Zemërimi i rapsodit nga Hajdar Mallaku.

Hajdar Mallaku
Zemërimi i rapsodit
Viti 1989. Për shumë kohë ishte përgatitur terreni për heqjen e Autonomisë së Kosovës. Atë ditë, kur ndodhi kjo, nuk di si ta quaja. Ditë e djajve, ditë e hienave që sulmuan në grup, ditë kur Kosova u kthye në truall flijimi, sepse u nxor jashtë ligjit. E kur je jashtë ligjit, jeta të kushton lirë. Ishte ky fillimi i një rrënimi institucional, i një diskriminimi pa i dhënë llogari askujt. Apo këtë ditë, shikuar më larg, do ta quajmë fillimi i një rindërtimi të Kosovës si shtet, i një lirie të vërtetë, me shumë sakrifica, por e përherëshme dhe e kërkuar kahmot.
Në sallën e arsimtarëve serbët po përgatitnin një kremte të madhe e ne shqiptarët rrinim të ngrysur dhe të nemitur “Çile gur gojën …”. Doli atëherë në plan të parë shtriga plakë, Rexhiçka, profesoresha namëzezë serbe, që e mori hartën e Jugosllavisë së atëhershme, i mblodhi si klloçka zogjtë e së keqes, profesorët serbë, e, edhe disa profesorë boshnjakë dhe turq të tulatur dhe pa dinjitet; e shtrini hartën e Jugosllavisë së atëhershme mbi tryezë dhe me gisht i vijëzoi kufijtë e “Serbisë së Madhe”. M’u bë se i grrithi me thonj dhe i përgjaku ato troje të mashtruara tash e pesëdhjetë vjet, kinse me vëllazërim-bashkim; i preu me dara kufijtë e mëparshëm, si priten fillet e armaturave dhe tha: “Evo drugovi, Serbija çe biti ad Xherdapa do Karllobaga i od Gevgelije do Horgosha”( Qe shokë, Serbija do të jetë prej Xherdapi deri te Karllobagu dhe prej Gjevgjelije deri në Horgosh”).
Sulmi i parë pastaj qe diferencimi ideo-politik në arsim, largimi i kuadrove më të mira. Mjerisht ne kishim qyqarë në mesin tonë, e edhe nga shkolla jonë, “shqiptarë” si Rrilli i Prel-Lucajve që në Konferencën Krahinore të LK kërkoi që diferencimi në shkolla të jetë më i thellë. Pas lufte me bisht qeni nën shalë iku në Serbi dhe do të turpërohet edhe i vdekur të hyjë në varr në Kosovë.
Para nesh pastaj sfidat ndëshkimore, ndërrimi i planprogrameve që erdhën nga Beogradi. Ne i refuzuam njëzëri, megjithëse kishte edhe të lajthitur që donin ta depononin një fjalë që mund t’u gjendej në ndonjë rast. Ishte Lah Treshi që u ngut dhe tha:
– Shokë, mos të ngutemi! Në program ishte edhe Ismail Kadare.
– Zoti Lah,- tha Prof. S. Bajrami. Ky mendim është i papjekur. Ata mund të fusin edhe më shumë se ne në planprograme mësimore dhe i heqin kur të duan. Qenësore është se kush i bjen këto programe, Beogradi apo Prishtina.
Pasoi një reagim që lindi si një vlim nga secili prej nesh dhe drejtori e fiku si kur ia hudhim një gotë ujë akull valës që derdhet nga ena.
– Mir u kuçi !- tha drejtori… (Qetësi në sallë,-tha drejtori…)
– Mir qe biti kada budemo svi ravnopravni… svi sllobodni.(Qetësi do të ketë kur do të jemi të gjithë të barabartë…të gjithë të lirë) – thashë unë.
Populli pati besim te ai dhe u mashtrua keq. Le të na kujtohen fjalët e dy -tre folësve “Kosova nuk humb asgjë” apo “Ne duhet t’i kuptojmë vëllezërit serbë”. Ne e kuptonim frikën që e kishin për vete, për familje, por kur ke pranuar të jesh deputet, atëherë e ke detyrimin tënd për fatin e atdheut.
Në orët e pasditës Kuvendi i KSA të Kosovës, i rrethuar me polici dhe udbashë të futur në radhët e deputetëve, në një turbullim euforik dhe me kërcënime sistematike, votoi për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Serbia. Votoi kundër vetëm një pjesë e vogël që nuk qonte peshë, por që qëndresën për atdhe e sublimoi me dinjitet. Ekrani televiziv për ne ish bërë si një vullkan që po nxirrte prush dhe po na i përvëlonte zemrat, por pa denesje dhe gjamë. Zemra në ankth po vajtonte të ardhmen tonë të errët, por, me ndihmen e Zotit dhe të së drejtës, u gjet në bërthamë burimi i fshehur i optimizmit kombëtar. Këtë vit u formua dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, brumi i shëndoshë i shtetit të ardhshëm të pavarur.
Sulmi tjetër qe largimi nga shkollat. Na nxorën nga lokalet shkollore, na e ndërprenë finansimin, na i lëshuan vendimet se ishim të pushuar nga puna. Madje duke e ditur se ne nuk do t’i nënshkruanim, i kishin ngjitur në mur. Atë ditë në sallë para nesh po qëndronte ulur një udbash që e vendosi revolen mbi tavolinë, në korridor një polic me pushkë në dorë gadi për shkrehje, në sheshpushim jashtë shkolle një autoblindë. Çdo gjë të jepte pamje tmerruese.
Qëndrimi ynë jashtë shkolle zgjati deri në gjysmëvjetor. Një armatë e tërë nxënësish pa mësim, një armatë e tërë studentësh poashtu, një armatë e trimoshave dhe yllëzave që pritnin të ulëshin për herë të parë në bankat e shkollës, mbetur në shtëpi; një armatë e tërë arsimtarësh të papunë, pa paga që t’i mbanin familjet e tyre. Krejt këto ishin bërë të planifikuara që të shkatërrohej sistemi arsimor. E, si rrjedhim i saj, filloi dhe shpërngulja e familjeve jashtë Kosovës, për të gjitha, e veçmas për shkollimin e fëmijëve. Pas pushimit dimëror Lashi organizoi sistemin paralel të arsimit shqip: shkollat fillore do të punonin në shkolla me vetëfinancim, ndërsa të mesmet dhe fakultetet në shtëpi private, të lëshuara për shkolla, poashtu me vetëfinancim.
E dinim se ishte vështirë, por ishte detyrim kombëtar. Ishim ushtarë të një fronti të veçantë. Unë atëherë punova në paralelet e gjimnazit në Zym si përgjegjës dhe në Prizren, deri pas luftës. Në Zym së pari punuam në dy klasë që e kishin hyrjen prapa shkollës, por nuk vonoi shumë ditë, na hetuan dhe na nxorën me dhunë nga klasët. Punuam në lagjen Cakaj, Tanushaj, Lekaj, Kajtaz në Shëngjergj; në Bregdri në lagjet Çollak, Prenkëpalaj dhe në Zym në lagjet Kërhanaj, Lumez, Muçaj, Kristaj, Kajzogaj dhe Çollak. Shtëpitë i ndërronim për çdo ditë me shpresë që të mos na diktonin, ndërsa rrezikun e bartnim ne profesorët që punonim me kokë në torbë dhe të zotët e shtëpive. Kalonim shpeshherë nëpër pika kontrolli, duke na kontrolluar detalisht, na shanin ne e na i shanin edhe librat; kalonim nëpër labirinthin e tankeve si të ishte lojë fëmijësh. Kishte arrestime, thirrje në biseda informative, thirrje për takime në orët e vonshme të natës, në vende të dyshimta, burgosje, kërkesë nga nxënësit që të hudhnin bombë në shkollë dhe dhe gjithçka tjetër që nuk e mendonte as djalli. Ishim bërë një. Të gjallë dhe të vdekur. Të vdekur dhe të gjallë. Vetëm kur ndërhyri dikush te policia (Nuk kam as sot njohuri se kush ishte dhe pse e bëri këtë: nga frika që duhej edhe ai sipas radhës të na merrte në shtëpi apo kishte bindje tjetër, në mos e bëri këtë për të na hequr nga barra që i bëheshim popullit), na lejuan të punonim në lokalet shkollore. Dhe ishim ndoshta rasti i vetëm në krejt Kosovën. Di se e bëri këtë vetëm ai që kishte besim te policia serbe. Populli dhe ne arsimtarët e treguam vetvetën. Populli thoshte: “Shtëpinë e kam lëshuar dhe në e djegshi hallall ju qoftë…” Kishte dhe të tillë që na e lëshuan shtëpinë pa dyer dhe dritare dhe ne e patëm shumë vështirë të punonim në ato ditë janari. Madje pasojat e të ftohtit po i bartim dhe sot e kësaj dite. Pati dhe një qyqar( as që duhet përmendur) që tha se i kishte tepijat e reja dhe do t’ia përlyenin nxënësit.
Në mesin e prindërve kishte aktivistë që po mundoheshin me mish e shpirt për ta ndihmuar arsimin, por ende nuk ishin në rrjedhë. Njëri një ditë më tha:
– Profesor, kemi filluar të mbledhim para për ju.
-Jo, – i thashë, po gabon se nuk je kah mbledh para për ne, por për fëmijët tuaj. Kuptoje se edhe ne mund të orientohemi në punë private dhe ta lëmë arsimin të shkatërrohet, ose t’ia mësyejmë Perëndimit si vepruan disa dhe të kthehemi me vetura luksoze, por atdheu na thërret.
-Më fal,- tha- se gabova, nuk e tora më hollë fijen e mëndafshit.
S’vonoi shumë dhe e arrestuan. E arrestuan zot.S.M. dhe e kërcënuan me fjalët e udbashit shqiptar Rrus Jorgani :“Ne jemi në gjendje të flijojmë dy milionë shqiptarë e Jugosllavinë nuk e prishim. Tash ik nga këtu. Po hyre dhe një herë në dorën tonë, do të hash dhe përjetë…“
Ishte ky një bullafiq kokëzbrazur që kishte bërë pakt me djajtë dhe do t’u shërbente deri në fund, në mos u shërbeft edhe sot.
Në çdo shtëpi që shkonim na pritnin si duhet: me dhoma të ngrohura, me çaja e kafe. Për nxënësit kifle ose krofne etj. Por nxënësit si nxënësit, krahas mësimit bënin dhe rrëngje e djallëzi, ishin në moshë të bardhë dhe ec e të mos i kuptosh, ec e të mos i falësh. Dhe një herë, kur kisha pushim, erdhi një nxënës dhe më tha: “Ju thërret xha Haxhiu për kafe në dhomën e tij !“ Nuk hezitova dhe shkova me dëshirë. Para dere xha Haxhiu në këmbë. Një burrë me ndërtim kreshniku. Në kokë plis të bardhë. Me fytyrë bojë alli të gjërë, me hundë të drejtë e vetulla të varura anash që formonin një shigjetë. Nën sy të buhavitur kishte qeska të varura. Kishte veshur këmishë të bardhë pëlhure, xhamadan të zi me gajtana të kuq. Mbi to qosteku i orës me zinxhir që zbriste në diagonale prej të majtës në xhepin e djathtë. Me pantollona zhguni të zi dhe në këmbë me shputka mbathur. Tamam top burrë. Më uroi mirëseardhje, më uli në njërën anë të tymtarit dhe vetë në anën tjetër. Më ofroi një cigare dhe një kafe që na e solli një nuse e porsaardhur. Më pyeti për familjen, a kasha siguruar tëmotje(zahire) për dimër, më pyeti për punën, për jetën pa të ardhura derisa e hapi një temë të re.
-Unë të thirra për kafe ,- më tha, por desha ta bisedoj me ju një temë që më intereson. Vetë ju keni thënë dhe jo vetëm ju se dhomat e mysafirëvë në kulla kanë qenë shkolla dhe kështjella. Për frengji të saj është zprapsur armiku, aty është pritur miku, janë lidhur miqësi, është ndarë e drejta, janë pajtuar gjaqe; aty është kultivuar kultura gojore, aty janë dhënë këshilla për meshkujt e shtëpisë, aty rapsodi thuri këngë dhe e mbajti gjallë atë që nuk e regjistroi historia. Historianë nuk kishte kudo, madje kishte shumë pak, se populli ishte analfabet, e, rapsodë kishte gati kudo.
-Ashtu është,- i thashë, kullat ishin kështjella të një familjeje dhe mjerisht e individualizuan angazhimin koleltiv. Ne vonuam në kulla, në interesa fisesh. Fiset ishin fat dhe fatkeqësi. Ne ia thamë krahët njëri tjetrit me hakmarrje dhe kulla fatkeqësisht shërbeu dhe si shkollë e keqe ndonjëherë.
-Po ,tha,- keni dhe ju të drejtë, por dua të dal aty ku e kam mendjen se aty ku dhemb dhëmbi, vete gjuha. Dje keni punuar në shtëpinë time. Unë nuk kam qenë aty. Kur erdha mbrëmë, gjëja e parë që më ra në sy ishte çiftelia dhe sharkia. Që të dyja ishin kthyer mbrapsht dhe tre tela ishin të këputur, dy te njëra e një te tjetra. Nuk më është puna e telave, se kam të tjerë, por thashë mos keni gjykuar se koha e rapsodëve ka kaluar dhe çdo gjë i mbetet shkollës. A do të vazhdojë të jetojë kultura gojore krahas asaj të shkruar? Unë, profesor, edhe vetë i kam këputur telat, por nga dalldia e këngës, rrallë dhe vetëm nga një. Dje i kanë këputur tre tela.
-Baci Haxhi, po ju them. Ju falemnderit për çdo gjë që po bëni për shkollën.Unë këtë gjë nuk e kam ditur. Nuk e kanë bërë për atë që thua. Janë të rinj dhe plot entuziazëm, me energji të papërmbajtur. Atë dikund duhet hargxhuar. Madje nesër mund të ndodh që do t’i këndoni ndonjërit prej tyre. Ata për një fjalë të profesorit nesër mund të bijnë në altarin e lirisë. Rruga po na qon andej…Luftën do ta bëjmë me laps, me plumb, por edhe me këngë. Ato këngë do t’i këndoni ju, ndërsa ne do të këndojmë si historianë, si poetë, si romansierë, si publicistë … ne do të luftojmë. Kij besim se kultura gojore do të jetojë krahas asaj të shkruar(S’guxoja t’i thoja se letësia gojore po tërhiqej për t’ia lëshuar vendin asaj të shkruar dhe komoditeti i rapsodëve po trazohej).
M’u duk se i erdhi pamja e rendomtë e fytyrës pas atij shqetësimi prej burri. I mori që të dyja veglat muzikore dhe i vuri në prehër si nëna dy fëmijë bineq që i ledhaton që të dy përnjëherë që të mos u mbetet hatri. I mori telat e këputur e të mllefosur dredha-dredha që, kur prekëshin, tingëllonin mnershëm si të ishin trupa të plagosur dhe i hoqi . Nga fyza e telave i shtriu telat e rinj, i mbërtheu në krehërin në fund të kokës, i kaloi mbi samar nëpër akorde(perde) dhe i shtrëngoi në treshet e shtrëngimeve. I akordoi duke u ardhur për qejfi si u vihet grave dhe fëmijëve kur përgjigjen me inat.
– Do t’u këndojmë edhe juve, tha, si u kemi kënduar Gjeçovit dhe martirëve të tjerë; do t’u këndojmë dëshmorëve dhe tërë popullit liridashës.
– Patjetër ! Ata na referohen gjithënjë me fjalët :”Si trashëgim ua lëmë shpirtin tonë ..”.
– Je i mirë, profesor.
– Po, sa të jem gjallë/mjaltë prej shpirti do të më dalë…- thashë pak me lavdi. Më përcolli me shikim të mbetur peng.

Sot kur kaloj pranë atyre shtëpive përpiqem ta ngjall shembëlltyren e asaj kohe. Xha Haxhiu nuk është më. E unë pastaj e bart atë shembëlltyrë në kohën e sotme dhe mendoj: asnjë rezolutë falenderimi nga Parlamenti i Kosovës, asnjë mirënjohje për atë kohë, për askë, asnjë ligj për pranimin e përvojës së punës për atë kohë, as për kompenzimin e arsimtarëve. Po shkrihet dhe po humb kapitali moral dhe si besueshmëri historike po mitizohet i zbehur pa u saktësuar si histori. Ne nuk punuam për shpërblim, punuam ta shpërblejmë kombin. A mos pritet që shpërblimi i premtuar të vijë si ai i Firdusit, shkrimtarit persian, për poemën heroike Shahname, që arriti në kohën kur kufoma e poetit po dilte nga dyertë! A s’ishte luftë kjo!? Kush dha dëftesa dhe diploma me vulën e Republikës së Kosovës në atë kohë !? A u përdor kjo vulë në lëmenj të tjerë ? Po kjo ishte luftë jo me ditë, jo me muaj, por me dhjetëvjetësh e tërë jetën. E vetmja gjë që ma përkujton punën e atëhershme janë pllakat përkujtuese, kushtuar arsimtarëve të atëhershëm, nxënësve dhe pronarëve të shtëpive-shkolla,por dhe tërë popullit shqiptar, vendosur në tri shtëpi- shkolla në Prizren me tekst timin, që u zgjodh në mes tjerësh. Aty shkruaj: “Drita e diturisë nuk u shua as në kohët më të errëta, Ju e mbajtët gjallë deri në agun e lirisë”.