Nga Tomislav Marijan BILOSNIÇ, Zarë / Kroaci! SËKELLDIA E FSHEH HAIKUN. Perktheu Smajl SMAKA.

Nga Tomislav Marijan BILOSNIÇ, Zarë / Kroaci

SËKELLDIA E FSHEH HAIKUN

Mustafa SPAHIU: Ni bambus, ni ključ / As bambu, as katinar, Botoi Shoqata 3000 vite për dhuratë, Zarë, 2015

“Kur poeti shkruan haiku, në të vërtetë edhe nuk e shkruan, por diçka përmes tij shkruan. Në një sens haiku e shkruan vetveten nëpër te – dhe për këtë shkak poeti nuk duhet dhe nuk guxon të krenohet me të mirin dhe të sukseshmin por as të të turpërohet. Ai që shkruan haiku mbetet shërbëtor i tij-që është një nder i madh të cilin duhet vlerësuar.”
Kështu shkruan Vladimir Devidè, duke e argumentuar atë që në veprën e tij Historia e haikut e ka shkruar R.H.Blyth e që më duket se është adekuate, duke e realizuar temën për poezinë haiku të poetit shqiptar Mustafa Spahiu në përmbledhjen e tij As bambu, as katinar. Ç’është e vërteta, Spahiu në kuptimin e plotë është zen mjeshtër, person i cili jo vetëm në poezi por edhe në jetën e përditshme private është i prirur ndaj hip, njeri i reagimit të shpejt, i ndjeshmërive të shprehura, i spiritiuozitetit të theksuar dhe i reagimit spontan. E njoh aq gjatë sa që mund të them lirisht se ai njësoj jeton dhe e shkruan haikun, gjithmonë i kthyer nga burimi, nga vitaliteti dhe origjinaliteti, ndaj atyre vlerave të jetës të cilat nuk mund të definohen, si edhe vet haiku.

Ëndrra e haikut,
Nga qielli zbret rrufeja…
Ilirët dhe Liburnët.

Edhe në këtë shembull të mjeshtrit shqiptar të haikut shohim se si haiku është bërë pjesë plotësisht e barabartë e thesarit botëror të poezisë. Pothuaj se është vështirë ta identifikosh një vend në botë në të cilin nuk praktikohet haiku… Akademiku Vladimir Devidè para shumë vitesh ka konstatuar se si Kroacia është një superfuqi botërore në haiku e, që edhe unë mund ta përsëris edhe për rajonin gjuhësor shqip, me rrënjësimin e dëshmuar në poezinë bashkëkohëse shqiptare, për shkaqe më të thella këtu nuk do të bëhet fjalë. Aq sa të them se në kulturat në të cilat ekziston prirja ndaj meditimit, e që pos kësaj lehtë shkrihen me drejtpërdrejtshmërinë dhe prakticizmin e jetës së përditshme, rruga e këtillë e përjetimit të botës dhe e jetës duket më e përshtatshme. Zen i cili “gërsheton secilën fazë të jetës kulturore të Japonisë”, siç thotë D.T.Suzuki, me lehtësi e ka kaluar kufirin e qarkut perëndimor letrar dhe të kulturave e civilizimeve tjera, sistemet filozofike të të cilave nuk mund të përgjigjen shpejt si zen ndaj shumë çështjeve globale bashkëkohëse, në rradhë të parë të cilat shtrojnë pyetje për ndërelacionin e njeriut dhe natyrës. Me asgjë, si me haiku pothuaj se nuk mund të zbulojmë dhe të paraqesim, përjetojmë dhe shpjegojmë secilin detaj dhe secilën dukuri në natyrë, qoftë nëse është fjala për Spahiun si poet, për ato që i imponon “aroganca” dhe eksluziviteti, duke e dijtur se ata që shpenzojnë shumë fjalë në paraqitjen e së vërtetës së tyre, të mendimeve dhe të ndjenjave në përgjithsi nuk janë as të sinqertë.
Haikun është vështirë ta vlerësosh në nënyrë kritike, nëse është fare e nevojshme kjo. Prandaj druaj mos edhe vet, mos po bie në këtë grackë, mos t’i them të gjitha karakteristikat e jashtme të haikut të Mustafa Spahiut, e që me këtë rast të mos bëj fjalë edhe për vlerat e tij më të thella, më të larta, vlerat e brendshme, në vet frytin, esencën, thelbin e gjallë haiku, pra të asaj që është vet haiku. Në përgjithsi, shpjegimet e haikut jo vetëm që e lakuriqojnë por e vdekësojnë haikun. Mjafton që këtu vetëm në atë që është senzacioni i tij, e që është kaltërsia e zambakut të kaltër, qumështi i shiut qumështor, gjërësia në guacë në zallë, akulli në kollitjen vjeshtore, vrragët e thella të trungut të djegur… Sëkelldia e fsheh haikun thotë Mustafa Spahiu që vërtetë paraqet rrugën e hyrjes në kullën magjike të haikut. Vetëm duke fërgëlluar dhe duke pritur ne do të hapen jo vetëm dyertë, por edhe dritaret e kullës nga e cila mund të vrojtojmë gjithësinë.

Molla e malit
nga frika prej dëborës.
As diellin s’e prêt

Duam që posaqërisht këtu ta theksojmë se si Spahiu brenda kufinjve të lejueshëm i përmbahet formës së haikut, ashtu që brenda strukturës koncize tri vargje e rrëfen gjithë atë që përmes haikut duhet thënë – mendimin, ndjenjën, disponimin, pamjen (imazhin) e në fund edhe emblemën e stinës së vitit. Me këtë rast autori nuk u përmbahet standardit në shtatëmbëdhjetë rrokje, gjë që edhe nuk është e mundshme në gjuhët në të cilat haiku nuk është formë burimore, e aq më pak është e mundshme duke e përkthyer haikun nga gjuhët tjera. Ç’është e vërteta, në gjuhë të ndryshme edhe rrokjet kanë gjatësi të ndryshme. Është vështirë për të gjetur fjalë dyrrokëshe dhe trerrokëshe nga të cilat do të ndërtohej metri. Edhepse nuk duhet lëshuar krejtësisht ndaj fleksibilitetit poashtu nuk duhet bërë rob i kontrollit të përgjithshëm, prandaj nganjëherë na imponohet kërkesa e heqjes dorë nga metri. Përndryshe, haiku brenda vetes ngërthen karakteristika “të cilat transcedentojnë barierat e gjuhës” (H.Henderson), e që ndër të tjera na ka sjellë që të pranohet si formë e poezisë perëndimore. Këtu është e rëndësishme që me këtë formë të vogël (shkurtër) poetike përpiqet të krijohet art i niveleve të larta poetike, shpirtërore etike e refleksive.
Tashmë kemi thënë se sesi poeti ynë në haikun e ti i përjetëson viset e fëmijërisë së tij, të vendlindjes, por edhe më shumë të moshës së pjekur, pamjet e përditëshmërisë, të gjitha këto duke i prezantuar me lehtësi të thjeshtë, ashtu si është edhe entuziazmi i tij në këtë formë poetike, Haiku i tij tematikisht nuk është i kufizuar dhe ai kap secilin senzacion të mundshëm jetësor, pothuaj gjitha ato që na rrethojnë. Është ky rezultat i nxitjes nga jashtë, i gjithë asaj që në shikim të parë vepron si një detaj i thjeshtë për fijen e barit, pikën e vesës, fluskat e borës ose për Hënën dhe yjet, karkalecin dhe bretkocën ose për krizantemën dhe qershinë. Ajo që për njeriun perëndimor në rrëmujën e qytetit të madh mund t’i duket e pakuptim dhe trivijale, haiku na e bën të qartë, intim dhe të kuptueshme, duke depërtuar në vet shpirtin e gjërave, kur është e tepërt të kërkohet përgjigje racionale për atë se çfarë po ndodhë kur në “hurdhën e lashtë të peshqve kërcen një bretkocë” sesi Basho figurativisht e përshkruan tingullin e ujit. Ky nuk është fare raport apstrakt ndaj jetës, ashtu siç na e ofron shoqëria teknologjike-konsumuese, por rruga e jetës, drejtëpërdrejtshmëria dhe spontaniteti, intuita, ajo që është karakteristike për sëcilën qenie të natyrës, për secilin njeri pavarësisht nga arsimimi i tij, pavarësisht nga bindjet fetare apo etnike.
Mustafa Spahiu, do të thoja intuitivisht duke e njohur të vërtetën se si këtu fjala është për homogjenizim të shkallës më të lartë, në vet inspirimin transcendental për atë çfarë do të thotë të jetosh, e jo të interpretosh, të qasjes dhe të shkruarjes të haikut vetanak. Haiku i tij përfshinë një gamë të gjërë të interesimeve, duke lëvizur në gjërësinë që nga dashuria ndaj natyrës (ndaj zambakut të bardhë apo të kaltër, cicërimës së zogjve) përmes reminishencave për vendlindjen (uji, dheu, drunjtë) dhe mitologjia nacionale (Gjarpinjt janë larg, Shiqimi i Qelibartë, Ilirët dhe Liburnët), deri të reflektimi filozofik për jetën në të cilat sëkellditë fshehin haikun. Ç’është e vërteta, Spahiu lirinë e artit e kupton si liri të jetës, sepse këtu fjala është “për zemrën e madhe fëmijënore poetike”, ashtu siç e vëren bukur dhe saktë teoriku i respektuar i letërsisë maqedonase prof. d-r Vasil Tocinovski. Te Mustafa Spahiu në mes të jetës dhe artit rrjedh lumi dykahësh, sepse në jetë dhe në kulturë të gërshetuar me zen, të cilin autori ynë e ka përvehtësuar me shpirt nuk është e mundshme “të tërheqesh linjën në mes të jetës së sjellë në art dhe të artit të sjellë në jetë dhe natyrë” thotë Devidè.
Kjo ndonjëherë do të jetë shkak pse në kulturat tjera thjeshtësia e haikut, forma e tij e thjeshtë dhe shprehimishtësia e tij mashtrojnë ata të cilët e përcjellin dhe që e komentojnë, që në shkallën e recepcionimit poetik të haikut poetët jorrallë e gjejnë në hijen e “klasikëve”. Fjala është për kuptimin e gabueshëm, sepse realiteti është krejtësisht ndryshe. Në tre vargje, me zakonisht shtatëmbëdhjetë rrokje, pa metafora dhe zbukurime tjera letrare, ta thuash tërë një jetë universale u është dhënë vetëm njohësve të shkëlqyeshëm, atyre të cilët përulshëm dhe me kursim zgjedhin fjalët e rëndomta të cilat të shtruara në haiku mund të inicojnë, ta nxisin tërë një vërshim të përjetimeve poetike dhe shpirtërore. Haiku njësoj e nxit poetin dhe lexuesin që në bashkësi të përjetojnë atë që është e papërshkrueshme, që do të thotë se haiku është vetëm ëmblemë e poezisë, pasqyrë e saj. Karakteristika për të qenë i përmbajtur, si karakteristikë themelore e haikut, në poezinë e Mustafa Spahiut është e dukshme. Ai shkruan pa zbukurime, pa gjasim (shtirje), dhe pa patetikë, duke iu përmbajtur qasjes askete, pa i thënë kurrë të gjitha, ai nuk në të cilin do të paraqitet njohuria vetëm atëherë kur flitet për te. E konsideroj këtë si mënyrën më të mirë të mundshme që bota të pranohet, pa të gjitha ato që në te janë të tepërta.

Zambaku i bardhë.
Në largësi sikur është bregu
Barka pa rrema.

Të flitet pak e të thuhet shumë – është rregull e haikut. Pra në këtë art të marrjes (zbritjes), ku çdo gjë që është e tepërt dhe e parëndësishme hudhet, fjala pastrohet prej çdo sekundariteti. Sëkendejmi edhe është më i miri ai haiku i cili nuk është “i përkryer”, i cili na mundëson mbindërtimin e mëtejmë. Kështu numri i vogël i fjalëve ofron mundësinë e më shumë sugjerimeve, që në të vërtetë paraqet problem të rëndë me rastin e përkthimit, veçanërisht kur autori si është Mustafa Spahiu, përdorë zbraztësitë, respektivisht elipsat kur i lidhë në shikim të parë mendime të palidhshme ose dy pamje të palidhshme. (Në donatisje, / Gazelja vrapon – rreze – / N’oazën e blertë). Përthimin kështu duhet marrë si “anën tjetër të armaçit, siç thotë një autor i vjetër kinez, duke sugjeruar se të gjithë pejzit janë në numër të njejtë, por vetëm ngjyrat dhe vizatimi është tjetërfarë.”

Dhe në fund, të themi se si Mustafa Spahiu si poet i haikut mbështetet në ato përvoja të fituara me njohjen e Haikut të Bashos, veçanërisht kur është fjala për ngjyrërat, tingullin, futjen e përditshmnërisë në haiku, duke lëvizur nga një përjetim në tjetrin, duke mos pasur shumë dert për lidhmërinë e tyre ”të jashtme”, duke gërmuar pas atyre imtësive që përbëjnë amshueshmërinë.

Tokë e kaltër,
Me rrema ngjyrë vjollce.
Kërthenezën lisat./

Nga kroatishtja përktheu:
Smajl SMAKA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *