“Joana” Tregim nga Hysen Kica

Joana

Kur po kalonte një ditë nepër rrugët e qytetit Luani pa në xhamin e një dyqani një lajmërim ku kërkonin përkthyes të gjuhës frënge. Në lajmërim ishte shënuar edhe numri i telefonit por Luani mendoi se vendi i punës kishte lidhje me dyqanin dhe hyri Brenda.
– Mirdita! – përshëndeti gruan që duhej të ishte shitësja.
– Mirdita! – ia ktheu shitësja përshëndetjen me mjaftë mirësjellje duke shpresuar se mund të blente diçka. – Urdhëroni!
– Më falni, – tha Luani. – Desha të pyes për lajmërimin.
– Më vjen keq, – tha shitësja, – por nuk e dij kush e ka vendosur. Mua më pyetën dhe u thashë se nuk më prish punë. Më duket se e kan vendosur numrin e telefonit te lajmërimi.
– Mendova se ndoshta lajmërimi ka lidhje me dyqanin, – tha Luani. – Më falni!
– E flisni gjuhën frëngë? – e pyeti shitësja.
– Mendoj se e flas mirë. Kam jetuar gjashtë vite në Francë.
– Po pse jeni kthyer në Shqipëri?
– Nuk më bënë letrat. Vendi i huaj mbetet gjithmonë i huaj.
– Thonë se Franca është e bukur.
– Për francezët ashtu është ndërsa për ne nuk ka asnjë vend të bukur në botë. Askush nuk na don dhe askush nuk na mbron. Nuk na mban as shtëpia jonë. Kemi mbetur si jetimë me baba gjallë.
– Nuk e dij, – vazhdoi shitësja. – Unë nuk kam qenë kurrë jashtë shtetit.
– Ti qenke mirë, – i tha Luani. – paske dyqanin dhe dyqani nuk të lë pa bukë.
– Dyqani nuk është i imi. E kam marrë më qera. Punoj vetem për bukën e gojës. Duhen paguar taksat, dritat, qeraja dhe sigurimet. Po malli që mbetet stog dhe ata që marrin borxhe! Tepron shumë pak! Ne fitojmë si në Shqipëri dhe paguajmë si në Europë.
Në dyqan u fut një grup vajzash.
– Më falni! – tha shitësja.
Luani e pershëndeti dhe doli jashtë. U largua nga dyqani por nuk e harroi shitësen. Ndjente sikur kishte nevojë për shoqërinë e saj, sikur donte ta shikonte përsëri, sikur donte të bisedonte me te por i vinte zor të shkonte te dyqani i saj pa një arësye.
Një ditë Luani vendosi të blinte një kostum plazhi dhe shkoi te dyqani i saj.
– Mirdita! – e përshëndeti ai.
-Urdhëroni! – i foli shitësja. – Në mos gaboj ti je ai që je kthyer nga Franca për tu çmallur me vendlindjen.
– Ashtu është. Si e ke kaluar? – e pyeti Luani. – A ke patur shitje?
– Dobët, – tha shitësja. – A gjete punë te ai që kërkonte përkthyes të gjuhës frënge?
– Ishim regjistruar mbi njëzet vetë për një vend pune. Na bënë një si provim dhe na thanë së do na lajmërojnë në telefon. Mesa duket ishte vetëm një mashtrim i zakonshëm.
– Eshtë bërë keq për punë.
– Më fal! Si e ke emrin?
– Unë… Joana.
– Mua më quajnë Luan.
– Ja pra Luan. Në vendin tonë nuk ka as punë dhe as drejtësi, nuk ka as rregull dhe as qetësi, nuk ka as pastërti dhe… Shumë keq. Unë nuk kam qenë kurrë jashtë shtetit por kam dëgjuar se atje nuk është kështu.
– Epo… Ky është atdheu ynë dhe duhet të punojmë që ta rregullojmë.
– Po kush mund të thotë se ne nuk punojmë! Kush mund të thotë se prindërit e mij nuk kan punuar me ditë e natë për të ndërtuar gjoja socializmin që thuhej se ishte shoqëria më e lumtur në botë? Ku u mbyt gjithë ajo djersë e mund që u derdh për pesëdhjetë vite!
