Heshtja e shkrimtarit (Kushtuar kujtimit të Skënder Drinit ) Nga Fatmir Mingulli .

Heshtja e shkrimtarit
(Kushtuar kujtimit të Skënder Drinit )

Kurrë nuk kam parë fytyrë më të heshtur se heroi i tregimit tim. Ai ishte shkrimtar dhe shkrimtar shumë i mirë. Heshtja e tij ishte proverbiale, e kultivuar kohë më parë, ndoshta dhe që nga shumë breza të fisit të tij.
Ishte njeri i butë, dhe kurrë nuk bezdiste njeri. Qënja pranë tij në kafene, ishte një lloj privilegji, jo vetëm sepse e dije me ç’njeri kishe të bëje, por edhe pse kurrë nuk të bënte pyetje si ato “ nga të kemi”, “a je durrsak denbabaden”, “sa të paguajnë te ajo firma?”…
O zot, ç’kënaqësi kam pasur sa herë e kam takuar. Edhe unë vetë kurrë nuk e pyeta për asnjë gjë, as për familjen as për shkrimet, as për…
Sot kujtoj portretin e tij, të veshur me një tis tymi cigareje, vështrimin e syve drejtuar në një pikë pa përcaktim. Një portret që më ngajnte me dikë por që unë nuk e përcaktoja kurrë.
Kurrë nuk u largua nga qyteti i tij, qyteti me liqenin e bukur, aty ku kaloi gjithë e jetën e tij. Shkrimtari MZ që jetonte në Tiranë i thonte shpesh që të transferohej në kryeqytet, ndonjë tjetër i thonte të shkonte në Durrës. Por s’donte të ikte që andej.
-Nga liqeni kam ardhur dhe nga liqeni do të largohem! – thonte me zë të ulët duke aluduar edhe për liqenin e Ohrit, nga ishte dhe origjina e tij e herëshme.
– Jam ngujuar pranë princeshës së liqeneve dhe jam i robëruar prej saj.- thonte me shpoti e mua më kujtohej Lazgushi i manierave liqenore.
Bashkë me portretin e tij të heshtur ai la pas shumë libra, me romane, me tregime, me…
I lumtur është ky njeri që lë pas kaq shumë shenja e kur dihet se shenjat janë të rrallla për t’u lënë pas vdekjes.
E njoha duke lexuar romanet e tij, por shumë vonë fati e pruri që të njihem nga afër. Për mua ky takim ishte si një lloj riti i veçantë, si një pjesë që e kisha shkëputur nga libra të shenjtë. Aty në atë takim bashkë me mikun e përbashkët shkrimtarin M.Z., unë rrija dhe e shihja, e shihja dhe çuditesha me atë lloj temperamenti, një çudi të rrallë.
Dikur, kur po ngriheshim, më zgjati një libër të tijin duke më thënë se kishte dëshirë që t’ja lexoja unë, ashtu kot.
Ishte një roman i shkruar para disa vjetëve, diku nga viti 2000.
Pasi ishim takuar disa herë në tubime të ndryshme, përsëri kishim biseduar për problem letërsie, por jo për njerëz, veç për emra njërzish jo. Kurrë!
Një ditë më telefonoi dhe diçka kërkoi , një adresë, më duket! Pasi e sqarova e përshëndeta duke i thënë –“ mirupafshim korbi shqiptar”
-E përse nuk jam pëllumb?-
Telefoni u mbyll papritur dhe e pendova që i thashë ashtu!
Në fundit mua ashtu më dukej, si një korb enigmatik, si një zog i çuditshëm, si një…legjendë.
Tek flisja me miqtë e mi e u tregoja këtë bisedë me shkrimtarin, mikun tim, ata më shanë duke më thënë se nuk gjeja dot një zog tjetër për t’a krahasuar. Unë mblidhja supet dhe sulmoja veten me heshtat e pendimit.
Dhe ndodhi diçka e pabesueshme për mua. Më dërgoi një letër të shkurtër, ashtu si dhe vetë heshtja e tij. Kuptova se i kishte pëlqyer krahasimi me korbin. Jo se më shkruante direkt por më tregonte se kish lexuar një poezi të Martin Camajt e që kishte këtë varg: “Një ditë e ka dhe korbi”.
Kaq! U befasova , u trondita, u shtanga dhe tek unë u kthye heshtja. Ç’ të thoja më shumë!
Heroi im ishte me të vërtetë i paparishikueshëm. Sfinks me misteret që fshiheshin në çdo pjesë të fytyrës së tij. Por duke qenë shumë më i ri në moshë se ai, ngurroja t’a pyesja jo për këto mistere por për çdo gjë që lidhej me personin e tij.
Heshtja, ajo më detyronte të mos flisja, të mos pyesja, por jo që të mendoja. Fanatzia ime merrte krah e fluturonte diku ndër Bjeshkët e Namuna ku burrat e mëdhenj të kohës pinin cigare duke dëgjuar, e nuk flisnin.
Por ndryshe , shkrimtari heshtëte me sy. Dhe jo me gojë.
Një ditë u ftua në qytetin tonë për të diskutuar një problem letrar, diçka si krijimi i një reviste letrare kombëtare. Pasi mbaruan diskutimet dhe hartimi i programeve, figura e tij ishte në qendër të këtij evenimenti. Ai seç tha pak fjalë, duke e aprovuar këtë nismë.
U organizua dhe një drekë e bukur aty buzë detit, në Lungomare. Dreka si dreka, muhabeti si muhabet, kishte për të ngrënë e për të pirë pa hesap. Heroi im pothuaj hëngri njëlloj po aq sa heshti. Me të vërtetë ai hëngri shumë pak. Tymi i cigares i mbulonte pothuaj gjithë fytyrën dhe portreti i tij kthehej në një pikturë impresioniste. Kjo ishte fytyra e tij e vërtetë.
Në mes të këtij gëzimi krijuesish, ndihej një entuziasëm i vetëvetijshëm sepse aspirohej për një revistë për të gjithë Shqipërinë, si të thuash të ripërtrihej revista “Nëntori”, por për kohët e tanishme. Fytyra e heshtur vetëm se buzëqeshte pak, çelej herë pas here kur dëgjonte ligjërimet e pastaj tymi mbulonte gjithçka.
Ditë më vonë më mori në telefon dhe më thonte se dikush e kishte sharë këtë tubim. E kishte sharë një farë R, që nuk e honepste heroin tim. Unë e pyeta për të mësuar se cili ishte R –ja, thjeshtë për ta ditur, por ai m’u përgjegj :
-Nuk është shumë e rëndësishme të dihet se cili është R –ja. Ashtu me atë qetësinë e tij filloi të më fliste për një roman të ri që e kishte drejt përfundimit.
Ai sa më shumë heshtte aq më shumë shkruante. Pas ca kohësh, mbas dy – tre muajve më telefonoi dhe më tha se do të vinte në Durrës , por më parë unë duhet të shkoja ta shihja në shtëpi se nuk ndihej mirë.
Kur hyra në shtëpinë e tij të thjeshtë, në dhomën e studios, ai u ngrit e më përqafoi duke më treguar me sy nga dritarja. Ishte një korb.
-Po ky- u habita unë.
-Jam unë, apo jo?
U ndjeva i habitur, i ngazëllyer pak si i zhgënjyer…pak si i tallur… Ishte një gjëndje fluide.
-E solla nga nga Australia e largët, pardje jam kthyer që andej. Desha të jetoj atje përgjithmonë por se ç’kishte diçka që më tërhiqte për këndej.
Në fakt- tha shkrimtari – desha të jetoj aty, përgjithmonë, por se ç’kishte diçka që nuk më pëlqente atje dhe një gjë pa formë që më priste këtu. Tek e dëgjoja me vëmendje i jepja të drejtë për vendimin e bukur.
-Kishte hapësira të llahtarshme, dhe unë nuk ballafqohesha dot me to. Eshtë ndryshe me liqenin. Oh, ç‘ndryshim i madh. Por me vete mora këtë mikun tim, e duke i bërë me shenjë korbit , ai erdhi e u ul pikërisht mbi supin e djathtë të xhaketës. Ai e ka emrin Australi.
Dolëm jashtë shtëpisë së shkrimtarit , ecnim pak në këmbë për të pritur një makinë që do të na çonte buzë liqenit të Shirokës. Korbi qëndronte krenar mbi supin e heroit tim. Dukej shumë krenar. Si një skifter i keltëve…
Gjatë drekës heshtja e shkrimtarit u thye, e shpesh më drejtohej mua duke më folur për detyrimet morale që shkrimtarët kanë ndaj njerëzve të tjerë e kështu për problemet e estetikës etj, etj.
Por këto që po ti them ty janë dhe për Korbin. Ai kupton. Po ti asgjë nuk do t’i thuash shokëve të tu. Dhe as një shkrim nuk do të bësh. Si nëpër të, foli duke treguar se kishte në dorë një roman tjetër.
Ai i shte i heshtur si korbi. Vetë fakti që e kish sjellë që nga shkretëtirat e largta të një kontinenti enigmatik, kishte një domethënie, kishte një shpjegim.
Por në fund të fundit isha unë që i thashë që ai ishte korbi shqiptar dhe ia thashë në mes të njerëzve. E pastaj, shumë njerëz mbanjnë qen, mace, Xhoxh Kluni mbante një derrkuc.
Por heroi im mbante një korb, një korb që ka shumë të thëna për të, që kanë shkruar me pasion si bibla e shenjtë, Edgar Allan Poe…
Shpesh herë jam penduar tek i kisha ngjitur këtë nofkë, por herë herë edhe më vinte mirë. Por plaku dinte ç’bënte.
Ditët e fundit të verës që shkoi më telefonoi , duke më pësëritur dëshirën e ardhjes në Durrës.
-Do marr korbin me vete,- më tha duke buzëqeshur ashtu lirshëm. – Por të lutem më gjej një lokal të thjeshtë!
– Po patjetër, te taverna “ Llaqi” aty ku dallga e detit të vjen në këmbët e tavolinës.
Qeshi me të madhe ashtu siç nuk e kisha dëgjuar asnjëherë. Anash zërit të tij dëgjohej dhe zëri i korbit. Me sa duket edhe ai ishte i kënaqur!

Durrës 1 tetor 2015