të bukura dhe më talentuara të ekranit si Rudina Magjistari, Rezart Xhaxhiu, Juli Xhokaxhi, Denisa Pasholli, Ardit Gjebrea, Elton Kraja, Xhemi Shehu, Eneida Xhelili, Artemiza Ozaj, Julia Guga, me valltarët më të mirë të Shqipërisë si legjenda Liliana Cingu, Rexhep Çeliku, prima balerina e Teatrit Operas dhe Baletit, Enada Hoxha, koreografja e “Portokallisë” Manjola Hasani, Inis Gjoni, Uejda Ele Sajed, Blerina Hasani, Flora Gargani, Ledia Sulaj, Eneida Mollaymeri, Romina Alku, kompozitorët gjeni: Zhani Ciko, Ardian Hila, Petrit Beci, Shpëtim Saraçi, Edmond Zhullali, këngëtarët e Eurovizionit Kejsi Tola, Olta Boka, Anjeza Shahini, Juliana Pasha, Aurela Gaçe, këngëtaret brilante: Anita Take, Bleona Qerreti, Eli Fara, Greta Koçi, Liri Rasha, Ilir Shaqiri, Bujar Qamili, Bashkim Alibali, Ingrid Gjoni, Mufarete Laze, Rovena Dilo, Hysni Zela, Anxhela Peristeri, Anjeza Branka, Ardian Trebicka, Artiola Toska, Edona Llaloshi, Albërie Hadërgjonaj, Evis Mula, Sinan Hoxha, Elisabeta Marku, Rozana Radi, Sabiani, Ervin Bushati, Silvana Dollapi, Mira Bregu, Rovena Stefa, Eglantina Toska, Erlinda Pepnika, Kozeta Kalaci, këngëtarët e shquar lirikë: Kastriot Tusha, Agim Hushi, Irini Qiriako, Eteleva Golemi, Anila Gjermeni, Alma Strazimiri etj. Pështypje më ka lënë edhe drejtoresha e Martenitetit të Ri të Tiranës, Rubena Moisiu, e cila tregoi në hollësi jetën e saj dhe të babait president Alfred Moisu. Nga portretet do veçoja atë për për Sali Berishën, Ilir Metën, Jozefina Topallin dhe Sabri Godon.