FABULA, RRUGËTIM DHE PROBLEMATIKË (Pjesë nga studimi) i Halit Çitozi.

Fabula ka privilegjin të jetë nga zhanret më të hershëm, po, njëkohësisht, mbetet një burim i pashtershëm ku serviret dhe shijohet mençuria e popullit. Jo vetëm mosha e saj, por edhe mesazhet që përcjell me natyrshmërinë, rrjedhshmërine e thjeshtësinë e mendimit, e bën atë të jetë e kërkuar mes zhanërve të letërsisë artistike.

Fabula në letërsinë shqipe erdhi sipas modelit të fabulës në letërsinë botërore, përfaqësuar, më të shumtën, me Ezopin, La Fontenin, Krillovin etj.
Rilindasit: Negovani, N. Frashëri, Dine, Mjeda (ky i fundit veçanërisht në fabulën për fëmijë) përgatitën shtratin ku u përkund dhe u rrit fabula shqipe. E, në krye të herës dhe me më shumë peshë në lëvrimin e saj mbeti Çajupi. Ai tentoi dhe ia arriti qëllimit për t’iu afruar mendimit filozofik të fabulës shqipe jo vetëm duke përshtatur La Fontenin, por edhe duke krijuar fabula origjinale.
Gjatë periudhës së Rilindjes, sidomos në vitet e fundit të saj, u zgjerua problematika social-kulturore dhe dukuritë negative të shoqërisë bëhen më prezente, duke qenë objekt i demaskimit përmes mençurisë së popullit, ndaj kjo krijimtari mori karakter të theksuar popullor. Po ashtu, kjo mënyrë e shprehjes së mendimit, u shoqërua edhe me kërkesa më të larta të nivelit artistik, duke u bërë Çajupi frymëzues për brezat e ardhshëm të fabulistëve shqiptarë. Dhe, po të shohësh me kujdes, edhe sot, shumë autorë kanë jo vetëm gjetjen e formës artistike si të asaj periudhe, po dhe shumë subjekte të njohura e të trajtuara prej atyre, me ndonjë “modifikim” sipërfaqësor…
Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare fabula nuk e gjeti vendin sa duhej. Kjo për faktin se çlirimi i vendit ishte aspiratë kryesore, rol të cilin po tentonte ta bënte kënga partizane, poezia patriotike, pamfleti apo poezia satiro-humoristike. Ndërsa Pasçlirmit, sipër tërë krijimtarinë letraro-artistike, problematika e fabulës qe e orientuar, e kufizuar dhe e kontrolluar aq shumë, pikërisht sepse mendimi ishte i fshehur, ishte nje “presë me dy teha”, ku simboli, personifikimi, alegoria s’duhet të kishin objekt kritike njerëz të pushtetit, ndaj u orientua për tek lufta kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm dhe “mbeturinave” të së kaluarës, ose ndaj atyre dukurive që nxitnin dobësimin e shtetit, që pengonin formimin e njeriut të “ri” në luftë me burokratizmin, disiplinën (formale) në punë, thashethemet e besimet fetare.
“Këtë haliç / s’e kam për gje hiç
Tha vareja / dhe qeshi nga hareja
Pastaj me vrull / u përplas mbi strall
Po për çudi / theu dhëmbë e dhëmballë”
Ndonëse e botuar në vitet ’70, morali i saj u përshtatet edhe ditëve të sotme, pasi simbolet lexuesi i zbërthen sipas ngjarjeve dhe problemeve shoqerore që përjetohen. Guri dhe vareja i viteve ’70 gjen vend për aludim për transformimet e mëdha shoqërore që sollën vitet ’90. Apo: “Ç’faj kam unë i ngrati / kur udhën ma ka zënë veshgjati”, gjen shtegun lirë për të demaskuar injorancën që shpërfill mëritokracinë në administratën shtetërore apo jetën politike.
Në ketë periudhe morën qytetarinë fabulat e D. Agollit, Gj. Kurtiqit. T. Milotit, F. Çakrrit, J. Durit etj. si dhe fabulistet e para R. Theohari e M. Lalaj, për t’iu bashkuar pas viteve ‘90 edhe Fatime Kulli.
Synime dhe përpjekje për të gjetur veten si lëvrues të fabulës ka patur gjithnjë, po sidomos me rrëzimin e diktaturës edhe për faktin se u fitua e drejta e fjalës së lirë, jashtë censurës dhe autocensurës.
