VËSHTRIM RRETH PROZËS SË KOZMA GJINIT NGA QAZIM SHEHU

VËSHTRIM RRETH PROZËS SË KOZMA GJINIT

NGA QAZIM SHEHU

Autori i vëllimit me tregime “E dashura e Eseninit” , Kozma Gjini, mbetet një zë i veçantë që gjithnjë e më ngulshëm po e përvijon portretin e tij në prozë dhe po shkon drejt autencitetit të rrëfimit,një rrëfim i stolisur me dritëhijet e jetës ku gëlojnë dhe marrin rrugën e tyre si në një radhua, brilant bulëzat e jetës.(Është një përmbledhje e disa prej tregimeve të tij botuar në shtypin letrar).Në këndvështrimin e një proze tërheqëse, të lexueshme, ku “caktohet” fati i individit përmes vendosjes së tij në rrethana jetësore, proza e Gjinit na shtrin një botë sa reale aq inkandeshente duke sjellë tipa dhe karaktere që denatyrohen rrugës dhe marrin gjithnjë e më tepër pamjen e tyre të vërtetësisë dhe të formëzimit tip dhe atipik përmes kësaj vërtetësie.Pas romanit, do thoja të suksesshëm, “MARIZA”,si sugjerim për ata që nuk e kanë lexuar, ku, në paralele të një subjekti të shtrirë e njëherit kompakt,autori sjell me intonimin poetik-realist botën e një femre nën trysninë e një realiteti kundërthënës e kundërshtar të individit të bukur (së pari brenda familjes e pastaj të shoqërisë), përmes deformimeve dhe denatyrimeve fragmentare të një shoqërie në dizekulibër mental,politik dhe social,ai vjen para lexuesit me një vëllim tjetër me tregime, me një titull intrigues: “E dashura e Eseninit”.Vëllimi me tregime që paraqesim ështësi një sjellje tjetër e prozës së tij,në këtë zhanër elegant,të hollë dhe inkursiv për të thënë pak e për të depërtuar shumë.Kozma Gjini vjen në letërsi me natyrën e tij, larg çdo ngjasimi dhe të gjitha tregimet duken si të përjetuara dhe mbartin në harmoni një trandeshencë fluide. Ato vijnë si një çast vëzhgimi, dehjeje, inspirimi ndaj bukurive të jetës dhe bëhen kështu copëza të gjalla të një mozaiku të ndërvepruar si pjesë të një të tëre dhe si një e tërë që,po të duash ta shpërbësh, kurrë nga ajo nuk mund të tëikë imazhi i tërësisë.Me emrin e Kozma Gjinit tregimi i sotëm,ai që botohet nëpër libra apo në periodikë letrarë, fiton një autoritet të mëvetësishëm artistik, fiton staturën e klasikes së harruar,kur duhet të mendojmë për tregimet e Jakov Xoxës,Vath Koreshit,Naum Priftit,po njëherit mbushet me frymën e re të një lirie të shprehuri dhe vizatimi të lirë liriko -poetik që Gjini e sjell me aftësinë e vet rrëfimtare.Befasia, si element i sjellë me elegancë brenda logjikës narrative në tregimet e Gjinit, nuk afron me befasinë O`Henriane, por i ngjet, ajo është një befasi e cila vjen përmes indeksimit jetësor të ngjarjeve.(Tregimi “Adoleshentja”, apo më tej, tregimi mbi virgjëreshën).Është diçka që nuk pritet dhe pritet një hamendësim lirik meditativ mbi jetën dhe fatin,brenda një tematike dhe vëzhgimi që shkon natyrshëm në spontaneitetin e gjërave dhe arrin në vështrime socpsikologjike,socmorale apo duke i hequr perden një dramaciteti të brishtë dhe të hovur të një bote të brendshme shpirtërore që shpesh ndrydhet nga paragjykimet dhe tabutë. Kështu,Gjini na zbukuron atë më të paprekshmin në mbulesën e tij të koracuar prej dogmave apo turpit të kodifikuar:shpirtin njerëzor,i cili, kur del në spikamën e vërtimës estetike, është aq mbresëlënës dhe duhet parë mirë.Autori sugjeron ta kthejmë vëmendjen pikërisht drejt këtij shpirti edhe pse në këto vite të dramacitetit hutues ku mashtrimi dhe varfëria herë-herë vënë kufi alogjike dhe deformojnë shumë kode që dikur i kemi mbajtur të shenjta dhe ashtu janë, pikërisht,ky rikthim si mision i artit është mjaft i nevojshëm, jo vetëm si veprim ndërgjegjësues,përshkrues i shkrimtarit të mirëfilltë, por edhe si moto e çdo lexuesi real,të emancipuar letrarisht,që e do artin.Përshkrimet e Gjinit janë të shkurtra dhe në masën e duhur. Ato nuk synojnë shtjellimin deri në përcaktimet e një sjelljeje të hetimit të botës së personazhit,pra nuk të lodhin,po njëherit na thonë shumë gjëra,çka do të thotë se autori e njeh mirë teknikën rrëfimtare jo vetëm si prirje talenti, po edhe si kujdes dhe stërvitje e tij në artin e të rrëfyerit.Është e natyrshme të kuptohet,se tregimi i mirë mbetet i tillë, kur ngjeshjen fabulore e sjell gjithnjë brenda temporitmit rrëfimor, që i thotë të gjitha me pak rreshta.Elementi i drejtpërdrejt rrëfyes, pa lajle-lule,gjithnjë në kërkim të identifikimit ndiesor, është një veçori dalluese e stilit të Kozma Gjinit,ku kërkohet ajo që sjell përcaktimin më adekuat të personazhit përmes ngjarjes ose mikrofabulës.Ky element e bën prozën e këtij autori gati floberiane,impersonale,çka sjell një përshkrim të qëruar nga tepritë dhe gjërat e panevojshme.Të gjitha tregimet e këtij libri janë një serenatë e shpirtit njerëzor përmes përditshmërisë së jetës, ku e ulta, vulgarja dhe ajo që nuk shkon,kontrastohen me poetikën e së mundshmes së shpirtit njerëzor, ku gjetjet dhe befasimet shpalosin dukshëm në spikamën e ndjenjës atë që do të ndodhë si një kundërvënie e natyrshme ndaj vulgares.Befasimet nuk vijnë si gjetje të sajuara, po gjithnjë ato na shpalosen në rrethana ekzistenciale të njeriut përballë trysnisë së rrethanave dhe shqetësimit njerëzor.Prej kësaj përvijohet një poetikë e ngrohtë dhe autori të rrëmben pa bujë e të bën bashkëshoqërues të personazhit të vet.Kjo është meritë e një prozatori që e njeh jetën dhe di ta transfigurojë thjesht në një prozë mbresëlënëse.Autori duket sikur paraqet tablo reale,sekuenca filmike të shpejta, përvijime dhe ndriçime të shpirtit njerëzor nën kujdesin e një trilli të drejtpeshuar.Të ngjan se me këto personazhe ke biseduar dikur, ato marrin diçka nga ty dhe duket se ke dhënë diçka, dikur edhe ti ke hyrë në bisedë me to, e ja ,tek to i sheh që vijnë dhe kërkojnë diçka prej teje.Kjo është meritë e komunikimit estetik që realizon autori.Kjo ndodh, sepse ai e njeh jetën dhe ka marrë prej saj ato mbresa që më vonë i ka mundur t`i hedhë në letër.Kjo mënyrë e realizon një afrim shkrimtar-lexues,një afrim jo të lehtë për ta arritur, por prozatorët e mirë e dinë këtë sekret dhe e mjaftojnë në kufij të qenësishme të njerëzores.Duke lexuar prozën e Gjinit që shprehet në vetitë e një manifestimi njerëzor të ndjenjës dhe emocionit,mendoj se ajo na afron realiteteqë duhen shikuar edhe përmes një gjykimi më të shpenguar.Këto realitete bashkëlidhen në pikën e deshifrimit të shpirtit njerëzor,pikë e cila ngjizet përmes bukurisë së jetës.Si një zë i prozës së re shqipe me interesimet e veta dhe shijen e hollë që përcjell,Kozma Gjini afron gjithnjë mundësi të reja në tregimet e veta.Këto mundësi jepen në prozën e vet transparente dhe ngrohtë, ku filli lirik është ai përrua i padukshëm që mban varkën narrative mbi valët e tij të qeta.Në tregimin konciz të Gjinit duhet të depërtosh në konfigurim skenarësh (ndërsa lexon), duhet të përvijosh e të zbulosh të padukshmen, të fshehtën, atë që sapo ceket dhe të shket duarsh nëse s’e lexon vëmendshëm.Sa bukur jepet e fshehta te tregimi“Adoleshentja”. Gjithnjë në fund të tij na duket se u dashka tëmarrim frymë.Ai të mban peng gjatë tërë zhvillimit të ngjarjes dhe të fut në labirinthe që duket se luan dhe ti me personazhin. Nusja manekine (që në fakt është nëna e vajzës) digjet në diell e veshur metë bardha për të lypur, kurse vajza s’mund ta konceptojë dot qënien e kësaj mrekullie si lypësare (e të mos i jap asaj) dhevetëm kur vjen mbyllja e tregimit, lexuesi merr vesh se nusja me të bardha ishte nëna e saj që robtohej për të rritur pikësisht vajzën e vet.Personazhet nuk janë sajime të tij, përkundrazi ato largohen prej tij dhe bëjnë mëvetësinë e tyre edhe pse nuk mund t`i largohen penës së autorit dhe dalin nga ajo.Në këtë aspekt do të thoja se këto personazhe e mbartin më së miri rolin e tyre, kur është fjala të komunikojnë me ne dhe të përveçohen sipas ngjarjes ku ndodhen.Ja pra, kështu gjenden ato në tregimet “Adoleshentja”,”E dashura e Eseninit “, “Pula e botës”, “Nakashima”etj.Ja si vijnë drejtpërdrejt nga jeta dhe thonë se, edhe ne, po të nxitoheshim pak, mund të gjendeshim në rolin e tyre.Ky realizim e bën prozën e Gjinit një prozë të besueshme dhe e sjell afër nervit të qetë të jetës ku dramaciteti sugjeron thellësi duke e afruar atë përmes së zakonshmes.Këto janë ato përmasa të idesë që reflektojnë ngjarjet e ndryshme dhe që shpërfaqin botë njerëzore,sjellje dhe kuptueshmëri të ndryshme.Në këtë kuptim,Gjini është vetvetja,origjinal dhe njëherit në hullinë e prozës realiste, ku procedura klasike e rrëfimit vishet me tisin e një poetike të këndshme.Gjuha e këtyre personazheve vjen në parametrat dhe veçoritë e një bisede të zakonshme,si një gjuhë që transmeton shqetësim, halle, brenga, sinqeritet dhe afrim. Është një gjuhë sa bruto aq edhe e fine, një gjuhë e një materiali herë të kreshpëruar në dallgë ashpërsie e herë në valë të qeta, por edhe e një vërshim i vlimit ndiesor të personazhit.Fjalia e rrjedhshme,ndërtuar me kujdes e përcjell këtë materie eterike në sfondin e kohës dhe viteve të caktuara duke shprehur gjithnjë një mendësi apo formim të caktuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *