Në Ulqin shënohet 10 – vjetori i aktivitetit të “Nermin Vlorës”

Ulqini ia ka hapur derën e bujarisë dhe bashkëpunimit Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi” këtu e dhjetë vjet më parë. Në kuadër të festimit të miqësie dhe pune intelektuale, ulqinakja Zylfije Gjoni Duraku u nderua me titullin: “Nderi i Fondacionit”

MIGENA ARLLATI

Ulqin, 14 shkurt

Me rastin e 10 – vjetorit të themelimit të degës së Fondacionit dhe mbajtjes së Kuvendit të parë në Ulqin, Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” organizoi në këtë qytet Tryezën me temë: “Femra, dora që tund ardhmërinë e një populli, pozita e saj sot dhe problematikat që kërkojnë zgjidhje”.        

Konferenca afroi rreth vetes jo vetëm femra por në përgjithësi përfaqësues të nivelit intelektual të shqiptarëve të atjeshëm, duke bërë kështu që stadi i organizimit të ishte i lartë. Me anë të kumtesave dhe diskutimeve dolën në pah probleme të ndryshme, qofshin ato të vjetra a të reja, që shqetësojnë mbarë popullatën dhe pengojnë frymimin normal e avancimin e shoqërisë në përgjithësi. Zenepe Luka, presidente e Fondacionit, vuri në dukje përpëlitjet e gruas shqiptare në shekuj, si dhe për fat të keq topitjen e saj të herëpashershme duke mos pasur përkrahjen e duhur
as nga politika e as nga faktorë të tjerë. Me një kumtesa realiste, gazetarja Hatixhe Nelaj iu referua në mënyrë të drejtpërdrejrë problemeve të shumta për gruan. Me anë të statistikave konkrete Nela tregoi se sa pak është e përfaqësuar gruaja ulqinake në organe vendimmarrëse, në poste drejtuese dhe vende meritore, të cilat nuk i jepen në besim për shkak të monopoleve të vendosura nga gjinia mashkullore.

Në takimin me gruan ulqinake morën pjesë figura të ndritura të artit shqiptar si: Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Irini Qirjako, Tefta Radi, Vllasova Musta, Vitore Sallaku, Silvana Braҫe, si dhe nga Kosova: Ajtene Krasniqi, Migena Arllati, Bahrije Spanca, Flora Durmishi, Shpresa Bilurdaku, Vjosa Abazi etj. Zylfije Duraku, kryetare e degës së Fondacionit në Ulqin, u kujdes për seriozitetin dhe kontributin në mbarëvajtjen e Konferencës. Ajo është mjekja meritore për hapjen dhe funksionimin e repartit të gjinekologjisë në Ulqin, duke ndihmuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë në kujdesin shëndetësor ndaj nënave dhe fëmijëve, si dhe në mosrënien e natalitetit. Për kontributin e shumëanshëm në ndihmë të popullatës shqiptare dhe më gjerë si dhe tejkalimin e sfidave të shumta, dr. Zylfije Duraku u dekorua me medaljen e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, që iu dorëzua nga Nderi i Kombit Tinka Kurti. Tryeza e mbajtur në hapësirat e shkollës së muzikës në Ulqin u shoqërua nga interpretime poetike, në violinë dhe piano nga artistë të famshëm të skenës shqiptare. Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Ulqin, kryesia e Fondacionit patën një takim edhe me Kryetarin e komunës z. Fatmir Gjeka me të cilin u diskutuan ҫështje me interes ndaj popullatës shqiptare të këtushme, të cilët edhe pse janë shumicë, për fat të keq nuk kanë mundur të gjejnë mundësitë optimale për bashkëpunim mes tyre. Sipas Gjekës, faktori politikë është i përҫarë së tepërmi, gjë e cila mund të sjellë si pasojë edhe humbjen e pozitës së kreut udhëheqës që deri tani ka qenë nga shumica shqiptare. Duke ditur se problemet e politikës pasojnë probleme të ndryshme në të gjitha lëmitë, Fondacioni i gruas apeloi për kompaktësi dhe unitet të popullatës shqiptare, me theks të veҫantë të kuadrove politikë pasi ata kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për qenien shqiptare në këtë zonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *