Shënim për dramën “I biri i Rozafës” e Ekrem Kryeziut

Një dramë me motive të lashta që i flet qartë bashkëkohësisë sonë

“ Mund të thuhet edhe se, kjo vepër e Kryeziut mbetet në fushën e dukurisë, me një thellësi të konsiderueshme të metaforizmave, si përpjekje serioze që ta zbërthejë shtresimin e saj, fijet e tundimit ekzistencialist të cilin disi na e shkakton vepra kur ta lexojmë.”

Nga Prof. Dr. Haqif MULLIQI

Është fakt i pamohueshëm se, me dy ciklet e dramave të botuara në periudhën e pasluftës në Kosovë, Ekrem Kryeziun mund ta rangojmë në njërin prej zërave të rëndësishëm dhe më interesant të dramaturgjisë shqiptare, por edhe të asaj të regjionit të Ballkanit në përgjithësi. Pse nuk ka botuar E. Kryeziu më herët drama? Besoj se këtë e dinë shumica e publikut, ndërsa, në dhjetëra intervista që i kemi realizuar bashkë qoftë për mediet e shkruara, apo edhe televizion, personalisht jam përpjekur ta sqaroj disa dhjetëra herë. Popullariteti i tij i madh dhe i pakontestuar në rrafshin mbarëkombëtar (ta kujtojmë se që në fund të viteve të 70-ta, pas Televizionit të Prishtinës dhe Teatrit Kombëtar të Gjakovës, edhe në Teatrin Kombëtar të Tiranës u inskenua drama e tij kulte, ‘Epoka para gjyqit’), ndërsa ka tërhequr dhe vazhdon të tërheq vëmendjen për shkak të domethënshmërisë esenciale të veprave të tija që kanë rëndësi të madhe sidomos për nënqiellin tonë dhe për historinë e dramës sonë në përgjithësi.

Mt: Tejkalimi i kornizave klasike në dramaturgji

Konceptet filozofike dhe risitë dramaturgjike në formë, të cilat i sjell profesori Ekrem Kryeziu në veprën e tij dramatike, janë përpjekje të pamohueshme as të vocklat e as të padomethënshme në letërsinë tonë dramatike. Ky autor, në mënyra të ndryshme, me fuqinë e tij shprehës dhe një lloj vetëbesimi, në dramat e tija, duke përfshirë këtu edhe dramën “I biri i Rozafës”, thuaja se i tejkalon kornizat klasike në dramaturgji, para së gjithash duke përdorur forma mjaft të guximshme dhe disi më radikale e cila fuqishëm përcakton konceptin e tij mbi vetë hapësirën.
E, hapësirën në dramën “I biri i Rozafës” Kryeziu disi sikur vizualizoi filmikisht, meqë kjo, siç mund ta kuptojmë që në fillimin e saj, është e stërmbushur me të ashtuquajturat plane të mëdha (gro), pastaj edhe me prerje të shpejta e gati-gati të befasishme, si dhe me veprime paralele e që ka ndikim të jashtëzakonshëm në vetë ritmin e dramës. Këtu nuk mungojnë as kuadro subjektive, dhe kështu me radhë.
Bile, dhe në planin tematiko-domethënës të dramës së tij, ky autor sikur ecën një hap tutje, ngase, përkrah temave të ashpra, por të zakonshme historike për këtë autor, të ashtuquajturave tema të rileximeve të mitit (reinterpretimi të tij, gërshetimi i miteve dhe legjendave përmes një strukturimi dhe formësimi të personazheve siç janë, bie fjala At Kerubini, Rozafa, Gjergj Elez Alia, Pjetër Bogdani, Arqipeshkvi Luciani, Mis Edit, Gjon Marku, etj.,) na tërheq përgjatë historisë shqiptare përmes një harku parabolik duke iu përafruar kështu koncepteve të Adlerit dhe duke u futur thellë në psikanalizën tonë.
Duke shfrytëzuar edhe mënyra natyraliste në narracionin e tij dramatik dhe duke varguar kështu në veprën e tij edhe një numër të madh të motiveve poetike, metaforike, alegorike, e që jo rrallë dalin të jenë hove tronditëse Kryeziu krijon një dramë me motive të lashta, por që i flet qartë bashkëkohësisë sonë. Kjo efektshmërin më të madhe e arrin përmes një dialogimi të personazheve që shndërrohet në debate të fuqishme të personazheve të vetë dramës dhe që “lundron” përmes një gjuhe vërtetë imagjinatave dhe të guximshme skenike të autorit.
Në dramën “I biri i Rozafës” Ekrem Kryeziu, në një mënyrë apo tjetrën e konfirmon atë që, është një prej shenjave dhe karakteristikave të gjithë opusit të tij dramaturgjik, pra: dialogun e shtruar dhe eliptik; me kthesa të shpejta dhe të papritura; me konstatime të shkurtra, të heshtura ndonjëherë që vijnë si psherëtima të Popullit (si personazh në këtë dramë); por, jo rrallë, edhe me pauza dhe heshtje të dhembshme.
Duke e shfrytëzuar përparësitë e dramaturgjisë së filmit, të cilën Kryeziu e njeh mirë dhe të cilën, kryekreje e dëshmoi madje që tek “Epoka para gjyqit”, ky autor del se është i aftë të na e dëshmojë se njerëz të ndryshëm nga kohë dhe vende të ndryshme (po deshëm edhe nga gojëdhëna, mite dhe legjenda të ndryshme) mund të kenë të njëjtat brenga, të njëjtat shqetësime dhe të njëjtën dhembje. Kjo, në fakt mund të quhet edhe momentumi rapsodik i dramës “I biri i Rozafës” së Ekrem Kryeziut, paçka se ky autor e synon gjetjen e të vërtetës së tij filozofike, poetike, letrare dhe historike, të fatkeqësive shqiptare ndër shekuj, të cilat qëndrojnë mbi kokën tonë, pra mbi astral, si mallkim mitik i shqiptarëve, e që shpalohet palë-palë para nesh si një kaleidoskop. Kjo i jep mundësi autorit të dramës që të dyzojë personazhet e veprës së tij me realitetin tonë të të trisht në të cilin realitet ndërtohet unitetet mu sipas mësimeve të Aristotelit, dhe duke integruar me sukses hapësirën, veprimin dhe kohën dhe duke i vënë në lëvizje personazhet mes botës reale dhe asaj ireale. Këtë e gjejmë madje që në krye të dramës, tek pjesa hyrëse e narratorit të cili kryeziu e quan Folësi, pra oratori i cili përmes altoparlantit thotë:

Ngjarjet që do t’i shikoni sonte ndodhin në kohë të kaluar që në të njëjtën është edhe kohe e tashme…
Në këtë shfaqje, si në jetën tonë, vështirë dihet ku përfundon e kaluara e ku nis e sotmja.
Ashtu të ndërlidhura na mjegullojnë të të menduarit sa që vështirë kuptojmë se cilën kohë po e jetojmë…
Cila kohë po lindet nga koha që po jetohet…
Cila kohë po jetohet…
E kaluara apo të tashmja?
Sa është e tashmja e tashme?
Sa është e kaluara e kaluar?
Sa vdes njëra, sikur ringjallet tjetra…
Të lidhura nyje njëra me tjetrën
Si nata me ditën…
Si dita me natën…
Rrënimi nis me vdekjen e Skënderbeut.
Rrënimin e kështjellave tona.
Historisë sonë
Në këtë kohë, të pa kohë, nisen shpërnguljet shqiptare…
Shpërnguljet e mëdha nga fushat në male.
Nga toka e Arbrit.
Përtej detit.
Ngjarjet si shtjella zhbirojnë kujtime…
Thellë e më thellë…
Në errësirat e kohës të palosura në mbamendje…
Në ag të fiseve shqiptare…
Atje ku u tret aristokracia.
U mëkëmb kisha.
Mbi kujtime dhe mbi fis…

Mt: Si u ndodhën shqiptarët në një situatë të këtillë

Kështu, siç do ta vëmë re, thuaja se, përgjatë gjithë dramës, marrëdhënien e tij kritike karshi realitetit që na e ofron Ekrem Kryeziu në shumicën e dramave të tija, veçanërisht, në mënyrë shumë të mprehtë, tek drama “I biri i Rozafës”, vepra, në fakt, mbi të gjitha, mund të konsiderohet si një refleksion intelektual i këtij autori, dhe jo vetëm. I autorit i cili shpërfaqë idetë dhe vizionet e tija letrare artistike dhe politike karshi asaj që u ka ndodhur bashkëkombësve të tij përgjatë historisë, e në veçanti në tridhjetë e pesë vitet e fundit të shekullit të kaluar dhe të këtij fillimshkeulli, kur vetë autorin e “gjejmë”: herë si protagonistë, e herë si antagonistë në një vend kur barbarët po bënin përpjekje të rrënonin dhe të shkatërronin çdo vlerë madje edhe mitet dhe legjendat e shqiptarëve që ishin ndërtuar në disa mijëra vjeçar të tërë duke i vjedhur dhe keqinterpretuar në dëm të shqiptarëve.
Shi për këtë, qëllimi i këtij autori ishte edhe ai, që të na tregojë se si u ndodhën shqiptarët në një situatë të tillë. Apo edhe ta ngre dilemën se: si u futën në atë vorbull të peshkves që djeg dhembshëm për kaq qindra e mijëra vjet dhe a është e rastësishme kjo!?
Në këtë dramë të Kryeziut, përveç zbërthimit të diskursit të tij dramatik, përmes ideve të tija artistike zhvillon edhe një proces të mundimshëm artistik, dhe jo vetëm, por edhe të krijoj një mjet, kryekreje, të fuqishëm të komunikimit me publikun, përmes të cilit ka për qëllim t’i përçojë vizionet e tija estetike, etike, politike, filozofike e mbi të gjitha ato nacionale duke bërë përpjekje që të arrijë, disi, tek “zbulimet e tija interesante” të cilat, ndonjëherë i ndihmojnë që edhe përmes një distance ironike të flasë për nevojat e rilindjes së traditave popullore te ne, nëpërmjet ndërtimit dhe të mbindërtimit të miteve dhe të legjendave, të autokracisë, gënjeshtrës së madhe të cilat disi të shpijnë deri në izolim nacional dhe nihilizëm. Tek një izolim i cili po na ngulfatë si komb edhe sot e kësaj dite.
Ky proces është i simbolizuar përmes skenave të At Kerubinit një keqbërësi agresiv dhe të pamëshirshëm; harbut, kriminel dhe të cilit qëllimi ia arsyeton akëcilin mjet (Makiaveli). Ky personazh, mendoj se tërë dramën e Kryeziut e shndërron në një akt-laboratori me dimensione alegorike, me një paraqitje metaforike të lindjes së diktaturës fashiste të fundit në Evropë (pra të asaj serbe) dhe të kriminelëve të sojit të Millosheviqit,të Sheshelit, të Karaxhiqit, të Mlladiqit, të Stanishiqit, të Simatoviqit apo Arkanit, (por edhe të spiunëve dhe keqbërësve vendor – shqipfolës – që, për fat të keq, nuk na kanë munguar asnjëherë në histori), e që ishin autorë të aq tragjedive njerëzore, sidomos përgjatë të tetëdhjetave dhe të nëntëdhjetave të shekullit të kaluar e që i shkaktuan plagë dhe ankthe të madha edhe vetë autorit të kësaj drame, të cilat ai u përpoq ta nxjerr përmes kësaj krijimtarie interesante.
Mendoj se drama “I biri i Rozafës” nga E. Kryeziu është paramenduar ashtu që të zgjojë një lloj reaksioni të rojtarëve të traditës, qoftë si libër apo edhe shfaqje teatrore (nëse nuk do ia ndalojnë Kryeziut të punojë në teatër, siç po e bëjnë sot), paçka se, si gjithmonë në rastin e profesor Ekremit, asgjë nuk është ashtu sikur mund të na duket në shikimin e parë. Sepse, edhe kjo dramë, sikurse edhe “Komploti ilir”, jo vetëm që i dekonstruon mitet e moçme shqiptare dhe ato ballkanike përmes veprimeve të personazheve të veta si dhe përmes dialogëve që ata shqiptojnë, por këtu shpaloset edhe trashëgimia mitike si dhe ajo historike që shndërrohen në një bazament të një procesi të nisur i cili sikur nuk përfundoi asnjëherë deri në përmbylljen e tij. Kjo, domosdo, paraqet edhe një shqetësim shtesë edhe për lexuesin e veprës, për shikuesin e shfaqjes në një të ardhme, sikundër edhe për vetë autorin e dramës. Drama “I biri i Rozafës” i rishqyrton temat më të ndjeshme nacionale në një metaplan të vetëm, në fushën e metalinguistikës.
Për ta sqaruar këtë që e thamë besoj se mund të shërbehemi me parathënien e tij të dramës “Ballkoni” të Zhenesë, me ç’rast ai e tërheq vërejtjen se artisti apo poeti nuk e ka për detyrë që ta gjejë zgjidhjen faktike të problemit të të keqes, por vepra e tij duhet të jetë një eksplodim i fuqishëm, akt pas të cilit publiku do të reagojë ashtu siç mundet dhe siç dëshiron. Nëse çështja morale mbi marrëdhënien e të mirës dhe të keqes zgjidhet mbi dërrasta e skenës, atëherë ajo vërtetë mund të zgjidhet. “Ndërsa kur e keqja shpërthen në skenë, ajo na zhvesh tërësisht, na e humbë besimin dhe strehimin do ta gjejë vetëm në neve”, thotë Zhene.
Ndërsa, për t’u kthyer diku në fillim të kësaj analize, mund të thuhet edhe se, kjo vepër e Kryeziut mbetet në fushën e dukurisë, me një thellësi të konsiderueshme të metaforizmave, si përpjekje serioze që ta zbërthejë shtresimin e saj, fijet e tundimit ekzistencialist të cilin disi na e shkakton vepra kur ta lexojmë. Fakti se Ekrem Kryeziu shkruan pjesë “të gjalla”, polemike dhe me ide të fuqishme e të kapshme politike, gjegjësisht të disa tendencave ideologjike, në epiqendër të së cilës e vë bazamentin e lirisë së njeriut, ky, faktikisht e kuptojmë se ky ia del që ta përshkruaj një realitet të sotëm objektiv dhe subjektiv në të cilin ekzistenca e njerëzve arrin deri tek kufi një e të qenit, si dhe të absurdit në një rrethim të plotë dhe totalitar.
Premisa fillestare e këtij autori që nga jeta të marrë tema që hapën përmes diskursit antropologjik, do të thotë përmes rrëfimtarisë popullore – miteve dhe legjendave, e që janë thelbi i jetës aktuale, gati pahetueshëm na futë në një mënyrë domethënëse të të menduarit alegorik dhe të atij metaforik.
Niçeja do ta shkruaj diku, diçka, mbi të mirat dhe të këqijat e historisë; mbi atë se si krahasimet historike mund të jenë joshëse edhe mashtruese, nga vetë fakti se, teprimet në histori do ta dëmtojnë vetë njeriun. Nga ana tjetër historia i përket vetë njeriut aktiv dhe të fortë, mendon F. Niçe, pra atij që zhvillon luftë të mundimshme; atij që ka nevojë për idhuj, mësues, por edhe ngushëllues, e të cilët nuk mund t’i gjejë në mesin e miqve të tij dhe sot.
Dhe, pikërisht për këtë arsye se drama “I biri i Rozafës” e Ekrem Kryeziut gjejmë se ngërthen në vete këtë fuqi dhe ajo për këtë do të luajnë edhe një rol tjetër jashtë diskursit estetik dhe të atij poetik: që të na kujtojnë se sa janë hequr shqiptarët shekullin e shkuar dhe si i shpëtuan shfarosjes nga gjenocidi serb.
Kjo mbase është një prej arsyeve kryesor se përse më pëlqen drame e Ekrem Kryeziut. Ajo nuk na lë as shpirtin as mendjen e as mbamendje të flenë. Përpara ecin vetëm të zgjuarit.