Vitet e tranzicionit na ballafaquan me një realitet vërtet të hidhur. Krijimet e kësaj periudhe nuk vuajnë aq shumë nga tematika e subjektet se sa nga vlerat artistike që përcjell fabula si zhanër i veçante. Dalja në qarkullim e shumë vëllimeve me fabula (një pjesë me nivel të ulët artistik) la shkas për një opinion të gabuar, sipas të cilit ata që merren me fabula, s’bëjnë dot poezi të mirëfilltë. Por, në fakt fabula është poezi. Madje e vështirë për ata që i njohin ligjet e ligjërimit poetik të saj. Ajo ka mjetet e veta të shprehjes, gjuhë e sintaksë poetike të veçantë. Mbi të gjitha, kërkon që të zbulohen e të përcillen ndërlidhjet e fshehura të dukurive a veprimeve në situata të veçanta mes fjalës e veprimit.

***
Po si ndjehet fabula sot në tërë këtë problematikë të shoqërisë, ngërthyer me paradokse ku, nën zë apo hapur, ndihet revolta njerëzore për aspekte të ndryshme të jetës politiko-shoqërore?
A po tentohet që këto dukuri negative, jo vetëm të bëhen prezente, po edhe të vishen me rrobën e bukur artistike?
A kanë arritur fabulistët shqiptarë të harmonizojnë traditën dhe novatoren në mënyrën e shprehjes së mendimit fabulesk?
A ka krijime që mbeten mes fabulës e poezisë humoristike apo fabulës dhe anekdotave e fjalëve të urta?
A po i shmangen imitimit qoftë në tematikë dhe formë përmes të njëtjave skena, mjedise, personazhe e gjer te i njëjti moral i thatë?
Të imitosh, aq më keq të kopjosh, do të thotë se ke humbur origjinalitetin dhe personalitetin krijues. Shumë fabulistë që kanë “lëndë të parë” fabula të njohura të Çajupit e në vijim, përcjellin monotoni ne ligjërim, varfëri mendimi, pasi operohet me gjetje të konsumuara.Nuk ke krijuar një fabul të re, nëse nga një e stërnjohur ke ndryshuar pagëzimin nga kungull-pjeper, shelg-plep, mizë-milingonë, dhelpër-skile etj etj, kur situatat, dialogjet dhe vetë morali janë tejet të konsumuar.
Edhe përsëritja e vetëvetes nga vëllimi në vëllim (sidomos kur vijnë me vrap njëri pas tjetrit) flet për krijime të rëndomta, mungesë personaliteti krijues.
Përjetimi aktiv i dukurive të realitetit të shpie në zbulimin e të veçantës që të ngacmon e të frymëzon dhe njëkohësisht bëhet shkas për gjetje të re të gjuhës dhe mjeteve stilistike duke krijuar stilin e veçantë të fabulistit.
Ferit Lamaj jep një mozaik këndvështrimesh me një stil të vetin në luftë me uniformitetin e proliksitetin. Konçiziteti, zbulimi i lidhjeve të brendshme e çojnë lexuesin shpejt në thithjen e moralit fabulesk. Ai ka një ndjeshmëri të hollë zbuluese artistike, ngacmohet dhe të ngacmon emocionalisht. Qëllimi ideo-emocional bëhet shkas për skemen e fabulës dhe të mjeteve shprehëse në fuksion të idesë a moralit.
Agim Bajrami ka krijuar një profil të vetin. Ai jeton intimitikisht me kohën, fotografon dukurinë, gjen figurën mbi të cilën arrihet përfytyrimi i personazhit si bartës i fenomenit shoqëror apo vesit njerëzor.
Mjaft i begatë, mbase si askush në raport me hapësirën kohore, vjen fabulisti Izet Çulli, i cili, veç të tjerash, ka futur në sprovë veten për të lëvruar edhe në shtratin e traditës dhe të novatores.
Dikur, shumica e fabulave kishin si titull emrat e dy personazheve, personifikim i të mirës dhe të keqes, të moralshmes dhe pamoralshmes.
Po F. Lamaj e kapërcen këtë praktikë. Nga rrëfimi kaloi në veprim duke i dhënë dinamizëm fabulës. Edhe titujt, shumica, janë emra foljor ose togfjalësh që të orienton drejt moralit. Po, a ështe arritur kjo nga ata të shumtë që ndjekin “shkollen” Lamaj ne fabul?! Tendenca për të sjellë fabulën me dialogje të shkurtër e të shpejtë ka mbetur më së shumti, e parealizuar qoftë nga ana teknike dhe ajo artistike.
Rendja drejt një forme të re të ndërtimit të fabulës, që në dukje është më e lehtë, nga që, herë-herë, ngjan me një poezi humoristike e satirë (po ta heqësh nga goja e kafshëve) është bërë shkas që të humbë natyrshmëria dhe rrjedhshmëria e vargëzimit.
Nga ana tjetër ështe dëmtuar leksiku. Për hir të gjetjes së “shtegut” për të vënë “kapakun” personazhi, tradicionalisht simbol i së keqes, bëhet zëdhënës i një mendimi të urtë.
“Që përtej pas një fiku
Flakërimë gjegjet dhelpra
– S’matet miku nga fiziku
Por nga fjala dhe vepra…”
T’i veshësh këtë moral një superdinakeje flet për diçka të kërkuar për hir të rimës. Apo:
“Një zë dëgjohet nën dardhë
qesh e ngjesh zonja ferrë
– I bukur je, po del i bardhe
ndaj asnjë pa provë s’të merr.”
Këtë batutë ndaj shalqirit për të rimuar me foljen merr, mund ta hidhte fjala vjen… një shqerrë, pasi ferra në urtësinë popullore është, më të shumtën negative, aq më shumë, aty “nën dardhë”…
Apo në togfjalëshin:
…“urtësia e vërtetë” përcaktori, është thirrur për të rimuar më “në jetë”, pasi, po të mos ishte e vërtetë, urtësia s’do të mbante këtë pagëzim…
I. Çulli është i begatë në fushën e krijimtarisë në këtë zhanër. Krijimtarisë së tij i mbetet i hapur një studim i veçantë. Thjeshtë dhe natyrshëm zbulohet lidhja e një mjeti fizik dhe mendimit filozofik tek “Truri dhe mendimi”
“Ktheju prap në gjirin tim
ke nevojë për karikim…”
duke përcjellë idenë se njeriu ka nevojë të mësojë në vazhdimësi “Dhjetë mjekëroshët” ruan natyrshmërinë, me një ligjërim të mbështetur në të folurën e popullit, ku korrupsioni shtetëror ndeshet në çdo aspekt.
(Në kat të tretë, shefi:)
“- Ku i ke dhjetë mjekroshë (nga 100 monedha)
– Ishin pleq, dreqi ta marrë,
mbetën poshtë, n’kat të parë…”
***
Jo domosdoshmërisht fabula, duhet të ketë simbole kafshë, shpend a sende. Kjo mendësi tashmë është tejkaluar, rrjedhojë e rrugës në rritje të saj dhe në përshtatje me nivelin kulturor të lexuesit duke i zëvendësuar me njerëz real, bartës të filozofisë së popullit që shprehin qëndrim kritik, mospajtim ndaj padrejtësive shoqërore.
Hap të rëndësishëm ndërmori Tashko Lako me librin “Nastradin apo Sokrat”… Ai krijoi (gjeti) një personazh të veçantë, Mitin. I vendosur në mjedise të veçanta, ku zhurmon jeta me bëma të ndryshme, bën diagnozën e padrejtësisë shoqërore. Lako ka dhënë, në pamje të parë, libër me anekdoda apo skica satiro-humoristike. Por, nuk është krejt kështu. Morali i “anekdotave” te Lakos vjen natyrshëm në përshtatje me rrëfimin e personazheve, të peshkuar në mjedise të njohur, me dialogje që përcjellin shqetësim kolektiv për një realitet të hidhur. Portretizimi i tyre realizohet duke gërshetuar fjalën e urtë myzeqare, mençurinë e Mitit dhe humorin e mprehtë të Lakos.
Fatmir Gjestila synon të japë diçka të re në sintaksën poetike, intonohet natyrshëm me vlerat e pasura kulturore të Matit dhe e fuqizon mendimin estetik.
Çelik Petriti i kushton vëmendje anës teknike të vargut dhe ritmit. Ai përfshin në vëllim fabula dhe satira që në një këndvështrim specifik, gjen dhe pikat ku afrohet dhe largohet fabula me poezinë satirike.
Në mjaft fabula morali vjen natyrshëm te I. Çulli, P. Velo etj. nga që është ndërtuar me kujdes subjekti, por, më të shumtën i kushtohet vëmendje rolit didaktik duke zbeh nivelin artistik. Tendenca, për të botuar sa më shumë, ka sjellë, në mjaft raste, varfëri në vlera ideo-artistike. Fabulisti bëhet i njohur edhe me dy a tri krijime kur janë të goditura e ngritur në art edhe si subjekt edhe si moral. E, mjafton Ezopi, La Fonteni, Agolli, F. Lamaj që të bindesh për jetëgjatësinë e një krijimi të tillë.
