Tregim nga DHIMITËR SHTËMBARI! Çështja: “Gomari i ministrit”

Tregim nga DHIMITËR SHTËMBARI

Çështja: “Gomari i ministrit”

Fatmiri, rreth të gjashtëdhjetave, para vitit 1990 kish pas qënë shofer i kryetarit të kooperativës bujqësore Dushkani. Mbas atij viti mbeti i papunë. Ndërkohë, makinës nuk iu mësua dot pronari. Dikush e pat rrëmbyer. Të gjorit Fatmir iu desh ta niste punën me një kafshë njëthundrake.
Dhe ç’bënte? I vendoste gomarit mbi samar perime a fruta të stinës dhe futej në qytet për t’i shitur. Sapo arrinte në të hyrë të qytetit, futej në oborrin e një shtëpie të thjeshtë, qarkuar me një kopësht dosido. Aty banonte një kushërira e largët e Fatmirit, një grua e moshuar, mbi të tetëdhjetat.
– Mund ta lidhësh këtu gomarin deri pasdreke, – i pat thënë kushërira që në takimin e saj të parë, – sepse këtu mund të hajë edhe gjethe ferre…
I pat pëlqyer ky mendim Fatmirit. Aty e pat lidhur atë ditë dhe në të gjitha ditët, javët dhe muajt në vazhdim.
Djali i Fatmirit, Altini, që kish mbaruar fakultetin ekonomik, punonte në një firmë private. Ndërkohë vazhdonte të ishte aktivist i shquar i Partisë “Bollëk për të gjithë”.
Kaluan ca muaj dhe të ardhurat e Fatmirit nisën të rriteshin. Shiste qumësht, domate, piperka, si dhe lloje të tjera perimesh.
– Baba, – i qe drejtuar një ditë i biri.- Shite gomarin dhe blej një kalë. Ka lezet me kalë…
– Kalë?! – ia pat kthyer i ati. – Kali ka kosto të lartë… Do tagji, pa do edhe kushte më të mira mbarështimi … Gomari ushqehet edhe me therecka …
Në kohën që Fatmiri vazhdonte të punonte me gomarin, djali i tij, Altini, u emërua kuadër i rëndësishëm në Bashki. Nga kjo kohë e në vazhdim, Fatmirit do t’i binin të njohurit në qafë. Dha e mori t’u bënte ballë, por nuk qe e thënë.
– Po ç’janë gjithë këto gjëra që sjellë nga qyteti, more burrë?! – i qe drejtuar e shoqja.
– I gjej mbi samar! Duket që vijnë të njohur e të panjohur dhe më kërkojnë, që t’i them Altinit t’u bëjë ndonjë nder … Kanë halle njerëzit.
– Dhe ti u jep fjalën se do të ndërmjetësosh me djalin?! – ia preu e shoqja.
– Jo, moj grua; nuk e bëj atë gjë, por ç’t’u bëjë?! Ata shkojnë te gomari, lenë një copë letër, lenë edhe ndonjë peshqesh mbi samar dhe ikin! Si thua, t’i hedhë në gardh këto?!
Gruaja kish mbetur në mëdyshje.
Një ditë Fatmiri dëgjon zilen e celularit dhe e ve në vesh: “Urime, zoti Fatmir! Shpresoj të mbeteni ai që keni qënë edhe tani që djali t’u bë ministër!”
Fatmiri e kish njohur nga zëri atë që sapo i kish folur. Ai zë e kishte shqetësuar disa herë për çështjen e marrjes polic të të birit pranë Bashkisë.
… Teksa kthehej nga qyteti dhe futet në oborrin e shtëpisë. Fatmiri i drejtohet së shoqes:
– More vesh gjë për djalin tonë?
E shoqja ngriu në vend. E ngutur, iu drejtua:
– Jo, s’kam marrë vesh asgjë! Çfarë i ka ndodhur djalit tonë?!
– Dëgjova se e kanë bërë ministër…
– Ministër djalin tonë?!
Si për ta sjell më në humor të shoqen, i drejtohet sërish:
– Po, moj, po, ministër, por ku do të parkohet “Benzi” tani, se unë nuk ia le vendin ku parkoj gomarin tim.
Dhe, sakaq, Fatmiri u fut në shtëpi.
– E po, tani që djali u bë ministër, shite gomarin, or burrë, se nuk ka lezet. Ti mos blejë kalë, por një veturë të thjeshtë, sa për punë.
– Veturë?! Vetura do karburant, do goma, pa do edhe tërë ato dokumente që t’i kërkon Policia. Gomari është goxha mjet ngarkese pa asnjë dokument…
Ndërkaq, së largu u duk një “Benz”, i cili i qe drejtuar portës së shtëpisë së Fatmirit. Nga përpara makinës zbriti një djalë i bëshëm, i cili nisi të bënte me dorë për të orientuar shoferin se ku duhej ta parkonte makinën.
– Po ky që i bëka me dorë shoferit kush është? – pyeti Merushja.
– Është shoqëruesi, ose trimi i djalit, në qoftë se e do kështu ti, moj grua.
… Edhe pse i biri nguli këmbë që ta shiste gomarin dhe të blente një veturë, ca më shumë që kishte edhe patentë, Fatmiri nuk e dëgjoi. Vazhdoi me gomarin. Me t’u bërë i madh në Qeveri djali, Fatmiri kujtoi se tashmë kish shpëtuar nga andrrallat që i krijonin të njohurit. Por nuk kish qënë e thënë. Ndryshe nga më parë, tani e çdo ditë gjente mbi samarin e gomarit letra të ndryshme, herë – herë edhe ndonjë zarfë.
– Do të na gjejë belaja me këto zarfat që gjej në gomar, – i qe shprehur një ditë Fatmiri së shoqes.
– As mos e çajë kokën, o burrë! Dëgjojmë se ata të mëdhenjtë vjedhin me thasë, ndërsa ti na marke një zarfë në sene…
E vazhdoi biznesin familjar me gomar Fatmiri, por tanimë me një marzh shumë më fitimprurës.
Një ditë kthehet nga pazari për te kopshti i kushërirës, kur … nuk e gjen gomarin në vendin ku e kish pas lidhur në mëngjesin e asaj dite. Nxitoi për te kushërira, ndërsa ajo i tha, se vetëm pak minuta më parë e kish parë gomarin të ishte aty. Ç’të bënte i gjori Fatmir! I ra në mënd Policia. Nxori celularin, formoi numrin dhe …
– Alo Policia?
– Po.
– Jam një qytetar, Quhem Fatmir Limani. Më kanë vjedhur gomarin.
– Ju kanë vjedhur gomarin?! Po, përse, mor zotni, edhe me gomerët tuaj u dashka të meremi ne?! Ç’janë këto gomarllëqe!
Fatmiri e ndjeu se gomari do t’i shkonte dëm, prandaj e pa më të udhës që të shfrytëzonte emrin e të birit.
– Unë jam babaj i ministrit Altin …
– Ashtu!
Dhe polici i shërbimit mori informacionin e nevojshëm, duke hapur për hetim çështjen “Gomari i ministrit”.
… Aty në të errur, në shtëpinë e Fatmirit ia behu një furgon Policie.
– E shikon, moj grua, se ç’do të thotë të jesh prind ministri! Me siguri që na sjellin haberin e kapjes së atij që na ka vjedhur gomarin.
– E po, kur do, Qeverria e kap lepurin me qerre, – shtoi e shoqja.
Mirëpo, sapo u futën në oborr, policët nuk pritën gjatë, por u derdhën nëpër shtëpi dhe nisën nga kontrolli i saj.
– Ju lutem, përse i tërë ky kontroll?! – pyeste i habitur herë mbas here Fatmiri, të cilin e kishin lënë menjanë në shoqërinë e dy policëve.
Askush nga policët nuk fliste, ndërkohë që vazhdonin kontrollin. Në fund, mbasi nuk gjetën asgjë kompromentuese, një nga policët, si duket – shef i vogël i tyre, i drejtohet të zotit të shtëpisë.
– E kapëm hajdutin e gomarit tuaj, por… mbi samarin e kafshës u gjet një kg. drogë i llojit “Marijuan”.
– Drogë?!
– Po, po; drogë, prandaj, për shpjegime të mëtejshme, do të vini me ne në Komisiariat.
Në çast, dy policë i vunë krahun dhe e futën në makinën e tyre të blinduar.
Në kohën që makina e Policisë dilte nga oborri i shtëpisë, atje tej dha ballë të vinte “Benci” i ministrit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *