Të jesh njeri i mirë, kërkohet më shumë! Tregim Nga Nikolla Jorgoni

Të jesh njeri i mirë, kërkohet më shumë!
Të gjendesh pranë detit dhe të shohësh valëzimin e tij me dallgë të vogla ose të mëdha, e herë të tjera me valëzim pothuajse të qetë e me shkumbëzim sikur të buzëqesh, apo kur tërbohet me dallgë shumë të larta që përplasen tek gurët e mëdhenj të argjinaturës, të krijohet një kënaqësi e veçantë.
Ajo shtohet kur sheh tragete që vijnë e ikin e që lundrojnë në det të hapur, apo anije të ndryshme që lëvizin e që dalëngadalë humbin larg në horizont, zogjtë e pulëbardhat që fluturojnë mbi det dhe bijen pingul mbi ujin e dallgëzuar për të kapur ndonjë peshk dhe, atëhere të krijohet një ndjesi që ta ripërtërin shpirtin e të mbush mushkëritë me ajër.
Por nuk mund të lihet pa treguar për perëndimin e diellit që me rrezet e tij të kuqërremta që skuqin qiellin, duket si një top i madh i zjarrtë që bie pak nga pak në det, duket sikur të buzëqesh e të uron natën e mirë dhe zhduket në horizont. Nuk besoj se ka pamje më të bukur e romantike se kjo.
Në këto momente je me humor të mirë, të kthjellohen mendimet, është diçka ,agjike. Pikërisht është kjo magji që preferojnë qytetarët durrësakë, të cilët lindin e shohin detin dhe vdesin me kujtimet e tij.
Në një ditë të zakonëshme, disa të moshuar ishin ulur si përherë rreth një tavoline në një bar-restorant të shëtitores Taulantia, për të pirë kafe. Këta pensionista mblidheshin pothuajse çdo ditë si një ritual. Ata i bashkonte miqësia e të qenurit pensionist, shqetësimet kur ndonjë nga shpkët mungonte për 2-3 ditë sepse vitet kishin bërë punën e tyre në atë rrugëtim të gjatë, pse jo, ndofta ndonjë ditë edhe ata do të përsonin atë fat. Fatin e përfundimit të emisjonit të vet, të qenurit në këtë botë. Realiteti i këtij mendimi ishte i drejtë, dikur kishin qenë një grup i madh dhe tani pak nga pak grupi po zvogëlohej.
Këta të moshuar bisedonin për tema të ndryshme duke filluar nga futbolli, nga ndonjë ngjarje që mund të kish ndodhur, komentonin gazetat sipas mendimit të tyre dhe jepnin opinione jo gjithmonë në një mendim apo përfundim. Ndjenje kënaqësi t’i dëgjoje këta burra që kishin mundur me e përballuar jetën, e cila sipas Fan Nolit “është luftë e trimëri të jetosh”. Ata tashmë i gëzonte e vetmja gjë, që ishin bërë gjyshër dhe nuk e mohonin kënaqësinë që u jepnin nipërit e mbesat. Ata planifikonin racionin e pakët të lekëve që do të harxhonin atë ditë, për të pirë një kafe, blerjen e një gazete dhe lekët që mund t’u tepronin për t’i blerë diçka nipit apo mbesës. Kështu më tha njëherë një arsimtar i dalë në pension.
Këta të moshuar bisedonin dhe debatonin me njeri tjetrin me urtësi e dashuri, pa u rrëmbyer e pa fyer shokun. Ata kishin patur profesione të ndryshme si profesorë, arsimtarë, ekonomistë, artistë si dhe njerëz të thjeshtë, që jeta i kish bërë të njiheshin me njëri tjetrin. E shoh me kërshëri si një fotografi reale rrugëtimin e gjatë të jetës së tyre. Më tërheq ecja, vështrimi, e folura dhe buzëqeshja e tyre e brishtë. Ata kanë prekur, përjetuar, dashur e urryer dikur plot forcë e tani në një lloj fëmijërie por me vite maturi mbi supe, janë në fund të rrugës së tyre.
Me ndjesinë që kjo do të ishte e ardhmja e çdo njeriu unë u ula afër tavolinës së tyre për të pirë një kafe e me dëgjue diçka se për çfarë bisedonin. Dikush foli për një aksident që kish ndodhur, tjetri e pasoi për një vrasje për motive të dobëta, një tjetër për informalitetin e kështu me rradhë, duke përfolur politikan apo ndonjë deputet. Po ashtu problemet e shëndetësisë që nuk ishin në lartësinë e duhur, për kasat fiskale e korupsionin. Pasi ra një qetësi, dikush tha: a mund të më thoni se kush është ajo gjë më e moralëshme që duhet të ketë një njeri, çfarë është më e mira që të jetë njeri. Një tjetër tha: jeta është e shkurtër, kur arrin ta kuptosh je në fund të saj. Përsëri foli dikush që kishte biseduar më parë, se çfarë e kënaq njeriun, dhe pak nga pak biseda po gjallërohej e po bëhej interesante.
Në këtë kohë kamarjeri më pruri kafen, por unë po mendoja se si do të vazhdonte biseda që ata e kishin filluar. Në përgjithësi i njihja ata pensionista, por atë që po fliste se kisha parë ndonjëherë. Ai me pak shaka tha: gjëja më e mirë është vera që pihet, ajo të kënaq shpirtin, kur e pinë je me humor vazhdimisht. Por shoku i tij që ishte aty pranë, një sportist i njohur tha: jo mor jo, të jesh i pari i vendit dhe s’ka nevojë për asgjë se i ke brënda të gjitha atë gjëra që do. Aty pranë qe ulur artisti që gëzonte respekt nga të gjithë. Pasi kishte dëgjuar me vëmendje bisedat, atij nuk ju durua dhe foli ndryshe. Ai tha me zë të lartë se gjëja më e mirë në botë është gruaja dhe e vlrteta.
Pas një pushimi të vogël ndërhyn profesori që ishte më i moshuar, për të cilin kishin respekt të gjithë qytetarët durrsakë. Ai kish studiuar në universitetet e Europës, e njihte shumë mirë jetën, ishte enciklopedik. Ai gjithmonë i linte të tjerët të shpreheshin dhe në fund jepte mendimin etij. Ai lëvizi pak karrigen e duke u kollitur pak si për të rregulluar zërin, filloi të flasë rrjedhshëm për gjithçka aë ishte duke i bërë një analizë temës që ishte ngritur se kush ishte gjëja më e moralëshme që duhet të ketë njeriu.
Të jesh njeri, kërkohet më shumë- tha profesori.
Së pari; s’duhet me e krahasuar jetën tënde me atë të të tjerëve, ti nuk e mendon dot se si është rrugëtimi i tij. Të kënaqesh me atë që ke është një thesar i jashtëzakonshëm. Më poshtë shtoi:
Të kuptosh ç’është e drejtë
Të ndjesh ç’është e bukur
Të dëshmosh ç’është e mirë
Ja qëllimi i jetës së arsyeshme (Platoni)
Nuk jam i mendimit që vera është gjëja më e mirë. Me të vërtetë ajo të kënaq shpirtin, je në humor, ndjehesh i lehtësuar nga të gjitha problemet që ke, është dashur dhe t’i merr pak mentë kur e pinë.
Shkrimtari persian Omar K’hajan ka folur për këtë, kur ka thënë: “Natën kur po flija, më tha shpirti të pija, se në këtë botë s’ka lumturi, zbraz kupa e puth çupa..etj” Por kjo është e përkohëshme, se ai që vazhdon bëhet alkolist, prish familjen, prish ekonominë dhe vendimet që merr janë të turbullta dhe mund të bëjë skandale.
Kurse sportisti ynë i tha: të jesh i pari vendit, s’ke nevojë për asgjë, i ke të gjitha brënda. Profesori vazhdoi: nga historia kemi parë se këta njerëz janë kthyer në njerëz të këqinj, deri në kriminelë, për të mbajtur pushtetin e tyre. Në Rusi kur mbret ishte Car Ivani, i u vu nofka Ivani i tmershëm. Ai vrau të birin nga frika se mos t’i zinte fronin. Në shkrimet e Shekspirit të madh kemi të bëjmë me epokën Shekspiriane, ku shohim se si përfundojnë mbretërit e asaj peiudhe. Po ashtu dhe në Francë me Luigjin e XII që i prenë kokën. Dhe tani vonë jemi dëshmitarë me diktatorët si Stalini, Enveri, Pinoçeti etj. Këta njerëz bëhen të neveritshëm dhe të urryer nga populli, humbin llogjikën. Ata kanë një lumturi në thonjëza të përkohëshme, pastaj bien dhe thyejnë qafën. Po ashtu u ndjeva mirë për arsyetimin që artisti i merituar i bëri temës që po diskutonim. Ai ka debutuar shumë role me personazhe nga jeta, si në teatër ashtu edhe në filma. Në rolet e tij të shumta ka arritur ta njohë jetën e të japë një mendim ndryshe nga të tjerët. Ai tha: gjëja më e mirë në botë për njeriun është gruaja dhe e vërteta.
Le ta analizojmë, ta shohim më kjartë. Gruaja ka dashuri, të jep dashuri, të jep lumturi duke të dhënë trashëgimtarin, pra vazhdimësinë e jetës. Ka dashurinë për njerëzit që ka pranë. Ndihmon të tjerët në nevojë, se dashuria fal edhe atëherë kur ti je në gjendje ta ndëshkosh personin, je i drejtë e kërkon të vërtetën, e bën njeriun të pakorruptuar, pra të jesh njeri.
Pra e vërteta është ndershmëri, virtut, fisnikëri, besim, fuqi që siguron rrugën që do të ecësh. Edhe nqse gjatë rrugës mund të rrëzohesh, e rëndësishme është të ngrihesh pa patur frikë e mos tundohesh e të korruptohesh. Por jeta ka treguar se ka njerëz jo të drejtë, që nuk e thonë të vërtetën kur ajo duhet thënë me zë të lartë: Pse vallë ndodh kjo? Kemi mos sinqeritet ndërmjet njeri tjetrit. Nuk e themi atë të vërtetë që duhet thënë, por ndrydhemi, stepemi dhe humbim vlerën e njeriut, vlerat e moralit që sot kërkohen si asnjëherë. Këto vlera i vuan njeriu, i vuan shoqëria, familja, për arsye se nuk thuhet e vërteta.
Profesori ishte i qetë por dhe i përqëndruar në mendimet e veta. Ai pasi pushoi pak, largoi filxhanin e kafes, vendosi të dy duart mbi tavolinë dhe vazhdoi bisedën:
D t’ju tregoj një histori nga lashtësia, për të qenë më të kjartë, 150 vjet para Krishtit, autori është Nehemia, që ka shkruar shumë kronika dhe tregime në atë kohë. Të gjithë po e dëgjonin me vëmendje, biseda u kish pëjqyer i kish bërë të mos e ndjenin kohën që po ikte dhe prisnin me padurim që profesori të vazhdonte(sigurisht edhe unë bashkë me ta).
Është historia e Suzanës, një grua shumë e bukur e një prijësi në Jude të Babilonisë. Në shtëpin e saj vinin shumë vizitorë, personalitete, gjyqtarë dhe argëtoheshin. Dy prej vizitorëve u dashuruan shumë pas saj dhe u përpoqën ta joshnin, ta tundonin. Kur ajo bërtiti, këta dy vizitorët nga frika e paditën Suzanën sikur e kishin gjetur atë në krahët e një të riu. Ata e paditën, sipas ligjit e dërguan në gjyq dhe meqenëse ishin dy dëshmitarë me të njejtën padi, sipas ligjeve të atëherëshme ajo u dënua me vdekje.
Por një i ri me emrin Daniel, i ndërpreu veprimet dhe filloi të shqyrtojë dëshmitarët. Ai pyeti sejcilin veç e veç të tregonin se në cilën pemë të kopështit e kishin gjetur Suzanën me të dashurin? Kur ata dhanë përgjigje të ndryshme, u dënuan ata dhe Suzana shpëtoi. Pra doli e vërteta.
Prpfesori përfundoi duke thënë një ligjëratë në formë thirrje: Sikur të gjithë njerëzit e botës ta thonë të vërtetën, bota do të ishte ndryshe. Ta përfytyrojmë këtë si një shtëpi e madhe, me oborre e kopështe, ku do të lulëzonin lule të bukura dhe pemishte me fruta të shumëllojta e të shijëshme, ku vuajtje nuk do të kishte dhe e drejta do të ndriçonte gjithë rrugën e jetës, pa patur nevojë të mendonim për parajsën që i lejohet sot njeriut të mirë.
E vërteta është si një fener ndriçues që nuk lejon të ecësh në rrugë të gabuar e të përplasesh që të biesh viktimë e padrejtësisë.
mjek Nikolla Jorgoni
Durrës

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *