“LULJA E ARBËRIT” Tregim nga Resim Osmani!

LULJA E ARBËRIT

TREGIM NGA RESMI OSMANI

Në pallatin mbretëror të Napolit, në paradhomën e buduarit të mbretëreshës së dy Siçilive, Giovanna di Aragona, ditën e epifanisë , prisnin kush më këmbë e kush ulur ,që të dilte hirësia e saj për ta përcjellë ne katedralen e Shen Marisë, ku bashkë me mbretin Ferdinand do të merrnin pjesë në faljen e meshës së shenjtë. Pazhi i mbretëreshës, konti don Pedro, i ri dhe i hijshëm, i veshur me livren e shkëlqyer të oborrtarit, bënte ç’bënte, i hidhte shikime lakmuese shoqërueses dhe damës së nderit të mbretëreshës, Katerina- Roza Petës, me bukuri verbuese mesdhetare, si lule e egër e maleve të vendlindjes së saj dhe herë pas here, psherëtinte së thelli, ngaqë ajo bënte sikur s’e shihte, apo thjesht bezdisej ngaqë s’e begeniste.Ishte perqendruar ne soditjen e tablove murale me skena gjahu dhe portrete te mbretit Alfons. Në pritje të mbretëreshës ishin infantët dhe infantet Alfonso,Federiko,Eleonora dhe Beatriçe që shkëlqenin nga petkat dhe stolitë.
Katerina ishte e re në pallatin mbretëror dhe me gjithë dashamirësinë e mbretëreshës, ende s’i kishte kaluar ndruajtja pa thënë që ndjehej si e huaj dhe në zor midis gjithë atij luksi e shkëlqimi dhe sjelljes së stërholluar të oborrtarëve krenarë për fisnikërinë e tyre. Nami i bukurisë dhe hireve të saj, nga ngulimi i Horës së Arbëreshëve,apo “Piana degli Albanesi” sië kishin ta quanin vendësit, ishte gojuar në Palermo dhe kishte mbrritur në pallatin mbretëror. Kur ishte mësuar se ajo dhe i vëllai ishin fëmijët e Gjon Petës, kapiten i gardës së Kastriotit, që kishte luftuar në tokën e siçilisë krah mbretit Ferrante, dhe që ishte vrarë më pas në betejat e fundit kundër turqve pas rënies së Krujës, dha porosi t’ia sillnin në Pallat. Mbretëresha e pëlqeu dhe veç bukurisë së saj të veçantë, që ia vinte edhe më shumë në dukje veshja arbëreshe, gjeti hir te bujarja e re , e fisnikëroi duke e quajtur dona Roza, ngaqë ajo ishte e bukur si një trëndafil dhe e mori zonjë shoqërimi e damë nderi në shpurën e saj.Mbreti Ferrante, që ishre adhurues i bukurisë femrore, e miratoi kërkesën e mbretëreshës. Të vëllanë Kostandin Petën ,ende djalosh i parritur, e futën në Kolegjin Ushtarak Mbretëror.
Maxhordomi lajmëroi se madhëria e saj,mbretëresha Xhovana po dilte. Të gjithë u ngritën në këmbë.Katerina u ngut ti dilte ne krahë zonjës së saj, por mbretëresha mbajti këmbët, i buzëqeshi dashamirësisht dhe i tha:
-Dona Roza, nuk do të më shoqërosh mua. Do të qëndrosh. Mbreti Ferrante i ka dhënë porosi mjeshtrit Velaskes, të bëjë portretin tnd, që do ta vendosë në pavionin e bukurisë të muzeut të arteve. Mjeshtri po të pret.
