NË MES JETËS E VDEKJES. Tregim nga Besim Hoxha.

NË MES JETËS E VDEKJES
Tregim nga Besim Hoxha

I shtrirë në krevatin e spitalit, po shikoja sesi turma e njerëzve po kalonte urën me harqe të mëdhenj sipër, prej metali dhe druri, pastaj si një varg milingonash ecnin në këmbësoren e ngushtë drejt stacionit të trenit, në kodrinën e vogël, disa qindra metra larg, karshi ndërtesës së spitalit. Në mesin e tyre me siguri shumica ishin: nxënës, studentë e punëtorë të kategorive të ndryshme, të cilët e nisnin punën vonë në mëngjes, apo gati në drekë. Dita ishte plot me diell, ditë kur edhe puna përballohej më lehtë, por edhe kur qëndrimi në natyrë të mbush me jetë. Kjo në mua zgjoi njëfarë zilie per gjithë ata njerëz që më dukej se ishin pa brenga, të lire, që po e shijonin jetën e tyre ashtu siç e shijon çdo njeri në ditët e mrekullueshme në stinën e pranverës, verës dhe vjeshtës së hershme. E unë isha i dënuar të qëndroja i shtrirë në një dhomë spitali. Urdhri ishte i prerë, nuk duhej të ngrihesha nga shtrati pa lejen e mjekëve deri ditën kur ata do ta shihnin të arsyeshme se mund ta bëja këtë. Fuqitë po më lëshonin dita-ditës. Në vend se të shtrëngohesha, po dobësohesha çdo ditë e më shumë. Kjo vinte ngase mjekët më kishin caktuar një regjim të rreptë ushqimi, që përmbante një kaftjall të varfër me katër thela buke të biskotuara e të ambalazhuara kushedi se kur, të shoqëruara me pak marmelatë dhe një filxhan kafeje me qumësht. Dreka dhe darka për mua ishin njësoj: supa të ndryshme, pure dhe pate pule në kavanoza të vegjël, nga ato që janë të destinuar për fëmijët në vitet e para pas lindjes. Por, ndoshta mjekët kishin arsyet e tyre , unë këtë nuk mund ta dija?! Shumica e pacientëve në dhomë janë pleq. Ja ai afër dritares, një plak me mustaqe duhet t’i ketë kaluar të tetëdhjetat, plak zevzek, vazhdon me të tijën, hedh lëvoret e portokallit të porsangrënë në tokë dhe për këtë zihet me gruan. Tjetri në anën e majtë timen, afër derës u ankohet infermiereve se dikush ia ka marr pantoflat e tija. I biri i vetëm vjen rrallë për vizitë, mjekët vazhdojnë të pyesin për të, sepse ia kanë bërë gati fletëlëshimin për në shtëpi. Në krahun tjetër të derës qëndron i shtrirë një plak tjetër rreth të shtatëdhjetave . Atë çdo ditë e viziton gruaja, dhe ndonjëherë edhe e bija. I sjellin çdo ditë ushqime nga shtëpia në drekë e në darkë edhe pse mjekët e kundërshtojnë një veprim të tillë. Ato ankohen se këtu serviret ushqim i keq, për këtë arsye i sjellin ushqime të përgaditura nga ato vetë. Gruaja e tij është një zonjë e mbajtur, elegante, bionde me flokët e prerë shkurt. Ajo kujdeset shumë për të shoqin. Ia kreh flokët e thinjura, e zhvesh nga brezi e sipër, e pastron me shami të lagura, pastaj e thanë me peshqir dhe vazhdon t’i bëjë masazh qafës, shpatullave e shpinës. Në mahi i them se as në qendrat estetike nuk do ta trajtonin aq mirë burrin e saj. Ajo qesh,duket se është e kënaqur me këtë vlerësim. Burri i saj pas këtij trajtimi me flokët e ngritura e të paluara në pjesën e rrafshët të kokës, si një yll filmi, i këndellur e i përtërirë të duket tjetër njeri. Por kjo zgjat pak , sapo shkon ajo, ai del shpesh në korirdor e në banjë, veçanërisht natën, me flokët e shpupurishur e me ecje të kërrusur si një qen i lagur e i mërdhirë, nga shiu kthehet prapë në gjendjen e mëparshme. Për ta bërë më komplete skenën shfaqet në derë edhe prifti zezak, që kalon çdo ditë dhe na pyet nëse dëshiron dikush nga ne të rrëfehet, bekohet apo gjëra të tjera të këtij lloji. Ai siç duket është i ngarkuar me detyrën që askush të mos shkoj i papërgaditur në botën tjetër.
***
Një ditë para sëmundjes e kisha parë profesorin e estetikës në ëndërr. Ai kishte shkruar dikur një roman që në titull mbante fjalën vdekje. U takuam në rrugë fare pranë ndërtesës ku banoja . Ai po më shqiptonte ca numra, që mua më dukeshin si numra telefoni të ndonjë personi të panjohur. Me vete po mendoja se ishte nga ato ëndrrat e pakuptimta që shumëherë nuk arrijmë t’i dëshifrojmë. Mirëpo siç do ta shihja më vonë, kjo nuk ishte e rastit. Edhe sikur herëve tjera ëndrra do të paralajmëronte të këqijat që më prisnin, dhe lajmet e kobshme që do të mirrja.
Atë natë te ne ishte për vizitë vllau i gruas, Ardi. U takuam në stacionin Roma Termini para se të filloja punën në mbrëmje në restaurantin ku punoja katër orë në drekë e në mbrëmje shumëherë gati deri në mesnatë. Kunatin e përcolla me shokun tim Nuhiun që në atë kohë po kthehej nga puna. Në shtëpi u ktheva rreth mesnate. Gruaja për ta nderuar të vllain kishte pëgaditur bakllava dhe më pyeti nëse edhe unë dëshiroja të pija një neskafe siç i pinte vllau i saj në filxhana të mëdhenj. Për t’i bërë shoqëri musafirit pranova të pija edhe një kafe megjithëse kohët e fundit e kisha shtuar tejmase numrin e tyre. Në filim kur fillova punën në restorant i pija vetëm dy kafe në ditë, tani i pija katër-pesë. Me shokët e punës, me ndonjë mik sa herë na vizitonte, apo kur gjenim pak kohë të lirë, na ishte bërë ves të tuboheshim te makineta e kafes për të biseduar, bërë shaka, e për të pushuar disa çaste nga puna e lodhshme.
Pas bisedave të zakonshme për njerëzit dhe gjendjen që mbretëronte atje në vitet e pasluftës, i uruam natën e mirë njëri-tjetrit dhe u shtrimë për të fjetur. Mirëpo, atë natë dëshira dhe nevoja për pushim dhe çlodhje, pas punës rraskapitëse dhe të mundimshme në periudhën kur punohej shumë me grupe turistike të ardhura pothuajse nga të gjitha kontinentet, ishte e kotë. Pas shumë e shumë rrotullimesh, ndoshta kisha arritur të flija pak. Dikur më doli gjumi, një lloj mundimi po më ngjitej në grykë. U ngrita nga shtrati, po ndieja një etje të madhe dhe plogështi në tërë trupin. U nisa drejt kuzhinës, hapa frigoriferin, mora një lëng pemësh dhe një gotë por këmbët nuk po më mbanin. U ula menjëherë në karrigen që fatmirësisht gjendej karshi frrigoriferit, mbështeta bërrylat mbi tavolinë, mora kutinë e lëngut për ta mbushur gotën, për ta tharë etjen por edhe duart nuk po më bindeshin, pamja po më humbiste. I privuar nga çdo lloj ndjenje, humba vetëdijen plotësisht. Kontakti im me botën për disa çaste u këput. Po fillonte terri, hyrja në një zonë të errët e të pashpjegueshme. Ajo gjendje ishte ndoshta një dyzim i pëkohshëm në mes jetës dhe vdekjes, një jetë-vdekje apo një vdekje-jete quajeni si të doni. Nuk e di se sa kohë kam qëndruar ashtu i ulur në karrige, i ngrirë,( me gojën mbyllur siç ma shpjegoi më vonë gruaja dhe kunati) pastaj në atë gjendje, diku në skutat e vetëdijes kam parë veten shtrirë përtokë, në dhomë, jo në vendin ku isha në të vërtetë, me një pellg gjaku pranë trupit tim. I thosha vetvetes me zërin e mendjes: “Si ia lejove vetes Valmir, çka i bëre vetes?! Si e humbe gjithë atë gjak që kishe në trup?!”. Nga goja po shihja gati gjysmën e zemrës, pjesën e poshtme të saj që po më dilte jashtë; unë po mundohesha ta mbyllja gojën që kjo të mos ndodhte. Pra ky ishte fundi im mendoja, zor se do të ngrihesha më në këmbë. Pas gjithë asaj që kisha parë vështirë se do të kthehesha prapë në jetë. Trupi im në atë gjendje ishte si një trup i zbaztë pa fije force, nuk i bindej më shpirtit. Ky i fundit ndoshta edhe mund ta braktiste atë për të shkuar në zona të tjera të panjohura.
Para syve të mi për një çast filluan të më shfaqen fytyrat herë të gruas e herë të kunatit, fytyrat i kishin të zmadhuara dhe në formë katërkëndëshe. Ata më bëhej sikur më thërrisnin: “Valmir, Valmir ” por më kot, unë s’po kthehesha në realitet.
Ndërkohë gruaja nga dhoma kur kishte dëgjuar gërhitjen dhe frymëmarrjen time të vështirë, menjëherë e kishte zgjuar vllaun e saj. Ai kishte provuar të më hapte gojën por pa sukses. Pastaj më kishte ngritur nga karriga për të më shtrirë në dysheme. Në momentin që kishte filluar të lakonte trupin tim, unë kisha shpërthyer në një vjellje të kafeinuar siç do ta quanin mjekët më vonë. Ky veprim ndoshta më kishte larguar nga ajo gjendje agonie, as jetë as vdekje.
Pas pak çastesh do të ngrihesha nga dyshemeja ku më kishin shtrirë dhe do të shkoja në banjë. Shikova veten në pasqyrë, isha bërë i verdhë dyll, ndieja idhtësi në fyt, pështyja dhe vazhdimisht pështyma ishte e zezë fut. Duhet të bëja një dush, dhe të shkoja menjëherë në spital. Gruaja ndërkohë i kishte telefonuar Nuhiut, i cili ishte nisur heret me makinë për në punë drejt Romës. Ai tashmë po kthehej nga rruga për të më shoqëruar në spitalin e Tivolit.
***
Pas tri ditësh terapie inenzive, gjendja ime deri diku ishte pëmirësuar. Përveç shisheve të panumërta me serum dhe përmbajtje hekuri të lëngshëm, më kishin dhënë edhe gjak. Shumëherë herë këto ditë i kisha shikuar mbi këmbalec ato shishe që zbrazeshin pikë-pikë , njëherë në shiringë e pastaj nëpër tubëza të hollë plastike duke m’i freskuar venat. Ato pika më mbanin ende të lidhur për jetën. Jo vetëm kaq, ato herë-herë më dukej sikur ishin burimi i jetës vetë!
-E din se çfarë thënie kanë italianët për jetën?- i them gruas që qëndron e ulur pranë meje si çdo ditë gjatë orarit të vizitave.
-Jo nuk e di!- ma kthen ajo, dhe vazhdon të m’i ledhatojë duart me sytë e ujshëm që në çdo moment janë gati të shpërthejnë në lot. Ka diçka hynore në dhimbjen e femrës për njerëzit e dashur të zemrës së tyre.
-Jeta fillon në moshën dyzetvjeçare.- i përgjigjem unë
-Dashtë Zoti të jetë ashtu, që sytë e mi mos me t’pa ma si t’kam pa atë natë.-më thotë ajo, dhe mi shtrëngon edhe më fortë duart.
Një mendim e kisha bluar shumëherë ato ditë në mendje; e kisha tepruar me disa vese të cilat njeriu mund t’i fitojë gjatë jetës së tij. Ishte koha për të ndryshuar diçka apo shumëçka?! Mbetet të shihet. Këtë punë detyrë po ia besoja vullnetit tim, jetës dhe fatit.