QËMTIME TË REJA NË KRIJIMTARINË LETRARE TË DËSHMORIT ELEZ BRAHA. Nga Prof. as. dr. Shefqet HOXHA.

QËMTIME TË REJA NË KRIJIMTARINË LETRARE TË DËSHMORIT ELEZ BRAHA

Shumë vjet më parë i kemi bërë një vështrim të përgjithshëm krijimtarisë letrare të dëshmorit Elez Braha. Kumtesa e athershme me titull “Elez Braha – këngëtar i të varfërve” mbështetej në të dhëna ende jo të plota. Më vonë, në 50-vjetorin e vdekjes së Migjenit, në syzimin “Një përqasje – Migjeni dhe krijimtaria letrare e dëshmorit Elez Braha” jemi përpjekur të provojmë se në shkrimet e Elezit ndihet gjithsesi ndikimi i Migjenit, ndikim që mund të jetë pasojë jo vetëm e njohjes së thelluar të veprës së tij, por edhe e marrëdhënieve shoqërore, siç vërtetohet edhe në letrën që autori i “Vargjeve të lira” i dërgonte T. Gjylit nga Torinoja, më 11.4.1938.
Tani, në bazë qëmtimesh të mëtejme të këtyre vjetve të fundit, mund të jepen të dhëna të reja që mundësojnë rivlerësimin e krijimtarisë e pse jo edhe të figurës së tij. Por, kuptohet, këtu nuk do të bëhet një analizë tërësore dhe e thelluar.
1.Shkrimet letrare, shkencore, publicistike dhe korespondenca e Elezit, përsa na ka arritur dhe përsa e njohim, dëshmojnë se ai qe një letrar, madje jo vetëm një letrar, i formuar dhe me kulturë, njohës i dy gjuhëve të huaja, italishtes e frengjishtes, dhe i shumë veprave me vlerë të letërsisë shqipe dhe botërore. Në bibliotekën e tij të krijuar, kryesisht, me libra të dhuruara nga shokë, miq e dashamirës, ruhen vepra të Homerit, Shekspirit, Gëtes, Khajamit, Kornejt, Shilerit, Hygojt, La Fontenit, La Martinit, Dostojevskit, Poes, Rusos, Gorkit, De Amiçis-it, Kroninit etj. në gjuhët që zotëronte, si dhe vepra të De Radës, Naim e Sami Frashërit, Mjedës, Nolit, Fishtës etj. dhe botime të zgjedhura të kohës.
Në bibliotekën e Elezit gjëndet edhe një fletore, në 83 faqe të së cilës janë kopjuar me dorë rubaitë e Omar Khajamit, në fundin e të cilave është shënuar data 2 qershor 1936, si dhe një kopje e daktilografuar e tyre, por më e vonshme; poezia e Platonicusit (alias Veli Stafa), kopjuar nga “Përpjekja Shqiptare, nr. 3, dhjetor 1936; një kopje e daktilografuar e “Vargjeve të lira” të Migjenit, që, sipas një shënimi të Q. Gavoçit, ka qarkulluar në rrethet përparimtare të Shkodrës që nga viti 1940 etj. etj.
Për horizontin e gjërë kulturor të Elezit dëshmon edhe literatura e pasur shkencore që ka lexuar ai: vepra filozofike, historike, matematike, bujqësore, mjekësore, gjeografike, gjuhësore, astronomike, ushtarake etj. që ruhen në bibliotekën e tij, ndër to edhe Penjon, Precis d’histoire de la philosophie; L. Darchini, Federico Nietzsche e la sua filosofia; G.E.M. Joad, Guida alla filozofia, Historia e Shqipërisë e Ndoc Nikajt; Historia e Skënderbeut; G. Pochettino, Storia dell’ Albania; Historia e re e Evropës etj., etj. Në këto vepra dhe në të tjera janë bërë dhjetëra nënvizime e shënime, të cilat kërkojnë shqyrtim të veçantë. Për më tepër, në faqet e dorëshkrimeve të tij gjen plot citate të shkëputura nga vepra autorësh të njohur, si Meterlink, Delavigni, Proudhonne, Victor Margariti etj. dhe fjalë të urta të zgjedhura nga gjuhët që zotëronte, si: Apprendre de souffrir, c’est l’art d’être grand; Travailler patientieusement, observer chaque chose, profiter de l’heure favorable, voilà l’affranchisse d’un pays e shumë të tjera
2.Krijimtaria e njohur letrare e Elez Brahës e përbërë prej 17 hartimesh shkollore (prej tyre 6 në gjuhën frenge), një epistolarii letrar prej 7 letrash, 7 skica e 11 vjersha, kohët e fundit ka ardhur duke u pasuruar. Tani njohim edhe dy vjersha të reja, të dyja pa titull. Njëra, “Shpirtkë, o shpirtkë, del në dritare” (Shkodër, kallnuer, 1938) dhe tjetra, “Gjeniu” (maj, 1938). Vjersha e parë e shkruar me lapës në një fletë fletoreje, është një tingëllimë me 14 vargje 8-rrokëshe, me rimë të altërnuar në dy strofat e para, ndërsa dy strofat e tjera kanë këte skemë rimore: ABB, CCC. Kjo vjershë shpreh idilin e një djaloshi të varfër, gjegjësisht të Elezit, me një vajzë shkodrane, me të cilën duket se është dashuruar:

Shpirtkë, o shpirtkë, del në dritare
Edhe hidhe nji shikim
Nga nji njer’ i varfër fare
Që u shkri në mallëngjim!

Se cila qe kjo vajzë, nuk jemi në gjendje ta themi me siguri. Dimë vetëm se Elezi shkëmbeu letra me një “Vashë të hirshme” të quajtur Senka. Prej kësaj korespondence ne njohim vetëm letrën e datës 4 dhjetor 1938, nisur nga Modena, e cila fillon me këto radhë: “Nga dheu i huej, nga vendi i poterës dhe i mjegullës, rrethuar prej shoqnije që të don dhe përkëdhelë vetëm për interesë, po i shkruej këto pak rradhë Senkas së vullnetshme dhe të sinqertë, po i shkruej, po, “Vashës së hirshme” që aq herë më pritte me nënqeshje kur shkonja në shtëpi të saj për të ndejë dhe studiue me shokun Vasil…”
Identifikimi që i kemi bërë kësaj Senkeje është me interes, pse kjo gjë na ka ndihmuar për të kapur fijet e lidhjes midis Elezit e Migjenit. Në një bllok-kalendar të vitit 1939, midis shumë adresave, gjendet edhe ajo e Senka Kokoshit. Bijë Kokoshej ka qenë edhe e ëma e Migjenit, Anastasia, e cila ka vdekur në Shkodër më 16 gusht 1916. Prej këndej del se Senkaja, kjo “Vashë e hirshme” (janë fjalët e Elezit) – ishte pinjolle nga familja e dajëve të Migjenit. Siç duket, pra, tek Kokoshët, po ndoshta edhe gjetkcë, Elezi u njoh e u miqësua edhe me Migjenin, të cilin e pat jo vetëm mik, por edhe mësues dhe frymëzues në krijimtarinë e tij letrare.
Vjersha tjetër e Elezit, Gjeniu, me 16 vargje, me tri strofa katërshe dhe dy dyshe, është një elegji e ngritur për një gjeni që është përbuzur e nëpërkëmbur prej “atyne që s’kanë haber nga arti”, që, së fundi “u zhduk, treti në pambarim/nji shprès e re, nji hyll plot shkëlqim”.
Në një fletore shkollore “Cahier de français. Literatture”, ku janë shënuar ligjëratat e letërsisë françeze në frengjisht, gjëndet edhe një analizë për poezinë “Napoleoni II” (1811-1832) të V.Hygosë, vargjet në origjinal dhe përkthimi i tyre në gjuhën shqipe bërë nga Elezi. Shqipërimi është i lirë, por korekt. Kështu, p.sh. vargjet:

“Victoire aux ailes embrasées.
Ambition realisées,
Ne sont jamais sur nous posées
Que comme l’oiseaux sur nos toits!”

janë përkthye fjalë për fjalë nga Elezi:

“Fitorja me krahë të ndezur,
ambicione të realizueme,
nuk janë kurr të gjata tek ne,
veç si zogjt ndër pullaze tona”.

Në hartimin frengjisht me titull “Pays des Fils de l’Aigle, l’Albanie, – la Suisse des Balcans” Elezi ka përkthyer nga shqipja në frengjisht disa nga vargjet e Bajronit kushtuar Shqipërisë:

“Albanie, permets moi un regard,
pour que je puisse embrasser tous les rochers!
Sur les rochers on voit qulques cabanes…
A côte d’elles le loup du bois passa,
et l’aigle des nuees prit son essor!”

3.Një vend të veçantë në krijimtarinë e Elez Brahësë zen edhe korespondenca, e cila, edhe për sa na ka arritur dhe sa e njohim, nuk i është nënshtruar deri tani një vështrimi tërësor. Një analizë e tillë, ndërkaq, do të ndriçonte shumë anë të figurës së Elezit.
Disa nga letrat e Elezit ruhen të kopjuara prej tij në një fletore shkollore me kuadrate prej 30 fletësh, prej të cilave vetëm 17 janë të shkruara, si dhe në një bllok-xhepi kalendar në përmasat 7×12 cm.
Korespondenca e Elezit, gjithësesi, është e mangët, sepse ajo që njohim u përket vetëm viteve 1938-1939, kur ai ndodhej në Akademinë Ushtarake të Modenës (Itali). Për korespondencën e mëvonshme ne nuk kemi asnjë të dhënë, megjithëse letërkëmbim edhe më vonë ai duhet të ketë pasur. Asgjmangut, edhe nga letrat që njohim, ne mund të shpalojmë disa nga mendimet, që janë shprehje e formimit botëkuptimor e kulturor të tij:
-“Jeta asht e mundshme, ajo asht plot travaje e krajata. Prandaj njeriu duhet të orvatet, të mundohet dhe, bile tepër, për të mundë me e përballue… Njeriu duhet të punojë dhe të rrójë me djersën e ballit…” (6.12.1938)
-“… përpiqu ma tepër në fushën praktike se theorike, pse mësimet e tepërme, studimi i tepruem, tash po e shoh çiltas se nuk vlen aq tepër. Ma mirë të dijsh ta shfrytëzosh praktikisht gjeografinë e historinë, se të mësosh “a volo”. Asgjamangut, edhe “a volo” duhet, por me kufi. Asht e ditun se prej theorisë, aj që ka fakultet arsyeje të zhvillueme mirë, nxjerr për mrekulli konsekuencat praktike…” (8.12.1938)
-“… mos mbllaqit çdo të thanun pa e gjykue ti vetë. Mos je entuziast, pse enthuziazmi e shtrembëron të vërtetën. Pranoji këshillat e dy-tre shokëve, pse “dy-tri mendje vlejnë më shumë se nji”. (8.12.1938)
-“… ha, ha, sa e hidhur qenka jeta! Kjo e shkretë qenka plot vuajtje dhe brenga: “O jetë, unë nuk e dinja/ se grushti i yt, / që vret e mbyt,/ asht kaq i ashpër!” (8.12.1938)
-“… Ndonëse i nryem mes muresh të nalta, unë do të duroj, do të bahem i fortë, më i fortë se guri.
Unë si malsuer, meqë vllaznit e mij malësorë vuejnë shumë, shumë më tepër se unë, tue kujtue se ushqehem me djersën e popullit, do të baj çmos që t’i përshtatem ambientit dhe të mos ia çoj huq (popullit – Sh.H.) mundimet që hjek oër mue.” (8.12.1938)
-“… asht e vërtetë se ekzistojnë momente në të cilat njeriu kalon nga një stad në tjetrin. Asht e natyrshme që njeriu ka çaste gëzimi dhe hidhnimi. Por asht edhe e vërtetë “ferra e jote të bahet Misir”; me fjalë të tjera: qofsh edhe n’Eden, asgjamangut dëshiron të shofish kasollen tande dhe pranë zjarrit të prehesh duke lexue e bisedue. Ja detyra e shqiptarit për pjesën time.” (13.12.1938)
-“… mërzitja, o shokë, shkaktohet ma tepër kur njeriu shef se “gurët e maleve të Shqipnisë” paraqesin apo përfaqësojnë shqiptarët apo Shqipninë” (14.12.1938)
-“… Buka, o sa e shtrenjtë qenkërka për t’u fitue! Sa njerëz ranë viktimë e gllabërisë të pangopun të disave…” (18.12.1938)
-“… E ç’efekt të bante bursa edhe tek unë, o shok? Si vallë më pandeh? Si një laro të poshtër që vete pas interesit tue e ulë vedin si “njeri” në greminën e poshtërsisë dhe të turpit!
Gabohesh, nuk më paske njoftë mirë, o Spasse, unë s’e baj dhe s’do ta baj atë kurrën e kurrës sikur dhe të ngordhi…” (18.12.1938)
-“… Ti e din se hipokrizinë e urrej dhe se sinqeritetin e adhuroj…” (18.12.1938)
-“… Mora letër nga Qemali (?) me anë të së cilës më tregonte se ishte mirë, si dhe përshtypjet e tij gjatë një kohe tremujore pa liri. Kish vu si moto: “Ce qui n’a soufert n’est rien!”
Ju përgjegja me moto: “Loin de la vie même, on connait sa valeur!” (qershor 1938)
Së fundi, po shënojmë edhe disa mendime të Elezit shpërndara aty-këtu nëpër dorëshkrimet e tij.
Në një fletë të bardhë të një fletoreje “Cahier de francais Litterature”, Elezi ka shkruar me dorë këtë mendim: “Vrasim sepse nuk gjejmë udhë tjetër kalimi; vjedhim sepse nuk na mjafton buka që na apin. Ata, për këto faje tona, na burgosin, na rrahin, na varin, por fajin e kanë ata vetë, – ata duhet të dënohen…”
Në një ligjëratë të letërsisë franceze të shkruar me dorë me temë “Le moyen – age”, Elezi ka nënvizuar këto radhë: “L’honneur est de respecter la parole donné, comme p.ex. Besa Shqiptare…” (Nderi është të respektosh fjalën e dhënë, si p.sh. Besa Shqipëtare…”.
Në hartimin e njohur “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë nji jetë e re po lulëzon gërmadhash” (1935), nxënësi i klasës së 5-të të gjimnazit të Shkodrës, Elez Braha, është shprehur prerazi: “… Por na a thue të rrimë në terr si deri tash e të shohim rreth e rrotull tue le nji jetë e re dhe të heshtim?
Ah! Jo! Djalëria jonë nuk do të rri ende në gjumin e randë të fatalizmës. Duhet të zgjohet e me hapa të mëdhaja të drejtohet drejt rrugës së mbarë. Duhet të punojmë, po të punojmë me pa ia da, kështu që të fitojmë dritën e arsyes dhe të bajmë që gërmadhash të lulëzojë nji jetë e re.”
Duke parë në një vështrim përmbledhës ç’u tha më sipër, mund të nxirren përfundimet e mëposhtme:
E para, Dëshmori Elez Braha, megjithëse u nda fare i ri nga jeta, vetëm 27 vjeç, me shkrimet dhe reliket që na la, dëshmoi kulturën e gjerë dhe interesa të hapta shkencore, politike e artistike, që e vunë në radhët e nxënësve më të mirë të gjimnazit të Shkodrës (1930-1938) dhe ndër studentët më të formuar jo vetëm në Akademinë Ushtarake të Modenës, por edhe më tej.
E dyta, duke gjykuar në bazë të shkrimeve letrare (vjersha, skica, epistolare, korespondencë me shokët, ndonjë përkthim, ndonjë projekt drame etj.) ndjen qartë se në figurën e tij janë bashkuar tiparet e militantit, si dhe thjeshtësia, burrëria, atdhedashuria, devotshmëria dhe bukuria e talentit.
Elezi nuk qe një rastësi: Ai lindi e u rrit në një mjedis të varfër, u formua në gjirin e lëvizjes përparimtare të gjimnazit dhe të qytetit të Shkodrës, fitoi kulturë të gjerë jashtë shtetit e pastaj u brumos nën ndikimin e drejtpërdrejtë të traditave kombëtare.
E treta, trashëgimi letrar i Elezit, edhe pse i pakët e modest, bart në gjirin e vet një pjesë të botës së tij shpirtërore. Shkrimet e tij janë shkëndijza mendimesh të thella, interesash të gjithanshme, koncepsionesh ideoartistike të lakmuara. Tek Elezi janë shkrirë në një të vetme njeriu, patrioti dhe letrari.
Prandaj vlerësimi i figurës së tij shkëputur nga analiza e gjithanshme shkencore e trashëgimisë letrare, mbetet gjithësesi jo i plotë, madje tejet i mangët.

Prof. as. dr. Shefqet HOXHA

Tirane,28.09.2015