Njëra nga shërbestaret e përcolli në studion e piktorit, që ishte plot dritë dhe hapsirë, por pak rrëmujë. Mjeshtri Velaskes, mesoburrë, u shtang dhe mbeti pa fjalë. Bëri disa lëvizje të hutuara, të kota e të pakuptimta: lëvizi kavaletin, ngjyrat, furçat. Duart iu dukën si të tepërta dhe s’dinte ku ti fuste! Në studio kishte zbritur bukuria ëngjëllore! Ishte e veçantë, e tjetërllojtë, e pangjashme me bukurinë fiorentine, piemonteze, lombarde e siçiliane, të cilat ai i njihte mirë, ishte e papërsëritshme! Si Mona Liza?Jo! Ajo kishte bukurinë dhe hijeshinë e fisme që i kishte plazmuar e përjetësuar gjenia e Leonardos. Kjo ishte ndryshe, një bukuri e lindur, rrëzëllitëse, verbuese e marramendëse paksa e egër dhe krenare, si bukuria e lules së rritur mbi shkëmb, me ngjyra të ndezura dhe aromë dehëse, që vinte nga të tjera troje, nga Arbëria përtej detit. Fati e kishte vënë në provë që ja kishte zbritur në studio , por a do t’ ia dilte të hidhte në pëlhurë gjithë atë bukuri, hir e dritë ? Vasha qëndronte më këmbë, në pritje, me një vështrim pyetës.Ishte e veshur me petka nga vendi i saj, mbi to dukej sikur kishte çelur lule pranvera dhe cicërinin zogjtë!
-Dona?
-Kristina.
-Uluni ju lutem në poltron, tek ai vendi ku bie më shumë dritë. Rrini lirshëm, me kryet pak të kthyer djathtas si gjysmë profil. Mënjanojeni pak beretën, ashtu, dhe flokët lerini të derdhen përpara gjoksit, majtas.
Bëri si i tha. Piktori rregulloi kavaletin dhe nisi të përziente ngjyrat, pastroi një dyzynë furça dhe ngadalë e kujdesëshëm, pa ia ndarë vështrimin, nisi të hidhte në pëlhurë konturet e portretit. Punonte shpejt, me ngut e si në jerm. Besonte se ky ishte ai që e quanin frymëzim.
Katerina e pikasi atë hutim dhe dalldi të piktorit, por nuk u miklua, ishte mësuar tashmë me vështrimet e habitura të atyre që e hasnin, përndryshe u trishtua.Nuk donte ta shihnin si të ishte kukull. E la piktorin të bënte artin e vet. Me trup ishte aty, po mëndja shtegtoi e fluturoi gjetk, buisën luzma e kujtimeve tronditëse e të përmallshme,të rrëmujshme e të copëzuara, gjithsesi të dhimbshme. Në sy i vegonin pamjet, teksa në veshë , tok me melodinë e mallit ”Moj e bukur Arbëri, ku të lam’ e ku na le ti”, i buçisnin zhurmat dhe zallahia, klithmat, britmat dhe kuja rrënqethëse, si të ishte fundi i botës, i atyre ditëve kur lanë Arbërinë dhe morën arratinë.
Medet për Arbërinë! Ato ditë vjeshte, të zymta, të mugëta, të përbaltura, kur dielli nuk ndrinte, nata pisëronte, pa hënë e yje si të donte që të mos shihnin mynxyrën, kujen e lemerinë. Turqit, jeniçerët, akinxhinjtë, vërshonin si dallgët e detit të së keqes, me shpatë , urat e zjarrit në duar dhe litarët e robërisë. Gjaku mbushi pellgjet, tymi nxiu qiellin, flakët dogjën jetën.
Jeta dhe vdekja ndaheshin nga një fije. Mëma,për ti ruajtur dhe shpëtuar, që të mos binin në dorë të turqve e të përfundonin ajo për shkak të bukurisë në ndomjë harem dhe i vëllai në shkolla jeniçerësh, i kishte ndryrë në shpellën e malit. Qëndruan aty, tok me të tjerë, dit e net, në terr e në të lagët, të mardhur e të uritur, gjakngrirë e frikë në zemër, derisa turqit u larguan duke hequr zvarrë rober e robina, vargan lidhur dorë për dorë me tërkuzë e zinxhirë, për ti shitur në tregjet e skllevërve të Anadollit.Nga rënkimet, lotët dhe britmat e tyre, u zu dielli, u nxi qielli.
Tata Gjon erdhi fill nga fushbeteja, kaluar, armëngjeshur.Rruga kishte qënë e gjatë. E pam që larg, pelerinën e purpurt të gardistit ia merrte era. Përveç i lodhur e i dërrmuar betejave, ishte i tronditur.
“Kështjellat ranë të gjitha, me gjëmë e rropamë. Se mbajtëm dot, ra dhe Kruja. Kanë mbetur në këmbë malet dhe zemrat tona. Bëhuni gati se do të ikni: ose përtej detit e në liri, ose në Arbëri e në robëri!Nuk ka zgjidhje tjetër. Princi Gjon dhe mbretëresha Donika, u mërguan që pas vdekjes së kryetrimit. Në mbretërinë e Napolit do të na japin tokë e strehë.”
“P o ti?” e pyeti mëma.
“Jo. Shpata dhe krahu im i duhet ende Arbërisë.”
“Qyshkur gratë arbëreshe i kanë braktisur burrat në luftë?”
“Kjo luftë është ndryshe. Dua të jem mendjembledhur për sigurinë tuaj. Do vij më pas dhe ju gjej atje”
U nisëm. Qerret dhe karrot kaluan mbi urën e legjendave, pastaj përshkojnë fushën e përbaltur. Arta e dashur mbeti pas, përtej urës, në mjegull rrëzë malit. Në fushën e Frarit, bëjmë përpara drejt bregdetit, mbeten pas vragat e rrotave në baltën e rrugëve, si gjurmë të jetës që merr arratinë. Kthejmë kokën pas. Na mbytin lotët.
Atdhe, lamtumirë!
Kalorësit na heqin udhën, udhëtojmë ditë e natë, të lagur, të mardhur, të uritur. Ngutemi, prapa na ndjek lukunia e ujqërve të Anadollit që të na vërë si skllever nën zgjedhë. Qerret, ngarkuar me dhimbje, brengë, me lote që rrjedhin, ngasin drejt bregdetit. Ishte vjeshta e mërgimit. Rënkonte era si britmë dhimbjeje dhe shtynte fletët e këputura të pemëve, që ashtu si ne të mërguarit merrnin arratinë drejt rrugëve të botës. E dimë kush jemi, por se dimë ku vemi.
Mbrritëm në Pargë. Aty na prisnin velashpalosura anijet veneciane. Ato ishin ose shpëtimi ose varri ynë. Tata qëndroi në breg, i mbytur në lot. I tham tumirë metsh e mirë ardhç. Ndaheshim, por vallë a do të shiheshim sërish?
Mëmëdhe, lamtumirë!
Anija mori udhën e detit. Na përcjellin veç pulëbardhat, që qajnë fatin tonë të zi. Mëmëdheu mbeti aty, tok me varret e të parëve, pas brigjeve të detit, përtej ullinjve dhe mjegullave të vjeshtës, përtej shirave dhe loteve qe rigonin. Dhe iknin tok me ne arbërorët, bashkë me zogjtë shtegtarë, për të ngritur fole në një vend tjetër…..
Orët kalonin.Piktori i përfshirë nga vrulli i krijimit, që ishte si një jerm, deshi që të rrokte çdo imtësi dhe të shprehte veç bukurisë dhe atë botë të brendshme të saj me gjithë dritë-hijet dhe ngjyresat. Por vuri re se shpesh pamja e saj ishte e ftohtë, si e tëhuajtur, dhe në fytyrë kishte dridhje të mezidukshme, si ato valëzat e detit pas stuhije, dukej se në shpirtin e saj vinin nga thellësitë dridhjet e një termeti tronditës që pasqyrohej në pamjen e saj enigmatike. Përse mendohej vallë, çfarë pamjesh i vegonin sytë e mendjes?
-Dona Katerina, të lutem, a mund të kesh një pamje paksa më të qeshur?
-Në mundsha,-i tha ajo.
Një buzëqeshje!Një fjalë goje. E si mund të buzëqeshte kur shpirti qante e rënkonte? Në veshë i shungulluan fjalët e këngës ”Moj e bukur Arbëri” Arbëria që mbeti përtej detit. E bukur si në ëndërr. E bukura e munguar, mëmëdheu i humbur, por kurrë i harruar. Papo ju kujtuan netët e majit, ngjyer me dritë hëne, qielli i kthjellët i Arbërisë mbjellë me yje, pikëzime të zbehta xixëllonjash, kenga e gjonit që kërkonte motër qyqen, zjarret e hareshme në fushë, vashazt zënë përdore,kryet stolisur me kurora luledele degë dafine e smarte, që hidhnin valle nazike e këndonin këngë nalli e dashurie, djelmtë e hijshëm që vinin të shihnin të vluarat, kukurizmat e të qeshurat. O ditë të shkuara e të paharruara!
Piktori pa sesi fytyra ju çel, si lulja kur e puth dielli, u ndriçua nga një gaz i brendshëm dhe u shfaq ajo buzëqeshja që ai e priste. U ngut ta fiksonte dhe bëri mirë,sepse pamja ndrroi, mbi fytyrën e bukur ra sërish ai tisi i trishtuar.
“ Eh, ato ditë të mërgimit! Atë që nisi turku, u duk se do ta bitiste deti që u egërsua nga furtuna. Nata ishte pisë e zezë, fenerët i shoi era dhe shiu, velat u shqyen dhe direkët u thyen, suvala e lartë dukej se do të na gremiste në fund të honeve të detit. Klithmat e lebetisë s’kishin të sosur. Dikush kishte marrë me vete ikonën e Shën Sofisë së Epirit dhe nisëm të luteshim e ti faleshim. Të tallazitur nëpër det, pas një rravgimi të gjatë, kur agoi dita, pam që i ishim afruar steresë. Shenjtorja kishte bërë mrekullinë!
Erdhëm në viset e panjohura, zbritëm, si një turmë mjerane. Të lagur petkagrisur, të uritur, dridheshim në lecka, në këtë skelë të huaj në pragun e dimrit. Burrat, ata që i futën drithmat dhe i dhanë dërmën, per njëzet e pesë vjet turkut me zemrën gjokset dhe krahët e tyre, tani duken si shqipe krahëprera, që vuajnë nga uria dhe dridhen nga ftohma, por sytë e tyre, ah sytë u lëshojnë shkëndia! Kishim humbur atdheun po kishim fituar lirinë dhe besimin në Perëndinë. Para nesh, sido që e huaj, na priste toka e premtuar…… Dhe ja ku jam, midis madhështisë, shkëlqimit, luksit dhe të mirave, nën mbrojtjen dhe dashamirësinë e një mbretëreshe, në një oborr ku më sodisin si të isha një çudi! Sido qoftë, asgjë s’më hyn në sy, e lirë, por si nje zog i mbyllur në kafaz të te arte, që s’mund të fluturojë. Më duket vetja e tepërt, e huaj. Shpirti im rënkon, gëzimi ka marrë arratinë, zemra qan për Arbërinë që heq e vuan nën robëri. Kam mall për gurët dhe drurët, për fushat dhe malet, për pragun e shtëpisë, për atë vend ku edhe nata është tjetër natë dhe dita tjetër ditë, ku qielli kaltëron dhe dielli derdh dritë të artë…….”
Askush mos pastë fatin e mergimtarit.
Turku, mallkuar qoftë, se na la pa atdhe.
Piktori nuk ngutej. Ju deshën dit të përfundonte portretin. Kur linte punën, ai e mbulonte portretin me një rizë të bardhë, që Katerina të mos e shihte. Ditën që e përfundoi, jo pa emocion ai e thirri. Qëndroi para portretit të mbuluar, në heshtje, si para një misteri, pastaj e zbuloi dhe bëri zë:
-Shihe. Të pëlqen?
Ajo e soditi një valë herë, në heshtje. Punë mjeshtërore. Aty ishte ajo,Katerina-Roza Peta, plot bukuri dhe hir, me shikimin të tretur larg dhe me atë buzëqeshjen e lehtë të mezidukshme, ngjasonte si e gjallë e sikur gatitej të fliste. Më cep të porttretit,djathtas,ishte emri i saj, firma e piktorit dhe viti 1489.
Mjeshtri Velaskes po e kqyrte vëmëndshëm. Priti që të dëgjonte një “Ah” pasthirrmë habie e fjalë miradie, që të tjerat e bënin në të tilla raste,po s’ndodhi asgjë e tillë. Fytyra e arbëreshes ishte e ftohtë, si e mermertë, si ta mundonte një brengë. Atij nuk ju durua:
– Nuk të pëlqen?
-Ngjashmëria është e plotë, si të isha para pasqyrës. Ajo jam unë, por mungon diçka që ti se mendon dhe as e përfytyron.
-Ç’na qenka? Mund të ma thuash?
-Mungon Atdheu. Deti blu, qielli i kaltër dhe malet e Arbërisë. Unë jam bijë e tyre, paçka se fati më hodhi në të tjera brigje.
Mjaftonte kaq. Mjeshtri mori penelin dhe në sfond pikturoi detin me një blu të thellë, qiellin me kaltërsi verbuese dhe ca majtas malet e larta me kryet në re. Atje ishte Arbëria qe rriste të tilla lule!

Tiranë, tetor 2015