BASHKËBISEDIM MES MIQËVE TË MOSHUAR nga Fahri Dahri.

BASHKËBISEDIM MES MIQËVE TË MOSHUAR (¹)
Përafërsisht andej nga fundi i muajit dhjetor i vitit 2015, zbrita para “Muzeut Kombëtar”, nga autobuzi i linjës urbane, dhe u drejtova për nga lulishtja mes tij dhe Bankës së Shqipërisë. Isha i lodhur, në autobuz qëndrova më këmbë, nuk kishte vende bosh, po ashtu ndjeja pak dhimje koke, pasi autobuzi nuk kishte ajrosje, as për ngrohje e as për freskim, prandaj sapo zbrita, u ula në nji nga stolet e drunjta, të vendosura enkas për pushim të kalimtarëve.
Mirë kanë bërë, thashë me vete. Ishte mesditë, nuk bënte shumë ftohtë. U ula, rregullova pak xhupin për të mbuluar veshët nga freskllëku dimëror, duke kthyer kokën pashë se pak pas meje ishte një burrë i moshuar, i cili i veshur si për dimër, me ato çka kishte mundësi, po llustronte këpucët e nji të moshuari, i cili nga theksi i zërit që fliste me “llustraxhiun”, dukej se ishte tiranas. Unë i dëgjoja, ngandonjëherë edhe qeshja me vete nga biseda e tyre, sidomos nga biseda e të moshuarit, e cila në brendi jepte përshtypjen e vënies në “xhiro” llustraxhiun, ashtu siç bëjnë zakonisht djelmoshat e rinj që kërkojnë të arrijnë të futen në mendjen e më të mëdhenjëve, qoftë dhe të prindërve të tyre.
U ngrita nga stoli dhe para se të nisesha për të shkuar aty ku isha nisur, ktheva kokën për të përshendet llustraxhiun, i cili po i kthente kusurin klientit. Kur ç’të shikoj, pashë shokun tim, i cili ende nuk më kishte parë, unë bëra sikur nuk e njihja. Llustraxhiu më pa që po shkoja drejt tij.
– Ai: Urdhëro zotëri, ulu.
– Unë: Mirëdita, nuk e kisha ndër mend lyerjen e këpucëve, por me që po i lyen ky zotëria, pse mos ti lyej, pastaj edhe lekët, ky zotëri do ti paguaj. Reshati u ngrit në këmbë, u përqafuam me mall, sepse të dy kishim vite të larguar nga vendi ynë, unë disa vite në Itali; ndërsa Reshati ndodhej në Kanada. U përshëndetëm me njëri-tjetrin dhe duke pritur të mbaronte lyerja e këpucëve, i u drejtova llustraxhiut:
– Unë: Dimër, ftohët, i thashë, nuk rrihet gjithë ditën jashtë.
– Ai: Po, po, ashtu është, por çfarë e zë njeriun dhe nuk mësohet. Nuk i paske shumë pis për lyerje, kështu nuk do të vonoj.
– Unë: Faleminderit, por u drejtova më tepër për të të përshëndetur, se më dukesh njeri i arsimuar, i kulturuar dhe i mirësjelltë.
– Ai: Kudo ka njerëz të arsimuar, e sidomos pas vitit 1991 janë shumë edhe me arsim të lartë, por jo të gjithë kanë marrë kulturën që duhet.
– Reshati qeshi, dhe na u drejtua: Më duket se po futeni në të thella, apo jo?
– Jo, i tha ai, por vërtet pas ’90-ve kemi shumë të arsimuar, me universitete e fakultete, sidomos avoketër, gjyqëtarë, prokurorë, duke mos mbetur jashtë edhe ata të ekonomikut, si menaxherë të bisneseve, sidomos të moteleve, hoteleve, të doganave, bankierë që “dinë ti (rr) ruajnë mirë paratë e miletit”, apo nuk dinë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, sigurisht kur duhet të luftojnë korrupsionin jashtë rretheve të tyre.
– Reshati: Po e di, por i duhen atdheut njerëzit e shkolluar, por jo si ata të “Plepave”.
– Ai: Zotëri, për këtë e kisha fjalën, shtimi i sasisë, sjell pakësimin e cilësisë, apo jo?
– Unë, i u drejtova atij: Si ta kuptojmë këtë?
– Ai: E po, ja, kthejeni kokën nga sahati dhe xhamia, dhe më thoni ç’farë shikoni?
– Unë: Po, shikoj xhaminë, pastaj sahatin, para tyre një shesh me bar dhe disa pemë, pak më djathtas, duken shkallët e Pallatit të kulturës, pllakat e të cilave janë të kafshuara, jo nga uria e kohës, por nga uria, mllefi për të “ndërtuar” edhe ne nji shoqëri demokratike!
-Ai: Bukur, tjetër gjë nuk shikon?
Unë:- Të kuptova. Tani të kuptova. Shikoj shumë gjëra, shikoj të shkuarën e këtij sheshi, sa herë është prishur dhe sa herë është ndërrtuar, kjo tregon se asnjiherë nuk është gjetur ajo që i duhet këtij sheshi. Shumë herë janë hapur kanale të thella, tubacione të markave e vendeve të ndryshëm, kabllorë të zinj, të kuq, të blertë, të roztë që kanë penguar ecjen normale të kalimtarëve sipas kohëve prej baltërave dhe pluhurave, megjithatë deri para disa vitesh, monumenti i Heroit Kombëtar, dallonte madhërishëm mbi groplulishten mbas tij, ndërsa sot, që nga këtu ku jemi, mes Bankës dhe Muzeumit, ai edhe duket edhe nuk duket, nga “pemët” që e kanë rrethuar, sepse edhe “sheshet” tek ne, zotëri i nderuar, kanë ndërruar dhe ndërrohen sipas shijeve të partive politike.
– Reshati: Kjo puna me sheshet, ashtu është, por mendoj nuk janë shijet e politikanëve, por…., gjithashtu nuk janë vetëm sheshet që çvishen e vishen sipas gustove të fuqimarrësve por gjithçka. A nuk ju kujtohet se këtu afër dikur ka qenë godina e Komitetit Ekzekutiv?, pak më tej hotel “Pensionisti”, Hamami, apo Hani, duket që i keni harruar, ose keni ardhur vonë në Tiranë.
– Unë: Më kujtohet se atje në afërsi të Muzeut, dikur kanë qenë disa ndërtesa, nji hotel, nji Han, dhe nji ndërtesë që mbahet mend si godina e Komitetit Ekzekutiv, por u hodh në erë, për t’ja lënë vendin Muzeut. Më pas kam dëgjuar të pëshpëritet se ngritja e godinës së Muzeut Kombëtar në këtë vend, nuk paska qenë e goditur. Nëse zbresim për nga sheshi i “Dëshmorëve”, ish Hotel “Dajti”, deri dje i lakmuar për turistët, sot është një godinë e degraduar, sepse e humbi pronarin, si i thonë fjalës, mbeti pa “zot”. Në fakt u fol shumë për “këmbimin” e pronarit të “Dajtit”, i cili kaloi nga shteti-pronar, tek Banka e Shtetit; u fol për korrupsion; për “marifete” mes pronarëve, jo me tender, jo pa tender; por gjykata i shoi me shpërfillje “hamendësimet”, “thashethemet” popullore. Fjalëve të liga i u mbyll goja, dhe Hotel “Dajtin” e vizitojnë si turistë minjtë, disa mbeturina që i sjell era që fryn e “fuqishme” nga Lana ku lundrojnë qese, shishe plastike, ndonjiherë edhe makina me rota përpjetë.
– Reshati: E drejtë, po të vazhdojmë më tej për nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sapo kalon urën e Lanës, majtas u ngrit “Piramida”, por duke qenë se ajo u ndërtua nga ish partiakët e punës, pavarësisht vlerave artistike-arkitekturale që mbarte, duhej të prishej, të zëvëndësohej me godinë të re Parlamentare, që të kishte arkitekturën moderne.
Unë:- I nderuar mik, na fal se të lamë pa punë, ne po largohemi, por shprehim kënaqësi që u takuam rastësisht. Edhe ju si puna jonë, punuam në vitet aktive të jetës, por nuk siguruam dot mjetet e nevojshme të jetesës, kështu, ju pensionist por vazhdoni të krijoni të ardhura për të përballuar nevojat jetike. Mbetshi me shëndet.
Ashtu bëmë, me Reshatin u drejtuam nga “Pallati i kulturës”, atje ku pinim kafe vite më parë me miqtë tanë, Muratin, Bedriun, Enverin, Mihalin, etj, duke ecur i u drejtova Reshatit:
– Afresket e këtij Muzeu, siç po i shohim, kanë filluar të “mufaten”, sepse duhej vënë dorë (ndërhyrë) për të prishur të djeshmen, sidomos ato pamjet nga Lufta Nacional-Çlirimtare dhe zëvëndësimin me të sotmen, mundësisht (sipas përshpëritjeve) edhe vendosjen në ‘të, të portretit të ndonji politikani të kohës së postdiktaturës. Qeshëm të dy, tundëm kokën dhe pritëm sa u ndërpre vargu i makinave, pastaj kaluam në krahun e shkallëve të “Pallatit të kulturës”. Si zumë vend, unë porosita kafe, Reshati porositi çaj boronice, sepse gjithmonë i pëlqente çaji.
– Kështu, puna me “sheshet”, vazhdoi Reshati, duke filluar me këtë shesh, apo me rrethrrotullimin tek “Zogu i Zi”, megjithëse ishte gati të dilte nga “veza” në jetë, u shtyp, u shkërmoq, duke u zëvëndësuar me këtë që kemi sot, që padyshim shpreh plotësisht “vlerat artistike” të rrethrrotullimeve më të mira se ato europianet, të derdhura me mjeshtëri në favor të lehtësimit të drejtuesave të automjeteve që hyjnë dhe dalin nga Tirana, ashtu si vargu pambarim i ec e jakeve të miligonave në ditët pranverore.
Unë: – Marrëzitë nuk kanë fund, në ato vite, jo shumë të largëta, për prishjen e rrethrrotullimit “socialist”, qarkulloni disa fjalë, sikur pallati kur vjen nga Durrësi, ishte i nji të “madhi”.
Nuk jam i sigurtë se si, por fjalët ishin shpërndarë për dhëndurrë apo shokë të shoqeve. Megjithatë, hajde se u prish, por të paktën të ishte ndërtuar më i mirë, që të lehtësonte qarkullimin, por sa herë kaloj andej, frikohem se mos “fërkohemi” me ndonji mjet tjetër që lëvizin pa pré e përfundojmë tek shatervani, i cili nji herë në vit merr forcë dhe e hedh ujin “përpjetë”. Besoj për këto e kishte fjalën “llustraxhiu”, kur tha se kemi plot njerëz të kulturuar e të arsimuar, sisdomos pas vitiit 1991?.
Reshati pasi nënqeshi, tha:- Të keqen e ujit të shatërvanit, por ka dhe nga ata që nuk ta zgjasin, për nji grindje të vogël, të fërshëllejnë plumbin në kokë, sepse “armatimet e lehta e të rënda” janë sheshit. Pastaj vazhdoi: -Jo mik i dashur, llustraxhiu nuk e kishte fjalën për këto që shihen përditë, por hidhe vështrimin duke bërë dhe ndonji dallim me njerëzit.
– Unë: E kuptova. Ky shesh sot është plot me njerëz, i pandalshëm vargu i makinave të gjithë farëllojshme, kalimtarët e parë ishin të rrallë, padyshim ndryshe, me shëndet po thuaj normal, kokat e mbuluara me flokë, ndërsa tani janë si mizat e dheut, kanë zbritur nga veriu, jugu, lindja dhe perëndimi, me veshje të ndryshme, me foto të stamposura meshkujsh dhe femrash- gjithë modelet e botës, shumtë kokëqethur, barkëmëdhenj, me çanta të vogla ndër duar; disa nxitojnë sikur u ka ikur orari i punës, por që nuk janë në punë; të tjerët ecin avash-avash, nuk e bëjnë qefin qeder, sepse jetën e kanë siguruar me paratë që ju dërgojnë të afërmit nga mërgimi, djemtë apo vajzat, të cilët kanë marrë rrugët e kurbetit të kohëve të reja, jo si ato mërgimet e kohëve të shkuara që na i sjell në kujtesë kënga “Janinës ç’i panë sytë”, sepse sot krahas hapjes së kufijve shtetërorë, janë hapur edhe kufijtë moralë, si ndjenjat, ndërgjegjgja, nderi, turpi, profesionalizmi dhe mbi të gjitha politika ka marrë ngjyrat e korrupsionit, nepotizmit, karierizmit, pabarazisë. Nuk kanë mbetur prapa edhe deformimet e degradimet në muzikë, ku këngëtarët dhe këngëtaret që kanë mbushur sheshet, studiot, televizionet, ecejaket jashtë shtetit, me rroket, rrepet apo ku di unë, i këndojnë jetës së re. Shokohemi prej ngjarjeve të pazakonta, të tmerrshme, vëllai vret vëllanë, djali të jatin, i jati të birin, vajzën, gruan, kushuriri shet kushurirën, apo gjeti vdekjen ky apo ajo nga overdoza, dhe që shtypi i shkruar dhe ai televiziv i paraqesin si lajme tepër të rëndësishme. Gjithçka ka marrë tjetër kuptim. Nuk mungojnë rastet e rikthimit të kurtizoneve të shekullit 19-të, të cilat u vardisen të kamurve dhe të fuqishmëve, si disa prej biznesmenëve, pushtetarëve, parallinjëve, të shpeshta edhe divorcet, si ngjarje të zakonshme, dikur thuhesh shprehja si” bukë me djathë”, etj. Shkurt haraçet për jetë më të mirë drejt Europës, apo gjetkë, janë tepër të rënda, të kushtueshme në të gjitha kuptimet. Fatkeqësisht shoqëria po përballet me drama të mëdha, si në kohët e sëmundjeve epidemike, kolerës, krizave ekonomike, luftërave, epsheve që pjell korrupsioni, karierizmi politik.
Vërtet kërkohet “Rilindja” e shoqërisë sonë, bile është një domosdoshmëri jetike në rivendosjen e moralit, vlerave të larta, virtydeve të njohura ndërshekuj të kësaj shoqërie…
Bisedë mbas bisede, ora po shkonte 12, u ngritëm dhe morëm udhët për në vatrat tona, duke u përshëndetur me Reshatin vendosëm që bisedat ti vazhdonim ditët që do pasonin, sepse kishim shumë kohë pa u takuar, prandaj kishim dhe shumë për të biseduar.
Kur u ndamë, Reshati më tha:
– Nesër nuk do takohemi, pasi pres miq nga Durrësi. Për pasnesër, nëse nuk do të kemi ndonji obligim tjetër, do të marr në telefon për tu takuar.
– Mirë Reshat, pres telefonatën. Hypa në urbanin e “Tiranës së Re”, afër “Muzeut”. Kur autobuzi ndaloi tek Materniteti “Gjeraldina”, shikimi u përqëndrua tek statuja e “Mbretit Zog”. Shumë është akuzuar nga historia. Për ‘të kanë shkruar historianë, diplomatë, politikanë, nuk kanë mbetur pa folur, si për mirë dhe për keq, edhe njerëz të ditur e të paditur, por nga këta të paditurit të folurit për Mbretin, ishin si ato fjalët që përsërisin “papagallët”, të cilët nga brenda kafazeve të vendosur nga pushtetarët e radhës, sipas periudhave edhe shajnë edhe lavdërojnë dhe me ndërrimin e pushteteve përsëri, po “papagallët” fillojnë lavdërojnë dhe shajnë. Kështu është vazhduar me “Ismailin”,“Zogun”, “Nolin”, Sulejmanin, e më pas me Enverin, Nanon, Berishën, Ramën, me sa duket e njëjta retorikë do të vazhdojë edhe pas nesh, mendoja me vete.
Por, pavarësisht llomotitjeve të drejta apo të padrejta, figurat që kanë marrë guximin dhe kanë drejtuar nji vend, nji popull, si keq, mirë apo shumë mirë, doemos duhet të vlerësohen për të mirat, por duhen përmendur edhe veprimet e padrejta, të gabuara. Në çdo rast figurat e bronxëta të tyre, mendoj se duhet të vendosen diku, nuk është keq që vendvendosja e tyre të përcaktohet sipas meritave dhe jo “kuturu”.
Një pasagjer pranë meje, sikur po dëgjonte mendimet e mia, mu drejtua:
– Zotëri, më fal nuk ju njoh, por doja të dija mendimin tuaj nëse është ky vendi i përshtatshëm për ‘të?.
– E pyeta për kë e kishte fjalën?.
– Ai: Për Mbretin, më tha.
– Unë: Ndofta do ishte më mirë në hyrje të Pallatit Mbretëror, duke shtuar, sido që të mendojmë ne, pak rëndësi ka!
Autobuzi mori kthesën dhe u drejtua për nga perëndimi. Në të djathtë, ku dikur ishte Stacioni i Trenit, sheshi ishte mbushur me fugonë, autobuzat e linjës së Durrësit dhe disa bërrtitsa, që dikur quheshin “tellallë”, ftonin pasagjerë për atë linjë. Për pasagjerë që mund të përdornin trenin për udhëtim, as që bëhej fjalë. Ka vite që nuk dëgjohen më sirenat e trenave, ndërsa janë dëgjuar dhe dëgjohen zhurma të mëdha në Parlament, apo qeverira për projekte të mëdha, bile më shumë moderne se sa ato europianet, siç u folën vite më parë për trenin elektrik, apo metro, apo…, apo projekti për dekovilin, për zgjatim bulevardi. Eh, sa shumë projekte me rëndësi të mëdha në tërheqjen e elektoratit, sigurisht vetëm për mbushjen e thesvotave.

(Stacioni i Trenave në vitin 1980). Projekt tjetër i rëndësishëm ka qënë edhe mbyllja e stacioni hekurudhor në kryeqytet, i cili do ta kishte rezidencën në Vorë, pasi Bashkia e Tiranës do të niste ndërtimin e Bulevardit të ri.
(Stacioni i trenave sot) U fol shumë nga vapa e gushtit e vitit 2013 se, në dispozicion të udhëtarëve të trenit për në Vorë do të viheshin autobusë. Por vitet ikën, as treni, as autobuzët dhe as bulevardi i ri nuk duken në horizont. Me këto kujtesa, arrita tek stacioni ku duhej të zbrisja.
Kaluan dy-tre ditë, Reshati nuk mori në telefon, mendova se mos kishte ndonji problem, prandaj i bëra thirrje me telefonin tim.
– Urdhëro, u përgjigj Reshati?
– Mirë je? Jam ai shoku që pret telefonatën, a ke kohë për të dalë sot (nji shaka për gjoja tërheqje vëmëndjeje)?
– Jo, nuk mund të dal, më ka ardhur mbesa nga Gjermania.
Kështu, vendosa edhe unë të mos dilja atë ditë. Pas katër ditësh, nji tringëllimë e fortë e ziles së telefonit të shtëpisë.
– Reshati jam, do dalim, po dolëm do shkojmë andej nga Liqeni, sepse më kanë thënë se janë bërë disa pallate shumë të bukura, me arkitekturë bashkëkohore, bile njëri nga pallatet duket sikur do bjerë nga pjerrësia e madhe që kanë muret.
– Unë: Dalim, takohemi tek karburanti, që të shkojmë me autobuzin e “Tiranës së Re”, i thashë. Veçse nuk e di nëse servirin kafe ato “bina” të llahtarshme, me shumë kate dhe a kanë mbetur pemë që të na lehtësojnë nga frymëmarrja?.
– Reshati: Mos u bëj m erak, në mos pastë pemë, është liqeni, të cilit i ka dalë tabani nga që ka qenë thatësirë në dimër dhe është mbushur me lloj-lloj mbeturinash, të cilat do të na ndihmojnë për shëndetin. Kështu u nisa për tek stacioni i autobuzit të “Tiranës së Re” në pritje të mikut tim. U përshëndetëm, pas pak erdhi autobuzi. Arritëm tek sheshi “Willson”, zbritëm nga autobuzi dhe i u drejtuam rrugës për tek Liqeni. Shetitëm tek shetitorja e digës së liqenit. Ashtu ishte, ndërrtesat shumëkatëshe të stileve të ndryshme kishin pushtuar hyrjen e Liqenit, sigurisht kishin përtypur mjaf pemë dhe gjelbërime rreth e rrotull. Në hapësirën e liqenit dukeshin disa gropa, ose më saktë disa pellgje me ujë, pjesa tjetër ishte vatra-vatra me mbeturina të llojeve të ndryshme, të hedhura nga vizitorët e “kulturuar” të Parkut, poshtë digës, disa metra nga juglindja e liqenit, kishin hedhur bazament nja dy-tre varka dhe pak më tej goma makinash, gjysmat nën ujë dhe gjysmat pak të përkulura mbi ujë.
– Reshati: Si të duket pamja e Parkut, e liqenit dhe hapësira rreth e rrotull? A të kujtohet kur ne, studentat filluam të ndërrtonim Parkun, sa të gëzuar ishim kur mbillnim pemët, ndjenim hare, brohorisnim duke kënduar këngët e kohës, sidomos disa nga këngët partizane, flamujt stimulues sipas skuadrave që dalloheshin në punën vullnetare? Pastaj bisedat që bëheshin lidhur me gjëndjen e Parkut, se si do të ishte ai pas 50 vjetësh, pemët i mendonim të rritura, por dhe të shumuara si nga mbirjet natyrore dhe ato që pasardhësit do të vazhdonin të mbillnin. Nuk e di nëse e mban mend si na thoshnin profesorët, që brezi jonë do të kujtohet me respekt nga rinia e viteve pasardhëse, pasi po i dhuroni kryeqytetit nji Park, i cili do të mbajë të shëndetshme mushkëritë e qytetit dhe do të gjallërojë jetën e të gjithë banorëve të tij, nga vogëlushët e deri tek të moshuarit. Ja ku jemi, kanë kaluar mbi 50 vite, ky është Parku që mendonim si do të ishte. E shoh, nuk flet sepse ndjehesh i zhgënjyer, ashtu ndjehem edhe unë.
– Unë: I nderuar Reshat, jam i befasuar sepse në vend të pemëve shikohen rrugë, pallate të ndërtuara dhe në ndërrtim, nuk janë të pakët edhe bashkëshoqëruesit e pallateve që ndryshe quhen “biznese”, kryesisht të viteve të fundit. Dikur “Mushkëria” e qytetit, sot për fat të keq në vend të pemëve dallojmë ndërrtime të cilat patjetër e shqetësojnë qytetarin e kryeqytetit. Po, patjetër më kujtohen të gjitha, më kujtohet edhe kolektiviteti i shkëlqyer që kishim, afrimi dhe ngrohtësia e pedagogëve, të cilët silleshin si shokë me ne studentët. Gjatë leksioneve, seminareve, edhe në aktivitetet jashtëshkollore, dinin të silleshin si pedagogë të vërtetë, nuk kishte pabarazi të tyre ndaj nesh, na trajtonin njilloj, ndiqnin me vëmëndje të veçantë të gjitha sjelljet tona, përparimin në mësime, notat pasqyronin realisht përgaditjet tona. Më kujtohet njiherë kur në klasë, profesori na njoftoi se ditën e shtunë për ne studentët do të jepej nji shfaqje operistike falas, vetëm me paraqitjen e librezës së studentit, ne nuk folëm. Ditën e Hënë mbas të shtunës së shfaqjes, profesori na pyeti: Ju pëlqeu opera? Ne nuk folëm përsëri, ai e kuptoi dhe shtoi: Mirë, shumë mirë keni bërë, herë tjetër kërkoni t’ju japin para që të shkoni në opera. Të gjithë qeshëm, u gjallëruam, se kujtonim mos na kritikonin. Është për tu përmendur se askush nga ne studentët nuk mendonte se dikush duhej të ndërhynte tek profesorët për ndonji favorizim. Sot ne habitemi, na vjen keq dhe turp, ndërhyrjet janë të shumta, jo vetëm tek pedagogët, kudo edhe për punë, bile edhe tek ryshfetet e majmura që kanë pushtuar shoqërinë tonë në të gjitha drejtimet.
Bisedë pas bisede arritëm në anën perëndimore të liqenit, u afruam tek nji lokal, u uëm dhe porositëm dy kafe, por kamarieri na tha:
– Do të prisni pak, sepse sapo na ikën dritat (shprehje që i dinim, pasi përsëriten shpesh për të mos u larguar klientat, me shpresën se mund te vijnë dritat), ndërsa bombolat e gazit i kanë hequr nga qarkullimi, pasi nuk japin garanci sigurie, shtoi ai duke na e hequr mendimin për përgaditjen e kafeve me bombola gazi.
– Reshati: U pa puna, rrimë pak sa të shplodhemi dhe i hypim autobuzit, sepse kjo anë e Tiranës, na futi në siklete të cilat na prishën humorin e ditës.
– Ikim i thashë unë, dhe me shaka shtova, ka mundësi të paguajme edhe për karriken që jemi ulur, pavarësisht se nuk ka shërbim.
– Ikim, ikim se me ç’farë po shohim do paguajmë edhe ajrin, thumboi Reshati.
Ikëm, morën rrugëm për në pjesën veriperëndomore të qytetit tonë të dashur, të cilit po i merret fryma nga betoni si në dimër, akoma më shumë nga vapa e beharit, lëngon nga mbishitjet e trojeve dhe ndërtimet e pallateve pa rregulla, pa kritere, që kanë gëlltitur milionat e parave të ligjshme apo të paligjshme. Pasi përshkruam ketër a pesë stacione autobuzi, zbritëm, u ndamë, secili mori rrugën për në shtëpi.
Ditët ikni dhe ne po përgaditeshim për tu larguar, pasi pushimeve të fëmijve tanë, me të cilët jetojmë jashtë vendit, po u afrohej fundi. Dy dite para largimit, mora në telefon Reshatin dhe e lame për tu takuar tek “Parku Rinia”, parku kryesor i Tiranës. Do pinim kafe, apo çaj. Atje u takuam. Reshati, filloi bisedën duke na sjellë në kujtesë disa momente që ka kaluar ky park.
– Ky park, më thoshte mua duke qeshur, në lindje ka bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në perëndim janë Pallatet e Shallvareve, ndërsa në veri, para dy-tre vitesh ishte Ministria e Mbrojtjes dhe në jug, pasi kalon xhaden është Lumi i Lanës.
– Unë, pasi qesha, i thashë: Po Reshat, ashtu është, ky është pozicioni gjeografik i Parkut Rinia, por nuk më the ku ka shkuar Ministria e Mbrojtjes?. Unë e dija, por këto ishin batuta mes nesh për të kuptuar ndryshimet e nevojshme dhe të panevojshme. Qeshëm.
– Mirë Reshat me që më fole për gjeografinë, më lejo të të flas pak për historinë, i thashë dhe vazhdova: Parku “Rinia” është ndërtuar në vitin 1950. Në fillim ishte një park i vogël ku banorët e Tiranës vinin me fëmijët e tyre, po ashtu dhe të rinjtë e Tiranës, kurse unë këtu kam mësuar edhe biçiklten kur isha nxënës ne shkollën e mesme. Dikur kjo hapësirë është quajtur me ironi “Taiwan”, toponim që ka mbetur disi edhe sot. Vite më pas, këtu u ndërrtua nji kompleks për kafe dhe restaurante. Në fillim të viteve 90-të Parku “Rinia”, si gjithë Shqipëria, nuk mundi ti shpëtonte masakrave të pa imagjinueshme.
Të kujtohet se si u shndërrua në nji vend me ndërrtime pa pikë estetike, shumica e objekteve ishin kioska, bare dhe restorante dhe parku u kthye në varreza mbidhé; kur kalonim mes atyre palo ndërtimeve, binte era e pisllëqeve, shiringa të hedhura poshte e lart, mbeturina nga më të ndryshmet. Por deshi Zoti, erdhi viti 2001, nga ku nisi pastrimi i qytetit, në Park, u rrafshuan ndërtesat, siç ka shkruar shtypi i kohës, u shkatërruan 130 ndërrtesa dhe u hoqën mbi 45.000 m³ mbeturina. Kështu Parkut “Rinia” i u kthye përsëri gjelbërimi, sigurisht jo në gjendjen që ka qenë, por po merr frymë më lirisht. Duke biseduar me njëri-tjetrin, pranë nesh kaloi nji shok, ishte i shoqëruar, por na përshëndeti me përzëmërsi, pasi kishim vite pa u takuar. Ishte zgjedhur deputet, me që na njihte mirë, na pyeti:
– Si e gjetët Shqipërinë? Ne qeshëm, ai e kuptoi, por shtoi: Më mirë do bëhet!.
– Reshati: Mendoj se duhet të çohemi. Nesër do të ikësh?, më pyeti.
– Jo, pasnesër e kam për të ikur. Por kam nji mendim, në se je dakort. Me që jemi afër me vendin e takimit të para disa ditëve me “llustraxhiun”, shkojmë ta përshëndesim e ta falenderojmë që na bëri të kujtojmë disa pjesë të jetës në këtë qytet, që nuk e këmbejmë me asnji tjetër.
– Shkojmë tha Reshati. U nisëm tek lulishtja përballë Muzeumit, u drejtuam tek stoli ku ishte llustraxhiu, por ai nuk ishte atje. Koha ishte me diell, vallë pse të mos ketë ardhur?. Hodhëm shikimet rreth e rrotull, nëpër stole vumë re se ishin ulur disa pleq, plaka, por llustraxhiu ynë mungonte. Sapo doja ti thosha Reshatit, që të vinte ndonji ditë tjetër ta takonte, me qënë se do të qëndronte në Shqipëri edhe disa ditë të tjera, kur drejt nesh po vinte nji plak, i cili ecte me ndihmën e bastunit.
– Mirëdita zotërinj, mos po kërkoni llustraxhiun që rrinte këtu?.
– Mirëdita. Po i thamë gati njëzëri.
– Ai: Llustraxhiu ka ndërruar vend, pasi dje i erdhën dy taksildarë dhe i kërkuan licencë për ushtrimin e profesionit dhe nëse i kishte shlyer detyrimet tatimore Bashkisë.
– Ashtu? Faleminderit për ndihmën. Kalofsh mirë dhe u takofshim në të mira!
– Edhe kjo na u desh të dinim para se të largohemi, thamë duke tundur pak kokën.
U përshëndetëm me njëri-tjetrin me urimin që gjithçka të ketë ndryshuar për të mirë. Të pasnesërmen avion u ngrit në qiell; pavarësisht se isha lart mbi re, nuk më hiqeshin mendimet se gjithçka është e mundur për të ndryshuar, nëse urrejtjet, inatet, ambicjet negative mes politikanëve, injoranca, të shndërrohen në mënçuri, dëshira, përpjekje për më të mirën e vendit dhe qytetarëve shqiptarë!.
Nji thirrje e trishtë, tepër fuqizëshme ndjehet tek çdo shtëpi shqiptare:”Quo vadimus domini?”, (Ku po shkojmë, O zotërinj?).-
Bergamo, më 09/03/2016.- Fahri Dahri

Shënim(¹): Ky bashkëbisedim të mos trajtohet politikisht, por si kujtesë mes dy miqëve, nëse shihet e arësyesjmet, pse të mos merret edhe si këshillë për ndreqjen e gjërave në të ardhmen për tu bërë më mirë, të korigjohen gabimet, të metat, pavaresisht se cila parti ështe në pushtet.
Shënim(²): Fotot janë marrë nga interneti.