– Këtë na lanë trashëgim, – tha Luani. – Nuk duhet të ikim të gjithë. Ka shumë edhe nga ata që kanë fituar këtu.
– Në vendin tonë fitojnë vetëm ata që vjedhin, ata që mashtrojnë ose ata që vrasin, – tha Joana. – Tek ne është vënë ujku për çoban. Më fal se fola shumë. Ndoshta deshe të bleshë diçka.
– Desha një kostum plazhi.
– Për vehte e don apo… Ke grua?
– Kam, – tha Luani, – Gruaja zgjedh vetë. Zakonisht ju gratë nuk i pëlqeni ato që zgjedhin burrat tuaj.
– Mos thuaj ashtu. Ndoshta jeni ju ata që nuk dini ti rrespektoni dhe ti vlerësoni gratë.
– Më vjen keq Joana por nuk është krejt ashtu. Mundohu edhe ti ta kuptosh më shumë burrin dhe do kuptosh se ai ka mendime të mira për ty.
– Ai për mua! Më mirë mos ma kujto.
– Më fal! Nuk desha të shqetësoj.
– Burri im nuk ka ditur kurrë të më vlerësoje e të më kuptoje sepse as nuk ka dashur të mendoje për mua. Gjithë jetën jam mbështetur në forcat e mia dhe i kam arritur këto që kam sot vetëm me vullnet të fortë, me punë këmbëngulësë dhë më besim te e arëdhmja pa qenë kurrë e gëzuar në familjen time.
– Për mendimin tim është gruaja ajo që ka në dorë gëzimin e familjes, – tha Luani. – Mos ja ler gjithë fajin burrit.
– Unë për vehte kam kaluar një jetë shumë të vështirë, – tha Joana. – Për mua nuk ka patur gëzim familjar dhe as ka për të patur kurrë. Asgjë nuk është në dorën time. Më fal Luan! Më duket se fola shumë.
– Jo Joana. Mua më vjen keq për ty.
– Ti je burrë dhe bën në shtëpi si të duash.
– Nuk është krejt ashtu, – tha Luani. – Në familje bëhet ashtu si e don interesi i familjes dhe jo si don vetëm njëri. Mos harro se edhe burri lodhet në punë, ndeshet me probleme të shumta dhe acarohet apo stresohet. Kur të kthehet në shtëpi ai ka nevojë të gjeje një ambient të ngrohtë e të qetë, ka nevojë ta përshëndesin, ti thonë fjalë të ëmbëla dhe ndoshta edhe më tepër.
– Ashtu!
– Po.
– Sipas teje të gjitha fajet i ka gruaja .
– Prit! Mos u ngut. Me burrin duhet të sqarohesh me sinqeritet. Ta bindësh nëse ti ke të drejtë por edhe ta kuptosh nëse ai ka të drejtë. Nuk duhet të mendosh se vetëm ti ke të drejtë. Ndoshta edhe ai ka të drejtë!
– Ai nuk më beson kurrë, – tha Joana. – Bëhet xheloz krejt kot, bërtet si i çmendur dhe i shkel me këmbë ndjenjat e mia.
Në dyqan u fut dikush dhe Luani e përshëndeti duke u larguar. Nuk bleu asgjë dhe u kujtua se kishte shkuar në dyqan për të blerë rroba plazhi por nuk u kthye. Kishte kohë dhe mund të vinte nesër apo edhe më vonë. E kujtonte shpesh Joanën. Jo se kishte ndonjë ndjenjë të veçantë për te por sikur donte të diskutonte me te për problemet familjare. I dukej se me gruan shpesh bënte fjalë të kota dhe se ajo e akuzonte për pazotësi që nuk i kishte rregulluar letrat në Francë. Ja edhe tani po punonte me copa e nuk po gjente një punë të mirë. I dukej se gruaja nuk e kuptonte gjendjen e tij dhe nuk e ndihmonte. Duke e ndjerë vehten disi të vetmuar në shqetësimet e tij ndjente nevojën të gjente dike për tu shprazur dhe Joana sikur e pranonte shoqërinë e tij.
Pa kaluar shumë ditë shkoi përsëri te dyqani i saj. Joana e priti vërtetë si mik dhe nuk e pyeti se çfarë donte të blinte.
– Besoj se nuk të shqetësoj! – i tha Luani pasi e pershëndeti.
– Aspak! – i tha Joana. – Përkundrazi. Bëre mirë që erdhe. Ne tani jemi shokë dhe njeriu ka nevojë për shokë të mirë si ti. Si e ke kaluar me jetën familjare? Si e ke nusen?
– Kalojmë, – tha Luani shkurt. – Po ti me burrin?
– Nuk dij si të themë. Më shumë keq se mirë.
– Më fal! A mund të më thuash si je martuar me burrin?
– Më rastisi që isha në një dasëm ku kishte qenë i ftuar edhe ai. Në dasëm shkohet për të kërcyer dhe kërceva për qejfin tim por ai më kishte përgjuar dhe kishte pyetur për mua. Pastaj u njohëm. Mendova se gjeta njeriun që më dashuronte dhe u martuam.
– A e njohe mirë apo…
– Burrat të mashtrojnë.
-Mos u ngut Joana! Nuk është kaq e thjeshtë përgjegjësia. Shumë të rinjë nxitohen kur vendosin për martesën e tyre por nuk duhet ta mendosh se ti je krejt pa gabime. Ke edhe ti pjesën tënde.
– Mua mu duk se i plotësonte të gjitha ato që ëndërroja për jetën time dhe nuk dyshova se kjo ishte vetëm fasada e tij.
– Unë nuk kam të drejtë të themë se ndoshta je ngutur apo se ke besuar shumë.
– Askush nuk e mendon të keqen kur martohet. Përkundrazi. Kur martohesh ëndërron vetëm gjëra të bukura, thur plane të guximëshme dhe…
Padashje i kishin futur bisedat e tyre në problemet intime të jetës familjare. Kishin biseduar si të ishin miq të vjetër. Kishin kaluar shumë kohë bashkë dhe kishin shkëmbyer numrat e telefonave.
Pas disa ditësh Luani shkoi përsëri te Joana dhe sikur fshiheshin në një qoshe të dyqanit.
– Do vras vehten, – tha Joana. – Ma ka nxirë jetën.
– Mos fol ashtu – i tha Luani duke marrë duart e saj në duart e tij dhe e përgëdheli. – Ti më ke thënë gjithmonë se je e fortë.
– Nuk mundem ta shtyj më kështu. Ja bëj “bam“ një herë dhe shpëtoj.
– A nuk jemi marrë vesh se do jemi miq dhe do ta ndihmojmë njeritjetrin!
– Eshtë bërë i tmerrëshëm. Kam frikë të shkoj në shtëpi dhe ti nuk më ndihmon dot.
– Qetësohu Joana! – tha Luani dhe i përgëdheli flokët.
– Prit të shoh pak! – tha Joana dhe shkoi për të mbyllur derën e dyqanit.
– Unë…
Joana u mbështeti pas trupit të tij dhe Luani e rrethoi me krahë mesin e saj. Përfunduan në krahët e njeritjetrit dhe e harruan kohën.
Në darkë Luani po pushonte pranë familjes kur ra zilja e telefonit të tij.
– Telefoni! – i tha gruaja nga guzhina.
– Mesazh, – tha Luani dhe mori ta lexoje.
”Mirmbrëma miku im i dashur! E madhe është dhimbja fizike por më e madhe është dhimbja shpirtërore. Kujtova se ishte e kotë ta vazhdoja jetën dhe mendova ti jap fund por dashuria jote më dha një motiv për të jetuar. Po më pëlqen të jetoj dhe po jetoj për ty. E jotja Joana“.
Luani e fshiu menjëherë mesazhin e saj.
– Kush ishte? – E pyeti gruaja.
– Nga vodafoni, – gënjeu Luani.
– C’farë thonin?
– Duan vetëm para. Asgjë tjetër.
Gruaja e shikoi drejt në sy dhe Luani buzëqeshi kot. Mendjen e kishte te Joana. Duhej ti kthente përgjigjie por nuk dinte ç’farë ti shkruante. Për çudi edhe gruaja po i rrinte shumë pranë dhe po i fliste për diçka. Ashtu si kot filloi të luante me telefonin dhe i hoqi zilen. Sa mirë kishte bërë. Erdhi përseri një mesazh nga Joana dhe gruaja e tij nuk kuptoi asgjë. E futi telefonin në xhep dhe dikur gjeti rastin të lëvizte pa rënë në sy të gruas. Iu desh të futej në banjë dhe të lexonte mesazhin e dytë.
“Më thuaj diçka të lutem. Jam në ankth të padurushëm. Mezi po pres. Joana jote e dashur”.
Luani u mundua disa herë të shkruante diçka të përshtatëshme por e prishte se nuk i dukej përgjigjia e duhur.
“Më fal! – i shkroi më në fund. – Kam një mik dhe më ke zënë shumë ngushtë. Të falemnderit për respektin. Natën e mirë”!
E ndjente se ishte futur në një lojë që nuk dinte as ta luante dhe as të dilte prej saj. Pothuaj e kaloi gjithë natën pa gjumë. Të nesërmen mendoi se duhej patjetër ta thërriste në telefon.
– Si e kalove? – e pyeti. – Shpresoj të jeshë qetësuar.
– Shumë pak kohë gjete për mua, – iu përgjigj Joana në telefon.
– Më vjen keq e dashur por ashtu erdhi puna. Sot nuk mundem por do dal nesër pasdite dhe flasim.
– Deri nesër pasdite!!!
– Më vjen keq por nuk mundem më shpejt. Duhet edhe ta ruajme njeritjetrin.
Folën edhe ca sa për të thënë diçka dhe shkëmbyen puthjet në telefon.
Kur shkoi në shtëpi Luanit iu duk se gruaja po e priste ndryshe nga herët e tjera. Sikur donte të luante me te dhe dukej shumë e dashur. Iu duk se nuk kishte ditur ta njihte gruan e tij dhe se i kishte kërkuar vetëm te ajo shkaqet kur ishin grindur.
Të nesërmen shkoi te Joana dhe biseduan për plot gjëra të kota. Për çudi po i dukej se Joana ishte e merzitëshme dhe sikur i kërkonte llogari. Edhe në marrëdhënie intime Joana po e akuzonte se ishte lodhur me gruan e tij dhe se nuk po i përgjigjej sa duhet. Megjithate u përmbajt dhe nuk shfaqi shenja pakënaqësie.Vetëm kur shkoi në shtëpi e ndjeu vehten të qetë. Megjithate sikur e ndjente vehten fajtor para gruas dhe kishte frikë ta shikonte drejt në sy. Në guzhinë u bë zhurmë sepse diçka ra poshtë dhe ndoshta u thyen disa gjëra por Luani nuk e hapi gojën. E kuptoi se gruaja ndjehej e dëshpëruar dhe i erdhi keq për te. Kur hyri në dhomë ajo e shikonte si me frikë se do ti bërtiste.
– Hajde ulu pak! – i tha Luani dhe ajo u ul pranë tij për të pritur vërejtjet.
Luani u shtri dhe vendosi kokën në prehërin e saj. Për çudi, jo vetëm që nuk i bëri vërejtje, si bënte zakonish kur gruaja bënte ndonjë gabim por i erdhi keq për te dhe e përgëdheli. Edhe gruaja i përgëdheli kokën dhe futi gishtat në flokët e tij. Luanit iu duk e bukur jeta familjare dhe nuk e pyeti gruan se çfarë kishte ndodhur.
Kur po përgatiteshin për në krevat kërciti zilja e telefonit.
– Kush është? – e pyeti gruaja.
– S’po më duket numër i njohur, – tha Luani dhe shtypi butonin e fikjes duke e afruar kot telefonin te veshi.
– Më duket se nuk foli njeri! – foli përsëri gruaja.
– Do kenë ngatërruar numër, – iu përgjigj Luani dhe futi telefonin në xhep por e kapi shqetësimi se ajo mund ta thërriste përsëri.
Filloi të fërkonte barkun e të shtrembëronte fytyrën.
– C’farë ke? – e pyeti gruaja e shqetësuar.
– Po më dhemb pak stomaku.
– Si mund të ndihmoj!
– Të falemnderit! – tha Luani. – Mos u shqetëso. Po shkoj pak në banjo.
Fatmirësisht e hoqi zilen e telefonit para se të arrinte mesazhi i Joanës.
“Luani im i dashur! Më fal por nuk mund të fle pa dëgjuar zërin tënd. Më thuaj diçka të bukur që të qetësohem. Të dua shuuumë. Kiss, kiss, kiss“.
Filloi ti shkruante përgjigjien. Shkruaj… prish. Shkruaj përsëri… I dridheshin duart. Jo vetëm se bënte shumë gabime kur shkruante por as nuk i pëlqenin ato që shkruante. Nuk donte ta lëndonte Joanën por duhet ti thoshte që të mos i shkruante më.
“Të falemnderit shumë për dashurinë Joana por më ke zënë shumë ngushtë. Natën e mirë“.
– A ke problem Luan? – e pyeti gruaja pas dere.
– Ja se erdha, – tha Luani dhe e fiku telefonin.
– Të kaloi? – e pyeti gruaja që po e priste pa u futur në krevat.
– Jam më mirë, – tha Luani që kishte harruar të mbante dorën te barku.
Të nesërmen e ndezi telefonin vetëm pasi doli nga shtëpija dhe pa se Joana i kishte dërguar disa zile e mesazhe.
“Më shqetësove shumë shpirtë. Më thuaj të lutem ç’farë ke. Thuaji zemrës tënde gjithëçka se të shëroj unë. Të dua. Të dua. Të dua… shuuu… më. Nuk rrij dot pa ty. Ma more zemrën. Më skllavërove shpirtin. Mi more të gjitha“.
“Luan! Shpirti im! Të lutem shumë mos më torturo. Më thuaj një fjalë të lutem se po pres me padurim. Unë kam kaluar një jetë të tmerrëshme. Jeta ime ka qenë një ferr i vërtetë por ti më ringjalle…“
“Sa shpejt e paske fikur telefonin. Ndoshta tani po rregullohesh me gruan dhe nuk ke më nevojë për mua“.
Luani po mendonte se ishte futur në një qorrsokak dhe nuk dinte si të dilte. Ra zilja e telefonit dhe sikur e trembi. Nuk e hapi por mendoi se çfarë duhet ti thoshte. E thirri paspak dhe i kërkoi falje. U mundua ta binde se kishte patur shumë dëshirë të fliste me te por nuk kishte patur mundësi. U detyrua të pranonte se do shkonte ta takonte pasdite sapo të kthehej nga puna.
Joana dukej shumë e mërzitur ndërsa Luani u mundua ta binde se duhej të ruheshin nga skandalet që mund tu kushtonin edhe jetën.
– Pse nuk ndahesh nga gruaja? – e pyeti ajo.
– Nuk është kaq e lehtë, – tha Luani. – Arësyet morale, shoqërore dhe familjare nuk kapërcehen me një fjalë. Duhet kohë.
– Kjo nuk është e drejtë, – i tha Joana. – Ti nuk je i drejtë jo vetëm me gruan tënde por as me vehten. Ti nuk je i drejtë as me mua.
– Do mendohem dhe do ta gjejmë një zgjidhje.
– Dëgjo Luan! Duhet të më kuptosh drejt se mua më vjen keq edhe për ty. Nuk ke të drejtë ta dënosh vehten dhe të jetosh me një grua që nuk e dashuron. Je akoma i ri dhe ke të gjitha mundësitë ta riparosh jetën tënde.
Ti je burrë dhe burri e ndan fijen.
– Më duhet kohë Joana.
– Mos u mbyt në një gotë uji. Thuaje një fjalë të mençur. Vendose dhe fol. C’farë do të bësh?
– Të thashë pra se do të mendohem.
– Ashtu!
– Po.
– Më duket se po tallesh me mua!
– Më vjen shumë keq Joana.
– Edhe mua më vjen shumë keq që të besova dhe të fala dashurinë. Mos mendo se unë jam rrugaçe dhe vjen të bredhësh me mua.
– Po ngutesh Joana.
– A ka mundësi të më lëshë të qetë!
– Patjetër! – tha Luani dhe doli jashtë.
Nuk e takoi më kurrë.
Hysen Kica