Në rritjen cilësore të fabulës ndikon shumë kujdesi për respektimin e anës teknike të saj, ku roli i redaktorit është i pazëvendësueshëm. Ai duhet të jetë i rreptë për të lënë jashtë çdo imitim, aq më keq, kopjim. Zgjatja pa nevojë, pasi ke zbuluar moralin, është “barrë e lagët” në kurriz të vlerave. Qëllon që fabula nis me dy personazhe dhe, në pamundësi për të gjetur “kapakun” fut personazhe të tjerë, replikat e të cilëve janë krejt skematikë.
Pavarësisht se në ç’formë e ke thur fabulen, nuk duhet kurrësesi të mos respektosh sintaksën poetike. Vendosja e fjalëve të autorit në tri pozicione të vargut, pa respektuar drejtshkrimin , i sakaton dialogjet dhe lexuesi shkon drejt hamendësimit se kujt i përket replika.
A mungojnë redaktorët dhe korrektorët? Jo. Në hyrje të librit ata janë të pranishëm, simpati e “nder” i autorit, por s’kanë dorë në ruajtjen e vlerave artistike. Vetëm kështu shpjegohet dukuria që ka në një vellim shumë fabula të dobëta, ka vargje e fjalë të përsëritura edhe brenda një krijimi, ka gabime të shumta drejtshkrimore deri në deformim të kuptimit të fjalës apo të gjendet një fabul dy herë në vëllim. Në vargun: “- Po ta them urtësinë kjo motërza flutur…” nuk ka përshtatje të vetës së foljes dhe përemrit.
Në më të shumtën fabulat kanë mbështetje te vargu popullor tetë apo gjashtë rrokësh. Janë ndërtuar mbi bazë strofe, sidomos me katër vargje, po edhe me vargje kolonë, varg të lirë e gjer tek ai i thyer. Kjo tendence për larmi stili nuk duhet të bëhet shkas për të dëmtuar ligjërimin artistik, të humbasë muzikaliteti e ritmi i brendshëm.Vargu i thyer kërkon vëmendje për të mos u kthyer qëllim në vetvete. Kur nuk nxirret në pah një mendim a një fjalë me ngarkesë emocionale që tërheq lexuesin, bëhet një thyerje mekanike që, po t’i bashkosh vargjet, sajohen strofa gati të rregullta me rimë të alternuar apo të përputhur.
I. Çulli, në ato vëllime ku redaktorë janë fabulistë të afirmuar, e ka çliruar nga karakteri narrativ, përmes një figuracioni të zgjedhur, duke i dhënë tingëllimën e poezisë shqiptare. Nga ana e pasurisë gjuhësore ai jep një shembull të mirë, duke e pasuruar me fjalë të perngjitura e të prejardhura ose me fjalë dialektore si: qiellëron, shkularak pulëhimia, llapëronte, thiushe, qafëgjatë, kabadhë, karçin, etj etj duke përcjell koloritin e të folurës krahinore…
Fabula e vertetë qëndron larg banalitetit si krijim artistik. Nuk duam të flasim për dukurinë e të qeshurës në spektakle, por fabula mund dhe duhet të bashkëjetojë edhe me skenën e humorit e spektaklet e tjerë. Kjo do t’i bënte mirë edhe vetë skenës. Së pari, do të pasuronte repertorin, do të zbulonte dhe prezantonte nje “aktor fabulesk” me deklarimin e fabulave të arrira, krahas anekdotave që vijnë nga treva e kohë të ndryshme. Së dyti, do të përcillte tek shikuesit vlerat ideo-estetike përmes gjuhës së La Fontenit. A nuk kanë mbetur në kujtesë për mirë fabulat e Ferit Lamajt nën interpretimin mjeshtëror të Nderit të Kombit, Kadri Roshi apo Roland Trebicka?!
Në udhetimin e suksesshëm të fabulës shqipe, kanë meritën e vet edhe piktorët e karikaturistët që, me ilustrimet e tyre, ndihmojnë dhe plotësojnë perceptimin në zbërthimin e karaktereve e mesazheve që përcjell krijimi, po edhe vlera të artit pamor.
Fabula s’ka pleqëri. Madje është e pavdekshme, sepse vetë fenomenet negative gjallojne në forma të ndryshme edhe kur ndryshojnë sistemet shoqërore duke mbjellë të keqen. Thënia labe: “Duro të keqen duke qeshur, duke e tallur” të grish për të arritur e përsosur më tej këtë zhanër të bukur të krijimtarisë letrare artistike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *