Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekoron me Titullin “Mjeshtër i Madh” artistin e mirënjohur dibran Skënder Cala, i magjepsur nga “Magjia e Dibrës” Nga Halil Rama.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekoron me Titullin “Mjeshtër i Madh” artistin e mirënjohur dibran
Skënder Cala, i magjepsur nga “Magjia e Dibrës”
Halil RAMA
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi zotit Skënder Cala Titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të shquar në fushën e regjisurës, aktrimit dhe muzikës, si një nga përfaqësuesit e denjë të përcjelljes së vlerave, traditave dhe kulturës së komunitetit dibran në mbarë vendin tonë dhe më gjerë”. Qoftë edhe ky motivacion që shoqëron Dekretin presidencial të dekorimit nr. 9469 dt. 17/03/2016, shpreh vlerësimin e kreut të shtetit për artisin e mirënjohur dibran.
Ceremonia në presidencë, në praninë e dhjetra miqve të z.Cala, mes të cilëve artisti i Popullit Robert Ndrenika, Prof.Dr.Bujar Kapexhiu, Piktori i mirënjohur Buron Kaceli, Shaqir Rexhvelaj (Mjeshtër i Madh), Besim Ndregjoni (Mjeshtër i Madh), Edmond Zhulali (kompozitor i shquar) etj, qe vërtetë mbresëlënëse.
Vetë Presidenti Nishani mbajti një fjalë, në të cilën sintetizoheshin arritjet dhe vlerat që bart “Mjeshtri i Madh” Skënder Cala, si artist, regjisor, aktor, këngëtar e shkrimtar si dhe dimensionin njerëzor të këtij dibrani të shquar.
NË RRUGËN DREJT ARTIT,
MES DY DASHURIVE TË MËDHA
Skënder Cala e nisi rrugën drejt artit, mes dy dashurive të mëdha, Korabit hijerëndë dhe Drinit plak që e kishte zbutur e burrëruar, e kishte bërë më të urtë, më të mençur, siç janë Dibra dhe dibranët.
Ai kujton vitet kur turrej me tersëllimë nëpër zabelet e Përroit të Madh, kur kalonte dushqe, kërcunj, lisa, kanale, prita e porene arash dhe ndjente mbi shpinë grahmën tërbuese të egërsirave. Ashtu si Qatip Cala, i cili si i lidhur me historitë e fisit, atë që dinte e hodhi në librin e tij “Në kërkim të një fisi”, edhe Skënderi kërkon që njerëzve e ngjarjeve t’u vendosë emër, që të mos mbeten anonime si mjaftë gjëra të papërsëritshme në historikun e fiseve…
Për herë të parë, kur sapo kishte mbaruar klasën e tretë, fillojë të dëgjojë jaren shkodrane, ta mësojë e këndojë atë. Këngët: “Për mue paska qenë kismet”, “Pra në kjoftë kjo e vërtetë”, “Kalaja e Shkodrës”, “Dalin vajzat prej mejtepi” u futën në repertorin e tij me tekst e muzikë origjinale, që në fëmijërinë e tij, kur s’i shkonte ndërmend se do të bëhej këngëtar…Fare i ri, 15 vjeç ai do të shërbente si mësues në shkollat fillore të Reçit e Dardhës, nga ku mësoi me zell filozofinë dibrane.
Kur futej nëpër zabele, këngët e bilbilave, trumcakëve e laureshave e çonin peshë shpirtërisht dhe ndjente sikur rritej orë e çast, bashkë me ritmin e tonalitetin dhe tingujt fantastikë të atyre mjeshtërve, që Zoti i kishte krijuar për të hijeshuar natyrën e për të zbutur egërsinë e jetës….E tërhiqnin veshjet e krahinës së tij që janë me larmi formash e kolorit ngjyrash, ku dhe puna artistike që është përdorur për realizimine tyre është shprehje e shpirtit krijues të nënave, motrave, nuseve e vajzave tona, të cilat kanë derdhur në këto veshje artin e papërsëritshëm të popullit. Po ashtu mahnitej nga veshja e burrave prej koporaneve dhe tirqve të zezë, brezit të mesit me një pafundësi ngjyrash, ku e zeza, e kuqja dhe e bardha bien më në sy…nga çorapet e leshit të burrave, të thjeshtë ose me midiskame, me kolor ngjyrash dhe figurash të ndryshme me yje, lule, rrathë, trekënëdësha, me vlera të veçanta artistike….
Me përshkrimin e veshjeve që përdornin malësorët e Dardhës, Skënder Cala të krijon përshtypjen se “malësori pa kësulë, tirq e koporane, pa çorape leshi e opinga me norta nuk mund të ketë ato vlera burrërore që jemi mësuar të shohim në qëniene tij. Këto elementë sikur e kompletojnë atë, i japin vlera më burrërore, e bëjnë më të pranueshëm në sfondin e legjendave të maleve, bëmave dhe ngjarjeve të historisë….
Duke argumentuar institucionin e shenjtë të burrave në kryet e vendit, z Cala konkludon se “dibranët janë një specie e vecantë, sepse sido që të vijë puna, nuk e prishin shtëpinë e tyre. Të mençurit, ata që e stërhollonin fjalën, duke e përpunuar në laboratorin e inteligjencës dibrane, dinin që t’i vendosnin gjërat në vendine tyre; vlerësonin dhe burrat që kishin me vete peshoren, metrin, dhe kunjin e mprehur në të dyja anët…”.
Në këtë kontekst e rendit ai përkujdesjen e e Hazis Ndreut, porositë e tij për kujdesin që duhej të tregonte për zërin, që ta ruante atë se e kishte pasuri që ia kishin dhuruar nëna e baba. “Mësoi këngët e Dibrës se janë flori, kanë melodi të bukur dhe tekste përrallore..Kështu i dukej Hazisi edhe muzikant, edhe poet, edhe i ditur.”
Rrugës duke shkuar për në Vilë ku ishte mësues, filloji të thurë ëndrra në mendjen e tij prej të riu..E shihte vetën nëpër skena, duke kënduar si Hozelito i vogël te filmi “Dëgjoni këngën time…”
Hazisi ia kishte futur keq fitilat si Sheherezadja, që çuditi mbretin e Persisë në “Njëmijë e një netë”. Ideja e Hazisit për të përvetësuar foklorin e popullit e tërhoqi shumë. Ai e dinte se dernjani sa bie prej djepi e gjer kur bëhet gati për të shkuar n’atë botë kërcen…. Ëndërronte si muzikantët më të mëdhenj të botës, si Bah, Bethoven, Verdi, Puçini, Moxarti të cilët ishin ulur këmbëkryq në shpirtin e popullit dhe kishin marrë prej tij nektarin e këngës popullore…
GJIMNAZISTI I SHKËLQYER I GJIMNAZIT
TË KUADROVE TË ARSIMIT
Më pas do të ishte gjimnazi i kuadrove të arsimit në Tiranë, shkolla që e përgatiti S.Calën si mësues me njohuri e dije shkencore dhe nga ana tjetër nxori në pah dhuntitë e talentin e tij për t’u marrë veçanërisht me futbollin dhe rrethet artistike, sidomos me këngën…Me repertorine tij muzikor u muar vetë drejtori Riza Hajro, që kishte mbaruar studimet në Bashkimin Sovjetik, që e njihte muzikën ruse mjaftë mirë, këndonte me pasion dhe kishte dëshirë të interpretonte bukur..
Në një konkurs final me shkollat e kryeqytetit, Skënderi ka kënduar dy këngë “Azerbajxhani ynë”(e kënduar nga këngëtari Reshit Bejbutov) dhe “Kënga e dashurisë së parë” . Krahas këngëve ruse repertorit të tij iu shtuan edhe këngë italiane sidomos ato napolitane. Për të ishin mjaftë të dashur këngëtarët italianë si: Domeniko Modunjo, Klaudo Vila, Pepino di Kapri, Luçiano Tajoli. Por ato që e mahnisnin dhe e linin pa gjumë gjithë natën ishin këngëtarët operistikë Mario Delmanok, Henriko Karuzo dhe më vonë Luçiano Pavaroti e Plaçido Domingo. Ndërkohë filloi të magjepsej pas zërave të bukur të Llukë Kaçajt, Mentor Xhemalit, Avni Mulës, Ramiz Kovaçit, Stavri Rafaelit, Kristaq Antoniut dhe Gaqo Çakos. Gjithsesi, adoloshenca e tij, si dhe e qindra e mijëra bashkëmoshatarëve, u shtyp nga trysnia e halleve.
Më vonë, kur u burrërua dhe mori rrugën e vërtetë të artit, duke u bërë artist i skenës si këngëtar, aktor e regjisor e ka takuar si mik të paharruar Riza Hajron, i cili për erudicionin kulturor e artistik që zotëronte, u bë drejtor i Teatrit Kombëtar dhe më vonë drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit…
Ditën që mbaroi gjimnazin dhe mori në dorë dëftesën e pjekurisë, ndjeu sikur një ngërç i madh i pushtoi gjithë trupin dhe ju duk vehtja si i paralizuar. Sepse ëndërronte Tiranën ndërkohë që do t’i duhej të endej nëpër malësitë e Dibrës, duke ndërruar shkollë një herë në gjashtë muaj apo një vit, për një copë bukë.. Por gjithsesi ato vite i shërbyen për të mësuar gjuhën e veçantë të dibranëve me shifra e kode, që gosite me pambuk, por therte gjer në palcë, mjeti artistik i të cilëve ishte humori që përdornin, që në esencë kishte një dramacitet e tragjizëm të thellë, që digjte e përvëlonte si zjarr.

Si shpëtoi artisti, pas tre incidenteve që i kurdisën ish agjentët e Sigurimit të Shtetit

Regjisori, këngëtari dhe aktori i roleve në disa filma e teatro e ka provuar dhe trysninë e pushtetit makabër. Pikërisht në sallën, fare pranë “Bulevardit të blirëve”, për të cilin sot ndjen dhimbje, para tre dekadash ju bë “gjyqi në kolektiv”, sepse sigurimsat kishin sinjalizuar lart se “Skënder Cala, shikon çdo natë në televizor stacione të huaja, duke iu kundërvënë hapur vendimit të Komitetit të Partisë së rrethit për zhdukjen e antenave televizive”. Nomenklatura e asaj kohe ishte shqetësuar dhe po i bënte gjyqin në kolektiv, për të përcaktuar se çdo të bëhej me këtë njeri të pabindur që shkonte kundër rrymës?!
E mbrojtjën artistin e qindra roleve të spikatura, Artisti i Merituar Hazis Ndreu, ish drejtori Adil Shehu dhe kolegu Abdyl Sturçe, mbrojtje kjo që i detyroi të dërguarit e nomenklaturës të largoheshin me bisht ndër shalë…..Kështu kishte ndodhur me Skënder Calën edhe pas debatit të tij me ish ministrin e Energjetikës Farudin Hoxha, si i deleguar në një mbledhje të Këshillti të Rrethit Dibër, kur me kurajo civile e intelektuale kishte denoncuar projektet e apartamenteve të atëherëshme, nga ngushtësia e të cilëve, qytetarët ishin të detyruar të zhvisheshin që në sallon e të kërcenin si kinezët, direkt e në krevat. Këtyre “incidenteve”, si dhe atij të korrikut ’65 kur e përjashtuan për një vit nga Instituti i Arteve sepse kishte mbrojtur shokët që një të shtunë ishin larguar nga aksioni në fermën e Sukthit dhe kishin shkuar në Tiranë të laheshin e të bëheshin gati për të hënën, ai u shpëtoi falë zgjuarsisë prej dibrani të sprovuar. Ato vite ishte stërholluar lufta e klasave dhe veçanërisht shtrirja e veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare kishte krijuar një gjendje terrori në gjithë vendin…. Këtë terror e ka përjetuar me ankth edhe S.Cala, që si artist ka interpretuar mjeshtërisht role në flimat”Guximtarët”(me partner “Artistin e Popullit” Sandër Prosi), “Kërcënimi” përkrah Rajmonda Bulkut e Stavri Shkurtit, apo dhe tek “Çeta e Vogël” ku pati rastin të ketë partnerë aktorët e mëdhenj Ndrekë Luca e Marie Logoreci. Por bashkëkohësit e mbajnë mend Skënderin edhe tek filmi “Skënderbeu”, kur në moshë krejt të njomë gjendet mes dhjetra fëmijëve, grave e pleqve, i veshur me lecka si malësor i vogël, në atë mori flakësh, britmash e ulërimash prej tmerrit të turqve….

SUKSESI I PARË SI PROFESIONIST
ME SHFAQJEN “TË FALA NGA KORABI”
Duke shfletuar jetën e tij në udhën e vështirë të artit Skënderi kujton kohën kur, nga Sorica e largët ku shërbente si mësues shkon në Peshkopi si këngëtar në Estradën e qytetit, kujton repertorin e tij të parë muzikor që përbëhej nga këngët “Shkurta e Hoklit”, duetin “Kufitarët” me Muharrem Zajmin dhe këngën e “Hatixhes”. Djali i ri nga Lugjejt e Zall Dardhës vokalin e kishte të pastër dhe arrinte në nota tenori, pavarësisht se ishte bariton..Të gjithëve u bëhej qejfi, por veçanërisht Hazis Ndreut që e kishte prezantuar si këngëtar dhe Tonin Rrotës, i cili si kompozitor shpresonte që me të të bënte punë të mira..Dhe këto “punë të mira” u dukën fare qartë në turrneun më të gjatë e të suksesshëm të Estradës Profesionte të Peshkopisë, në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, në maji 1961, me shfaqjen “Të fala nga Korabi”.
Në Institutin e Arteve shkoi i burrëruar, ndoshta më i pjekur se shumica e studentëve të kursit të tij..Asgjë s’i mungonte që t’i përkushtohej shkollës dhe profesionit të bukur, por të vështirë të aktorit. Fati i madh për të ishte që këtë kurs e drejtonin udhëheqësi artistik Kujtim Spahivogli dhe pedagogët Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Mihallaq Luarasi dhe Prokop Mima…
Kur i doli e drejta e studimit dhe po vinte për në Tiranë, u betua se do ta rrallonte rrugën për në Dibër, sepse dega që kishte zgjedhur kërkonte punë, prova e studim. Por Dibra, sado të mundoheshe për t’iu larguar, ajo t’i ngulte kthetrat e të tërhiqte rreth vetes si magjistare.
Dibra ishte si një dashuri klandestine, që vjedhurazi të pushtonte mendjen e zemrën dhe dalëngadalë të mbërthente plotësisht duke të bërë për vete, siç na bën edhe libri i tij me vlera të rralla letrare e artistike “Magjia e Dibrës”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *