Poezi ruse nga VIAÇESLAV KUPRIJANOV. Përktheu : Anton PAPLEKA.

VIAÇESLAV KUPRIJANOV

Viaçeslav Kuprijanov ka lindur më 1939. Ai është një nga personalitet më të shquara të letërsisë ruse moderne.

ËNDRRA E RUSISË

Rusia dremit në vesën e ftohtë
Dhe ëndërron
Se ajo është Amerika:
Llafazanët e saj janë senatorë
Përtacët e saj janë të papunë
Gangsterë janë maskarenjtë e saj
Narkomanë janë pijanecët e saj
Bisnesmenë janë trafikantët e saj
Dhe zezakë janë rusët e saj

Rusia zgjohet e mbuluar nga djersë të ftohta
Duket se gjithçka ka mbetur në vend :
Llafazanët janë llafazanë
Përtacët janë përtacë
Maskarenjtë janë maskarenj
Dhe rusët janë rusë
Rusia ia këput gjumit përsëri
Dhe në të zgjohet një ide ruse:
Amerika që dremit dhe ëndërron
Se ajo është Rusia

BORË

Bie borë që njerëzit të mos besojnë
Se ajri është i palëndët
Që të mos mendojnë se era është e zbrazët
Bie borë
Që toka të na i lëbyrë sytë
Si qielli veçanërisht në dritë të hënës
Kur bora është perlë ose diamant
Në qerpikët e ahengxhinjve
Bie borë dhe ajo i zë rrugët
Që të mbetet me ne kështu siç jemi
Ajo shkrihet mbi sytë anë
Që të mos harrojmë
Sa mund të na magjepsin gjërat jetëshkurtra
Bie borë në anët e librave
Që nuk janë lexuar asnjëherë
Bora kërcet nën hapat e gjithësisë

HUTIM

Poet, o largpamës
Ti diskuton me ca të verbër
Për vizionet e të ardhmes

I gjithëditur
Ti i pyet të paditurit
Për gjërat e panjohura

Dhe ti flet për to
Me zë të lartë
Që të mos i marin vesh
Të shurdhrit

DREJTËSI QË DUKET SHESHIT

Dikush lëshon një klithmë
Që ta dëgjojnë
Në mes të britmave

Atëherë disa vetë
Klithin që ai të heshtë
Ca të tjerë klithin
Që të mos mund të dëgjohet
Çfarë thotë ai

Por ai vazhdon të klithë
Sepse ka frikë
Nga heshtja

NJERËZ TË ERRËT

Terri
Pjell
Thashetheme

Thashethemet
Ndikojnë
Te shijet e njerëzve

Shijet
Veprojnë
Mbi idetë

Si është e mundur
Që në dritën e këtyre ideve
Të shihet qartë

QYSH NGA KOHA QË RROJ

Qysh nga koha që rroj
Nata nuk është bërë
Më pak e errët

Por unë besoj
Se yjet
Janë bërë më të vëmendshëm
Për njëri-tjetrin

OAZA E KOHËS

Në shkretëtirën e hapësirës
Oaza e kohës
Është burimi i kristaltë
I frymëzimit

Ne pimë
Atë që vënë re
Sytë tanë

Për të pasur forcë
Të shkojmë
Aty
Ku nuk ka asgjë për të parë

AI PËRSËRISTE

Ai përsëriste fjalët e profetit :
Ne të gjithë rrojmë
Mbi një vullkan
Të pashuar !

Por më kot.

Ngadalë
Ngurtësohet lava
Ku u dogjën të gjallë
Të shurdhrit.

Ngurtësohet shpejt
Lavdia
Ku u dogj i gjallë
Profeti

DASHURIA NJERËZORE

Ngashënjim i llahtarshëm
Për një të huaj

Llahtarë tërheqëse
E të qenurit
Me atë që do

O siguri solemne
E bimëve !

Dashurinë e tyre
Ato ua kanë shfaqur
Kandrrave
Zogjve
Dhe erës

PAK RËNDËSI KA

Është pak e rëndësishme
Për njeriun me thikë
Se çfarë mendimesh
Ka
Në kokën e qepës

Lotët e tij nuk kanë të bëjnë fare
Me këtë gjë

NË KËTË BOTË

Në këtë botë ku gjithçka shitet e blihet
Të rriturit i shtinë në dorë
Të gjitha lodrat e fëmijëve
Sepse kalamanët duke qenë tepër të vegjël
Nuk e arrinin dot banakun.

Protezat për njerëzit me një këmbë
I morën dykëmbëshat
Ndërsa njerëzit me një këmbë
Afroheshin duke u mbajtur me paterica.
KUDO NE NA TAKON TË JEMI
NË KRYE, TË PARËT
Thoshin dykëmbëshat
Duke rendur me katër këmbë
Jashtë shitoreve.

Protezat për doracët
I morën ata që kishin dy krahë
Sepse doracëve u mungonin
Dy duar për të fituar para:
DORA ZOTËRON GJITHÇKA
Thoshin njerëzit me dy krahë
Duke shtyrë me katër bërryla
Për të hapur rrugën me ta.

Reklamat e ndritshme
Lajmëruan në çdo vend
Se ishin vënë në shitje
Proteza për sytë,
Menjëherë ata që shihnin mirë
I rrëmbyen sytë e qelqtë
Duke u thirrur të verbërve
Që erdhën me vonesë :
DUHET NJË SY PËR T’JU MBIKËQYRUR.

U vunë në shitje gjithashtu
Proteza kokash.
Para se të pakokët ta merrnin vesh,
Kokat e mëdha i blenë të gjitha
Duke u thënë të tjerëve:
TË KESH NJË TRU ËSHTË MIRË
POR MË MIRË ËSHTË TË KESH DY
Dhe vërtet është punë e kotë
T’i bini kokës me grushte
Ju që nuk keni tru

Atëherë gazetat thanë:
Sidoqoftë njerëzit duhet të jenë
PAK MË TË NDËRGJEGJSHËM!
Por ata që kishin ndërgjegje
I vodhën të gjitha
Duke thënë rreth e qark:
LIRIA E NDËRGJEGJES
Është një e drejtë e patjetërsueshme
Atëherë qysh tashti
NE DO TË KEMI NJË NDËRGJEGJE
QË SHITET E BLIHET

Gjithë kjo ndodhi sepse një ditë
Në këtë botë ku gjithçka shitet e blihet
Të rriturit futën në dorë
Të gjitha lodrat e fëmijëve
Sepse kalamanët duke qenë tepër të vegjël
Nuk e arrinin dot banakun.

Përktheu : Anton PAPLEKA